SI S’TË PËLQEN?

Në fund të viteve 1980, ca miq italianë me të cilët po shëtisja në Romë, më ftuan të hyja te një kishë diku në Centro Storico, për të parë një vepër arti të jashtëzakonshme. Mbaj mend që hymë dhe që brenda në kishë ishte mjaft errët, derisa një prej miqve futi një monedhë te një kuti dhe u ndezën dritat, të cilat shfaqën një pikturë që duhej gjykuar si e mrekullueshme.

Nuk e mbaj mend si reagova, në atë kohë sikurse edhe tani nuk e kam përgatitjen e duhur për të kuptuar pse një pikturë është tejet e bukur ndërsa një tjetër jo, dhe kjo si për artin klasik ashtu edhe për artin modern. Sikurse nuk e mbaj mend se ç’pikturë më çuan të shoh atëherë – mund të ketë qenë një vepër e Caravaggio-s, në kishën San Luigi dei Francesi, afër piazza Navona-s në Romë, por mund të ketë qenë edhe diçka tjetër.

Më pëlqen shumë Caravaggio-ja, por nuk di të dalloj një pikturë prej tij nga një të ngjashme, që mund të jetë pa ndonjë vlerë të madhe, pse derivative ose false.

Kultura e sotme më ka trajnuar, mua si shumë të tjerëve, për çfarë duhet të na pëlqejë, por jo aq për si ta lexojmë artin e hollë. Nuk gjen dot njeri “të mësuar”, që të mos e lëvdojë Caravaggio-n, edhe pse shumë nga ne do t’i kalonim një pikture të tij përbri pa e kthyer kokën, po të mos e dinim se ç’ishte.

Ata miqtë italianë, që më dëftuan Caravaggio-n, mbase dëshironin të më ftillonin pak mua, “të pagdhendurin” nga Tirana; mbase edhe thjesht donin të konsumonin veten si njerëz me shije. Por kultura e vendit të tyre, siç e kishin mësuar në shkollë dhe gjetiu, i kish trajnuar tashmë si të vepronin, përballë veprave të artit të shpallura si kryevepra, sikurse i kish trajnuar që të vizitonin kishat në Romë, në kërkim të eksperiencave artistike sublime.

Georgia O’Keeffe, Pelvis II

Shumë prej nesh kanë frikë të shprehin haptazi se ç’mendojnë përballë një vepre arti të ekspozuar në një muze, sidomos kur muzeu është prestigjioz; thjesht ekspozimi mjafton për të përcjellë informacionin se veprën e kanë gjykuar si të rëndësishme njerëz që marrin vesh nga këto punë. Ti shkon në muze për t’u “ftilluar”, jo për të dhënë gjykime kritike ndaj veprave. Kur gjendesh përpara një tabloje ose një skulpture që të duket pa kuptim ose si diçka e gjetur në plehra (merda d’artista), nuk qorton veprën, as artistin, por veten tënde që nuk kupton. Nuk e hap gojën, që të mos bëhesh gazi i botës.

E gjithë kjo tregon si ndërveprojmë me artin, sidomos me artin e lartë. Në raste të tjera, për shembull në një koncert me muzikë dodekafonike, zgjedhim të mos shkojmë – duke preferuar, të themi, Mozartin ose Chopin-in. Pierre Bourdieu pat thënë se familjariteti me artin përbën një kapital kulturor të cilin elitat e përdorin për të mbajtur jashtë të tjerët, nga qarqet e ngushta të atyre që kanë para dhe pushtet. Shija e hollë rezulton kështu nga një traditë familjare e pushtetshme, madje jo vetëm: e shpall atë traditë për Tjetrin.

Picasso, Nude by the sea

E megjithatë. I ndodhur përballë një pikture të panjohur të Rilindjes Italiane, unë nuk jam në gjendje të them nëse është nga Raffaello, nga Da Vinci, apo nga ndonjë artist dytësor derivativ. Por më ka ndodhur, jo rrallë, që duke vizituar një muze ose një galeri të më kenë mbetur sytë te një pikturë, pa e ditur se ç’ishte. Për shembull, te një Nudo buzë detit, e Pablo Picasso-s, në Met, e cila më gozhdoi që larg; ose te një Pelvis II nga Georgia O’Keeffe, sërish në Met. Nëse këto dy piktura kanë diçka të përbashkët mes tyre, kjo diçka mund të jetë edhe çelësi i ndjeshmërisë sime artistike. Edhe një skulpturë e Brâncuși-t, Bird in Space, pati efekt të ngjashëm tek unë; por kur shoqja ime më pyeti pse më magjepsi kështu, nuk dija t’i them…

Për këto shënime, u bë shkas një ese e Thomas Kaminski-t, në Claremont Review of Books (On Taste: How do we know whether art is any good). Eseja hapet me shembullin e një pikture, The Man with the Golden Helmet, që për shumë kohë u adhurua si një nga kryeveprat e Rembrandt-it, por pastaj ekspertët zbuluan se nuk ishte e këtij artisti por e një studenti të tij, dhe ashtu edhe floririt në helmetë i iku shkëlqimi, sikurse u iku entuziazmi dhe hiperventilimi vizitorëve që ndaleshin para saj në galeri.

Pse vallë e adhuronim aq shumë dikur, pyet autori, ndërsa tani jo aq? Ngaqë ishte një arritje artistike brilante, apo ngaqë e kish bërë Rembrandt-i?

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin