FILM E IZOLIM

nga Arjan Shahini

T’i kthehemi edhe njëherë izolimit. Propaganda e regjimit në të gjitha format e mjetet e ka kundërshtuar me forcë tezën se Shqipëria është e izoluar. Filmi shqiptar shembullor që merret me këtë temë është „Në çdo stinë” (1981) me regji të Viktor Gjikës.  

Për lexuesin e interesuar mbi izolimin dhe marrëdhëniet e jashtme të Shqipërisë gjatë periudhës së socializmit të vonët tërheq vëmendjen në një konferencë që organizohet nga një konsorcium universitar me qendër në Vjenë.* Konferenca mbi Ballkanin, Botën e Tretë dhe internacionalizmin socialist do të zhvillohet në dt. 17-18 Qershor.  

Pas filmit „Ballë për Ballë“ (1979, P. Milkani & K. Çashku), të cilit i pari i referohet disa herë në mënyrë ikonografike, ky është filmi i dytë me vlera origjinale propagandistike. Të dy shënjojnë thyerjet dhe vazhdimësitë thelbësore të marrëdhënieve të jashtme të Shqipërisë. I pari prishjen me Kinën gjatë stinëve të miqësisë/armiqësisë, ndërsa i dyti me Bashkimin Sovjetik, si edhe vazhdimësinë e internacionalizmit proletar e ideologjisë komuniste të regjimit.  

Si mund të analizohen p.sh. filmi „Në çdo stinë“ i Viktor Gjikës nga ky këndvështrim?  

Së pari, filmi edhe pse ka emrin e Viktor Gjikës është produkt kolektiv. Jo vetëm nga ndërhyrjet e aktorëve që në një farë mënyrë mëtojnë se i kanë shkruar (improvizuar) vetë cilësitë rrethanore të karaktereve (karakterizimet dhe arketipat ishin të përcaktuara: heroi/njeriu i ri, komisari apo anëtari i partisë, etj.)**, por edhe nga ndërhyrjet e aparatit të propagandës dhe të censurës. Për fat të keq artistët-burokratë që praktikisht kanë shkruar skenarin, nuk i shohim gjëkundi nëpër titra. Së dyti, edhe pse artistikisht filmi është i dobët (sidomos aktrimi), krahasuar p.sh. me filmin “Ballë për Ballë”, teknika kinematografike është moderne e me influenca perëndimore (p.sh. close-ups, prezantimi i shkurtër i karaktereve dhe i kontekstit universitar në fillim, përfshirja e jo-aktorëve, etj.).  

Shkurtimisht, filmi është një ligjërim propagandistik vizual që prezanton dhe instrukton publikun mbi ndryshimet politike në vend. Edhe pse skena hapet me Shqipërinë nën rrethim (skena e zborit), mësimi i parë është që Shqipëria nuk është e izoluar, por e mbrojtur (e rrezikuar). Ajo ka një rini që di edhe të argëtohet dhe që e vlerëson kulturën. Ky mesazh është i rëndësishëm sidomos pas dhunës së revolucionit kulturor të 1967-1975. Tematika e kulturës (arti & sporti) që preket thuajse në çdo skenë të filmit shënjon edhe revanshin e inteligjencies ndaj atyre që përkrahën dhe shkaktuan revolucionin kulturor në vend. Në rrafshin narrativ, historia e dashurisë ndërmjet heronjve është tërësisht anësore.  

Skena kyçe e filmit prezantohet në një të tretën e parë të filmit (minuta 25-26). Në një takim janë disa studentë shqiptarë dhe tre të huaj (dy vajzat kongoleze, dhe një gjerman). Diskutimi ndërmjet tyre vendos në kontrast revolucionin kulturor në Kinë dhe atë Shqipëri. Ligjërimi konfirmon linjën zyrtare të “Shënimeve për Kinën” (1979) të Enver Hoxhës. Biseda përgënjeshtron supozimin se në Shqipëri ka pasur një revolucion kulturor si ai i Kinës, pasi artistët kanë qenë të lirë te performojnë vepra të huaja (të kanonit botëror kulturor). Prania e të huajve nënkupton refuzimin e tezës se Shqipëria është e izoluar dhe vazhdimësinë e përkushtimit ndaj revolucionit ndërkombëtar proletar (socializmit ndërkombëtar).  

Për regjimin ishte pra e rëndësishme të kuptohej se Shqipëria i zgjidhte miqtë, por nuk ishte e izoluar. Si do ta shihnin këtë film studiuesit pas 100 viteve kur dëshmitë e studentëve të asaj kohe nuk do të jenë më në internet?  


* The Balkans and the Post-Colonial World: Socialist Internationalism and Global Entanglements in the Cold War,  https://www.hsozkult.de/event/id/event-98363

** Shih p.sh. komentin e Y. Demnerit në http://www.panorama.com.al/ne-cdo-stine-ishte-filmi-qe-theu-tabu-anisa-markarian-erotizmi-qe-e-pershkon-fill-e-fund-sy-te-kalter-buze-mishtore-gjinj-rinore/

Këtë e pëlqejnë %d blogues: