NGA MJEKËSIA NË FASONERI (REAL QUICK!)

nga Rei Bala

Një turmë dallohet, sërish, përballë Ministrisë së Arsimit. Edhe pse e vogël, nuk mund të mos vihet re se një protestë po zhvillohet. Kësaj radhe fytyrat janë të reja, por kërkesat mbeten të njëjta, e me gjasa, ashtu   si në të njëjtin skenar të para një viti, ato po i drejtohen veshit të shurdhët të godinës bojëverdhë, e cila thuajse çdo dy muaj pret marshimet e radhës nga të rinj protestues. Ka gjasa, që protesta e maturantëve të mbyllet ashtu si të gjitha nismat e llojit të saj, të cilat marrin bujë me shpejtësi, e po me të njëjtën shpejtësi vdesin. Ka edhe më tepër gjasa, që në këto momente, protesta të ketë vdekur e të jetë harruar, por përtej supozimeve, bindja ime ngelet e pastër se problematika është ende aty.

Le të jemi të sinqertë, pa organizimin e një mase konkrete për veprim në terren, një protestë nuk mund të shkojë askund, – e njëkohësisht të mos kesh mundësi të shkosh gjëkundi është një nga frikërat më të mëdha kur je vetëm 18. Sidoqoftë protesta, megjithëse e vakët për interesim të thelluar nga publiku, apo televizioni, – meqë spektakli është një cilësi, e cila i ka munguar – shpalos një pankartë, që prek diçka përtej provimit. Siç edhe thashë, në mungesë të një organizimi konkret, strukturat mbeten të lira dhe fluide, e në fluiditetin e tyre ne kemi fatin, por edhe mallkimin, të hasim thirrjen e pavetëdijshme të protestës.

“Nga mjekësia në fasoneri real quick!” shkruhet me pakujdesi mbi një karton të gjelbër. Deviza tërheq vëmendje, të paktën timen po, kjo sepse nuk më duket se një shprehje e tillë e prek mirëfilli algjebrën, gjeometrinë apo trigonometrinë. Thënë troç matematika apo provimi nuk adresohen askund në këtë pankartë. Ato, përkundrazi, janë veçse vija tangjente të protestës, e njëkohësisht stimujt për të nxjerrë në pah problematikën, që nota e ulët e këtij provimi sjell. Njëkohësisht kemi parë se diçka e tillë ka ndodhur edhe vitin e kaluar me provimin e letërsisë, dhe nuk është çudi, që në të ardhmen një protestë e ngjashme mund të rimarri jetë sërish. Megjithatë në pankartë ndodhet diçka tjetër, e cila pavetëdije mbart kushtin global të shekullit të 21-të. “Nga mjekësia në fasoneri real quick!” është një devizë plot dinamikë, ku dy pika të shoqërisë, midis të cilave vërtitet i riu në prag të profesionit, ndodhen në një distancë kolosale. Duhet thënë pra se lënda e vërtetë e protestës nuk është aspak shkollore, por tregtare.

Dihet se në sistemin e sotëm një notë e mirë përkthehet në një mundësi për të fituar degët më elitare, siç është për shembull mjekësia, – degë e lakmuar sidomos nga ata me prindër striktë, fëmijë të mjekëve, apo pasionantë të parasë së hallit. Ndërkohë një notë më e ulët nënkupton një punë “të rëndomtë”, të cilën as romantizimi revolucionar i parulla-kërpudhave të tipit “Rroftë aroma e djersës së punëtorit” mureve të parafabrikateve të Tiranës nuk mund t’i bëjë më të kapërdishme. Maturantët i tremben kësaj të fundit si fëmijët errësirës. Njëzëri ata kërkojnë ulje të kufirit të notës, e në mënyrë indirekte pranojnë thellë-thellë se ç’ka i tremb nuk është një notë e keqe, por nota e keqe si aparati, që ndan “elitat” nga radhët e gjata me gra e burra të zotëruar nga makina para tyre.

Por çfarë e diferencon fasonerinë nga mjekësia? Ekonomikisht, duke nisur që nga më themelorja, paga e punës së bërë. Kjo, duke qenë minimale dhe e përgjegjshme vetëm për mbijetesë, mitizohet nga familja[1] dhe shoqëria e përdoret më pas për të nxitur frikë tek disa adoleshentë, të cilëve deri dje as nuk u lejohej të punonin. Parimisht në shkencat ekonomike thuhet se individi është i shtyrë nga stimujt, e stimuli shënjues në rastin tonë është ai grupim punëtorësh, të cilët shpesh e kanë të vështirë të ngrenë kokën, e jo më zërin. Dikush më tha, se si në të gjitha protestat[2] e këtij lloji, disa prej pjesëmarrësve herët a vonë do të manipulohen drejt heshtjes e do të ndërrojnë kah. Por manipulimi në rastin tonë është prezent prej kohësh. Ai ndodhet në sistem. Maturantët nuk i kundërvihen sistemit, por përkundrazi, frika e përjashtimit i çon drejt përqafimit të tij, drejt një nevoje kolektive për uljen e pragut të aparatit përzgjedhës. Fasoneria është fundi i tmerrshëm, i cili pret, ashtu si purgatori mëkatarët, ata të cilët nuk e idealizojnë këtë sistem që, ashtu si çdo sistem tjetër që kërkon të mbijetojë, si autoritet të vetëm njeh dhimbjen makiaveliste dhe gënjeshtrën idealiste.

Një sistem i tillë duket konsistent mjaftueshëm sa për të mbizotëruar në një kohë, kur ana mistike e fesë është e materializuar në një botë objektesh dhe konsumi. Fatkeqe është se një sistem material nuk mund të reshti në një botë, ku materializmi e paraprin idealin. Tregu është feja e re e njerëzve, dhe paraja zoti i tyre. Por ç’ka e bën këtë fe të re kaq të veçantë, është natyra e saj drejt nderimit e ndëshkimit. Për shekuj me radhë ndëshkimi apo nderimi fetar qe i një natyre ideale, në një tjetër jetë. Sot, ashtu si ikonat e fesë së tregut, ai është i materializuar dhe konkret, dhe si i tillë shfaq ndëshkimin e privilegjet e tij vetëm e përgjatë kësaj jete. Ndaj edhe ai është potent si dhe me gjasa i pavdekshëm, sepse mitet e tij nuk i lihen në dorë imagjinatës, por përkundrazi ato janë konkrete dhe të kudogjendura.

Një ndarje e tillë shpreh kanavacën e një shoqërie të konsumit, e cila është e gatshme të idealizojë teprinë e mungesën materiale si përfaqësuese të së mirës dhe së keqes, të luksit dhe racionimit. Jo vetëm kaq, por është tendencë e çdo moraliteti dualist të tillë, të vendosi mjerimin si kusht qëllimtar drejt elitës. Një pamje e tillë është e frikshme, por le të mos harrojmë të paktën se është po shoqëria jonë, e cila thotë se “Puna të nderon!”. Kjo është e vërtetë, për sa kohë nuk shoqërohet nga hipokrizia e miteve denigruese të atyre profesioneve, të cilat duhet pranuar se në sensin material zor se të nderojnë.

Protesta resht, ama problemi ngelet po aty. Edhe të nesërmen punëtorët e fasonerisë janë në po të njëjtën gjendje, gjendje që vlen vetëm sa për t’u përmendur në një pankartë, siç përmendet l’idiot du village në çdo komedi të mundshme. Disa pikë më tepër në provimin e matematikës nuk afirmojnë kurrsesi siguri drejt qëllimeve socio-ekonomike të mjekëve, inxhinierëve, juristëve e sipërmarrësve të së ardhmes. Balzakianizmi dhe fabula e Eugène de Rastignac ngelet gjithashtu po aty, e një tjetër brez afirmon rishpalljen e një ideologjie të reduktuar[3] kapitaliste, si rend natyral dhe si normë për të vepruar. Nuk mund të flasim ende për një ndryshim të situatës aty, ku rropatja mitizohet si një e keqe, që duhet shmangur, e ku ndërkohë “elitat” shoqërore, në prag të thyerjes së moshës, përgatisin mandatin për t’ia u kaluar brezit të parë shqiptar rritur nën influencën konstante të një tregu global konsumerist.

Në një fasoneri diku në vend shënon ora 07:30. Puna vazhdon.

14.06.2021

(c) 2021, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Sidomos ato që gëzojnë privilegjet e stereotipit mikroborgjez.

[2] Diçka e tillë ndodhi edhe në protestat e studentëve në Dhjetor të 2019.

[3] Barthes : “Miti synon të shkojë drejt proverbës. Ideologjia borgjeze derdh këtu të gjitha interesat e saj thelbësore: universalizmin, heqjen dorë nga shpjegimet, një hirearki të patjetërsueshme të botës.” (Mitologjitë)

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin