KU SHKOI ABUZUESI?

nga Oksana Duqi

E kam parë me qindra herë frikën në ecjen e tij. Ka tension në fytyrë, vetulla të ngrysura. Shikimin ia trazojnë traumat e së shkuarës sado mundohet ta fshehë, sërish arrij ta dalloj. Duart i fsheh, ashtu siç fsheh atë çka ndjen.

Ndoshta nuk do ta besoni, jo se nuk është e vërtetë, por sepse mundohet aq shumë të fshihet saqë i bën të tjerët të besojnë se është i fortë e se luftën e ka me të tjerët, jo me veten. Do t’ia filloj prej fillimit që dhe ju ta kuptoni se e njihni historinë e tij. Ai mendon se askush nuk e kupton, nuk e di që unë e kuptoj dhe se në fund të fundit të gjithë e kuptojmë, ashtu pa maskat e tij. Gjithashtu, më vjen keq t’ju paralajmëroj se fundi nuk do jetë as i paqtë, as i lumtur dhe aspak i bukur.

Që i vogël i pëlqenin sportet. Asnjë çudi. A nuk u pëlqejnë të gjithë djemve sportet? Të dukesh i fortë, i guximshëm, i dhunshëm deri sa të arrish fitoren, të ndjekësh qëllimin, të tregosh dominancë, të luftosh siç bëjnë burrat e vërtetë për të marrë atë çka duan. As ai vetë nuk e di se në çfarë moshe filloi t’i pëlqente futbolli, por e di që ia vlen të merresh me futboll. Dhe sa fort shijon ato netët kur sheh futboll me çunat. Nuk ka kuptuar që kjo dashuri për sportin, diku i është imponuar.

Ka ca vite që nuk ka qarë. Bëj shaka, se të gjithë qajmë. Ka ca vite që nuk qan në sy të njerëzve. Sjellje klishe. Por do ju tregoj kur qau për herë të fundit (në sy të njerëzve): pesë vjeç u rrëzua me biçikletë. Kur po qante, babai iu egërsua, e çoi me vrap që të vazhdonte t’i jepte biçikletës. Nuk i mban mend fjalët që i tha, veç i ka mbetur në mendje ai reagim i zymtë, pa ndjenja kur priti ndihmë e mbështetje. Ndaj, mos u habisni kur të shihni një reagim të zymtë prej këtij djali kur dikush qan, rrëzohet a mërzitet. Për të është e njëjta ndjesi. E meqë ra fjala te ndjesitë, nuk e ka në fjalor të përdorë fjalë që lidhe me ndjesi a emocione. Përndryshe, sikur t’i vinin në mendje se çfarë po ndien, papritur do bëhej i zymtë.

Nëse e pyesni për familjen, do t’ju tregonte mjaft mbi strukturën familjare, prejardhjen e me krenari ca arritje të gjyshërve të tij. Nuk e ka fort me qejf që të flasë për ndërveprimet midis anëtarëve të familjes. Nuk e sheh të arsyeshme të flasë për marrëdhëniet midis prindërve. Ah, do i kthehej zymtësia në fytyrë, nuk e përballon dot atë gjendje në sy të të tjerëve. Prandaj, nuk do ta dëgjoni ndonjëherë të thënë prej tij sa tension ka në atë marrëdhënie. Nuk do ju thotë që nuk arritur të numërojë herët që baba i tij ka bërtitur nënës, sa e herë e ka dhunuar fizikisht. Nuk ka arritur të numërojë, gjithçka ka filluar para se ai të mësojë të numërojë. Sado përpiqej më vonë t’ia niste me llogari, i kishte humbur të gjitha llogaritë e herëve kur nuk dinte të numëronte. Ndaj hoqi dorë. Nënën e ka parë të nënshtruar, në vuajtje, në ankth. Kuptohet, marrëdhënia e prindërve të tij nuk ka patur asnjëherë diçka përtej intimitetit fizik dhe zënkave. Nejse, i bën përshtypje kjo dhimbje, por nuk do donte ta artikulonte ndonjëherë.

Gjithsesi, përtej historisë familjare, ka shkuar në shkollë, siç bëjnë shumica e fëmijëve. Aty, më shumë se në çdo vend tjetër që ka qenë, i është dashur të vendosë maska. E ka parë veten te të tjerët, pa e kuptuar se janë njësoj. Njësoj sepse edhe ata fëmijë, ata djem me të cilët i është dashur të socializohet, janë rritur në kushte të ngjashme me të tijat: pritshmëri stereotipike të të qenit djalë, shtypje emocionale, dhunë. Ndërkohë, këta të tjerë e sulmonin në mënyra të ndryshme. Është përballur me bullizmin, ngase nuk ka arritur të përmbushë çka e kanë shtyrë të jetë: ka akoma ndjeshmëri te shprehur, duket paksa delikat, i ndjeshëm. Nuk e ka mjeshtëruar ende artin e të fshehurit të ndjenjave në moshën shtatë vjeçare. Megjithatë, përgjatë viteve në shkollë ia arriti të mësojë agresivitetin, i duhej për tu socializuar me djem të tjerë në shkollë dhe në lagje, përndryshe do mbetej gjithmonë veç pre e bullizmit. Nëse arriti ndonjëherë më parë të fliste dhe të shprehte ndonjë lloj pasigurie, frike, mërzie; mësoi të mos e bënte më. Mësoi të akumulojë çdo dhimbje e trupi i tij ta shndërrojë në dhimbje fizike kur bëhej e tepërt për tu përballuar në mendje. Nuk gjeti asnjë njeri ku të mund të shprehej i sigurt, të merrte mbështetje.

Mund të vazhdoja pafundësisht, por duhet të mos harroj dualizmin në sjelljen e tij. Arriti të mësojë të shfaqë sjellje agresive, siç bënin shokët e tij, e nga ana tjetër arriti të mësojë të sillet mjaft mirë kur është e nevojshme. Ka mësuar mirësjelljen, jo se janë sjellë mirë me të, por sepse ka mësuar se kjo mirësjellje mund ta shpëtojë nga kundërvënia e të tjerëve kundrejt tij. Pra, i ka brendësuar aq shumë keqtrajtimet që i kanë bërë dhe ka zbuluar këtë formë mbrojtje se nuk do më që t’i ndodhin sërish e sërish. Frika për të qenë i pranuar nga të tjerët e e mësoi të shfaqë sjellje të mira.

Sot, kur e shoh sërish, shoh frikën që vazhdon të grumbullohet. Mërzinë, trishtimin, dhimbjen që s’i ndan me njeri. Ai shpreson se do të kalojë thjesht, vetvetiu. Me kalimin e viteve do shohë që nuk do të ndodhë, por vetëm do të shtohet ngarkesa e çdo emocioni që përpiqet ende ta fshehë. Ato trauma që ka përjetuar, do t’i rikujtohen pambarimisht në situata nga më të thjeshtat në përditshmëri. Kështu i ndodh çdo njeriu që përjeton trauma dhe nuk merret me shërimin e tyre. Ai as nuk e di që reagimet që i vijnë për shkak të traumave, shfaqen përpara se mendja e tij ta kuptojë çfarë po ndodh vërtet. Do të vazhdojë t’i fshehë duart për vite të tëra. Në sipërfaqe, do të mbesë po ajo përzierje mirësjellje e agresiviteti. Me miqtë do jetë tërësisht i sjellshëm, siç është tani. Kështu mund të ndihet i pranuar dhe të mbulojë frikën se mund t’i kundërvihen. Madje, do bëjë çfarë bëjnë ata; nëse nuk do jetë dakord, do ta bindë veten që të jetë. Ndërsa me cilindo njeri që do përpiqet ta dojë, do t’i japë atë çka personat që ai deshi i dhanë kur ishte i vogël: agresivitet, dhunë, terror. Do përpiqet të dashurojë, por kanë kaluar kaq kohë që vetëm i shtyp ndjenjat e tij sa nuk do arrijë ta kuptojë se dashuria e tij do jetë toksike. Ashtu si baba i tij, nuk do arrijë të krijojë intimitet përtej fizikes, nuk do arrijë të kuptojë se i mungon ndjeshmëria për të cilën ka nevojë një lidhje humane, e sidomos romantike. E kur gruaja e tij të lodhet duke pritur që ai të ndryshojë, në fund do vendosë të ndahet prej tij. Një nga ato ditët e ndarjes, duart që ky burrë ka fshehur deri atëherë, do marrin një pistoletë në dorë dhe do vrasin dy njerëz: ish- gruan se nuk i ka mbetur asnjë mënyrë shprehje veç agresivitetit, asnjë mënyrë që të mund të ndjejë ndryshe dhimbjen; veten- frika, dhimbja, trauma, lëndimi, trishtimi janë të gjitha aty, nuk ka shpëtuar dot prej tyre. Në momentet e fundit, kur ta drejtojë atë pistoletë te vetja, do pranojë sa qenie e ndjeshme vazhdon të jetë. Ka zhgënjyer çdo pritshmëri që të tjerët kishin për burrërinë e tij. Për pritshmëritë e tij, do jetë paksa vonë të mendojë. Kur gjaku që rrjedh nga koka e tij ta rrethojë, vetëm aty, ndoshta, do t’i shihni në faqe një pikë loti të tharë.

 

(c) 2021, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin