1X10: INKUIZICIONET E TJERA

Titulli: Inkuizicionet e tjera
Autori: Jorge Luis Borges
Shtëpia botuese: Ideart
Përktheu: Astrit Cani
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Oksana Duqi


 

1.

Përse na shqetëson fakti se harta përfshihet tek harta dhe një mijë e një netët te Një mijë e një netë? Pse na shqetëson se don Kishoti është lexues i Don Kishotit, ndërsa Hamleti, spektator i Hamletit? Besoj ta kem gjetur shkakun: përmbysje të tilla sugjerojnë se nëse karakteret e një sajimi mund të jenë lexues a spektatorë, ne, lexues e spektatorë të tyre, mund të jemi sajime.

2.

Për Plotinin tregohet se gati i vinte turp që rronte në trup dhe nuk u lejoi skulptorëve që tiparet e tij të trashëgoheshin. Një mik e luste njëherë që ta lejonte me i ba portret; Plotini i tha: “Boll po lodhem duke heqë zvarrë këtë shëmbëlltyrë ku natyra më ka burgosur. A do lejoj edhe që të përsëritet shëmbëlltyra e kësaj shëmbëlltyre?”

3.

“Magjepsësi më i madh (shkruan në mënyrë të paharrueshme Novalis) do ishte ai që do magjepsej deri në atë pikë sa me marrë vetë fantazmagorinë e tij për shfaqje të mëvetësishme. A nuk qenka ky rasti ynë?” Unë besoj se ashtu është. Ne, hyjnia e fshehtë që rron në ne, e kemi ëndërruar botën. E kemi ëndërruar rezistente, të mistershme, të dukshme, të gjithëpranishme në hapsirë dhe të venduar në kohë; por kemi lejuar në arkitekturë e saj boshllëqe të imta dhe të përjetshme absurdi, për me marrë vesh se është e rreme.

4.

Ai njeri kalonte drejtpërdrejt nga shenja e shkrimit te ndjesia, duke anashkaluar shenjën zanore; arti i çuditshëm që po fillonte, arti i leximit pa zë, do kishte çuar në pasoja të mrekullueshme. Do kishte shpënë, pas shumë viteve, te koncepti i librit si qëllim, jo si mjet i një qëllimi. (ky koncept mistik, i tejçuar te letërsia profane, do prodhonte fatet e veçanta të Flaubert-it dhe të Mallarmé-së, të Henry James-it dhe të James Joyce-it.)

5.

Ka disa arsye që unë nuk jam antisemit; kryesorja është kjo: ndryshimi midis hebrejve dhe johebrejve, më duket, përgjithësisht i pakuptimtë; ndonjëherë iluzor dhe i paperceptueshëm. Askush, atë ditë, s’desh me e rrokë opinionin tim; të gjithë u betuan se një hebre gjerman ndryshon shumë nga një gjerman. Më kot iu kujtova se bash këtë thotë Adolf Hitleri; më kot shtova se një asamble kundër racizmit nuk duhet të tolerojë një Racë të Zgjedhur; më kot përmenda pohimin e urtë të Mark Twain-it: “Unë nuk pyes se i ç’race është një njeri; mjafton që të jetë një qenie njerëzore; askush s’mund të jetë diçka më e keqe.”

6.

Për të gjithë ne, alegoria është një gabim estetik. (Intuita ime e parë pati qenë me shkrue “nuk është gjë tjetër përpos një gabim i estetikës” por mandej vura re se shprehja përmbaka një alegori.)

7.

Letërsia nuk mbaron, për arsyen e thjeshtë se veç një libër i saj s’është i tillë. Një libër nuk është një ent i papajisur me komunikim: është një marrdhënie, është një bosht marrdhëniesh të panumërta.

8.

Ditë të tilla, ku ndihet ndikimi i Cecil B. De Mille, kanë lidhje më pak me historinë se sa me gazetarinë: unë dyshoj se historia, historia e vërtetë, është sedërlie dhe se datat e saj thelbësore mund të mbeten prej kësaj, për një kohë të gjatë, të fshehta. Një prozator kinez ka vëzhgue se njëbrirëshit, bash në sajë të anomalisë së tij, i duhet me kalue i pandier. Sytë shohin çka janë mësue me pa. Taciti nuk e kuptoi Kryqëzimin, megjithëse libri i tij e regjistroi këtë.

9.

Mënxyrat e bujshme e të përgjithshme (zjarre, luftëra, epidemi) janë një dhembje e vetme, e shumëfishuar në mënyrë iluzore në shumë pasqyra. Kështu gjykon Bernard Shaw (Guide to socialisme, 86): “Çka mundesh me heqë prej tij është më e shumta që mund te hiqet në tokë. Nëse vdes nga uria do vuash gjithë urinë që ka qenë dhe ka me qenë. Nëse dhjetëmijë vetë vdesin me ty, pjesëmarrja e tyre në shortin tënd s’ka me ba që ti të kesh dhjetëmijë herë më shumë uri, as do shumëfishojë me dhjetëmijë kohën e agonisë tënde. Mos e lër veten me u shtypë nga barra e tmerrshme e vuajtjeve njerëzore; një shumë e tillë nuk ekziston. As varfëria, as dhembja nuk mund të grumbullohen.”

10.

Jashtë nga çdo perceptim (aktual a hipotetik) nuk ekziston materia; jashtë nga çdo gjendje mendore nuk ekziston shpirti; as koha s’ka si të ekzistojë jashtë çdo çasti të pranishëm. Le të zgjedhim për një çast me thjeshtësinë më të madhe: për shembull, atë të ëndrrës së Huang Cu. Ky, rreth njëzet e katër shekuj më parë, ëndërroi se ishte flutur dhe nuk e dinte, në zgjim, a qenkej një njeri që ka ëndërruar se qe flutur apo një flutur që ëndërronte se është njeri.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin