SHITBLERJE

nga Castigat

Ishte njëri që shiste të ëmën. E kish vënë lajmërimin në gazetë dhe priste t’i jepnin oferta.

Çfarë di të bëjë kjo? – e pyesnin.

Po ja, është grua e mirë, thoshte ai. Edhe nikoqire. Gjellën e qan. Lavatriçen nuk di ta përdorë, por mund ta mësojë. Shumë e pastër. Vjen me pensionin e vet. Gojë nuk ka. Çfarë doni tjetër?

E jep me garanci? – e pyesnin. Jo, thoshte ky. E jap siç është. Garancia jam unë, që më ka rritur.

E kështu me radhë. Por t’ia blesh dikujt nënën është investim jo i vogël dhe njerëzit janë të kujdesshëm, në këto raste. Sidomos ditët tona.

Pazar di të bëjë? – e pyesnin.

Ndonjë gjuhë të huaj, a flet?

Ia thotë për turshi?

I zë dora?

Punon të dielave?

E kupton gegnishten?

I bën dot hyzmet dikujt që ka zënë krevatin?

I erdhën jo pak oferta, por asnjë që ta bindte këtë tipin.

Ia behën edhe ca të së drejtave të njeriut.

Ore, a është dakord nëna jote me këtë që bën ti?

Po pse, si kujtoni ju? Do ma prishë nëna mua?

Erdhën gazetarë që ta intervistonin mallin për shitje. Me kamera dhe mikrofonë ngjyra-ngjyra. Ky tipi nuk thoshte jo, se për çdo intervistë, e rriste nga pak çmimin.

Ia kërkuan nënën për qëndistare, për recepsioniste, për pastruese varresh, për baby-sitter, për yshtare, për mjelëse dhish, për përrallëtare, për kujdestare shtëpish muze, për kufomalarëse, për t’i bërë shoqëri një papagalli.

Por ky nuk bindej. Thoshte: nëna një herë shitet.

E pyesnin: po koburen e shkrep kjo, po të jetë nevoja? E shkrep.

Po sikur ta marr unë dhe të martohem me të? Ti blije një herë, pastaj për martesë vendoseni vetë.

U mërzit ky tipi dhe filloi të kërkonte ta paguanin edhe për informacionin që jepte.

Thanë ca të tjerë: po të ishte kaq e mirë kjo, atëherë pse e shet?

Dhe ky: unë se është akoma kaq e mirë, prandaj e shes.

Pastaj erdhën ca të një kompanie produksioni filmash. Filmash artistikë, nga ata që konkurrojnë në festivale.

I dhanë çmim të bukur. Në cash.

Dhe ky, pothuajse i bindur: po ju të filmit, ç’do të bëni me time më?

I shpjeguan: E duam për rolin e një nëne, në një film që po bëjmë.

Në rregull, tha ky. E jap.

© 2021, Castigat™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Këtë e pëlqejnë %d blogues: