DINGER AN SICH

Duke rrëmuar mes librave që kanë mbetur në shtëpinë në Tiranë, ja ku më del përpara një edicion i vitit 1934, i Kritikës së arsyes së kulluar të Kantit, në frëngjisht. Nuk e kisha ditur që u kish mbijetuar përmbysjeve të bibliotekës sonë dhe transferimeve të shpeshta, ndoshta ngaqë librin e kisha pasë mbështjellë me një fletë të revistës “Ylli” të vitit 1977 dhe ashtu ishte “anonimizuar”.

E mbaj mend kur pata filluar ta lexoj – besoj në vitin 1978 – në një periudhë kur kurioziteti për një tekst të tillë kaq ezoterik, e tejkalonte në mënyrë marramendëse aftësinë time për të kuptuar për çfarë flitej në libër. I kujtoj ende mirë arsyetimet e Kantit, për gjykimet analitike dhe sintetike; por e kujtoj edhe kur e ndala leximin: te kategoritë. Filozofia e Kantit nuk la ndonjë gjurmë tek unë, por “leximi” i librit la. Diçka e ngjashme ndodh me ata që përballen me Derrida-n sot – efekti i të lexuarit të teksteve të padeshifrueshme, qëllimisht të errëta.

Gjatë asaj periudhe pata përtypur edhe Materializmin dhe empiriokriticizmin e Leninit, ku isha njohur edhe për herë të parë – në mos gabohem – me konceptin gati spiritualist të “sendit në vetvete”, ose Ding an sich; të Kantit; më turbullonte edhe karakterizimi prej këtij të fundit, i kohës dhe i hapësirës, si kushte të përceptimit. Ka qenë hera e parë, dhe ndoshta e fundit, që një teksti i jam afruar si të përcillte dije okulte; dhe “sendi në vetvete” si ndonjë lloj droge psikadelike më nxirrte fantazinë nga binarët.

Nëse më lejohet tani një metaforë metatekstuale, po them se ky libër i Kantit, si një stafetë që më kish mbetur në dorë, ka qenë për mua edhe kontakti më i afërt me një Ding an sich.

Pse e kisha mbështjellë librin? Nuk besoj për ta maskuar – më tepër për ta ruajtur. Dhe jo ngaqë ai volum ishte gjë në rrezik për t’u shpërbërë; por ngaqë e kisha të vyer dhe të pazëvendësueshëm. Faqet tani librit i janë zverdhur dhe i grisen lehtë; më duket shumë plak, edhe më plak se Kanti.

Tani gjatë autopsisë shoh se pjesa e brendshme e mbështjellëses qenka një foto bardhezi nga Kongresi i 8-të i Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë; një sallë me delegatë edhe të mërzitshëm edhe të mërzitur, që unë i shndërrova, utilitarisht, në auditorin më bizar që mund të ketë pasur Kanti ndonjëherë; dhe që u detyruan pastaj – nga halli – ta dëgjojnë Kantin për dyzet vjet. Nuk kam ndërmend t’ia heq librit mbështjellësen, le ta duartrokasin sindikalistët Kantin në amshim; madje në kontekstin e një auditoriumi ku Enverin e dëgjonte me vëmendje busti i Enverit… (ja ku erdhëm të flasim sërish meta).

Librit i kisha vetëm volumin e parë; të dytin jo. Kur e merrja atëherë në dorë dhe më ngecte leximi në tru, ngushëllohesha me idenë se vëllimi i dytë duhej të ishte patjetër më i kapshëm. Dhe ky nuk ka qenë i vetmi libër, në bibliotekën time, që i mungonte vazhdimi; edhe vëllimin e dytë të Shvejkut nuk e kisha (vepra të cunguara, ose versioni shqiptar i opera aperta të Ecos). Edhe vëllimin e katërt të romanit Lufta dhe paqja. Për çudi, sot gjej në bibliotekë vetëm vëllimin e dytë të Shvejkut, një botim i pas 1990-ës, por jo të parin.

Librin e Kantit e pata trashëguar nga një teze e sime mëje, grua e lartë dhe e lëçitur. Nuk di që të ketë qenë në Francë para Luftës së Dytë, por frëngjishten do ta ketë mësuar te shkolla amerikane femërore, dhe Arsyen e Kulluar të Kantit, bashkë me shumë tekste të tjera frëngjisht, filozofike dhe fiction, do t’i ketë blerë gjëkundi te ndonjë librari në Tiranën e viteve 1930. Kur unë mësoja frëngjisht me urgjencë të madhe, në vitet 1977-1978 (synimi: për të lexuar Freudin), gjëja e parë që kam vrapuar të shqipëroj ka qenë Intermexo Lirike e Heines, nga një vëllim i këtij poeti i përkthyer në frëngjisht, i trashëguar prej meje nga i njëjti burim dhe me prejardhje mbase nga e njëjta librari Tirane si edhe Kanti.

Nuk kam ditur aq mirë frëngjisht, sa ta quaj përkthim atë që pata bërë; por këto eksperimente gati surrealiste (të përkthesh një tekst nga një gjuhë që nuk e kupton mirë) japin ndonjëherë rezultate befasuese – mjaft të përmend përkthimet e Ezra Poundit nga gjuha kineze. Vëllimi me të cilin punoja e sillte Intermexon e Heines të përkthyer në prozë; unë e pata kujtuar për prozë poetike, shumë më vonë kam mësuar se origjinali gjermanisht ishte në vargje.

Tani që e mendoj qetë, them se duhet të jetë njeriu vërtet kokëshkretë, që brenda një viti të tentojë të mësojë frëngjishten, të lexojë Kritikën e arsyes së kulluar të Kantit në atë gjuhë dhe të kujtojë se mund të përkthejë, në shqipen e vet amtare, një version frëngjisht të Intermexos Lirike të Heines. Kokëshkretë dhe i trishtuar. Por edhe pak megaloman. Auto-snob gjithashtu – meqë këto gjakime private nuk i tregoheshin kujt. Thjesht desha dhe e bëra, pa e pasur tamam idenë as për Kantin as për Heinen. Në 1978-ën, si kisha mbaruar të mesmen, kryeja stazhin në prodhim, pranë Fabrikës së Tullave në Vorë – ndoshta kjo edhe mund të shpjegojë diçka.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin