NGJYRA E VOTËS

Kjo është harta e shpërndarjes së votave elektorale, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në SHBA.

Harta tregon – më qartë edhe se një analizë 10-mijë fjalëshe – ndarjen, ose në doni, përçarjen e madhe të SHBA-ve, midis dy skajeve, ku gjenden metropolet si NYC, LA, Boston, Philadelphia, San Francisco dhe Seattle; dhe pjesës qendrore, ku mbizotëron një lloj tjetër qytetërimi dhe kulture.

Në zhargonin politik amerikan flitet rëndom për shtete të kuqe dhe shtete blu; por nëse shteti NY quhet “shtet blu”, kjo nuk do të thotë se të gjithë në NY votojnë për demokratët.

Do të thotë, përkundrazi, se shteti i NY do të priret të votojë për demokratët.

Demokratët i votojnë edhe në Texas, por jo aq sa shteti të marrë ngjyrën blu.

Makro-ndarja administrative e territorit të SHBA në “shtete” i ka rrënjët në zhvillime historike jo rrallë të rastësishme. E ka kushtëzuar edhe origjina e popullsisë, edhe përkatësia fetare, edhe përkatësia racore, edhe interesat ekonomike private, edhe kontrasti mes zonave metropolitane dhe atyre rurale.

Megjithatë, rezultatet e zgjedhjeve të projektuara në hartë tregojnë një orientim të votës popullore amerikane që nuk mund ta shpërfillësh.

Nga pikëpamja gjeografike, SHBA kanë diferenca edhe sipas akseve veri-jug dhe lindje-perëndim; por kjo mes anëve dhe qendrës është më vendimtare për të kuptuar prirjet e votës dhe të simpative politike.

Disa mund të thonë se demokratët e kanë bazën në qytete të mëdha, ku jetojnë edhe emigrantët e ardhur rishtas; ndërsa republikanët në qyteza dhe në zona rurale, ku jetojnë emigrantë më të hershëm, që vetë-identifikohen si vendës. Disa të tjerë, mund të thonë se qytetet e mëdha ngrihen zakonisht buzë oqeanit ose të paktën buzë ujit, për shkak të lehtësirave të transportit. Të tjerë akoma, se popullsia në qytetet e mëdha është heterogjene nga prejardhja, dhe i gjen të përbashkëtat në vlera të ndryshme nga ato tradicionalet (konservatoret). Vetë koncepti i komunitetit në New York ose në Boston ndryshon shumë nga ai i komunitetit në Helena, Montana.

Kjo ndarje mes zonave anësore dhe qendrës ka arsye komplekse. Por sado komplekse të jenë arsyet, ndarja vetë është e thjeshtë sa s’ka.

Dhe nuk është dallimi në votë, që mund ta shkaktojë përçarjen në SHBA; por është përçarja, për shkaqe sa të ndryshme aq edhe komplekse, që sjell dallimin në votë.

Se kujt i shkon vota e qytetarit amerikan, këtë nuk e vendos harta; përkundrazi, harta është si një radiografi, e cila lejon të shihet më qartë problemi.

Do t’i ftoja ata lexues dhe kolegë, që u shqetësuan këto ditë nga harta dyngjyrëshe e KQZ-së, të zbatojnë këtë lloj gjykimi edhe për zgjedhjet në Shqipëri. Me premisën se ngjyrosja, në rastin e Shqipërisë, është edhe më simbolike – ngaqë tek ne nuk bëhet fjalë për vota elektorale, por thjesht për të zgjedhur anëtarët e parlamentit.

(Po të isha unë, do të kisha përdorur ngjyra të përziera për hartën, që do të tregonin edhe nuancat e ndryshme; por ndarja gjithsesi do të mbetej, dhe – për mendimin tim – do të duhej të shërbente si bazë për strategjinë politike të kujt do t’ia vërë vetes synim për të dalë nga ky impasse jug-veri.)

Le të shohim tani një hartë në dukje paradoksale, atë të votës presidenciale në SHBA, të vitit 2020, në shtetin e New York-ut.

Nga dy kandidatët kryesorë në këtë shtet, Joe Biden fitoi 5,244,886 vota, ndërsa Donald Trump 3,251,997 vota. Ishte një rezultat që nuk habiti kënd – meqë shteti i NY njihet si bastion i demokratëve në SHBA.

Megjithatë, harta e shpërndarjes së votës sipas counties, që kam sjellë më lart, të jep një përshtypje tjetër: atje mbizotëron ngjyra e kuqe, ose e votës në favor të kandidatit republikan. Sikur metrat katrorë të sipërfaqes së çdo njësie administrative të përktheheshin në vota, atëherë Trumpi do ta kish fituar shtetin me lehtësi.

Vëzhguesit e zgjedhjeve e dinë tashmë se epërsia e ndjeshme e Biden-it lidhet me simpatitë demokrate metropolin NYC, ku jetojnë dy të tretat e popullsisë së shtetit. Përkundrazi, ngjyra e kuqe në hartë korrespondon me zona rurale, të cilat votojnë tradicionalisht për republikanët.

Prandaj, në hartat e SHBA të rezultateve të zgjedhjeve, shteti i NY do të paraqitet me ngjyrë blu; pavarësisht se – në një shkallë tjetër zmadhimi – atje dominon ngjyra e kuqe.

Sistemi elektoral amerikan është i tillë që diferenca e votave në një county nuk ngre peshë, por fitorja elektorale në nivel shteti ka rëndësi, për të përcaktuar Presidentin e ardhshëm. Prandaj ngjyra blu e shtetit të NY, në hartën e rezultateve në nivel kombëtar, nuk është thjesht ilustruese.

Në fakt, shteti i NY i dha kolegjit elektoral 29 vota blu, pavarësisht nga përpjesëtimi real i votuesve në atë shtet dhe natyrisht, pavarësisht nga shpërndarja gjeografike e votës sipas counties.

Zona metropolitane e NY, me sipërfaqe gjeografike fare të vogël, përcakton ngjyrën e shtetit në hartën e rezultateve, meqë atje jetojnë një numër shumë i madh votuesish.

Ndryshe nga çfarë ndodh në SHBA, fitorja në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri nuk ka ndonjë lidhje me ndarjen administrative në qarqe. Kështu, në qarkun e Shkodrës, Partia Demokratike “Aleanca për ndryshim” fitoi 5 mandate, ndërsa Partia Socialiste 3 mandate.

Le ta interpretojmë ngjyrën për çfarë mund të shërbejë, pa e ekzagjeruar, por pa mbuluar sytë me dorë: në rastin e hartës dy-ngjyrëshe, secila ngjyrë i referohet diferencës në votë, jo numrit të votave; zgjidhje logjike, sa kohë që një kandidat fiton në bazë të diferencës pozitive në votë, jo të numrit absolut të atyre që e votojnë në zonën përkatëse.

© Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin