POLITIKA DIALEKTORE

Po të ma kish treguar kush hartën e rezultatit të zgjedhjeve, mbrëmë dhe sot, pa më shpjeguar për çfarë ishte fjala, do të kisha kujtuar se ilustronte kryedialektet e shqipes, me të vetmin përjashtim që gegnishtja jugore i ishte bashkëngjitur, kushedi pse, toskërishtes.

Përkimi është domethënës, mbase edhe alarmant.

Qytetarët në Shqipëri nuk kanë votuar sipas dikotomive të njohura: fshat <> qytet, të kamur <> të skamur, myslimanë <> të krishterë, katolikë <> ortodoksë, qytetarë <> fshatarë, qytetarë <> katundarë, fusharakë <> malësorë…

Kanë votuar sipas partive politike, këtyre formacioneve parazitare dhe oportuniste që synojnë kontrollin e votës dhe, eventualisht, të pushtetit? Jo, do të thoja të kundërtën: partitë politike, me instinktin e tyre të pagabueshëm, kanë shfrytëzuar dikotominë tribale, për të maksimizuar votën.

Arsyeja të thotë se qytetarët e Shqipërisë duhet të kenë, për politikën, pritje të tilla që të mos kenë lidhje me gjeografinë e vendbanimit – p.sh., strategjitë e zhvillimit ekonomik, të arsimit, të shëndetësisë, të turizmit, ose edhe më tej, të politikës së jashtme, nuk kanë natyrë tribale, as dialektore; edhe pse disa prej tyre mund dhe duhet të decentralizohen, qoftë edhe thjesht për të zbutur impaktin, në politikat dhe identitetet e sotme politike, të dallimeve kulturore dhe krahinore të trashëguara.

Prandaj që vota në Shqipëri po organizohet sipas gjeografisë, dialektit dhe identitetit krahinor, kjo lë të kuptohet se vullnetin politik të elektoratit po e kushtëzon identiteti (tribal), jo përmbajtja e propozimit politik; me fjalë të tjera, që pluralizmi politik ose nuk ekziston, ose ka degraduar në pluralizëm gjeografik.

(Duke pasur parasysh që ky i fundit ka qenë tek ne që në kohët e Skënderbeut).

Që politikë mirëfilli nuk ka më, por vetëm promovime personalitetesh politike, si alternativa ndaj njëri-tjetrit (Rama <> Basha), këtë e kish dëshmuar tashmë fushata elektorale, e cila i ftonte qytetarët të zgjidhnin mes dy personazheve që do të mbushnin të njëjtin rol. Përmbajtjen e propozimit politik e pat zëvendësuar performativi, batuta, prezenca televizive, teatri komik i sulmeve të ndërsjellta, akuzat kriminale dhe përjargiet ndaj Amerikës.

E gjitha kjo, teksa bojaxhinjtë e të dy forcave politike kryesore u vërsulën ta ngjyrosin hartën e Shqipërisë sipas modelit të atlasit dialektologjik të shqipes.

Harta e tanishme nuk provon se ka një politikë gegnishte dhe një politikë toskërishte, dhe as që pluralizmi dialektor (tribal) në Shqipëri përthyhet si pluralizëm politik. Sepse ajo hartë, nëse duam ta përkthejmë në politikishte, është një hartë e segmentimit identitar, për më tepër fiktiv. Dhe nuk ka ide politike më ndyrësisht përçarëse, sot tek ne, se rrena e madhe që toskët po qeverisin vendin, duke i mbajtur gegët të nënshtruar: është një ide që e sjell farën e luftës civile me vete, pa çka se lufta civile nuk është e thënë të bëhet me pushkë dhe me jatagan. Edhe harta më lart e tillë është, fotografi e një lufte civile me djegie të ngadalshme.

Unë dyshoj fort se politikanët e tanishëm në Shqipëri, të paaftë të prodhojnë ide por tejet të aftë të synojnë pushtetin, po i rikrijojnë dhe amplifikojnë identitetet tribale si mjet që do t’u sigurojë një bazë elektorale të qëndrueshme. Këtë e kam parë ta bëjnë hapur politikanë të opozitës, të cilët herë pas here kanë evidentuar “nëpërkëmbjen” e Veriut nga qeveria dhe legjislatura dalëse; por kam frikë se e njëjta strategji e ndarjes vepron edhe tek të tjerët.

Dallimet dialektore – le t’i quajmë kështu – mes Veriut dhe Jugut, po vihen haptazi në shërbim të stategjive elektorale; e thënë troç, kjo do të thotë se politikanët po ia trondisin Shqipërisë balancat delikate mbi të cilat ngrihet; dhe po e bëjnë këtë për motive të dobëta. Mënyra si e kuptojnë pluralizmin, disa prej këtyre politikanëve protagonistë të fushatave dhe të ekraneve, është që ta rritin ndikimin dhe pushtetin e tyre nëpërmjet theksimit të dallimeve, kontrasteve dhe përçarjeve, deri aty sa qytetarët të mos e kuptojnë më pse duhet të jetojnë së bashku.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e revistës – shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin