LETËRSIA DHE SHQIPJA – RRAVGIME

Qarkullon një koncept, se letërsia ka vlerë në atë masë që është “kombëtare”, në kuptimin që “i shërben kombit”, dhe jo vetëm në temat që trajton – ose në evidentimin e virtyteve kombëtare, vënien në vend të së vërtetës, restaurimin e heroizmit, etj. – por edhe në ligjërimin që përdor, i cili i shërben drejtpërdrejt “gjuhës”, si tipar themelor të kombit. Një shkrimtar i mirë, dhe aq më tepër një shkrimtar i madh, do t’i shërbejë edhe kombit duke ia kultivuar gjuhën – dhe konkretisht, duke sjellë në përdorim fjalë të reja, të rralla e nga gurra popullore; por edhe duke krijuar neologjizma, e duke mbajtur larg nga ligjërimi “fjalët e huaja”; me pak fjalë, duke pasqyruar e mishëruar, në trupin e veprës, programin kombëtarist për kultivimin e shqipes. Që këtej, shpesh dëgjon që një shkrimtar të lëvdohet për “shqipen e bukur”, por ndryshe nga ç’mund të pritej, ky kompliment nuk ka lidhje me estetikën e frazës (të vargut, të fjalisë, të ritmit të paragrafit), por me cilësinë e materialit gjuhësor bruto, që përdor autori (vlerën absolute). Këtu ka një keqkuptim të hidhur: letërsia, si ajo minore ashtu edhe veprat e majave, mund të përdoren dhe do të përdoren nga kombëtarizmi i të gjitha formave, duke filluar nga ai që përshkon tekstet shkollore; por ky përdorim nuk është i njëjtë me arsyen e letërsisë. Autorët e Rilindjes besuan se, nëpërmjet teksteve letrare, kryesisht vargëzimeve të thjeshta, do të mund t’i bënin një reboot vetëdijes kombëtare, veçanërisht kur këto të lexoheshin dhe të mësoheshin në shkolla; por ky mision, në vetvete fisnik, nuk u jep vetvetiu vlerë artistike veprave të tilla – të cilat shpesh i përkasin letërsisë utilitare, dytësore, ose letërsisë së përdorur si mjet për synime jo-letrare. Te këto synime jo-letrare do përfshirë edhe kujdesi eksplicit për përpunimin e gjuhës – aq më tepër që, këta shkrimtarë të Rilindjes të cilët e sakrifikuan talentin e tyre letrar për idealin kombëtar, ishin angazhuar drejtpërdrejt për t’i dhënë shqipes një gjuhë të shkruar letrare të tillë që t’i përgjigjej statusit të kombit të rilindur dhe të shtetit që do të krijohej. Kjo veprimtari – fisnike sa s’ka – ka qenë specifike për një periudhë delikate të historisë kombëtare dhe nuk mund të shihet si esenciale për letërsinë dhe rolin e saj social; edhe pse letërsia ndihmon në mirëmbajtjen dhe këndelljen e gjuhës, këto nuk janë synim i saj i drejtpërdrejtë, por vetëm efekte (edhe pse gjithnjë të mirëpritura). Aq më tepër që, si çdo art tjetër, edhe letërsia krijon gjuhën e vet (nga narrativa te diskursi, nga poetika te retorika), të cilën ia mbivendos sistemit gjuhësor; prandaj edhe, në rrethana normale, letërsia nuk mund t’i shërbejë gjuhës (dhe kombit) përveçse tërthorazi, jo drejtpërdrejt. Ne sot jemi më në fund në gjendje t’i vlerësojmë veprat letrare – edhe ato të traditës, edhe ato bashkëkohore – sipas kritereve mirëfilli letrare dhe estetike, në sinkroni dhe në diakroni, në vetvete dhe në raport me vepra të tjera (intertekstualiteti); duke lënë mënjanë obsesionin me vlerat “kombëtare” të kësaj apo asaj vepre. Në fakt, ka një numër veprash letrare sidomos vjershash, me impakt të fortë patriotik, të cilat lënë për të dëshiruar nga ana letrare dhe nuk u bëjnë nder autorëve të tyre. Këto kanë vlera mirëfilli historike, sa kohë që kanë shërbyer drejtpërdrejt për zgjimin e ndjenjave kombëtare; por sot publiku ka nevojë të kuptojë se letërsia është letërsi në atë masë që këqyret ndarazi synimeve jo-letrare, përfshi këtu synimet ideologjike, politike dhe fetare. Qasja jonë ndaj letërsisë shqipe e ka pasur deri diku të detyruar të marrë parasysh përdorimin utilitar a të angazhuar të veprave; por sot kjo lloj qasjeje është arkaike dhe mbetet arkaike edhe atëherë kur vëmendja kalon nga aspektet e përmbajtjes dhe të “mesazhit” të veprës, te ato formale dhe pikërisht te “gjuha”, që e dëgjojmë herë pas here të lëvdohet si “e pasur, e pastër, me fjalë të rralla, me fjalë të reja…” e kështu me radhë; sepse edhe në këtë rast, lënda gjuhësore e veprës shihet në raport me nevojën e kultivimit të shqipes, si gjuhë kombëtare; në një kohë që duhej të ndodhte e kundërta, ose të shihej si ka ndihmuar shqipja për ngjizjen diskursive të veprës. Për ta thjeshtuar: një shkrimtar nuk mund (nuk duhet) të lëvdohet se ka krijuar fjalë të reja; madje edhe atëherë kur këto fjalë të reja – ende figura leksikore sa kohë që ndihen si të reja – më pas e gjejnë rrugën drejt kodifikimit në leksik. Shkrimtari që fut në përdorim fjalë të reja, të rralla, krahinore, etj., jo sepse ia kërkon teksti, por sepse synon që ashtu të pasurojë a të pastrojë shqipen, ose t’i shërbejë kësaj si tipar themelor të kombit, është duke bërë letërsi të dorës së dytë, të aplikuar, utilitare, didaktike; pavarësisht lëvdatave që mund të marrë për këtë nga kritikët amatorë, hipokritë ose të vonuar në kombëtarizmin e tyre.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin