DANTEDÌ E DYTË

nga Arben Dedja

[Vjet Këshilli i Ministrave të Italisë miratoi shpalljen e 25 marsit si ditë kombëtare kushtuar poetit të saj të madh, Dante Alighieri-t, që sivjet i përkujtohet edhe shtatëqind vjetori i vdekjes (Ravenë, natën midis 13 dhe 14 shtatorit 1321). U zgjodh kjo datë sepse më njëzet e pesë mars të vitit 1300 Poeti ynë rrëfen të ketë nisur atë rrugëtimin e tij fantastik, fillimisht në Ferr, e gjer lart në Parajsën e Beatriçes. Bash këto ditë një vit më parë dhamë të shqipëruar te “Peizazhet” tre kaptinat e para të “Jetës së re”. Sot po japim një tjetër fragment të shqipërimit, kaptinën XIV].

XIV

Mbasi vuajta mendime kaq të kundërta ndodhi që kjo më e hijshmja e vashave të ish e pranishme ku shumë bujaresha ishin mbledhur; në të cilin log mua më përcolli një shok që kujtoi se do të ma kish ënda të gjendesha aty, ku aq shumë vasha shpallnin hiret e tyre. Ndërkaq unë, pa qenë i sigurt përse këndejthi më kishin prurë, por duke ndjekur në mirëbesim personin që e çoi shokun në shqem të vdekjes,[1] e pyeta: “Përse erdhëm t’i soditim këto vasha?”. M’u përgjigj: “Që t’i sajdisim denjësisht”. E vërteta është se ato ishin mbledhur aty në shoqëri të një të hijshmeje vashë që atë ditë kish lidhur martesë: dhe sipas zakonit të qytetit të sipërpërmendur, u duhej t’i bënin shoqëri në sofër gjatë vaktit të parë në konakun e dhëndrit. Ndaj unë, duke u rrekur t’i bëj qejfin këtij shokut tim, vendosa të rri me të për t’i sajdisur vashat. Jo më vonë seç vendosa kësisoj, m’u bë se ndjeva një të çuditshme regëtimë në anën e mëngjër të gjoksit[2] që m’u përhap pastaj sakaq në çdo pjesë trupi. Kështu, duke mëtuar të veproj sa më natyrshëm, u mbështeta te një pikturë që shtrihej përgjatë mureve të shtëpisë dhe, me ndrojën mos të tjerët ma vinin re drithërimën, ngrita sytë dhe, vashat duke soditur, pashë mes tyre më hijeshoren Beatriçe. Atëbotë vërtet që m’u sharruan shpirtrat nga forca që Dashuria mori kur vuri re që isha aq pranë me atë më të hijshmen, sa asnjë s’mbeti gjallë veç shpirtrave pamorë; po edhe këta ngelën të dalë orbitash, sepse Dashuria desh të rrinte në logun e tyre fisnik për të soditur vashën e mahnitshme. Po edhe pse unë nuk isha më në vete, tejet më dhimbseshin këta shpirtra të vegjël, që fort rënkonin e thoshin: “Sikur ky të mos na kish kallur kështu si rrufe jashtë vatrës sonë, do të mund ta shihnim mrekullinë e kësaj vashe siç bëjnë simotrat e sivëllezërit tanë”. Tani shumë nga vashat e pranishme, me ta parë shpërfytyrimin tim, filluan të shfaqin habi dhe, duke molloisur, më shpotisnin për këtë tek ajo më e hijshmja; teksa shoku im, që gaboi, në mirëbesim më mori përdore duke më prirë jashtë vështrimit të vashave dhe më pyeti ç’kish që s’shkonte. Atëbotë unë, njëfarësoj i selitur ngaqë shpirtrat e mi të vdekur po ringjalleshin dhe të shpërngulurit po ktheheshin aty ku qenë zot, i fola shokut tim fjalët: “Sapo u çapita në atë cak të jetës përtej të cilit askush nuk mund të shkelë me shpresë që të kthehet”. Dhe atij duke iu larguar, u ktheva në dhomën e lotëve të mi, ku, duke vajtuar i poshtëruar, thosha vetmevete: “Po të ma njihte kjo vashë gjendjen time, s’besoj se do të më përqeshte, përkundrazi besoj se do të ndjente mëshirë”. Dhe në mes të gjithë këtij vaji, mendova të thur do fjalë asaj drejtuar, ku t’i shpjegoja arsyet e shpërfytyrimit tim dhe t’i thosha se isha në dijeni që askush tjetër nuk e njihte arsyen dhe që, po të merrej vesh, besoja se do të ngjallte keqardhje te gjithkush; vendosa ta shkruaj këtë me shpresën që fjalët e mia ta sjellë rasti e tek ajo të mbërrijnë. Atëbotë thura këtë tingëllimë që fillon me: Me vashat e tjera.

Me vashat e tjera dukjen ma shpotit
dhe nuk mendon, o vashë, nga merr jetë
që e humba toruan edhe vetë
të gjitha kur t’i pashë bukuritë.

Ta dije, do të mundte ta resitë
meje Mëshira kundërshtinë e vet,
se Dashurisë, te ty kur më gjet,
ïa rrit kapardisja siguritë

e shpirtrat e mi të trembur shkon në shpatë,
e kë e vret, e kë jashtë e flak,
gjer mbetet ty të shohë i vetëm fill:[3]

ndaj unë shpërfytyrohem i këtillë,
po jo aq sa të mos i dëgjoj pak
vajet e të përzënëve me datë.

Këtë tingëllimë nuk po e ndaj në pjesë, meqë kjo bëhet vetëm për të ndihmuar për të nxjerrë kuptimin e asaj që ndahet;[4] dhe meqë ç’është thënë në këtë rast është tejet e qartë, nuk ka nevojë për ndarje. E vërtetë, mes fjalëve me të cilat unë shpall arsyet për këtë tingëllimë, shkruhen edhe fjalë të vështira për t’u kuptuar, si kur them që Dashuria m’i vret të gjitha shpirtërat dhe shpirtërat pamorë mbesin gjallë, ndonëse të nxjerra jashtë organeve. Por është e pamundur t’ia bësh këtë të qartë ndokujt që nuk është besnik i Dashurisë; për ata që janë, zgjidhja e problemit vetëkuptohet: ndaj nuk e ndjej nevojën t’i ndriçoj këto shprehje të errëta, se fjalët e mia qartësuese do të dukeshkan të pakuptimta apo të tepërta.

Shqip nga Arben Dedja


[1] Këtu Dantja autor i pararend asaj që do t’i ndodhë Dantes-personazh.

[2] Studiuesit kanë vënë re këtu një citim nga De spiritu et respiratione i Albertus Magnus (1206†1280).

[3] Poeti është i sigurt se po ta dinte vasha shkakun e vërtetë të “shpërfytyrimit” të tij, do të ndjente mëshirë për të (në katrenën e dytë thuhet që Mëshira, e personifikuar, nuk do t’i bënte më rezistencë Poetit). Drama e shpirtrave është njësoj siç përshkruhet edhe në prozë: Dashuria i vret të gjitha shpirtrat që qeverisin shqisat, me përjashtim të shpirtrave pamorë, që shtyhen, ama, jashtë syve në mënyrë që Dashuria ta soditë ai vetë vashën.

[4] Me një fjalë, thotë Poeti: nuk kam ndërmend ta destrukturalizoj këtu këtë poezi timen.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin