VDIQ RRUGËS

Kur u mor vesh nga lajmet se një tip te Kodra e Kuqe kish vrarë të dy prindërit, i kish ndarë në llokma dhe këto llokma i mbante në kavanozë të mëdhenj, në frigorifer, disa që e kishin njohur thanë: nuk ishte djalë i keq, pra. Mendoni çfarë do të kish bërë, po të kish qenë edhe djalë i keq: as në frigorifer nuk do t’i kish futur.

***

U duhet njohur zotësia, arti dhe mundimi atyre fotografëve publikë, që ia arrijnë të mbajnë jashtë kuadrit të fotos të gjitha ndërtimet e shëmtuara dhe fyese në Tiranën e viteve të fundit, duke arritur të pamundshmen, ose të ndajnë – në shkrepje – atë që në jetë nuk ndahet dot më.

***

Është art më vete që t’u atribuosh citate të rreme të gjithë atyre që lexuesit janë mësuar t’i njohin si autorë citatesh të vërteta – p.sh., “siç ka shkruar një herë Nietzsche-ja, Dardha e ka bishtin mbrapa,” ose “Mos pyet se çfarë mund të bëjë Shqipëria për ty…” nga i madhi Faik Konica. Arti qëndron te kombinimi mes mendimit që përcjell fraza, dhe pritjeve që zgjon emri në mendjen e lexuesit.

***

Duke gërmuar te një bodrum i harruar në kalanë e Beratit, gjetën dorëshkrimin e një poeme të panjohur nga autori bejtexhi Kahreman Pehrizi. Edhe më i madh ishte eksitimi i studiuesve, kur gërmuesit – që nuk e ndalën punën – zbuluan aty pranë edhe mumjen e ruajtur mirë, të lexuesit të parë dhe të vetëm të atij dorëshkrimi.

***

Burri i saj koleksiononte shishe helmi. Bosh.

***

Thoshte njëri, që punonte në Ministri: sot i besoj një kolegu vetëm në qoftë se ky ka dashnore – përndryshe, gjithnjë pyes veten, dhe kur vetja s’më jep përgjigje, të tjerët: pse nuk ka? Edhe sikur të mos jetë i martuar, e mbështeste tjetri. Ai që nuk është i martuar, vazhdonte i pari, duhet të ketë dy dashnore: njërën gjysmë-publike, tjetrën sekrete, idealisht të martuar. Po sikur të jetë gay, vazhdonte i dyti. Po ç’lidhje ka, thoshte i pari, ai gay është për veten e vet, jo për ne të tjerët. Dashnorja është ofiq publik, të duhet për të bërë karrierë, meqë kush ka dashnore, e ka provuar se mund të bëjë edhe lëshime, mes të tjerash: a team player. Dhe ky e dinte se ç’thoshte, sepse punonte në Ministri.

***

Kur rregulluan sahatin e qytetit, gjetën – të ngecura keqas në ingranazhet e rënda prej tunxhi – mbeturinat e një orëndreqësi të veshur alla turka. U tha pastaj se kjo kish qenë arsyeja pse ai sahat prej vjetësh gjithnjë mbetej prapa.

***

E dashura i kish lidhur miqësi me të shoqen dhe këtij nuk ia varte më.

***

Në spitalin kryesor të qytetit, firma farmaceutike K. organizoi një provë klinike – double blind – për një preparat të ri, të rëndësishëm por enigmatik. Pas dy javësh, gjysma e pacientëve filluan të vdesin, pas agonish sfilitëse të papërshkruara. Ata që mbetën gjallë, sado të çliruar që shorti i paskësh caktuar në grupin e placebos, nuk arrinin dot të ftillonin pse vdekja nuk kish kursyer as mjekët, infermierët dhe personelin tjetër të spitalit.

***

Sa më i shkurtër të jetë rrëfimi, aq më shumë ka nevojë për vdekjen, ka thënë Erazmi i Roterdamit.

***

Ca tipa ishin mbledhur te dera e lokalit, dhe po dëgjonin kitaristin e madh Ron Marku, që bënte prova për shfaqjen e mbrëmjes. Çfarë virtuoziteti, po thoshin. Një të dytë nuk e bën nëna. Ky të kish lindur në Amerikë, do të ishte nga të mëdhenjtë fare, do të kish kapur majat. Dhe të mendosh që është autodidakt, madje sot e kësaj dite nuk i njeh notat, luan me vesh. Pastaj u ndal aty pari një Fiat Panda, dhe nga makina doli Ron Marku në shoqërinë e pronarit të lokalit. Po ne të dinim brenda, i thanë këta; kemi gjysmë ore që të dëgjojmë. Jo, jo, tha pronari i lokalit, është thjesht një regjistrim që kisha vënë, nga albumi i fundit i Ronit. Çfarë thua, u zhgënjyen ata tipat. Hajde budallenj që jemi. Kujtuam gjithë kohës se po luante Ron Marku.

***

Shkoi një grua te njëra që shpjegonte ëndrrat dhe i rrëfeu se ç’kish parë: këtu, këtu, këtu. Dhe ëndërr-shpjeguesja rrudhi buzët dhe i tha: keq më vjen, por po të avitet vdekja. Lajmëroi njerëzit e tu, mbaro ndonjë punë që e ke lënë përgjysmë, laj ndonjë borxh, po të kesh, sepse sonte e ke natën e fundit në këtë botë. Dhe kjo tjetra nuk e bëri veten, por doli përjashta, ku e priste një shoqe, dhe i tregoi ç’i kish thënë ëndërr-shpjeguesja. I thotë shoqja: po ti pse kaq e qetë? Dhe kjo: në fakt, unë vendosa të bëj një provë dhe e sajova vetë ëndrrën. Pra nuk e ke parë vërtet? Jo, nuk e kam parë vërtet. Po kush do të vdesë sonte atëherë? Nuk vdes njeri jo, janë muhabete kot. Ashtu edhe u ndanë. Por të nesërmen morën vesh se kish ndërruar jetë ëndërr-shpjeguesja. Thanë gratë: e shkreta, paska qenë e ndershme në profesion.

***

Meqenëse maratonën e lanë të gjithë përgjysmë veç tij, Bashkia vendosi që t’ia japë të tria medaljet – të artën, të argjendtën dhe të bronzit. Në fjalën e shkurtër falënderuese, ai citoi Nietzsche-n: “E vetmja garë e denjë është ajo kundër vetvetes.”

***

Gjeneralin e lajmëruan ndihmësit se sapo ia kishin zbuluar varrin gjeneralit paraprijës.

***

Kish dalë njëri në TV, i ftuar në një emision të pasdites, dhe po fliste për televizionin italian në Shqipërinë e viteve 1970. Ne që e dëgjonim, dhe që kishim qenë të gjithë të rinj atëherë, nuk u besonim veshëve – asgjë nga ç’thoshte nuk na dukej e vërtetë. Fliste sikur i kish dëgjuar këto gjëra prej nesh, por ai vetë kish qenë i dehur dhe tani i kujtonte në mënyrë kaotike. Si në ca filma kur rezulton që dikujt ia kanë mbjellë kujtimet në mendje, përmes manipulimesh në hipnozë. Televizioni italian është pika e orientimit të kujtesës, për të gjithë ne. Ai përmendi Corrado-n dhe Gigi Rivën, dhe ne thamë: NO, tamam ashtu, NO, në italishte. Pastaj përmendi Piero Angela-n dhe ne thamë sërish NO. Edhe pse ai rrëfente gjëra reale, të verifikueshme, rrëfimi vetë ishte i rremë, si film i xhiruar nga një turist incognito. Ne paskëshim ndarë me këtë personin Tiranën dhe dekadën, por jo përjetimet. Pastaj e menduam dhe pak dhe e pranuam: mundet ta kemi edhe ne gabim, koha bën të vetën. Edhe pse nuk kishim reaguar deri atëherë, përveçse me një NO, që as shqip nuk ishte. Ai kish folur për RAI-n dhe ne që e kishim dëgjuar, kishim thënë NO. Dhe të thuash NO është gjithnjë e vërtetë, pavarësisht se kush është gënjyer dhe si.

***

U thanë: ka dhënë urdhër filani që të mbyllet. Askush nuk pyeti se çfarë ishte dhënë urdhër që të mbyllet, por shumë prej të pranishmëve thanë: ky filani është peshë e lehtë. Dhe këtu nisi një debat, nëse një peshë e lehtë mund të jepte urdhra në përgjithësi, dhe urdhra për mbyllje në veçanti. E shumta, thanë disa, një peshë e lehtë mund të japë urdhra për hapje; pastaj vjen një peshë e rëndë dhe jep kundër-urdhrin për mbyllje dhe askush nuk bën dot as gëk as mëk. Mbyllja, medemek, kërkon më shumë autoritet se hapja, prandaj ai filani juaj nuk ka mundësi të jetë aq peshë e lehtë.

***

Ndeshjen e famshme të boksit, mes peshave të rënda Muhammad Aliut dhe Joe Frazierit, në 8 mars 1971, ishim mbledhur ta shihnim te njëri në mëhallën tonë që kishte televizor. Sinjali ishte i keq, “me miza” siç i thoshim ne atëherë, shkëputej herë pas here, kur e lëvizte antenën era. Zëri vinte dhe ikte. Nuk e kuptonim se çfarë po ndodhte, as merrnim vesh se ç’përrallisnin komentatorët. Në ekran rrotulloheshin ngadalë njolla amorfe e të qullëta, si gjallesa thellësish oqeanike, të trazuara nga drita. Disa nga ne madje nuk e dallonin dot as cili nga boksierët ishte Aliu dhe cili Frazieri. Sinjali erdhi e u përmirësua vetëm në fund, kur po jepeshin intervistat e radhës: por ne nuk e mësuam dot kush e fitoi matçin. U desh ta dëgjonte njëri te BBC-ja rusisht, në dhomën tjetër, për të na hequr merakun.

***

Meqë shpesh duhet prishur diçka, për ta kuptuar se nuk duhej prishur, është koha që një parti politike të dalë në zgjedhje me sloganin: Të rindërtojmë Tiranën e vjetër. Opsionale: nga themelet.

***

Një grua në Ishëm, pasi ndoqi në televizor një dokumentar për përhapjen e etheve Ebola në Afrikë, zhvilloi disa simptoma që mjekët e spitalit francez i identifikuan si të asaj sëmundjeje. Dhe këtë e quajtën pastaj si një nga ato raste kur një infeksion mund të transmetohet edhe vetëm nëpërmjet ekranit.

***

Dy djem në Indi kapën me dredhi një majmun, e lidhën me vargonj në një shkëmb, ia çanë pak barkun dhe pastaj detyruan një pulë që t’ia çukiste mëlçinë e nxjerrë përgjysmë përjashta. Një i tretë e regjistroi këtë skenë në telefon dhe e postoi në TikTok. Kishin mësuar atë ditë në shkollë për mitin e Prometeut, çfarë u kish dhënë edhe shtysën për të vepruar, shpjegoi për mediat një i UNESCO-s.

***

Emri Prometeu, shpjegoi profesor Llambro Zisoja, vjen nga shqipja premtoj, e cila ka dhënë edhe italishten promettere: sepse Prometeu u premtoi njerëzve zjarrin. Javën tjetër do t’ju them, vazhdoi ai, si lidhen të gjitha këto me emrin e ditës së javës e premte dhe me pjesoren primordiale e preme.

***

Kish nevojë të ngutshme për transfuzion gjaku, por refuzonte me këmbëngulje – të tjerët kanë më shumë nevojë se unë, thoshte, unë pres. U detyruan ta gënjenin dhe i thanë se po e çonin që të dhuronte gjak: vdiq rrugës.

 

© 2021, Castigat & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: