MONUMENTET FANTAZMA TË TIRANËS

Nga Elidor Mëhilli

Shtatorja e Enver Hoxhës, e rrëzuar 30 vjet më parë, mund të kishte qenë diçka tjetër.

Jemi në mesin e viteve ’70. Asokohe zgjidhja arkitektonike e qendrës së kryeqytetit shqiptar qe neglizhuar prej kohësh. Ndërhyrjet ne sheshin “Skënderbej” ishin bërë të pjesshme; këto e kishin vështirësuar zgjidhjen e sheshit në tërësi.

Kështu që në vitin 1976, tek planifikohej muzeu kombëtar, pushtetarët miratuan edhe një plan të ri për qendrën. Në fakt, duhet të them muzeume në shumës sepse atëherë mendohej të ndërtoheshin tre godina të veçanta në vend të asaj që edhe sot e quajmë Muze Kombëtar.

Përveç këtyre, ideja ishte që përballë Pallatit të Kulturës të vendosej një objekt i madh i quajtur Monumenti i Lirisë. Ky nuk u realizua. Por një përshtypje se si mund të kishte qenë japin gjurmët arkivore të një komisioni ngritur enkas për këtë punë në vjeshtën e ’76-ës.

Monumenti, sqarohej atje, “do të jetë një sintezë përgjithësuese e luftërave dhe lëvizjeve patriotike revolucionare të popullit tonë për liri e pavarësi kombëtare dhe i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Në ballë të tij do të ishte figura e Enverit.[1]

“Figura e shokut Enver do të shprehet në atë mënyre që, nga një anë, të jetë e spikatur dhe e evidentuar, po nga ana tjetër të jetë edhe e shkrirë me masat. Të ndjehet që vetë populli e nxori nga gjiri i tij këtë udhëheqës legjendar, që ai erdhi si një konkluzion epokash”.

Monumenti do të kishte edhe figura të tjera—luftëtarë e patriotë—por jo të identifikuar. Këto figura mund të ngjanin me personazhe konkrete, por vetëm Enverit i lejohej të ishte i identifikuar si subjekt historik.

“Figura e shokut Enver do të jetë, si të themi, motori i brendshëm, i cili kudo duhet të ndjehet tok me masën në monument”. Vetë udhëheqësi duket se e ka miratuar idenë: “Shoku Enver ka theksuar se ky monument duhet të jetë një paraqitje dinamike e luftëtarëve, si një thirrje për luftë e liri”.[2]

Monumenti do të kompozohej në mënyrë të tillë që të shihej “nga të gjitha anët, nga të gjitha pikat” e sheshit. Të kthehej në simbol të Tiranës, të bëhej “qendra e tribunës së popullit, ku do të mbahen mitingje e ku të flitet”.

Letrat flasin për një “ansambël-sintezë e skulpturës dhe arkitekturës”, e sidomos për tipare kombëtare. Janë vitet ‘70—në sfond është beteja sfilitëse kundër shfaqjeve të huaja, fiksimi me frymën kombëtare në ndërtim. Janë edhe vitet e rreziqeve personale e profesionale për arkitektët e projektuesit, siç janë trajtuar së fundmi në një punim diplome nga Andi Arifaj.[3]

Kushedi, po të ishte realizuar, a do ngjante me Monumentin e Pavarësisë (viti 1972) në Vlorë? A do kishte qenë edhe më masiv se ai? Po të mos ishte bërë shtatore e përveçme, a do e kishte vështirësuar skenën dramatike të shkuljes në shkurtin e vitit 1991?

(c) Elidor Mëhilli, 2007

Po ja që në shesh nuk u ngurtësuan masat solide me Enverin në ballë, as skulptura-arkitekturë e bërë ansambël e sintezë—por një trup i vetëm i stërmadh i një komandanti të vdekur.

Pas vdekjes së njëshit, tek bëheshin planet për shtatoren, dilnin sërish telashe. Duhej gërmuar për bazamentin, e me këtë rast mendohej të sistemohej më në fund edhe sheshi “Skënderbej”. Duheshin miliona lekë për këtë punë, materiale importi. Edhe për gjëra në dukje të thjeshta dilte nevoja të dërgoheshin njerëz jashtë shtetit. Ishin vite të mungesës.

“Do të gërmohet sheshi, do të nivelohet, do të vihen pllaka”, rrëfente zv. kryeministri i vendit, “por fabrika jonë qenka një punishte e dobët, nuk i bëka dot, prandaj duhet të importojmë një makinë për të bërë pllakat”.[4]

Ndërhyrja në shesh nxirrte kleçka. Nën këmbët dhe biçikletat e tiranasve të viteve ‘80, poshtë kores së ngurtë të sheshit, zhurmonin damarët e qytetit ku përçoheshin sinjalet e jetës urbane—kabllot e radiostacionit, linjat elektrike, post-telekomunikacioni, tubat e ujësjellësit.

Punën e kishte në dorë dhëndri i udhëheqësit të varrosur, arkitekti Klement, i cili fliste për një shesh të shtruar me pllaka asfalto-betoni. “Sigurisht, këto pllaka do të prodhohen me cilësi të dobët, prishen edhe nga këmbësorët”. Pllakat mendoheshin të kuqërremta “por shokët na kanë thënë se është e vështirë, megjithatë do ta shikojnë”.

Kryeministri kishte hallin e paradave të përvjetorëve. Ku do të kalonin tanket? (Do ktheheshin tek Ministria e Mbrojtjes Popullore, ose tek Ministria e Punëve të Brendshme.)

Në një historik të shkurtër botuar tek Përpjekja në vitin 2016 (para versionit më të fundit të sheshit “Skënderbej”) kam rrëfyer se si qendra e Tiranës është përftuar si amalgamë. Histori e këtij qyteti kanë qenë jo vetëm “rregullimet” dhe buja politike, po sidomos prishjet, premtimet e pambajtura, planet e harruara.

Ndërhyrjet kanë qenë vazhdimisht ndërhyrje negative, që shuanin shenja të caktuara historike, pa mundur të zëvendësonin “të gjithën” e sheshit të mëparshëm. Prandaj vëzhgues të kujdesshëm kanë parë tek qendra e Tiranës edhe alegori për pushtetet shqiptare—që nga ankesat e Maks Velos në vitin 2006 (“Tani nuk dimë ç’të bëjmë me tërë atë shesh”), tek kujtimet e Ardian Vehbiut (“në hapësirën e ankthshme të sheshit “Skënderbej” frynte era e akullt e stepave altaike”), tek meditimet e Ervin Hatibit po tek Përpjekja (sheshi ka mundur … “të mos kontrollohet dot kurrë plotësisht prej pushteteve”).

Ndonjëri e mban mend se në Tiranën e viteve ’90, pas shkuljes së bujshme të shtatores, piedestali mbeti aty, në zemër të sheshit, deri sa plaçkitej pak nga pak. Në bronx shiheshin ende gropat që kishin lënë këmbët e Enverit. Mermeri përreth shkulej në mënyrë të mistershme natën.

Një lloj dezhavuje dhe kjo—gjatë revolucionit hungarez të vitit 1956, protestuesit patën shkulur me mund shtatoren e Stalinit. Por çizmet i mbetën mbi piedestal. Një palë kopje janë të ekspozuara në një park në periferi të Budapestit.

Gjurmët e monumentit fantazmë i shihje në Tiranë përgjatë viteve; aty nga viti 2007, për shembull, kam shkrepur fotografitë e vendosura këtu. Mungesa ishte e prekshme. Mbase kjo ka qenë edhe një periudhë kur sheshi “Skënderbej” ka funksionuar vërtet: qendër e përftuar nëpërmjet mohimit, mauzoleum pa trup; sfond i zbrazur i një shtatoreje që nuk është më, por që lëshon ende hijen e saj.

Sheshi dukej si hapësirë që nuk mbushej dot—sado që aty vërshonin tribunat, koncertet, kioskat, tezgat, lodrat kineze, rrotullamet, tregtarët ambulantë të pijeve freskuese apo të valutës së huaj, lypësit, militantët, mitingjet, kundërmitingjet. U munduan ta mbushin me “treg të lirë”, me utopi, me cirk, me futurizëm francez, me simbolizëm belg, me euro.

Tirana u rrit përreth tij, jetoi, sidomos mbijetoi—me sheshin dhe kundër sheshit, e sidomos në përballje me ata që janë munduar fort ta bëjnë tribunë të vetën.

 

[1] “Monumenti i lirisë,” 11 nëntor 1976, Arkivi Qendror Shtetëror (AQSH), F. 499, V. 1976, Dos. 200, Fl 18-20.

[2] “Disa ide paraprake mbi zbatimin e detyrës që vuri Byroja Politike lidhur me ndërtimin e muzeumeve dhe monumenteve të lirisë në qendër të Tiranës,” p. d., AQSH, F. 499, V. 1976, Dos. 200, Fl. 36.

[3] Andi Arifaj, “Arkitektura socialiste shqiptare: Shfaqjet e huaja, 1970-1975”, Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Tiranë, 2019.

[4] “Procesverbal i mbledhjes së Kryesisë së Këshillit të Ministrave mbajtur në datën 12.12.1985” (Sekret), AQSH, F. 490, V. 1985, Dos. 343, Fl. 1-7.

Rreth Autorit

Elidor Mëhilli mban gradën Assistent Professor në historinë europiane dhe ndërkombëtare në Hunter College, City University of New York. Ka mbaruar studimet e doktoraturës në Princeton University (2005-2011), studimet e larta në Cornell University (2000-2005), dhe ka mbajtur poste akademike të shkurtra në Columbia University (2011-2012) dhe University of Pennsylvania (2012-2013). Punime të tjera të tij mund të shihen këtu: www.elidormehilli.com. Jeton në Nju Jork.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin