nga Eleana Zhako

“Nëse më pyet ndokush nga klientët në punë nga jam, çfarë t’u them”, më pyeti ime motër katër vite të shkuara, kur sapo ishte vendosur në kryeqyetin e Bashkimit Europian. Do përdorësh shprehjen “I come from Greece” i them, në vend të “ I am from Greece”, kështu do të jesh politically correct edhe me veten, edhe me botën. E kam provuar më gjegjet, por nuk funksionon kjo lloj përgjigjeje, pasi nëse klienti është grek do të më pyesë, nga cili vend i Greqisë, nëse është shqiptar, do të më tallë që bëj si greke. Por, ti je nga Athina i them, aty e ke kryer shkollën fillore dhe për më tepër greqishtja është gjuha jonë e familjes. Ohu, futja kot, bën sikur s’kupton. Më gjej një përgjigje pra.

Në atë moment, më erdhi në mendje rasti i dy personave, që kisha ndeshur gjatë trajnimeve të ndryshme në Europë. Për shembull, hungarezët janë shumë krenarë për origjinën e tyre, kudo që të ndodhen. Do t’u thuash me ton bindës, që jam nga minoriteti grek i Shqipërisë, siç një e njohura ime u prezantua: “Jam Katalin dhe vij nga minoriteti hungarez i Rumanisë” ose siç bëri Bruno, një burrë super zeshkan: “Jam Bruno Schwartz nga minoriteti gjerman i Italisë”. Pas pak ditësh, më thotë: “Ç’m’u desh që të dëgjova. Thashë që jam nga minoriteti grek i Shqipërisë dhe rastisi një lezhiane, që iu kthye kolegut tim, “s’ka këmbë greku në Shqipëri”. E mirë, i them, e kemi të humbur davanë, duhet të mësohemi me këtë gjendje, merre me sportivitet.

Gati në të njëjtën periudhë, një mikja ime shqiptare më fton për darkë, dhe kur i them që kam (edhe) pasaportë greke, më kthehet “Ah, ju jeni ai rasti që bëni si grekë”. Kush merret prapë me leksione historie. Ky termi oksimoron greko-shqiptar, s’funksionoka as me grekët e as me shqiptarët. Grekomanë që pasohen nga shqiptaromanë e anasjelltas. “E more vesh se ç’trumbetohet kohët e fundit, nuk ka minoritet grek, janë ose arbër gjakprishur ose hyzmeqarë të ardhur”, më tha L. Atëherë, m’u kujtua sërish stërgjyshja ime e dashur “hyzmeqare”, që ishte bërë objekt tallës në një shkrim riciklues me temë të singjashme. Mendova se brenda këtij dhjetëvjeçari të fundit, sa shumë çifligarë dolën befas në Shqipëri. Mbi 3 milionë çifligarë, me prejardhje arbërore (= hyjnore), të cilët kishin në zotërim toka të pafundme, që shtriheshin përtej Dardaneleve. M’u ndërmend gjithashtu fytyra fisnike e kushëririt të parë të gjyshit tim, i lindur në Australi, që kur vizitoi për herë të parë fshatin e të atit, pyetjes sime rreth vetëpërcaktimit, iu përgjigj në anglisht, se e kishte origjinën nga një fshat në kufirin greko-shqiptar, që më parë ishte pjesë e Perandorisë Otomane, ndërsa tani i përkiste Shqipërisë. Sa përgjigje e gjatë…

Sa shumë emigrantë të ikur drejt Botës së Re nga zonat ndërkufitare në fillim të shekullit! Shumica prej tyre nuk u kthyen kurrë. Nuk i panë më kurrë gratë e fëmijët e tyre. Madje shumica e varreve të tyre janë bosh. Ndodhen vetëm eshtrat e grave të tyre, me fotografitë e bashkëshortëve të përjetshëm përbri. Ata në moshë të re ose të mesme, ndërsa fotografitë e grave në moshë të shkuar. Shumë herë, për shkak të diferencës moshore të fotografive, të krijohet ndjesia, se është e ëma me të birin. Janë pikërisht këto gra, që mbartën në supe gjithë peshën e familjes mbi krye. Janë këto gra “hyzmeqare”, që sikurse edhe gratë e nënat shqiptare, punonin tokat e çifligarëve të mëdhenj e të vegjël, me të cilët tani krekosen shqiptarët nga Veriu në Jug, nga më i skamuri intelektualisht e deri tek më i kualifikuari. Të gjitha këto gra me pak klasë shkollë, që gurit i thoshin «λιθάρι», portës «θύρα», agut «χαραυγή», flas «κρένω», jastëkut «προσκέφαλο», dhisë «αίγα», mirutakofshim “καλαντάμωση», janë më të fisme e mendjeurta se shumica e ciceronëve të lëçitur, të cilët duke mos qenë pjesë gjuhësore e etnike e këtij minoriteti dhe e çdo minoriteti në Shqipëri, flasin lehtësisht nga pozita superioriteti fals.

Kjo kategori të lëçiturish, që me siguri çdokush prej tyre ka nga një të njohur e mik minoritar, heq vallen e gjithë atyre grekëve të çartur, që flasin pambarimisht në televizione periferike mbi vjetërsinë e racës e gjuhës helene, por në kah të kundërt: pellazgologjia e arbërologjia, pagëzohet si patriotizëm i shëndetshëm e vetëmbrojtës, ndërsa ajo e tjetrit si nacionalizëm ekspansionist. Madje, zhgënjimi është akoma më i madh, kur pas disa vitesh studimi mbi shkencat politike e historike, kupton se kriteri i interpretimit shkencor të fakteve, nuk respekton gjykimin objektiv, por subjektivitetin e shumicës. Në këtë kuptim, historia i afrohet futbollit a politikës. Ajo që për shekuj me radhë banorët e zonës së Dropullit e zonave përreth u përpoqën ta fitojnë përmes bashkekzistencës së paqtë, mjafton një “incident” i radhës, për t’u përfshirë prej zjarrit të urrejtjes.

(c) 2021, Eleana Zhako. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi pa lejen e autores.

Kopertina: @Michel Setboun.