FEMRAT E PAMORALSHME TË KADARESË

nga Eda Derhemi

Në letërsi femrat i kam trajtuar zakonisht si femra problematike, me një moral jo të përsosur. Femra të tilla më dukeshin interesante. Dhe është e vërtetë kjo që këto lloje femrash të lirshme, jo fort të moralshme, janë interesante. Të tjerat nuk më kanë interesuar. Më duket se të gjithëve nuk u interesojnë të tjerat. Femrat me një tis “negativ” janë interesante. Sepse ato krijojnë edhe problemet, edhe pakënaqësitë, edhe dramat.”

E morët me mend nga titulli që paragrafi më lart i takon Kadaresë. Por imagjinoni sikur të mos e dish kush e ka shkruar, dhe ta profilizosh shkruesin thjesht duke analizuar tekstin më lart, çfarë do të të shkonte në mend: 1. shkrimtar i gjinisë mashkullore 2. provincial (shoqërisht, jo detyrimisht gjeografikisht) 3. i bindur për superioritetin dhe autoritetin e vet 4. me mangësi shprehëse 5. që insiston t’i quajë karakteret e rëndësishme të cilave u referohet ‘femra’ dhe jo ‘gra’ 6. që i përket një ideologjie të stërkaluar e patriarkale si për gruan (femrat) ashtu edhe moralin, – dhe është kjo e fundit, pika gjashtë, që më intereson më fort në këtë shkrim, sidoqë e lidhur me pikat e tjera. Citimi më lart nuk ka nevojë të shpjegohet përse është kulturalisht arkaik, patriarkal e maskilist, se unë besoj se ky shkrim tani po lexohet nga njerëz të shkolluar e me hapje të mjaftueshme ndaj Ideve Ndryshe,  që edhe kur vetë rastisin seksistë (burra apo gra), dinë të paktën se si duhet të ishin, kanë dëgjuar a parë forma alternative të vështrimit të gruas, se çfarë do të thotë respekt i vërtetë për gruan dhe barazinë kulturore, politike, ekonomike e shoqërore të saj me burrin. Edhe Kadare e di mirë si duhet qenë, por artikulimin bisedor e ka të vështirë, se s’i vjen nga brenda, dhe as është i mësuar sa duhet me të; them, ndoshta, prandaj edhe varfëria leksikore, shprehja e shpëlarë dhe përsëritjet në citim. Them, pasojë e një pështjellimi mes dëshirës së një mendjeje të hollë si e tija që ta konsiderojë e shpjegojë si progresive marrëdhënien e tij me personazhet e veta “femra”, dhe paaftësisë për ta bërë realisht këtë. Ka gjasë se nuk del dot nga bataku ku e fut ideja e seksit të burrit të epërm me të cilin e ka mësuar koha… edhe korteu meskin që i është sjellë përjetësisht vërdallë duke i bërë fresk, korte që fatkeqësisht Kadareja e ka adhuruar dhe kërkuar. Çështje e llojit të sedrës. Do që t’ia përkëdhelin. Por kjo është thjesht dobësi e Kadaresë, dhe pak punë prish. Por mënyra sesi ia sheh syri gruan (his gaze) është tjetër gjë; sensualizimi si epiqendra e saj, e si domosdoshmëri për t’u marrë në konsideratë, përforcon të njëjtat ndarje e raporte të vjetëruara varësie gjinore, dhe i le shqiptarët atje ku ishin.

Fragmenti më lart u shfaq çuditërisht në rrjetin FB, (fillimisht në faqet Letersia dhe Qyteti dhe Revista Saras). Mënyra si ishte përcjellë figurativisht në postim dukej si të qe zgjedhur për të zbukuruar një anë të pasme kopertine të librit me intervista dhënë A. Bardhylit prej Kadaresë në “Kohë për rrëfim” (shih foton në krah). Nuk kuptoj pse të jetë zgjedhur pikërisht ky fragment. Nuk e kam lexuar, dhe s’them dot se qenkësh apo jo kjo, thënia “më interesante” në gjithë librin. Dhe aq më pak shpresoj të jetë. Nuk gjej dot shkak tjetër, pos që është menduar se pikërisht ideologjia që gufmon lirshëm në atë paragraf, a)të tërheqë lexuesit apo b)të intrigojë kritikët. E para arsye bie ndesh me jo-vlerën progresive të paragrafit. Nuk i bën nder lexuesit ta joshësh me këtë fjali. Nuk i bën nder sidomos gruas lexuese dhe gruas në përgjithësi. Nëse arsyeja e përzgjedhjes së fjalisë ishte e dyta, pra të tërhiqte kritikë, them se ia ka dalë. Por kjo arsye fatkeqësisht nuk i bën nder autorit, dhe e nxjerr atë cullak në një ndër dobësitë e veta.

“Ke ndonjë kunj me Kadarenë?”, më tha një mik poet i bezdisur nga rishfaqja e shkrimit “Kukulla dhe Kurva në Kandarin e Kadaresë” https://peizazhe.com/2017/09/05/kukulla-dhe-kurva-ne-kandarin-e-kadarese/  që e kam shkruar para disa vjetësh e që doli rishtas online në të njëjtën kohë si edhe pasazhi nga Kadare për femrat. Përkimi i të dyjave më bëri t’i rikthehem temës së gruas tek Kadareja dhe paprekshmërisë së autorit idhull. Kujtoj që para shumë vjetësh P. Kulla në një email pas një shkrimi timit për një tjetër roman të Kadaresë (“Darka e fundit” në mos gaboj), roman që më kish tërhequr shumë, më thoshte diçka si “habitem me guximin dhe autoritetin për ta diskutuar Kadarenë si të barabartë”. Pjesa në thonjëza mund të ishte fjalësuar ndryshe, por kish këtë ide. Kulla nuk po më sulmonte në mesazhin e vet. Ai sinqerisht ia bënte pyetjen më shumë vetes se mua, dhe nuk po më tundte gishtin “Si guxon të guxosh?!”; thjesht i dukej surprizë (ndoshta jo e këndshme) kjo dukuri. Një tjetër lexues në Peizazhe pas artikullit për Kurvën më shkruante “Nuk i kërkojmë dot hesap Kadaresë pse s’është feminist.”

Nuk kam asnjë lloj kunji dashakeq me Kadarenë. Është autori që më ka rritur. Letërsia e tij më ka mbajtur gjallë në rini, dhe më ka dhënë atë copë të vogël gazi e shprese gjatë socializmit se gjërat mund të ndryshonin, se s’ishin të gjithë viça që qurraviteshin kur Enveri shfaqej, festonte apo vdiste. E shihja gjithnjë Kadarenë në xhirot e mbrëmjeve apo të përhumbur mëngjeseve në rrugët gri të Tiranës socialiste, e ndiqja me qejfin e madh që ishte gjallë, shkruante, dhe nuk e kishin burgosur. Ishte shpresa ime dhe e shumë njerëzve që urrenin gjithçka me shenjën socialiste mbi të. Nuk e kam besuar kurrë se i ka bërë hyqme regjimit dhe Enverit. Kompromisi i tij është bërë në emër të jetës dhe lirisë për të shkruar, dhe e ka bërë në mënyrën më dinjitoze të mundshme. Edhe sot e njoh si shkrimtarin më të mirë që kemi. Ia kuptoj dhe dua fort forcën imagjinuese, asociacionet origjinale e të fuqishme që gjen në botën që përshkruan, lehtësinë me të cilin i kap syri universalen mes banalitetit, aftësinë për të shprehur shkoqur dukuri psikologjike apo koincidenca komplekse që tjetërkujt nuk ia formulon dot as ëndrra më fatlume, shpejtësinë e mendimit dhe ironinë sa popullore aq edhe te rafinuar që të befasojnë njëlloj, absurdin aq të pranishëm që i ngjan jetës vetë dhe groteskun figurativ në formësimin e absurdit, forcën e poezisë brenda prozës së tij.

E gjithsesi, kam të drejtë ta lexoj me sy hapur, kam të drejtë ta analizoj dhe kam të drejtë të them se mënyra se si e sheh femrën nuk është aspak progresive, madje peng ideologjish tipike maskiliste. Kjo është një ndër dy vijimësi ideologjike që demonstrojnë obsesione kognitive dhe kulturore të Kadaresë (tjetra, ajo kombëtariste që lidh Europën/kombin/armikun kombëtar). Sado i madh qoftë Kadare, dhe sado të mira të tjera pastë, ka edhe këto. Dhe ia njoh vetes këtë të drejtë pa cak, pikërisht sepse nuk po i kërkoj llogari pse s’është feminist. Por ama nuk është mëkat dhe duhet thënë që atij i mungon kjo ndjeshmëri. Kur dikush të thotë se i do, madje i adhuron gratë, kjo s’do të thotë aspak se është feminist. Burri e ka dashur gruan sa ka qenë jeta. E ka dashur, e ka dashur edhe të nënshtruar. E ka dashur edhe atë tjetrën, të pamoralshmen dhe problematiken. E ka dashur shumë. Atë ama, ndaras gruas, për qejfet më të mëdha e më të veçanta, por pa merita e temena publike, kollaj të përdorshme dhe të braktisshme. Si i tillë, Kadare është thjesht një prej këtyre burrave që i duan gratë – “femrat e pamoralshme”- për sytë e bukur, për mishin ndryshe, për “pëllumbin e bardhë” (varg folko-lirik tek “Zonjat e vogla të letërsisë shqipe”) e, tjetërkund të zi, mes shalëve.

Isha shumë e vogël kur kam parë dikë që e rrahu të shoqen në rrugë dhe, pasi ajo u shtri përtokë pa fuqi, e qëllonte me shkelm në një bark stërmadh shtatzanie. Kam parë rreth moshës tetë a nëntë vjeçare në një zyrë të mjerë fronti afër shtëpisë, edhe gjyqin e hapur gjatë një divorci të një mësueseje (jo nga shkolla ime) që kalonte dy herë ditës para rrugës sime e përshëndetej me time më, gjyq ku merrte pjesë kush donte, edhe ne kalamajtë që ndërpremë topa-luftash të bënim sehir, aq me interes na u duk çfarë po ndodhte aty. Ishte verë, dyert e dritaret ishin të hapura dhe zyra e frontit qe në katin përdhes plot e përplot me sehirxhinj më të rritur se unë. Ajo grua e mjerë ezmere me flokë kapur thjesht me dy karfica pas veshëve, vuante një turp e siklet që më therte në zemër edhe pa e kuptuar hiç. I shoqi thoshte çfarë gruaje e keqe ishte, ndërsa dy djemtë e vegjël qanin heshtur e s’donin t’i rrinin afër. I kam në sy këto dy gra shpesh. Të mos jesh si këta burra të historive që sa tregova, nuk do të thotë aspak që je feminist. Të imagjinojmë p.sh. një kryeministër modern që krijon një kabinet me shumicën femra, por kur negocion me ministreshat femra u bën atyre kërkesën që të buzëqeshin sa më shumë e lirshëm që t’u marrin burrave votat; ose një kryeministër që pasi ka krijuar një kabinet të tillë femëror, aplikon bunga-bunga në vilat e veta jashtë qytetit. Ky lloj “progresisti”, nuk është as ky feminist sido që nuk rreh gra. Madje këta dyfytyrësha kthejnë mbrapsht edhe hapa të vogla bërë për rikthimin e dinjitetit të gruas. Kadare mund të jetë më i avancuar në ideale se këta. Kadare është shkrimtar i rrallë. Nuk ka dyshim që është më kompleks e njerëzor se gjithë të mësipërmit. Por kjo s’do të thotë asgjë lidhur me feminizmin e tij. Se burri apo gruaja nuk janë 39.7% feministë. Të jesh feminist s’është numër që rrumbullakoset kollaj, çështje klasi a shkollimi e pasurie: do të thotë thjesht të respektosh gruan në tërësinë e vet ashtu si burrin, e të besosh vërtet në barazinë mes tyre. Gjë kaq e thjeshtë për t’u kuptuar, kaq qytetare dhe morale… si morali ngadhënjyes i “femrave me moral të papërsosur”; aq e vështirë për t’u jetuar.

Një tjetër kritikues më thosh “Kadareja është shkrimtari që i del zot Kurvës.” Vëlla: këtu është gjithë çështja, si e jotja edhe e Kadaresë. Kurva apo gruaja nuk kanë nevojë për zot, e as që t’u dalë kush zot. Se është pikërisht ky “zot” dhe kjo “dalje zot” që i bëri kurva dhe gra në kuptimin tuaj – praqenie “me moral problematik”, qenie “jo fort” e “jo dhe aq”, me tipare orientaliste dhe ekzotike që u rrinë si një “tis negativ” mbi akt, ku negativ nuk ka fort rëndësi, por “tisi” ama të bën të veçantë. Kadareja ka ngelur një burrë i vogël, me ëndrra paramoderne prej dandy parizien. Nuk ka qenë dhe nuk u bë kurrë pro-grua në kuptimin e vërtetë të fjalës. A e bën kjo shkrimtar të keq? Jo. A e bën kjo të mos pranohet prej një mase kritike shoqërore sidomos feministe, sensibilitetet emancipuese të së cilës në erën postmoderne janë të ndryshme, më kërkuese se ato të viteve 80 kur ndriti ylli i Kadaresë si simbol i progresit për Shqipërinë? Pa dyshim që po. A mjafton kjo kontroversi lidhur me të për të mos e konsideruar intelektual publik për Shqipërinë? Jo. Kadare është njeri që jeton në sferën e ideve dhe nëpërmjet tyre është gjithnjë i lidhur me publikët shqiptarë kudo qofshin, edhe sepse ai do të ketë një mision shoqëror, edhe sepse shqiptarët ia lypin vazhdimisht këtë rol. Pra mendoj se, po: Kadare është një intelektual publik. Veçse këtu duhet specifikuar se është një intelektual publik i stampës së vjetër, së cilës i ka ikur koha: Kadare sot nuk turbullon status-quotë kulturore ndërshqiptare në mënyrë që ta avancojë njohjen, kulturën shoqërore drejt një barazie, paqeje e mirëkuptimi më të madh. Sahati ka ngelur. A ka arsye për këtë. Pa dyshim. Por fakti që mund t’ia shpjegojmë problemet, nuk do të thotë që për Kadarenë mund të diskutojmë veç për të mirat, si patriotë që jemi.

Edhe diçka për ata që e adhurojnë dhe mendojnë se e kam me Kadarenë: a e dini pse ju duket ashtu? Sepse ndoshta dua më shumë se ju të mos e kish atë vështrim të mangët e fyes ndaj gruas. Dhe besoj se e meritonim dhe na nevojitej shumë një shkrimtar që ta artikulonte një vështrim progresiv në letërsi apo në diskursin publik. Unë e kam ngritur vërtet lart stekën për Kadarenë, sepse e konsiderojmë më të madhin ndër ne. Ju duket se e kam me Kadarenë, sepse edhe unë si ju, vuaj nga një raport idhullizues me të. Veçse juve ju duket se idhulli është perfekt, ndërsa mua më vjen keq që nuk është. Dhe, ndryshe nga ju, unë vazhdoj të përleshem me pyetjen “një burrë i paemancipuar a mund të jetë një shkrimtar i madh?”

 

(c) 2021, Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë riprodhimi në mediat. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht, për cenim të së drejtës së autorit.


(Lutje redaksionale për gazetën TemA: mos na i merrni shkrimet, sepse ashtu na përvetësoni edhe mundimin që bëjmë për t’i siguruar, duke punuar bashkë me autorët. Pyesni veten pse autorët i sjellin te ne, jo te ju. Ne nuk kemi burimet tuaja financiare as pushtetin tuaj: por nëse ju interesojnë shkrimet tona, mund të bisedojmë. E vetmja gjë që po ju kërkojmë me forcë – për të satën herë: SA MË LARG NESH!)

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin