REPUBLIKA E VAJMEDETIT

nga Gjovalin Macaj

Bash atij i vriteshin katër qytetarë para syve, jetën e të cilëve ai e kishte për detyrë me e mbrojtë, por nuk mbajti e nuk mban asnji përgjegjësi; shpallet i pafajshëm, anipse këto vrasje nuk mund të baheshin kurrnjiherë pa urdhnin e tij. Sikur asgjà të mos kishte ndodhë, ai ngrihet prapë në detyrë, prapë bahet lider e na zapton edhe nji truell në bregun e oligarkëve, në panteonin e maskarllëkut të Tiranës.

Parimet dhe idetë politike i qet prej bishtave të cingareve që i mbledh gjanë e gjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Asht bimë e spikatun e dalun arave t’misrit që kallenj nuk lidhin, përpos kashtë, byk e boça. Ky lloj kollomoqi pa kokërr drithi, rritet fort e shpejt e t’bàn me ngrefë kashtarë vigaj, por kur vjen korra mbeten thatë.

Mes shkretinës ai duket si shpresë. Asht i shterpë, por shumë njerëz rrejnë vetin se ai do ta kthejë tokën djerrë në arë të plleshme e do të na qesë n’dritë, në mos t’tanë, të paktën gjysën prej nesh. Pra Lulzim Bashën kam ndër mend. Shpresën e madhe për ndryshim në vend.

Flet sa s’ka, por gjà nuk thotë. I digjet zemra për nji fije autoritet, bërtet shumë mandej e kapin të dridhmet kur ndigjon jehonën e zànit t’vet. Autoritetin që lyp askush nuk ia ep. Asht i gjatë por hiç i naltë. Lakohet, paloset, përdridhet e kacavirret a thue se nuk ka shtyllë. Zellit për pushtet nuk i ndahet si rriqën.

Për punë kurrkush s’e ka levdue. Rrugën e Kombit e la copa-copa e me nji gropë korrupsioni mà të madhe se 230 miljon Euro. Edhe punën e tramvajës imagjinare ju desht me e lànë përgjysë, e ju përveshë me t’tana forcat themelimit të “Republikës së Re”, por pa u tha boja e parullës, vrulli iu pre përmidis e republika na ra përdhe.

Nji arritje edhe ky në fund të fundit e ka: Edi Ramën me apo pa dashje burrë të mirë na e ka bà. Mbret mes të verbënve. Autokritika e tij del nga penxheret e internetit si opozita mà e zàshme n’vend. Vetë zot e vetë shkop.

Ndër arritje të tjera të tij mund të vihen në rend edhe mbulimi me mermer i dyshemesë së drrasave në selinë e bashkisë së Tiranës, ardhun me sa shihet prej nji shqelmi që mund t’i ketë dhànë shkarravinave të paraardhësit të tij. Edhe përmbysja e sheshit “Skënderbej” e kthimi i tij në autostradë me plot makina, pa dyshim si pjesë e vizionit të tij largpamës për t’i dhànë frymëmarrje qytetit, e me qitë n’dritë heroin kombtar, përçka mund të shtohet dyfish në listën e dameve të tij.

Kur nuk mujti me thànë kurrnjigjà me zà e me bà, i paaftë e i pa ërz si àsht, i flaku deputetët e PD-së si mish për top, bash si mall i falun. Porsi nji tufë dhensh pa bari, i bani kamikazë e u dogji mandatet që ju pat dhànë populli, e bashkë me ta u bà gazi i botës. Iu hoq zànin gati gjysës së votuesve në vend, me shpresën e kotë se veç në heshtje të plotë dikush do të nigjonte zànin e tij të shkretë.

Porsi kashta që zgjatet e trashet aty ku e ka mbjellë kryetari i partisë, ai nuk mundet me lànë aty gja tjetër të hajrit me vù rrajë. Nuk di me bà kurrnjisend përpos se me u zemrue, për pushtetin që hala s’ka dalë kush me ia dhurue.

Ai zapton opoziten si tokë e xanun. Me shterpsinë e tij ai mban peng PD-në dhe shpresën për ndryshim, për nji alternative reale në vend. Mashtron t’djathtët e shkretë me shpresë, kur në realitet iu pret krahët e i le të vetmuem n’batak, pa za e të pashpresë.

Asht hiç i madh, por prapë shet parulla e pallavra të arnueme e të dalë boja, e shumë njerëz duken sikur po ia blejnë. Dikush prej etjes për pushtet për me e zhvatë mà egër at vend; dikush tjetër prej mjerimit e dëshpërimit të skajshëm e të kenunit i pashpresë.

Bash kur PD-ja duhet t’ishte votra e ideve çliruese dhe e projekteve të prekshme për të na çue përpara, Basha në vend të saj na paraqet nji parti që punon si magnet llumi. Atje ku lulzon paaftësia, shterpësia, e turmnia. Atje ku kush ka dy pare mend ose merr arratinë ose përdoret si gjethe fiku, sikurse me rastin e KOP-istave të 2005-s nga ku na biu Basha, për t’i ba mà të kapërdishëm me ju dhanë pushtetin.

Pa ide, pa plan, e pa drejtim, të djathët me nji boçë si Bashën ose kanë humb shpresën me ardhë në pushtet, ose e kanë lëshue vetin me e ndjekë atë verbnisht deri në hendek, atje në “Republikën Vajmedet”.

(c) 2021, Gjovalin Macaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Gjovalin Macaj është Asistent Profesor në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Institute for History, University of Leiden në Hollandë. Ka një DPhil nga University of Oxford, ku ka dhënë mësim për katër vite radhazi dhe ka mbajtur një post si Lecturer in Politics në Keble College, University of Oxford.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin