GREQISHTJA NË SHQIPËRINË E JUGUT

Rreth diakronisë dhe diatopisë së të folmeve greqisht të Shqipërisë së Jugut[1]

nga Dhori Q. Qirjazi
Universiteti Aristotelian i Selanikut

Hyrje

Në bibliografinë e prof. Shaban Demirajt bien në sy edhe një numër shkrimesh që i kushtohen gjendjes gjuhësore në Shqipërinë e Jugut, e posaçërisht marrëdhënieve të shqipes me greqishten, me shkas praninë e të folmeve greqisht në ato anë, si dhe të bilinguizmit në tre fshatra të Bregut të Detit. Njohja e themeltë e historisë së shqipes dhe e kuadrit ballkanik të saj i jep mundësinë Demirajt që, pa qenë specialist i mirëfilltë i greqishtes, të orientohet përgjithësisht drejt dhe të konsiderojë se problemi i thellësisë në kohë të pranisë së greqishtes në jugun shqiptar mbetet i hapur dhe i vështirë. Gjithsesi, edhe pse pohon se “…nuk duhet përjashtuar mundësia e ndonjë enklave grekësh edhe në zonën e të ashtuquajturit Epir në kohë të lashta” (Demiraj 2008, 68), ai, kur bën fjalë për secilën nga të folmet greqisht të jugut shqiptar, është i prirur ndaj një datimi relativisht të vonë të tyre në trojet ku fliten sot, pa mbajtur prapëseprapë një qëndrim të prerë. Operon kryesisht me argumente historike ex silentio, ndërsa provat gjuhësore të tij nisen kryesisht nga lënda antroponimike dhe më pak nga toponimia, me referime kah historia e brendshme e shqipes, por edhe kah historia e jashtme e saj, pra kah kontaktet me gjuhë të tjera e sidomos me greqishten.

Νuk mund të mos vërejmë ndërkaq se në analizat e Demirajt mbeten jashtë këndvështrimit të tij historia e brendshme dhe e jashtme e të folmeve greqisht të Shqipërisë së Jugut. Në këtë analizë, duke i mëshuar kriterit metodologjik se studimet in situ janë kusht themelor për të përcaktuar origjinën, hershmërinë dhe diatopinë e atyre të folmeve, “dialogojmë” virtualisht me të ndjerin dhe sjellim në vëmendje të kolegëve shqiptarë lëndë të re dhe interpretime të reja.

Nga studimet e deritashme është përvijuar qartë hapësira ku flitej dhe flitet greqishtja në jug të Shqipërisë: tri vatra (Narta e Vlorës dhe pjesërisht Zvërneci, tre fshatra të Bregut të Detit -Himara, Dhërmiu, Palasa- dhe vendbanimet greqishtfolëse të Sarandës e të Gjirokastrës) secila me veçoritë e saj dhe me shtrirje të ndryshme gjeografike.

Çështje e hapur dhe e debatueshme mbetet thellësia në kohë e tyre. Janë ngulime ardhësish të vonë apo rrënjësish të lashtë? Mungesa e burimeve të hershme të shkruara e vështirëson përpjekjen e përcaktimit të kohës së pranisë së tyre në trojet ku ndodhen sot.

Prandaj shqyrtimi i marrëdhënieve të këtyre të folmeve me të folmet/dialektet e tjera të arealit të greqishtes (diatopia), por edhe me të folmet fqinje të gjuhëve të tjera (gjuhët në kontakt), na ndihmojnë që, me anë të gjuhësisë historike, të vendosim ura lidhjeje mes së sotmes dhe së djeshmes (diakronia). Poashtu ndërthurja e elementeve që “vulosin” identitetin e territorit në shqyrtim (toponimet) me kujtesën kolektive të popullsisë vendase (tradita gojore dhe mitologjia) vështrohen në lidhje me të dhënat që sjell në dritë “kazma” e arkeologut.

  1. Rrathët e kujtesës

Siç llogaritim moshën e një druri mbi bazën e rrathëve koncentrikë të trungut të vet, në të njëjtën mënyrë mund të rrekemi të përcaktojmë rrathët e kujtesës së këtyre ngulimeve. Po sa është pasqyruar në kujtesën kolektive të tyre raporti kohor me hapësirën në fjalë? Edhe pse, siç thuhet, banorët shqipfolës të Gjirokastrës e të krahinave përreth i konsideronin dropullitët “çkulo” a “të çkulur” (Κουρίλας 1944: 296), ata vetë nuk ruajnë kujtime të një shkuljeje prej diku e të një nguljeje në trojet ku ndodhen sot.

Është mbase pikërisht kjo arsyeja përse u shkrua e u shfaq, në rrethana të caktuara, e ashtuquajtura dhe e shumëcituara Kronikë e Dropullit (Χρονικό της Δρόπολης), një krijim savantësh, që është ricikluar gjatë gjithë shek. XIX dhe vazhdon të merret edhe sot e kësaj dite si e mirëqenë[2]. Kronika, sipas së cilës dropullitët erdhën nga Atika dhe u vendosën në Dropull në motet e mesjetës, u konsiderua e vërtetë nga konsulli francez në Janinë, Pukëvili (Pouqueville 1820, 1826-1827). Një motërzim i vonë i saj i takon savantit Athanasios Petridhis (Aθανάσιος Πετρίδης), nga Dhrovjani i Delvinës, që e quajti Χρονικόν Δρυόπιδος / Kronikë e Dryopidës, ngaqë, siç shkruan studiuesi L. Vranusis, “Drinopoja bizantine -i shumëkënduari Dropull- duhej të lidhej me Dryopidën e antikitetit paraklasik.” (Βρανούσης 1962: 120). Vite më pas, dy autorë grekë, Vernikos dhe Dhaskalopulu, duke bërë fjalë për Kronikën e Dropullit shënojnë se “leximi i burimeve antike dhe orientimi kah një e shkuar e hershme heroike u përdorën për ngjizjen e një identiteti të ri”, dhe shtojnë se kësilloj sajesash qenë të modës në fund të shek. XVIII e se shfaqja e tyre shpjegohet me përpjekjen për vetënjohje dhe vetëpërcaktim të grupeve të ndryshme etnike. (Βερνίκος & Δασκαλοπούλου 1999: 27).

Tharmi (dhe “sharmi”) fantazist i Kronikës në fjalë dalin në pah sidomos kur u drejtohemi të dhënave gjuhësore, të cilat i kanë shpëtuar vëmendjes së historianëve apo janë anashkaluar prej tyre. Në të folmen e Dropullit nuk gjendet asnjë gjurmë e veçorive të së folmes së Atikës të disa shekujve më parë, e njohur si παλιά αθηναίικα (e folmja e hershme e Athinës), e cila, sipas gjuhëtarit të njohur Μ. Τriandafilidhis dallonte për shqiptimin e υ dhe οι si u (ου) dhe, pas bashkëtingëlloreve qiellzore, si –ιου: ανατσούκλιασμα (ανακύκλισμα < ανακυκλώνω), κιουρά (κυρά); për ruajtjen e grupeve fundore zanore –ία, –έα: καρυδέα, κουτσία (κουκιά); për shndërrimin e κ, γ dhe ττσ (citacizmi), kur pasojnë zanoret ι dhe ε: ξόρτσι (ξόρκι), τσαίω (καίω), etj. (Τριανταφυλλίδης 1938: 240).

Një rast të ngjashëm të evokimit dhe kërkimit të origjinës prej fisesh dhe visesh heroike gjejmë edhe në traditën gojore të himariotëve, të cilët besojnë se greqishtja e tyre lidhet ngushtë me të folmet e Manjës në Peloponez dhe të Kretës. Në një studim të posaçëm (Κυριαζής 2007, Qirjazi 2011) kemi sqaruar se të dhënat gjuhësore nuk dëshmojnë për një lidhje specifike të së folmes së Himarës me ato të Manjës dhe të Kretës, dhe se kjo traditë popullore u selit në truallin e ngjashmërisë së pjesshme dhe aspak të mëvetësishme të tyre, dhe kryesisht mbi bazën e kontributit heroik në kryengritjen çlirimtare të 1821-shit.

Përgjithësisht, tej atyre që u përmendën më lart[3], në popullsinë greqishtfolëse të Shqipërisë së Jugut nuk ruhen kujtime zhvendosjesh prej një pike tjetër të arealit të greqishtes, siç do të ishte e pritshme nëse vërtet pat ndodhur diçka e tillë[4].

Rrathët e vërtetë të kujtesës së popullsisë vendase janë gdhendur në po ato troje dhe i gjejmë, veç të tjerash, në gojëdhënat apo rrëfimet mitike për qenie të lashta të mbinatyrshme. Mes tyre, legjenda për dragoin e Bistricës është, besojmë, mjaft domethënëse. U regjistrua greqisht prej savantit A. Petridhis më 1893 (Πετρίδης 1893) dhe po atë vit u hodh në letër edhe motërzimi shqip i saj, me dorën e H. Pedersenit (Pedersen 1895: 247-249). Kjo legjendë, motërzimet shqip dhe greqisht të së cilës ngjajnë me dhe plotësojnë njëri-tjetrin, mund të themi se është një lloj “kozmogonie” e fushës së Vurgut dhe e maleve përreth. Ajo shpjegon veçoritë gjeomorfologjike të truallit në fjalë: Dy brezat paralelë në faqen perëndimore të Malit të Gjerë u formuan nga lubia, e cila zvarritej në faqe të malit me rropullitë e ndezura dhe villte lëndet që kishte ngrënë. Pikërisht aty mbinë dy radhë dushqesh, që popullsia vendase i quan Φιδόδρομος (Rruga e Gjarprit). Fusha e Vurgut u përmbyt nga deti që nxitoi t’i shuante etjen dragoit (Πινημένο/Pjesa e përmbytur) dhe paralelisht u krijua η Θάλασσα της λάσπης (Deti prej balte). Veç kësaj, me kokallat e bishës së ngordhur, thotë legjenda, në pikën ku, pas gjasash, ndodhej një tempull antik, u ngrit Manastiri i Mesopotamit (shih. fig. 1-4). Pyetja që lind vetiu është a do të mund ta krijonte këtë “perlë” një popullsi e ardhur aty fare vonë, si çifçinj të bejlerëve të Delvinës! Sikurse perlat krijohen në thellësi të detrave, ashtu edhe legjendat mbruhen në thellësi të kohëve e të shpirtit të vendasve.

Fig. 1. Ο Φιδόδρομος / Rruga e Gjarprit. «Πριν ψοφήσει, ο δράκος έτρεξε προς τη Μπίστριτσα και ξέρασε. Τα ξερατά του εκσφενδονίζονταν τόσο μακριά από το φύσημά του, που έφταναν στο βουνό Σοπότι και έγιναν δύο ζωνάρια στην πλαγιά του βουνού…» / «Para se ngordhte, lubia e mbajti vrapin drejt Bistricës dhe volli. vjellat e saj shkonin aq larg, sa arritën mal Sopotit dhe u dy breza faqe malit…» (Πετρίδης 1893)

Fig. 2. Hartë e fillimeve të shek. XX. “E si e psoi [mësoi] deti, që diq lubia, qëndroi atje edhe u-bë lim [liqen], që ishtë dhe sot, edhe lumënë e thon Bistric, e nga ki lumi ka shumë ujë të mirë, edhe potis gjithë vurqetë e Delvinës.” (Pedersen 1895: 248)

Fig. 3. Manastiri i Mesopotamit. «E me ato brinjëtë e lubisë bënë një manastir edhe e mbuluanë me ato brinjëtë, do me thënë, q’ i vunë ato brinjëtë kollona edhe gërshëraz ndë manastir.» (Pedersen 1895:149)

Është për t’u shënuar gjithashtu se dragoin e legjendës e gjejmë të skalitur në muret e Manastirit të Mesopotamit (fig. 4 dhe 5).

 

Fig. 4 dhe 5.

 

Gjithsesi, është e diskutueshme nëse figura e dragoit në muret e manastirit dha shkas për lindjen e legjendës apo dragoi i legjendës u përjetësua në muret e kishës. Në një monedhë antike të gjetur në qytetin antik të Finiqit, me mbishkrimin ΦΟΙΝΙΚΑΙΕΩΝ (fig. 6), paraqitet rrufeja, arma me të cilën Zeusi godiste dragonjtë dhe që më pas u shndërrua në shtizë të Shën Gjergjit (Άι-Γιώργης) apo në kryq të Shën Donatit (Άι-Δονάτος). (Ζαφειράτης 2007).

Fig. 6. Monedhë që u gjet në Finiq, me simbolin e rrufesë, dhe datohet në mesin e shek. II p.e.s. (Negretto 2005: 104)

Kështu, monedha e Finiqit, barelievi i dragoit në muret e manastirit në Mesopotam etj., por edhe disa kompozita dëshirore të së folmes vendase si φιδοζωσμένος ‘e mbështjelltë gjarpri!’, φιδοδαγκωμένος ‘e kafshoftë gjarpri!’, αστραποβαρεμένος ‘e vraftë vetëtima!’ etj. dëshmojnë për rrathë kujtese të ngulitur në thellësi të kohëve. Κάστρο των Ελλήνων (château des Hellènes) i quajti rrënojat e Finiqit një bari vendas, i pyetur nga Pukëvili më 1807 (Pouqueville 1826-1827: 30-31). Në Dhrovjan, tregonin se «… disa έλληνες të moçëm me trup të madh, me duar e këmbë poashtu të mëdha, grumbulluan shumë dhé dhe ngritën këtë kodër…» (Μυστακίδης 1896: 62).

«Që këto gojëdhëna, në tërësinë e vet, nuk janë krijime të shekujve të fundit, e tregon para së gjithash pikërisht emri Έλληνες, që ndërkohë e pat humbur thelbin e vet etnik, me larminë e trajtave që haset në këto lloj dëshmish: Έλληνες, Γέλληνες, Ελλένηδες, Λήνηδες, Έλληνοι, Γέλληνοι, Έλλενοι, Λέλλενοι, Ελληνάδες, etj.», shkruan prof. Kakridhis (Κακριδής 1979: 16).

Vlen të shënohet gjithashtu se fjala jelin haset edhe ndër popullsitë shqipfolëse të Shqipërisë së Jugut, ku quhe(shi)n kështu “të parët njerëz, për të cilët thuhet se qenë të fortë shkuar të fortëve dhe të gjatë shkuar të gjatëve”, siç duket nga shprehjet ky është sa një jelin (Nivicë-Bubar) dhe në kohë të jelinëve (Kuç, KLSH). Shprehje të ngjashme janë regjistruar edhe në zonën e Thesprotisë, në banorët përkatësisht greqisht[5]– dhe shqipfolës[6].

Përse u ruajt pikërisht këtu kujtimi i jelinëve/elimëve? Sa përputhen të dhënat gjuhësore të vendit me të dhënat e mësipërme?

 

  1. Diatopia dhe diakronia

Ndryshe nga deri më sot, përpiqemi t’i shqyrtojmë të folmet greqisht të Shqipërisë së Jugut si pjesë të një continuum-i, me ndërprerje dhe vazhdimësi, në disa pika të të cilit bëhen më të shpeshta dhe përgjithësohen dukuri gjuhësore që shfaqen sporadikisht në zonën më të gjerë. Kështu, fjalët μάχτρα ‘magje buke’ dhe βρούκουλους ‘karkalec’ të së folmes së Nartës hasen edhe në të folmet greqisht të Italisë së Jugut (Κυριαζής 2012), shndërrimi st – s, tipik për fshatrat greqishtfolës të Himarës (Κυριαζής 2007, Qirjazi 2011), haset me shtrirje të kufizuar edhe në Sternatia të Salentos (Greco & Λαμπρογιώργου 2001: 421, 442 etj.), kurse e kryera e përparme (dhe e plotë) είχε πάρω (έχει πάρω), karakteristike për të folmet e Vurgut dhe të Dropullit, hasen në një stad të ndërmjemë në Heptanez, etj. (shih είχα αρχηνίσω, είχες βαρεθείς, είχανε στοχαστούνε, Kriki & Liossis, shkrim i pabotuar).

Kemi tre të folme të ndryshme e të dallueshme, secila me tipare të mëvetësishme dhe me izoglosa karakteristike, që shkojnë, në njërin krah, me greqishten e Epirit e të Maqedonisë Perëndimore (Greqi) dhe, në krahun tjetër, me Korfuzin, Qefaloninë dhe Italinë e Jugut. Nga kërkimet e deritashme (Τζιτζιλής, Εισαγωγή, etj.) duket se kemi të bëjmë me dy breza dialektorë, që ndërthuren në të folmen e Vurgut e të Dropullit: brezin lindor maqedonoepirot dhe brezin perëndimor jonik, ku përfshihen Himara, Italia e Jugut dhe Heptanezi.

Narta e Vlorës përbën një rast më vete, për arsye kryesisht të vokalizmit verior dhe të sistemit foljor të saj. Por, duke marrë parasysh shtresën e huazimeve mesjetare greke të shqipes së Myzeqesë (Tzitzilis 1997) dhe izoglosat gjuhësore dhe kulturore të Nartës me Italinë e Jugut dhe Heptanezin, situata duket se është më komplekse (Kυριαζής 2012).

Këtu do të përqendrohemi në brezin perëndimor, meqë me lindorin janë marrë Margariti-Ronga dhe Papadamou (2019). Nisemi nga fakti se, në një continuum gjuhësor, dukuritë e datuara në pika të caktuara të tij mund të na ndihmojnë për datimin e të njëjtave dukuri në pika të afërta me të parat. Do të vjelim të dhëna prej: a) regjistrit të Episkopisë së Qefalonisë i v. 1264; b) Akteve noteriale të ishullit të Korfuzit (nga v. 1472 e në vazhdim); c) dokumenteve mesjetare greqisht të Italisë së Jugut (Trinchera etj., nga shek. IX).

Konkretisht, nisur nga e dhëna se në Korfuz një grup foljesh “e formojnë të pakryerën me shndërrimin e mbaresës antike –ων në –ουν dhe me shtimin e një α-je fundore: αγάπουνα, εμίλουνα, ετίμουνα.” (Χυτήρης 1987: 34), konstatojmë se trajta të ngjashme dhe trajta të aoristit josigmatik hasen në ishujt diapontikë (në veri të Korfuzit dhe përballë Himarës): ενόγα, εδείπνα, επρεβάτουνε, εχτύπουνε, etj. (Λουκάτος 2012: 294, 74, 79, 131); në Himarë: εβάρει, αγάπα, εμίλουνα; dhe në Italinë e Jugut: εβάρωνα, αgάπωνα (Apuli), εgάπω (Kalabri) Andriotis 1974: 613.

Në studimin për të folmen greqisht të Himarës (Κυριαζής 2007, Qirjazi 2011) vërenim se prapashtesa kolektive toponimike έος haset ekskluzivisht në tre fshatrat greqishtfolës/bilingë të Bregut dhe përbën një tipar të mëvetësishëm të tyre: Δραλέος, Ελατέος, Κασανέος ‘vend, përkatësisht, me dushqe, bredha, gështenja’, etj. dhe se prej aty u formuan trajtat shqip Kas(t)ané, Dhralé, etj. Ky “ekskluzivitet” në plan sinkronik duhet rishqyrtuar në dritën e të dhënave të reja që na ofron Regjistri i Episkopisë së Qefalonisë i v. 1264 (Τζαννετάτου 1965), me të cilin “Comes Palatinus Ricardus Orsini dominus Cephaloniae, Zakynthiet Ithacae confirmat possessiones ecclesiae Zacynthi ad instantia episcopi Henrici”.

Në tekstin e Regjistrit hasen me shpeshtësi të pazakontë[7] fitotoponime në rasën gjinore, si του Σπαρτέως, του Δαφνέως etj. Vërejmë gjithashtu se në mesin e shek. XIII grupet zanore fundore e ruajnë theksin në rrokjen e parafundit, një karakteristikë e cila në vazhdim do të humbasë terren e do të ruhet në vatra periferike të greqishtes si Italia e Jugut dhe Himara. Fakti që toponimet më –έως dëshmohen me shtrirje aq të madhe në shek. XIII na bën të mendojmë se ato datohen më herët dhe ky është një tregues i pakontestueshëm për vjetërsinë e së folmes greqisht të Himarës[8].

Një tjetër prapashtesë toponimike është edhe –ίλας, që dëshmohet qysh nga mesi i shek. XIV (Ασωνίτης 1999: 50) dhe haset ekskluzivisht në ishullin e Korfuzit dhe në brigjet përballë të Epirit, Vurg dhe Thesproti: Κοκκίλας, Γραβίλας, Σπαρτίλας (Krane), Γραβίλας, Κοκκίλας, Μποτσίλας (Dhivër), Ετίλας (Jermë). Toponime me këtë prapashtesë gjejmë me shumicë në aktet noteriale të Korfuzit të shek. XV-XVI dhe vazhdojnë të përdoren edhe sot[9]. Prapashtesa –ίλας iu bashkohet kryesisht emrave të bimëve, sikurse u duk edhe nga shembujt që dhamë më lart (σπάρτος ‘gjeshtër’, ιτιά/ετιά ‘shelg’, etj.). Për etimologjinë e saj janë propozuar zgjidhje të ndryshme (Συμεωνίδης 2005), por ne mendojmë se ka shumë gjasa të ketë lidhje me latinishten ile, e cila dha italishten e hershme –iglia, që ka kuptim kolektiv[10]. Kjo zgjidhje gjen mbështetje në faktin se Butrinti dhe rrethinat e tij, Korfuzi poashtu, u kolonizuan qysh herët nga romakët, siç na e dëshmon edhe Straboni[11] dhe mbishkrimet e gjetura aty[12]. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Finiqin antik. Shpërndarja gjeografike e –ίλας përputhet plotësisht me hapësirën ku u vendosën kolonët romakë. Fakti që ajo haset vetëm në fshatrat greqishtfolës të Vurgut e të rrethinave dhe vetëm në toponimet me bazë greqishten, flet në të mirë të kontakteve të hershme të greqishtes vendore me latinishten/italishten e vjetër.

Një tjetër element prapashtesor (jo vetëm) toponimik është edhe morfema –αμιά, që haset kryesisht në të folmet e Epirit dhe më pak në Maqedoninë Perëndimore dhe në Italinë e Jugut. Fjalët me këtë prapashtesë shënojnë zakonisht kashtën e të lashtave apo arën e mbjellë me to (αραποσιταμιά ‘misërishte’, σιταραμιά ‘grunishte’, etj.) dhe në këtë rast nuk përjashtohet të jenë formuar sipas gjedhës së fjalës καλαμιά ‘kallamé’ < κάλαμος a καλάμι + -ιά. (Τζιτζιλής 2017: 65).

E gjejmë edhe me përdorim toponimik në Korfuz në fillimet e shek. XVI: χοράφια τῆς Κουκαμί(ας) (Φαρμάκης 1515-1525: 210), Αμπέλιον … στες Ληναμείαις (Αγαπητός 2015: 324), por haset edhe në Himarë dhe në fshatrat e Sarandës e Delvinës: Φακιδαμέα (Dhërmi, Δέδες 1978: 211), Κουκαμιά (Livadhja) < Κουκαμέα > shq. Kakomé (Nivicë-Bubar).

Haset edhe në çamërisht, që e mori mbase nga e folmja e Vurgut dhe e Thesprotisë: shtaramé ‘arë me grurë e sapokorrur’ (<σταραμιά), bathamé ‘bathishtë’, zallamé ‘zallishte’ (Janjar-Konisp.) Τοponime: Drizamé ‘vend me driza’, Rizamé ‘arë ku qe mbjellë oriz’, Guramé ‘vend me gurë’ (Rrapaj 1995: 129, 140, 106, 79, 341).

Po të kalojmë tani në emërtimet e bimëve, një izoglosë interesante na del në rastin e fjalës βράχλο ‘fier’ (<βλάχρον, Ηeziku) që e gjejmë ose si apelativ ose si toponim në Italinë e Jugut: to láhri, Lahríto (Rohlfs 1964: 87, fj. βλάχριον, dhe *λάχριον 291); në Nartë të Vlorës: βράχους ο; në Himarë: βράγχνα η (Μπόγκας 1966: Β΄: 82); në Korfuz: βράχλο το, βλάχλα η, βράχλα η; në ishullin Paksos: βράχλος ο (Andriotis 1974: 177, fj. βλάχνον); në Poliçan të Pogonit dhe Dhuvjan të Dropullit: Βράχλα; në Dhrovjan: Βλαχούρια; në Dhivër: Βλάχουρας; në Kakodhiq të Delvinës: βλάχαρος.

Fitonimi κνύζα, gjithashtu, haset në po atë areal me trajta që lidhen me gr.dial. κνῦζα ‘Flöhkraut’ (Rohlfs 1964: 257, fj. κόνυζα), sikurse janë kliza, kriza, klisa (Itali e Jugut, Rohlfs ibidem), γρούζο, γρούζα në Epir dhe κρούζα në Korfuz (Tzitzilis 1997: 204), dëshmohet madje edhe në fshatrat shqipfolës fqinjë me Himarën si grúzë -a dhe krúzë –a (Qeparo), por edhe si onogrúzë-a (<*ονογρούζα < *ονοκνύζα, Κυριαζής 2007: 208) dhe gruzëgomare (Qeparo).

Τοponimi Σορωνιά, që del në Dropull (Dhuvjan) dhe Vurg, dëshmohet në Korfuz (Χρυσικόπουλος 2009: 281) por edhe në Rodos (Σορωνή, η) me kuptimin ‘pyll dushku’ (Παπαχριστοδούλου 1951: 66), dhe lidhet me gr. e vjetër σορωνίς, ἡ, dhe σαρωνίς, -ίδος, ἡ, ‘dushk i vjetër me zgërbonjë’ (shih te Heziku fj. σαρωνίδες∙ πέτραι. ἣ αἱ διὰ παλαιότητα κεχυνυῖαι δρύες), si dhe me toponimin e lashtë Σόρων, -ωνος, ὁ ‘pyll dushku në Arkadi’ (Συμεωνίδης 2010: Β΄ 1292-93, sipas Pape – Benseler 1911).

Është për t’u theksuar prania e mikrotoponimit Σορωνιά në Dhuvjan, për faktin se ekonimi Δούβιανη/Dhuvjan lidhet me sllav. *Dǫbjane ‘banorë të një vendi me valanidh’ <sllav.vjetër dǫbъ ‘valanidh’ (Συμεωνίδης 2010: Α΄ 487), ndërsa për Soronenë/Σορωνιά e Delvinës tradita gojore thotë se aty pat qenë një pyll valanidhash të lartë[13].

Provë tjetër për datimin e hershëm të greqishtes së Himarës janë apelativët dhe toponimet që lidhen me dialekte të greqishtes së vjetër. Trajta dorike Παγά/Pagá ‘burim’, që e gjejmë në tri pika të Himarës dhe në Qefaloni (Μιλιαράκης 1890: 19), shkon bashkë me toponimin tautologjik Πούντα του Χαλίου (Himarë), gjymtyra e dytë e të cilit është fjala χαλί, e ardhur prej dorishtes χαλά të apelativit χηλή ‘breakwater, spur of a mountain or ridge of rocks’ (Liddle & Scott, shih edhe Andriotis 1974: 597).

Kategori të veçantë përbëjnë toponimet që lidhen me emra a mbiemra njerëzish dhe shënojnë zakonisht pronarin. Fjala vjen, toponimi Λογαράς (του Λογαρά)/Llogara/Llogora në Palasë lidhet me mbiemrin përkatës, i cili dëshmohet në Qefaloni, Korfuz dhe Itali të Jugut. Përgjithësisht, për toponimet më –άς të zonës së Himarës (Καραβάς, Σκουταράς etj.) mund të supozojmë se pasqyrojnë institucionin bizantin të πρόνοια-ve, që duket se pat qenë mjaft i përhapur në viset e jugut të sotëm shqiptar dhe prandaj fjala shqip pronë (<πρόνοια ‘copë toke’) mori kuptimin e pronës në përgjithësi.

Në një dokument të motit 1192 nga viset e Italisë së Jugut përmendet το χωράφιον των [υιών] του Χρισιλίου / ara e të bijve të Χρ. (Trinchera 1865: 308). I njëjti emër pronari shfaqet edhe në brigjet përballë të Adriatikut, në zotërimet e Manastirit të Kaninës, siç duket nga krisobula e v. 1307: εις τον κάμπον … του Χρυσηλίου / në fushë … të Χρ. (Alexander 1941: 179) dhe mbijeton deri më sot në ekonimin Risilí të zonës së Vlorës.

Duke u nisur nga vërejtja e Tzitzilis-it se arkaizmat leksikorë lidhen kryesisht me lëminj si bujqësia dhe blegtoria (2017:169), do të kufizohem në rastin domethënës të fj. έπαρση ‘e ngritur dheu, pritë uji’, për të cilën disponojmë të dhënat e mëposhtme:

Në Italinë e Jugut, sipas një dokumenti të v. 1083, fj. έπαρσις ka kuptimin ‘derivazione, presa d’acqua’ (Caracausi 1990: 203). Në Korfuz, haset me të njëjtin kuptim në fillim të shek. XVI (Κατωιμέρης 1503-1507: 145). Del edhe si έρπαση ‘pritë në një vijë uji’ në fshatrat e Sarandës (Σπύρου 2008: 35) dhe si έπαρση ‘pritë uji’ në Pogon. Etimologjikisht lidhet me gr.vjetër ἐπ-αίρω ‘ngre, lartësoj’.

E ngjashme dhe e të njëjtit rrafsh kuptimor është edhe fjala κιάστρα ‘e ngritur e dheut për të ndryshuar drejtimin e ujit në brazdë’ e fshatrave të Vurgut (Σπύρου 2008: 374), e krahasueshme me fjalën kllástër të çamërishtes ‘pritë në kanal me dega’ (Muçaj, Fjalor dsh) dhe me greqishten e Kalabrisë κλασταρίδα ‘pritë uji’ (Καραναστάσης 1988: 174), që lidhen me greqishten e vjetër κλάω ‘thyej’.

Për arsye vendi nuk po ndalemi në shembuj të tjerë, por besojmë se dhamë dy izoglosa interesante si dhe një huazim domethënës e të moçëm të së folmes çame, që të çojnë në përfundimin logjik se dokumenti historik më autentik është gjuha dhe gjurmët në kohë dhe hapësirë të saj. E, sigurisht, kësi dëshmish nuk mund të gjenden në dokumentet e Venedikut! 

  1. Kontakti i gjuhëve dhe diakronia

Sikurse u pa, burimet e shkruara që na ndihmojnë për datimin e tërthortë të të folmeve në shqyrtim, arrijnë deri në shek. XI. Por ç’mund të themi për shekujt pararendës? Si mund të depërtojmë pas perdes së errët të historisë mesjetare të Ballkanit e t’u qasemi kohëve antike? Shqyrtimi diakronik dhe shumëplanësh i marrje-dhënieve të këtyre të folmeve me gjuhë të tjera, pra historia e jashtme e tyre, na ndihmon për t’ia gjetur fillin edhe këtij lëmshi të ngatërruar.

Le të sjellim ndërmend këtu Strabonin, që shkruante për maqedonasit dhe epirotët se ἀναμέμικται δὲ τούτοις τὰ Ἰλλυρικὰ ἔθνη / janë të përziera me ta fiset ilire dhe shtonte që ἔνιοι δὲ δίγλωττοί εἰσι / disa sosh janë dygjuhësh (Γεωγραφικά ζ’ c 327).

Kohëzgjatja shumëshekullore e kontakteve të greqishtes së Epirit me shqipen duket, besoj, edhe nga shembujt e mëposhtëm:

Fjala shpellë ‘1.zgavër në shkëmb 2. gur i madh’ deri më sot lidhej me gr.vjetër σπήλαιον (Topalli 2018: 1409). Ne mendojmë se kuptimi i dytë i saj mund të shkojë më bindshëm me fj. πέλλα· λίθος ‘gur’ të Hezikut (shek. V i erës sonë), duke i shtuar kësaj një σ- me rol intensifikues (σπέλλα). Fakti që vetëm në Epir apo në rajonet e afërta me të hasen edhe sot trajtat šπέλα ‘shkëmb, gur i madh’ (Derviçan); šπέλα ‘shkëmb i thepisur’ (Kalampakë); σπέλα ‘gur i sertë’ (Ksiromero – Etoloakarnani), etj. na bën të mendojmë se ajo kaloi në shqip gjatë mesjetës së hershme e pastaj iu rikthye greqishtes aty ku kjo kontaktonte me shqipen. Kalimi s – š në shqip dihet që ndodhi rreth shek. X e mbase edhe më parë. Krahaso lat. spina > αλβ. shpinë.

Anë interesante e kontakteve gjuhësore në Epir janë edhe huazimet e shumta përkthimore (kalket) që i gjejmë në fusha të ndryshme të leksikut. Fj. onogrúzë e dëshmuar në Breg të Detit (Κυριαζής 2007) paravendon fj. greqisht *ονογρούζα < *ονοκνύζα < *ονοκόνυζα, ndërsa fj. gruzëgomare (Qeparo) mund të merret si kalk i pjesshëm i ονογρούζα (gr. όνος ‘gomar’). Poashtu fitonimi γουρνιόπο[ρ]δας < gr.vj. κορωνόπους (Korfuz, Κρεκούκιας 1982: 100) shërbeu pas gjasash si “mitër” për kalkun fëndëdosë (πορδή ‘fëndë’ + γουρούνα ‘dosë’[14]).

Fakti që, sikurse shkruajnë Memushaj dhe Grillo (2009: 42), në shqipen e Bregut fjala jeta përdoret -vetëm aty- edhe si ndajfolje: ishnë jeta (=qenë shumë), mbushur jeta (=deri në buzë), nuk mund të mos shihet i lidhur me përdorimin e fj. το βίο në Himarë (έκαμα λάδι το βίο ‘bëra vaj jeta’ Palasë-Βαγιακάκος 1951: 303) dhe në Heptanez (Χυτήρης 1992, shtojca). Historiani i gjuhës (dhe jo vetëm ai) nuk mund të mos verejë se këtu fjala jeta është përkthim i fjalë βίο, e cila në rrjedhë të kohëve mori edhe kuptimin ‘bollëk’.

Proceset e mësipërme paravendojnë një thellësi kohe, që shkon me siguri deri në mesjetë e më tej, çka duket edhe nga fakti se të folmet greqisht të marra në shqyrtim, duke qenë në kontakt me shqipen dhe arumanishten përftuan edhe më shumë tipare të përbashkëta në kuadër të Lidhjes Gjuhësore Ballkanike. Fjala vjen, kalimi rn– => (-rr– /) –rhaset edhe ndër grekët dhe arumunët e Epirit. (Κυριαζής 2016). Krahas përbashkësisë gjuhësore ka ekzistuar edhe një përbashkësi kulturore, që duket veç të tjerash në të kënduarit polifonik si edhe në huazimin e elementeve të besimeve popullore, siç është gjarpri i shtëpisë, vitorja, që e ka marrë edhe popullsia greqishtfolëse si βιτόρα, apo fjala hof,-vi ‘gjarpër i madh’ (<όφις), që e ka marrë çamërishtja, por në Myzeqe haset dhe me kuptimin ‘djall’ (Nushi 1991:177).

Situata komplekse gjuhësore e zonës në shqyrtim duket edhe nga shtresimi i lëndës toponimike. Në luginën e Dropullit gjenden lumenjtë Σούχα / Suhë (< sllav. suchъ ‘i thatë’) dhe Ξεριάς (<gr. ξερός ‘i thatë’), si dhe arat me emrat Κοκκάλα, Κόκκαλη dhe Καστανίκοβες (shih gr. κόκκαλο ‘kockë’ dhe sllav. kostь ‘asht’).

Në brigjet e jugut shqiptar kuptimi ‘e futur e tokës në det’ jepet me toponimet Gjuhëza, HundaHostoni, Kortiri, Χαλί, Narta, Karaburuni, etj. Në të njëjtin regjion, rast të veçantë përbëjnë konstruktet tautologjike dygjymtyrëshe, që hasen zakonisht si emër në emnore + emër në gjinore dhe më rrallë si varg dy emrash në rasën emnore/kallëzore. Për shembull, kemi Kepi i Gjuhë(zë)s), Πούdα του ΧαλίουHunda e Hostonit, Kapo Qefali, etj. Në këtë mënyrë, shohim të takohen e të shtresohen në kohë greqishtja (κεφάλι ‘kokë’, κωρτήρι ‘kep’, dorisht χαλίον ‘kep’, χωστόν ‘e futur’); shqipja (gjuhëz, hundë); sllavishtja (Nartë / Artë / gr. Άρτα < sllav. rъtъ ‘kep, hundë, lartësi’); italishtja (punta ‘hundë’, capo ‘kokë’), dhe turqishtja kara-burun ‘hundë e madhe’ (Κυριαζής 2016, Kyriazis 2018).

 

Përmbyllje

Vargjet toponimike që përmendëm më sipër pasqyrojnë bindshëm një shtresim gjuhësh, të cilin zor se mund ta vërë në dyshim dikush. Në përpjekjen për të dalluar rrathët e kujtesës së popullsisë greqishtfolëse të Shqipërisë së Jugut, lind nevoja që me forcën e argumentit t’i presim hovin arbitraritetit dhe spekullimeve të çfarëdo lloji. 

« … gli abitanti della zona non avevano mai perduto il ricordo del passato glorioso della città greca. La sopravvivenza del nome antico, che pare essersi trasmesso senza soluzione di continuità all’ insediamento che ha proseguito la sua esistenza ai piedi della collina fino ai nostri giorni, costituiva poi un’ ulteriore garanzia di memoria…» (Rambaldi 2007: 178).

Fjalët e sapocituara i takojnë një kolegu italian dhe kanë të bëjnë me Finiqin e Epirit, në kodrën e të cilit ndodhet το Κάστρο των Ελλήνων / Kalaja e Elimëve, siç e quajti bariu vendas tek i përgjigjej shtegtarit Pukëvil (Pouqueville) më 1807.

Vendbanimi Finiki përmendet edhe në regjistrin ottoman të v. 1431 (Inalcık 1987: 137), pra emri i sotëm Φοινίκι / Finiq u rezistoi kohëve dhe nuk e risolli në përdorim pena e savantëve. Në këtë rast lind pyetja përse nuk u rotacizua n-ja ndërzanore e ekonimit Φοινίκη, ashtu siç do të pritej të ndodhte dhe siç ka ndodhur, të themi, me Vlonën/Vlorën.

Po të ngjitemi në Dropull, do të shohim se ekzistenca sot, në të njëjtin truall, e rrënojave të Adrianopojës / Αδριανούπολη, që u themelua në shek. II pas erës sonë nga perandori romak Adriani, lë shteg të hedhim një urë mes ekonimit të lashtë dhe emrit të sotëm Δ(ε)ρόπολη / Dropull. Në kërkim të “themeleve” të kësaj ure, citojmë studiuesin R. Perna (2012: 256) sipas të cilit, në një letër të perandorit bizantin Leon III / Λέων Γ΄ (714-741 e.s.) për episkopin e Nikopojës / Νικοπόλεως, përmendet edhe ο Αδριανουπόλεως / episkopi i Adrianopojës, ndërsa në një burim të shek. XII bëhet fjalë për episkopin e Δρινουπόλεως / Drinopojës. Në dëshmitë relevante radhitet edhe emri Adernoboli, siç e regjistroi shtegtari arab Al-Idrisi në fund të shek. XII (Perna, ibidem). Gjithashtu, në “Kronikën e Tokove”, shkruar rreth v. 1400, dëshmohet trajta Δερνόπολιν (nëntitull para vargut 3185, Schirò 1975). Meqenëse kalimi ρν – ρ është i njohur për të folmet vendore të greqishtes, hallkat e dokumentuara të vargut Αδριανούπολη > Αdernoboli > Δερνόπολη > Δερόπολη/Δρόπολη na bëjnë të besojmë se trajta Δρυινούπολις është trillim savantësh, ndërsa etimologjitë e tjera janë më pak bindëse[15]. Sh. Demiraj (2008: 171-172) e lidh emrin Dropull me Αδριανούπολις, duke i mëshuar faktit se trajta shqipe ruajti shqiptimin e hershëm [d] të δ-së së lashtë greke, dhe për pasojë Αδριανούπολις > Dropull > Δρόπολη, por duhet thënë ndërkaq se qysh në shekujt e parë të e.s. δ-ja greke fillon e shqiptohet si [δ].

Sa u thanë më lart tregojnë se është e mundur të përshkohet mjegullnaja e historisë mesjetare të Epirit, që lidhet kryesisht me ngulimet sllave. Ka të dhëna dhe indikacione që dëshmojnë se popullsitë sllave që u vendosën në ato anë gjetën aty popullsitë vendase prej të cilave edhe u asimiluan. Gjurmët e sllavishtes në të folmet vendore të greqishtes flasin në të mirë të kësaj qasjeje. Mundet që ekonimet Δίβρη, Δούβιανη, Δερβιτσιάνη etj. të kenë rrënjë sllave, por si e përftuan trajtën fonetike që kanë sot? Përse themi Δίβρη/Dhivër dhe jo Dibër, sikurse tjetërkund në arealin e shqipes?

Ka gjasa që popullsia e ardhur të ketë përkthyer në gjuhën e vet toponimet ekzistuese, pra krahas toponimit Βόθυνα ‘hon’, të dëshmuar edhe sot, u shfaq Δίβρη dhe përbri emrit Σορωνιά u shfaq Δούβιανη, e kështu me radhë.

Për themelimin dhe dëshmimin e pranisë së hershme të greqishtes në jug të Shqipërisë dhe në Epir meriton vëmendje studimi i M. Hatzopulos-it me titull “Kufijtë e helenizmit në Epir”, ku sqarohet se fiset e lashta epirote ndanin me fiset e tjera helene tiparet që Herodoti i quante «όμαιμον» (lidhje gjaku), «ομόγλωσσον» (lidhje gjuhe), «κοινά ιδρύματα θεών και θυσίαι» (kulte dhe flijime të përbashkëta për hyjnitë) dhe «ομότροπα ήθεα» (zakone të njëjta) (Χατζόπουλος 1997: 141). Hatzopulos ndjek hullinë e francezit P. Cabanes, njohës nga më të mirët i Epirit antik, i cili qysh më 1988 shkruante se, tek e fundit, autorët antikë me termin «βάρβαροι» nuk kuptonin përkatësinë e huaj fisnore («αλλόφυλον») apo gjuhësore («αλλόγλωσσον») të epirotëve, por e kishin fjalën më tepër te “pagdhëndja” («άξεστον) dhe “mosselitja” («απολίτιστον») e tyre.

Që nuk ka patur vetëm grekë në Epirin antik, këtë na e thotë Straboni fare shkoqur, por edhe të mëtosh se aty ka patur vetëm element jogrek, do të thotë t’u bësh bisht fakteve dhe realitetit. Metodologjikisht, mendoj se, kur flasim për Ballkanin, mëtimi për prani të hershme të një gjuhe a të një popullsie nuk është një me mëtimin për prani ekskluzive të tyre në ato anë. Ky parim, ndonëse tingëllon aq i vetëkuptueshëm, mbetet shpesh “jetim” sa herë penat, kamerat dhe kokat e nxehta ballkanike përpiqen të ndajnë të pandashmen. Legjenda e Bistricës në motërzimet greqisht dhe shqip të saj, si dhe lënda gjuhësore që analizuam më sipër, konfirmojnë bashkëjetesën shumëshekullore të të dy gjuhëve dhe të bartësve të tyre dhe tregojnë sa përrallë është përralla për çifçinjtë e ardhur në Vurg e në Dropull.

Nëpërmjet faktesh arritëm në përfundimin se, në një vështrim të parë, të folmet greqisht të jugut shqiptar datojnë qysh në shek. XIII e më herët dhe, pos këtyre, të dhëna të tjera toponimike dhe të gjuhëve në kontakt tregojnë se greqishtja ka qenë e pranishme këtu qysh së paku nga fillimet e mijëvjeçarit I të erës sonë. Kjo, sigurisht, nuk përjashton lëvizjen apo mbivendosjen e popullsive.

Prof. Shaban Demiraj pati shkruar se përpjekjet për ndriçimin a anëve të errëta të historisë demografike dhe gjuhësore të Ballkanit duhen vazhduar më tej, “por natyrisht duke mos u nisur nga paragjykime të paargumentuara shkencërisht”. (Demiraj 2008: 6). Të më lejohet të them se, në rastin tonë, (para)gjykimet e paargumentuara rrjedhin, veç të tjerash, nga mosnjohja e të folmeve greqisht të Shqipërisë së Jugut. Deri më sot asnjëri nga kolegët shqiptarë nuk është marrë me studimin e tyre, qoftë edhe në rrafsh sociolinguistik. Mbështetja në lëndën antroponimike të defterëve osmanë, edhe pse e dobishme, mbetet e mangët kur nuk shoqërohet nga qasjet toponimike dhe nga vështrimet e përimtuara gjuhësore.

Analiza objektive jo vetëm e lëndës gjuhësore, e cila është mjaft më e pasur nga sa u paraqit më lart dhe pret të studiohet në imtësi, dëshmon se grekë e shqiptarë kemi qenë fqinjë prej shekujsh, se jemi e do të jemi bashkë, dhe prandaj nuk ia vlen të luajmë kukafshehthi me të vërtetën. Shkencërisht dhe idealisht, edhe këtu, ajo është një dhe nuk mund të shfaqet, sipas rastit dhe interesit, në variantin shqiptar apo grek, si gjasme apo si gjysmë e vërtetë. Mbetem me shpresë se ky shkrim do të ndihmojë për “zbardhjen” e saj.

 

(c) 2021,  Dhori Q. Qirjazi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim redaksional: titulli është shkurtuar për arsye vendi.


Bibliografia

Αγαπητός, Πέτρος 1514-1515: Βλάχου, Ν. & Δ. Μητουλάκης, Μ. Μπαλού, Σ.-Αι. Πανταζή, Α. Παπαϊωάννου, Κ. Πιλίλη, Σ. Πουλής. Πέτρος Αγαπητός νοτάριος Κέρκυρας. Πρωτόκολλο (1514-1515). Αθήνα, 2015.

Αλεξάκης, Αρσένιος 1513-1516: Καραμπούλα, Δ. & Λ. Παπαρρήγα-Αρτεμιάδη. «Οι πράξεις του νοταρίου Δουκά­δων Κερκύρας Αρσένιου Αλεξάκη (1513–1516)». Επετηρίς του Κέντρου Ερεύνης της Ιστορίας του Ελληνικού Δικαίου 1998, 34, 9–126.

Alexander, Paul, J. «A Chrisobull of the Emperor Andronicus II Palaeologus in favor of the See of Kanina in Albania». Byzantion, Boston, 1940-1941, XV, 167-207.

Αμάραντος, Ανδρέας 1548-1562: Μοσχονάς, N. Γ. & Χ. Βαγιωνάκης, Ο. Κατσίβελα, Δ. Μιχάλαγα, Β. Μπελαβγένη, Μ. Μπλέτας. Ανδρέας Αμάραντος: νοταριακές πράξεις: Αράκλι Κεφαλονιάς (1548-1562). E.I.E, Αθήνα, 2001.

Andriotis, Nikolaos. Lexikon der Archaismen in neugriechischen Dialekten. Verlag der ÖAW, Wien, 1974.

Ασωνίτης, Σπύρος. Ανδηγαυική Κέρκυρα (13ος-14ος αι.). Απόστροφος, Κέρκυρα, 1999.

Βαγιακάκος, Δικαίος. Γλωσσικά εκ Βορείου Ηπείρου, χφ. 1951.

Βερνίκος, Νικόλαος, Δασκαλοπούλου, Σοφία. Στις απαρχές της νεοελληνικής ιδεολογίας –Το Χρονικό της Δρόπολης. Αφοί Τολίδη, Αθήνα, 1999.

Βρανούσης, Λέανδρος. Χρονικά της Μεσαιωνικής και Τουρκοκρατούμενης Ηπείρου – Εκδόσεις και χειρόγραφα. ΕΗΜ, Ιωάννινα, 1962.

Cabanes, Pierre. «Les habitants des régions situées au Nord-Ouest de la Grèce étaient-ils des étrangers aus yeux des gens de Grèce centrale et méridionale?». R. Lonis (ed.), l’Etranger dans le monde grec. Presses Universitaires de Nancy, Nancy, 1988, 89-112.

Cabanes, Pierre, Drini, Faik, Hatzopoulos, Miltiade. Etudes Epigraphiques 2. Corpus des inscriptions greques d’Illyrie méridionale et d’Épire 2. École française d’Athènes, Athènes, 2007.

Caracausi, Girolamo. Lessico Greco della Sicilia e Dell’ Italia Meridionale (secoli X-XIV). CSFLS, Palermo, 1990.

Çabej, Eqrem. Studime etimologjike në fushë të shqipes. Akademia e Shkencave, Tiranë, 1976-2014.

Demiraj, Shaban. Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët. Akademia e Shkencave, Tiranë, 2008.

Δέδε, Κώστα. Ν. Δρυμάδες Χειμάρρας. Σείριος, Αθήνα, 1978.

Fjalor. Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe. Akademia e Shkencave, Tiranë, 1980.

Φαρμάκης 1515-1525: Λίτσας, Ευθύμιος, Λεοντιάδου, Ευδοκία. Δημήτριος Φαρμάκης, νοτάριος και πρωτοπαπάς Αγί­ου Ματθαίου Κερκύρας. Πρωτόκολλο των ετών 1515–1525. University Studio Press, Θεσσαλονίκη, 2011.

Greco, Carmine, Λαμπρογιώργου, Γεωργία. Lessico di Sternatia (Paese della Grecía Salentina). Edizioni del Grifo, Lecce, 2001.

Χατζόπουλος, Μιλτιάδης. «Τα όρια του Ελληνισμού στην Ήπειρο». Μ. Σακελλαρίου (ed.), Ήπειρος – 4000 χρόνια ελληνικής ιστορίας και πολιτισμού. Εκδοτική Αθηνών, Αθήνα, 1997,140-145.

Χυτήρης, Γεράσιμος. Κερκυραϊκό γλωσσάρι. Κέρκυρα, 1987.

Χυτήρης, Γεράσιμος. Κερκυραϊκό γλωσσάρι. Β΄ έκδοση (με συ­μπλήρωμα). Κέρκυρα, 1992.

Hist.Lex.Gr. Ιστορικόν λεξικόν της νέας ελληνικής της τε κοινώς ομιλουμένης και των ιδιωμάτων. Ακαδημία Αθηνών, Αθήνα, 1933-.

Χρυσικόπουλος, Μιχαήλ. «…πρακτωρίας λεύχιμου…». Έρευνα περί των τοπωνυμίων της Νότιας Κέρκυρας. Λευκίμμη, 2009.

Inalcık, Halil. Hicrî 835 Tarihli Sûret-i Defter-i Sancak-i Arvanid. Τürk Tarih Kurumu Basimevi, Ankara, 1997.

Κακριδής, Ι. Οι αρχαίοι Έλληνες στη νεοελληνική παράδοση. MIET, Αθήνα, 1979.

Καραναστάση, Αναστασίου. Ιστορικόν Λεξικόν των Ελληνικών Ιδιωμάτων της Κάτω Ιταλίας, τόμος τριτος (κ-μ), Αθήναι, 1988.

Κατωιμέρης 1503-1507: Λ. Παπαρρήγα-Αρτεμιάδη, Γ. Ροδολάκης & Δ. Καραμπούλα. «Οι πράξεις του νο­ταρίου Καρουσάδων Κερκύρας πρωτοπαπά Φίλιππου Κατωιμέρη (1503–1507)». Επε­τηρίς του Κέντρου Ερεύνης της Ιστορίας του Ελληνικού Δικαίου 1997, 33, 9–436.

KLSH. Kartoteka e Leksikut të Shqipes. Instituti i Gjuhësisë Tiranë.

Κουλίδας, Κωνσταντίνος. «‘Χρονικά’ της Β. Ηπείρου». Βορειοηπειρωτικά. Ιωάννινα, 2014, Δ΄, 199-234.

Κουρίλας, Ευλόγιος. Το κράτος της αλήθειας, Αθήνα, 1944.

Κρεκούκιας, Δημήτριος. «Αρχαιοπινή στοιχεία από το φυτικό λεξιλόγιο της Κέρκυρας». Κερκυραϊκά Χρονικά. 1982, XXVI.

Kriki, Eirene, Liossis, Nikos. “Remarks on the medieval form of the Ionian Dialects”. (unpubl. paper).

Κυριαζής, Δώρης. «Η σχέση του ελληνικού γλωσσικού ιδιώματος της Χιμάρας με τα άλλα νεοελληνικά γλωσσικά ιδιώματα». Πρακτικά της 27ης Συνάντησης Εργασίας του Τομέα Γλωσσολογίας της Φιλοσοφικής Σχολής Α.Π.Θ. Θεσσαλονίκη, 2007, 198-209.

Κυριαζής, Δώρης, Σπύρου, Αριστοτέλης. «Τα ελληνικά γλωσσικά ιδιώματα της Αλβανίας». Νεοελληνική διαλεκτολογία 2011, 6, 175-199.

Κυριαζής, Δώρης. «Το ελληνικό γλωσσικό ιδίωμα της Άρτας Αυλώνα». Πρακτικά του 10ου Διεθνούς Συνεδρίου Ελληνικής Γλωσσολογίας. http://www.icgl.gr/files/greek/85-890-898.pdf . Κομοτηνή, 2012.

Kyriazis, Dοris. “Slavic elements in the Greek idioms of South Albania”. Philologica Jassyensia 2012, VII 1 (15), 151-166.

Κυριαζής, Δώρης. «Γλωσσικές επαφές και διαστρωματώσεις στην περιοχή Χιμάρας». Βορειοηπειρωτικά 2016, Ε΄, 29-49.

Kyriazis, Doris. “Lexical and Onomasiological Concordances among Greek Dialects of Magna Grecia, Ionian Islands, Epirus and South Albania”. Th. Kahl, Il. Krapova & G. Turano (ed.) Balkan and South Slavic Enclaves in Italy: Languages, Dialects and Identities. Cambridge Scholars Publishing, Cambridge, 2018, 165-176.

Kyriazis, Doris. “Language contact and onomastics: tautological constructs, folk etymologies and some methodological issues”, Romanoslavica on line –LIV-3 2018.

Κυριαζής, Δώρης. «Τα ελληνικά ιδιώματα της νότιας Αλβανίας υπό το φως της βαλκανικής γλωσσολογίας». Χρ. Τζιτζιλής & Γ. Παπαναστασίου (ed.) Γλωσσικές επαφές στα Βαλκάνια και στη Μ. Ασία, ΙΝΣ, Θεσσαλονίκη, 2019, 156-175.

Κυριαζής, Δώρης. «Διατοπικότητα και διαχρονικότητα των ελληνικών γλωσσικών ιδιωμάτων της νότιας Αλβανίας». Πρακτικά του 8ου Συνεδρίου Νεοελληνικών Διαλέκτων και Γλωσσολογικής Θεωρίας (MDGLT8), University of Patras, Gjirokastër-Patras, 2019, 103-132.

Liddell & Scott. 1968. Greek-English Lexicon. Oxford.

Λουκάτου, Δημητρίου. Λαογραφική αποστολή στα Διαπόντια Νησιά (Ερείκουσα – Μαθράκι – Οθωνοί). Aκαδημία Αθηνών, Αθήνα, 2012.

Margariti-Ronga, Marianna, Papadamou, Eleni. “Macedonian-Epirote isoglosses”. Πρακτικά του 8ου Συνεδρίου Νεοελληνικών Διαλέκτων και Γλωσσολογικής Θεωρίας (MDGLT8), University of Patras, Gjirokastër – Patras, 2019, 133-143.

Memushaj, Rami, Grillo, Helena. “Vendi i së folmes së Himarës në dialektin jugor të shqipes”. Studime Filologjike 2009, 1-2, 29-62.

Μηλιαράκης, Αντώνιος. Γεωγραφία πολιτική νέα και αρχαία του νομού Κεφαλληνίας. Αφοί Περρή, Αθήνα, 1890.

Μουσελίμης, Σπύρος. Το Πόποβο. Ιωάννινα, 2001.

Μπόγκας, Ευάγγελος. Τα γλωσσικά ιδιώματα της Ηπείρου (Βορείου, Κεντρικής και Νοτίου). Τ. A´ – Β΄, ΕΗΜ, Ιωάννινα 1964-1966.

Μυστακίδης, Νικόλαος. 1896. «Πραγματεία περί Δρόβιανης». Β. Κορώση (ed.) Μελέτες για τη Δρόβιανη. (pa datë dhe pa botues).

Muçaj, Fatmir. Fjalor i të folmeve çame (dorëshkrim).

Nushi, Jani. Fjalë popullore nga Myzeqeja. Akademia e Shkencave, Tiranë, 1991.

Παπαχριστοδούλου, Χριστόδουλος. Τοπωνυμικό της Ρόδου. Ρόδος, 1951.

Pape, Wilhelm, Benseler, Gustav Eduard. Wörterbuch der griechischen Eigennamen. Verlag von Friedrich Viemeg und Sohn, Braunschweig³, 1911.

Pedersen, Holger. Albanesische Texte mit Glossar. S. Hirzel, Leipzig, 1895.

Perna, Roberto. “Conclusioni”. Roberto Perna & Dhimitër Çondi (ed.), Adrianopolis II – Risultati delle indagini archeologhiche 2005-2010. Edipuglia, Bari, 2012, 235-256.

Πετρίδης, Αθανάσιος. «Λάμποβον» [=Το στοιχειό της Μπίστριτσας] Φωνή της Ηπείρου, 27.8. dhe 3.9.1893.

Pouqueville, François.Voyage dans la Grèce. Firmin Didot, père et fils, Paris, 1820.

Pouqueville, François.Voyage dε la Grèce. Firmin Didot, père et fils, Paris, 1826-1827.

Qirjazi, Dhori. “«Gërqishten e dinje / s’më the kalimera…»: Bilinguizmi dhe marrëdhëniet e shqipes me greqishten në veprën e prof. E. Çabejt”. Eqrem Çabej dhe kultura shqiptare. Universiteti “E. Çabej” i Gjirokastrës, Tiranë, 2004, 303-325.

Qirjazi, Dhori. “Rreth marrëdhënieve të së folmes greke të Himarës me të folmet e tjera të greqishtes së re”. Albanohellenica 2011, IV, 39-52.

Rambaldi, Simone. “Testimonia Urbis Phoenices III”. Sandro De Maria & Shpresa Gjongecaj (ed.), Phoenike IV – rapporto preliminare sulle champagne di scavi e ricerche 2004-2006. Ante Quem, Bologna, 223-234.

Rohlfs, Gerhard. Lexicon Graecanicum Italiae Inferioris. Max Niemeyer Verlag, Tübingen, 1964.

Rohlfs, Gerhard. Grammatica Storica della Lingua Italiana. Giulio Einaudi editore, Torino, 1966.

Rrapaj, Fatos, M. Fjalor Onomastik i Epirit. Eurorilindja, Tiranë, 1995.

Schirò, Giuseppe. Chronaca dei Tocco di Cefalonia di Anonymo. Prolegomeni, testo critico e traduzione. Accademia Nationale dei Lincei, Rome, 1975.

Sotiri, Natasha. E folmja dhe toponimia e Qeparoit. Konica, Tiranë, 2001.

Σπύρου, Αριστοτέλης. Το ελληνικό γλωσσικό ιδίωμα της περιοχής Δελβίνου και Αγίων Σαράντα. ΕΚΠΑ, Αθήνα, 2008.

Συμεωνίδης, Χαράλαμπος. «Μια νέα θεώρηση του νεοελληνικού επιθήματος –ίλα». Όσο κρατάει η ανάγνωση. Μια έκδοση αφιερωμένη στη μνήμη της Αντωνίας Κατσιαντώνη-Πίστα. Θεσσαλονίκη, 2005, 234-241.

Συμεωνίδης, Χαράλαμπος. Ετυμολογικό Λεξικό των Νεοελληνικών Οικωνυμίων. τ. Α΄-Β΄, Κέντρο Μελετών Ιεράς Μονής Κύκκου, Λευκωσία-Θεσσαλονίκη, 2010.

Τοξότης, Εμμανουήλ. 1500-1503: Ε. Αγγελομάτη-Τσουγκαράκη & Γ. Μαυρομάτης (ed.). Εμμανουήλ Τοξότης, νοτάριος Κερκύρας (πράξεις 1500–1503). Εκδόσεις Ιονίου Πανεπιστημίου, Κέρκυρα, 2007.

Topalli, Kοlec. Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe. QSA, Tiranë, 2018.

Τριανταφυλλίδη, Μανόλης. Νεοελληνική ΓραμματικήΙστορική Εισαγωγή. Αθήνα, 1938.

Trinchera, Francisco. Syllabus Graecarum Membranarum. Typis Josephi Cataneo, Neapoli, 1865.

Veizi, Fane. Bregu i detit në këngë. Arbri, Tiranë, 1998.

Τζαννετάτου, Θυσέως. Το Πρακτικόν της Λατινικής Επισκοπής Κεφαλληνίας του 1264 και η Επιτομή αυτού. Αθήνα, 1965.

Tzitzilis, Christos. “Zur Problematik der griechischen Lehnwörter im Albanischen”. Zeitschrift für Balkanologie 1997, 33/2, 200-214.

Tzitzilis, Christos. “Ancient Greek Etymology: ex presente lux”. Χρ. Τζιτζιλής & Γ. Παπαναστασίου (ed.) Ελληνική Ετυμολογία. Θεσσαλονίκη, 2017, 168-197.

Τζιτζιλής, Χρίστος. (në shtyp). Νεοελληνικές διάλεκτοι. Εισαγωγή. Θεσσαλονίκη.

Xhufi, Pëllumb. Arbërit e Jonit. Onufri, Tiranë, 2016.

Ζαφειράτης, Βαγγέλης. Αστέρια, άγιοι, αντάρτες. Milosao, Sarandë, 2007.

 


[1] Motërzim i përshtatur i kumtesës së mbajtur në konferencën kushtuar 100-vjetorit të lindjes së prof. Sh. Demirajt, Tiranë, tetor 2020. Teksti origjinal mban nëntitullin “Dialog” me të paharruarin prof. Sh. Demirajn dhe është përfshirë në vëllimin me aktet e konferencës Shaban Demiraj, personalitet i gjuhësisë, arsimit dhe i kulturës shqiptare, Tiranë, 2020, botuar nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës.

[2] Shih Xhufi (2016: 54), ndërsa prof. Demiraj (2008: 169) e vë në dyshim autenticitetin e saj. Krahasimi i Kronikës së Dropullit me Kronikën e Gjon Muzakës, i lidhjeve aspak të dëshmuara të dropullitëve me Atikën si edhe i lidhjeve shumëfish të dokumentuara të arbëreshëve me trojet e të folmet e atdheut të origjinës, i lë krejt zbuluar ithtarët e vërtetësisë së të parës. Këtë temë, që ka ngjallur debat në fillimet e vitit 2021 të shekullit –dikush e ka harruar!- XXI, do ta cekim më hollësisht së afërmi në Peizazhet e Fjalës.

[3] Nuk ia vlen të merremi as me “shpikjen” se banorët greqishtfolës të jugut shqiptar u vendosën aty të sjellë nga Ali Pashë Tepelena, sepse nuk i qëndron asnjë kritike shkencore.

[4] E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Nartën e Vlorës, ku, ndonëse flitet për një ngulim relativisht të vonë ardhësish nga Arta e Epirit (Gjiri i Ambrakisë), vendbanimi duket se është (mjaft) më i hershëm. (Κυριαζής 2012).

[5] «Στου Βερνίκου το κάστρο κατοίκααν οι Έλλενοι, ανθρώποι άξιοι και πολύ δυνατοί. Μπροστά τους εμείς φαινομέστε μύιγες./ Νë kalanë e Vernikut banonin οι Έλλενοι, burra zamani dhe shumë të fortë. Para tyre ne dukemi miza.» (Μουσελίμης 2001: 83).

[6] “Neku ka vënë këmbën e glurin elimi janë shkëmbe të mëdhij dhe i kanë betur gjurmët mbi këto shkëmbe.” (Rrapaj 1995: 358).

[7] Shih, p.sh., του Δαφνέως, του Θρομβέως, του Μαρανθέως, του Μυρτινέως, του Πρινέως, του Πτερέως etj. (Τζαννετάτου 1965: 144, 146, 152, 153, 156, 157).

[8] Edhe toponimet Soroné dhe Milé të zonës së Vurgut, të cilat popullsia greqishtfolëse vendase i shqipton sot si Σορωνιά [soronjá] dhe Μηλιά [milá], tregojnë se janë marrë nga popullsia shqipfolëse para shek. XIII, kur dëgjoheshin si Σορωνέα [soronéa] dhe Μηλέα [miléa].

[9] Χυτήρης (1987) shënon toponimet Αρίλας, Ασφακίλας, Βουρλίλας, Γαυρίλας, Δαφνίλας, Καλαμίλας, Καρδαμίλας, Κοκκικίλας, Κουραμίλας, Κρουζίλας, Ψαθίλας, Μαλαθρίλας, Πρινίλας, Ροπακίλας, Φαϊλας.

[10] “-iglia. Come -aglia da -ale questo suffisso è nato da temi latini in -ile ed ha sviluppato come quello un significato collettivo: brodiglia, fanghiglia, poltiglia, mondiglia, italiano antico scoviglia ‘spazzatura’…” (Rohlfs 1966: III 387). Falënderoj kolegun Genc Lafe për indikacionin bibliografik.

[11] VII 7, 5 c. 324.

[12] [Η Βουθρ]ωτίων [κ]ολωνεία [M]αρκον Ούλπιον Άνν[ιον]… (Fund i shek. II – fillim i shek. III p.e.s.) Cabanes et al. 2007: 78.

[13] Nëna ime, lindur në Jermë të Vurgut, mban mend se në panairin e 15 gushtit, secili nga fshatrat shtronte për të ngrënë e për të pirë nën hijen e këtyre dushqeve madhështorë. Mësuesi Lefter Talo, Hero i Popullit i Luftës Antifashiste të shqiptarëve dhe të grekëve, ka lënë një përshkrim për pyllin e Soronesë ku krahason drurët shekullorë me kolona të një tempulli antik!

[14] Në Himarë haset një bimë me emrin γουρούνα ‘dosë’.

[15] Çabej (SE III 319) e lidh me emrin Drin (Δρίνος) të lumit që përshkon luginën: “*Drinopull, *Drnopull, *Drropull, gr. Δρινόπολις” dhe lë jashtë analizës emrin Αδριανούπολη. Κουλίδας (2014: 227-232) beson se Δρόπολη vjen nga Δρυινούπολις, qytet antik i padëshmuar, ose nga sllav. *Dobro-pole, që s’mund të anashkalojë ekonimin Αδριανούπολη dhe bie ndesh me dëshminë e Al-Idrisi-t.

Rreth Autorit

Dhori Q. Qirjazi (Δώρης Κ. Κυριαζής) u lind në Delvinë dhe vitet e fëmijërisë e të rinisë i kaloi në Sarandë. Pas përfundimit të studimeve për filologji greke dhe gjuhësi në Universitetin Aristotelian të Selanikut (1986), punoi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë, në sektorin e leksikologjisë dhe të leksikografisë (1987-1991) dhe më pas u vendos në Selanik, ku doktoroi me temë “Ndikime të greqishtes në gjuhën shqipe” (2001) dhe punoi si ndihmës dhe hartues i Fjalorit shumëvëllimësh të Greqishtes Popullore Mesjetare, nën drejtimin e prof. Emanuil Kriaras (1992-1999). Ka qenë lektor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Institutin e Studimeve Ballkanologjike të Selanikut (1991-1999) dhe prej vitit 2000 në Universitetin ku punon edhe sot. Më 2006 filloi punën si lektor e më pas si assoc. prof. i gjuhësisë historike në Fakultetin Filozofik të Universitetit Aristotelian të Selanikut, me objekt studimi marrëdhëniet e greqishtes me gjuhët e tjera ballkanike.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin