CRAXI, KU JE?

nga Leida Ruvina

E ke parë në 1994-ën Aleandro Baldin kur fitoi Sanremon me “Passerà”? Pa merak. As ai. Aleandro ishte i verbër. Si Andrea Bocelli që zuri vendin e tretë. Por më i snobuar nga industria diskografike. “Finiremo tutti in banca prima o poi / coi perche’, i chissa’ / e le angosce di una ricca poverta” [herët a vonë do përfundojmë të gjithë (duke punuar) në bankë, me pikëpyetjet e pengjet tona, e me ankthet e një pasurie të mjerë], thosh një varg i kantautorit fiorentin, me një “s” të dallueshme në diksion si Francesco Nuti, zë melodioz e shtrirje në notat e larta, e poezi në lirika pafajësie. Çka rikujtonte frikën tipike italiane, artikuluar vite më parë nga Gino Paoli, se si 4 miq idealistë, që në rini duan të ndryshojnë botën, përfundojnë thjesht të martuar e punonjës administrate, tek jeta e koha i transformon, butë por thellë, nga liberalë në konservatorë.

Atë vit “Signor Tenente” zuri vendin e dytë. Giorgio Faletti, që asokohe njihej vetëm si aktor, madje komik (e nuk u transformua kurrë në politikan si komiku Beppe Grillo), u prezantua papritur si kantautor, me një kënge tragjike kushtuar masakrimit mafioz të magjistratëve Falcone e Borsellino dhe forcave të rendit që i shoqëronin. Ai termi “minchia, signor Tenente“, që shqipëruar në mënyrë etike mund të jetë “Pashë Zotin, zoti toger!“, përsëritej në fillim të çdo strofe. Godiste, si çekiç, gjithnjë më fort. E i jepte një ndjesi më realiste rrëfimit në vetë të parë të një karabinieri kalabrez, në atë krahinë të Italisë së Jugut ku u mboll, vuri rrënjë, e lulëzoi Cosa Nostra. Kjo organizatë mafioze, e cila gjeti armiq ndër prokurorë, ish-anëtarë të penduar, gazetarë, aktivistë, madje dhe priftërinj. Dhe miq ndër mafiozë, sipërmarrës e politikanë, në nivel krahinor lokal, kombëtar, rajonal e ndërkombëtar, madje dhe europarlamentar.

Nuk mund të ishe normal e të mos ngjetheshe nga dy akte kurajoje të Faletti-t. Kurajo, së pari, që thuri publikisht një këngë kundër mafies, në një vend si Italia ku kodi mafioz i heshtjes (omertà) zbatohej me zell në familje e lagje, pa dënuar krimet mafioze mes vedi e pa bashkëpunuar në asnjë mënyrë me organet e rendit. Ai kod nuk deshifrohej vetëm me hetimin e parave apo përgjimin e fjalëve, por me interpretimin e heshtjeve, xhesteve, shenjave, që Falcone – si të ishte antropolog kulturor e psikolog social më fort se jurist me ekspertizë e eksperiencë – i identifikoi aq saktë e përmblodhi aq hollë në librthin “Cose di Cosa Nostra. Kurajo, së dyti, që thuri publikisht një tribut për sakrificat e policëve në kryerjen e detyrës, në mbrojtje të sigurisë publike dhe të atyre që hetonin krimin e organizuar, në një vend si Italia ku fashizmi marshonte në Romë 13 vite para se Hitleri të vinte në pushtet në Berlin. Aty ku rinia gjatë Luftës së Dytë Botërore u nda mes fashistëve ushtarë këmishëzinj dhe partizanëve, e ku opinioni publik mbeti i polarizuar politikisht mes nipave të fashistëve e partizanëve, figura e policit italian rëndom lidhej me atë të fashistit, militanti të djathtë, mizor ndaj aktivistëve të majtë në vitet ’60-’70, i padenjë për empati dhe solidaritet të masës.

I vetmi që kish guxuar të artikulonte publikisht një këndvështrim human e solidar me policinë, kundër dhunës studentore ndaj forcave të rendit, kish qenë vite më parë Pier Paolo Pasolini. “Më vjen keq por keni fytyrën e djemve të mamasë, dukeni të pasigurt e të dëshpëruar, por dini të jeni dhe arrogantë, shantazhues, të sigurt e të pafytyrë, si mikroborgjezë, e kur dje u përleshët me policët në Valle Giulia, unë isha me policët. Se policët janë bij të varfërish, vijnë nga lagje popullore, qofshin rurale apo urbane… E pastaj shihni si i veshin, me atë stof të ashpër, që kundërmon era gjelltore e popull… të poshtëruar nga humbja e të qenit njeri në këmbim të të qenit polic (të jesh i urryer të bën të urresh). 20 vjeçarë janë, moshën tuaj kanë“, shkruante Pasolini në “PCI ai giovani” [Partia Komuniste Italiane të rinjve] më 16 qershor 1968. “Dakord, natyrisht jemi kundër shtetit policor, por kapuni me Drejtësinë, po jua mbajti! Se djemtë policë, që me zellin e djemve të llastuar goditët dje, i përkasin një tjetër klase shoqërore.”

Protestat e drejta (si e drejtë e garantuar me ligj) por gabimisht të dhunshme tek Parlamenti në vitin 2019 apo për Klodjan Rashën në 2020, më kujtuan Pasolinin e asokohe dhe anatemimin e të pavarurve të paktë që publikisht deklarohen kundër kapsollave në fytyrë, solidarë ndaj polices gishtprerë e policit synxjerrë nga turmokracia. E lajmi i përgjimeve antimafie nga drejtësia italiane (ku përfliten si të përfshirë dhe shqiptarë pranë Bashkisë Tiranë, Presidenti, e një ministër) më kujtoi mega-procesin të Mani Pulite [Duarve të Pastra] të viteve ’90 mbi lidhjet korruptive të politikës e sipërmarrjes në bregun përballë.

Nuk jam e sigurt nëse për Shqipërinë ndjej më fort mungesën e një Di Pietro drejtësie, apo të një Craxi politik. Pse Craxi? Sepse në korrupsionin e tij galopant, mes neverisë që shkaktoi në media e opinion publik, ai ish-Sekretar obez i Partisë Socialiste italiane pati buonsensin të ikte me turp, të linte vendin e të kërkonte azil në një vend afrikano-verior si Tunizia (ku gojët e liga thonin se nuk do e prekte kush, pasi “në vendet myslimane gicin nuk e hanë“). E vulën e turpit Craxi nuk e ndjeu dhe aq nga drejtësia (nga e cila, fakti që kërkoi azil, tregon që u ndje ‘i persekutuar’). Por nga një akt qytetar i 30 prillit 1993. Atë mbrëmje kur guxoi të dilte nga dera kryesore e Hotel Raphael në Romë, e një morì protestuesish i hodhën një morì monedhash kokës, si një Jude që shitet për dy lira. Ai çast vizual simbolik shënoi fundin politik të Craxi-t, dhe stinës së tërë politike të Republikës së Parë.

Sa për risitë që vijnë kur e vjetra kriset në mos shembet, ja ku jemi ditën e 25-të të vitit të 21-të të shekullit të 21-të. Pas dy javësh ndjekjeje të CNN (prej raportimit të sulmit të Capitol-it në Washington tek sidat e Presidentit të SHBA të sapongarkuar zyrtarisht në atë post), materies gri i duhet pak kohë të përtypë traumën (culture shock) të moderimit të debatit televiziv alla shqiptarçe, përgjithësisht. Pas tre ditësh nga publikimi i skandalit të përgjimeve të Ndrangheta ku tek-tuk citohen shqiptarë me poste zyrtare për investime mafioze në ndërtim e shëndetësi, ende pres një analizë profesionale të plotë mediatike, veçanërisht. Do vlerësoja servirjen e materialeve origjinale më të gjera të dosjes hetimore përtej screenshot paragrafesh të përzgjedhura. E më pas analiza me dorë të shpejtë e mendje të ftohtë, larg militantizmit partiak, nihilizmit kritizer apo optimizmit propagandistik. Gazetarì me vërtetim e raportim lajmi, jo tjerrje supozimi. Analizë bazuar në fakte, jo ndjenja e ndjesi. CNN fton “analistë”; vetëm Shqipëria fton “opinionistë”. Opinion ka dhe kasapi i lagjes, por kjo nuk e bën ekspert menddhenieje në çështje juridiko-ekonomiko-politike.

Deri në prime-time e së hënës, nëse audienca televizive, portalore e youtubore kap pikun me debate trotuaresh, rrethesh katrore apo përputhjesh fundjave, nuk duhet një gjeni për të kuptuar se idiokracia, tashmë dhe në eterin shqiptar, është kthyer në institucion. Berlusconi pra nuk kemi, por për berluskonizëm televiziv Italia na vjen anës.

Ndërkohë, në pritje që SPAK të jetë aspak më pak se përmbushës i misionit të vet në drejtësi, nuk duket se ndonjë shqiptar i përmendur në përgjimet e ‘Ndrangheta të ketë në plan të vizitojë së shpejti Tunizinë. Koha tregon faktet absolute, ama turpi mbetet çështje perceptimi.

(c) 2021, Leida Ruvina. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë ribotimi pa lejen e autores.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin