STACIONI I TRENIT

nga Agim Kubati

AJO – “Ishte vjeshtë. Atë ditë, që s’do më hiqej nga mëndja për një kohë shumë të gjatë dhe që do ndryshonte shumë gjëra në jetën time, po shkoja me babin për të blerë një fustan të ri për mbrëmjen e maturës dhe ai, nga që ishte vapë e madhe, vendosi të marrë një birrë te “Bar Sahati”, që në atë kohë ndodhej ngjitur me sahatin e madh te qytetit tonë të lashtë. U ula pranë babit dhe duke pritur që ai të mbaronte birrën, fillova të kundroj përreth. Më bëri përshtypje një çift i ri. Ai, me shumë ëmbëlsi, po bisedonte pranë një vajze shumë të bukur, që nga mënyra se si qëndronte pranë tij, dukej shumë e dashuruar me të. Fytyra e tij, tepërisht e zbehtë, binte në kontrast të theksuar me flokët e tij të zinj e të gjatë, ndërsa ajo dukej shumë bukur nën sytë e saj bajame, me flokët kaçurrelë të gjatë, që më kujtonin paksa një artiste të njohur. Ajo i prekte dorën atij me insistim dhe dukej sikur i thonte diçka në mënyrë repetitive, ndërsa ai, e qetësonte duke e përkëdhelur lehtas në bel. Më vonë, thirri kamerieren, pagoi, puthi lehtë kaçurrelsen, dhe u çua për t’u larguar. Ajo kishte mbetur në karrige pa lëvizur. Pashë se si ai zbriti shkallët dhe u drejtua drejt sheshit përballë. Ajo u çua me vrik, shpejtoi drejt derës, hezitoi ta hapte, por nuk e hapi dhe qëndroi mbrapa xhamit me pëllëmbët e mbështetura lart, deri sa nuk pa më siluetën e tij që humbi diku drejt rrugës së Durrësit. Ajo filloi të qante me dënesë dhe unë u ndjeva shumë keq. Mbasi pagoi, babi më kapi për dore dhe dolëm nga bari. Tek zbrisja shkallët, vëreja atë vajzë që vazhdonte të qëndronte mbas xhamit me lotët që i rridhnin çurg nëpër faqe. Kurrë s’kam parë një fytyrë aq të trishtuar…”
AI – ”Në shtëpinë tonë kishte rënë gjëma. Mbas arrestimit të xhajës dhe burrit të hallës, ndodhi edhe ajo që s’e kisha menduar ndonjë herë, u arrestua edhe im atë. Ishte diçka rreth orës 7-8 të darkës dhe një *jeep ushtarak ndaloi pranë pallatit tonë në rrugën e Durrësit. Isha tek cepi i pallatit së bashku me disa shokë dhe po bisedonim mbi ndeshjen e sapombaruar midis 17 Nëntorit dhe Dinamos dhe nuk i dhashë rëndësi momentit kur babi im, i shoqëruar me dy civilë të tjerë, hynë në makinë. Ai s’erdhi atë natë në shtëpi dhe u kthye vetëm mbas 9 vitesh, kur doli nga burgu. Atë natë, veçse, nuk do ta harroj kollaj dhe kthehesha e rrotullohesha në shtrat e s’më zinte gjumi për qamet. Mortja më dukej më e lehtë, karshi asaj që po humbnim; shkollën, punën, shoqërinë e shumë nga të farefisit do të na largoheshin. Keti, një vajzë shumë e bukur me të cilën shoqërohesha në atë kohë, filloj të qajë, kur mori vesh këtë gjë, por insistonte të rrinte me mua, duke u shprehur që për atë asgjë s’kishte ndryshuar dhe do të ishte e gatshme për çdo sakrificë. Gjithmonë më kanë habitur vajzat, se në raste ekstreme bëhen shumë trime. Sidoqoftë, për të mirën e saj, vendosa t’i them që të shkëputeshim përgjithmonë, mbasi unë isha në një taksirat që doja ta përballoja me mënyrën time dhe i lashë një takim tek “Bar Sahati”…”
AJO – ”Mbas pak vitesh, unë u fejova me Artanin, një djalë shumë i mirë. Banonte në Durrës dhe në fund të javës, shpesh herë, merrnim trenin, e shkonim nga shtëpia e tij. Fejesa është një gjë e bukur në kulturën tonë dhe unë po e kaloja gjithë gëzim e hare. Isha në vit të dytë në Fakultetin e Ekonomisë dhe tashmë isha rritur, e mjaft nga ëndrrat e rinisë i kisha lënë mbrapa. Fejesa për një vajzë është moment tepër kritik, se bën kalimin nga bota fëmijërore në atë të ëndrrave. Vagonët e gjatë të trenit mbusheshin plot me njerëz, por në fund të javës kishte shumë studentë që ktheheshin në shtëpitë e tyre. Vagoni gumëzhinte prej tyre dhe atë ditë, si për fatin tim, kisha qëlluar pranë dritares. Ishim mbledhur rreth tryezës dhe loznim me letra, e ndokush u hidhte ndonjë romuz katunarëve të vonuar që tërhiqnin koshat bosh drejt vagonit të mallrave, e ndokush tjetër rrëfente me marifet ndonjë barceletë me humor politik, që në atë kohë ishin tepër në modë. Të gjithë qeshnim me të madhe dhe vazhdonim të luanim. Artani kishte marrë ponç me vete dhe mbas disa qarkullimesh të shishes, në grupin tonë, zërat filluan të ngreheshin më fort, të qeshurat akoma më shumë, ndërsa sytë na shkëlqenin nga kënaqësia. Në stacionin e Vorës, duhej të qëndronim e të prisnim trenin e Shkodrës, se bëhej shkëmbimi i pasagjerëve. Kishim mbi disa minuta që po prisnim dhe unë, në atë moment, kisha ndërprerë lojën dhe po rrija e mbështetur e po shihja përjashta. Treni i Shkodrës filloi të hynte në stacion dhe vagonët, në fillim, rrëshqisnin me shpejtësi dhe aq sa dukesh një xham i tërë, por shpejt kaloi në ndalesë të plotë dhe përballë meje kisha dritaren e vagonit tjetër. Shtanga, mu përballë meje, nga ana tjetër e xhamit, qëndronte ai djali që kisha parë tek “Bar Sahati”. Vështrimi i tij ishte komplet i humbur diku larg. Ai qëndronte në një pozicion të fiksuar dhe s’lëvizte fare. Minuta shumë të gjata shkuan, por ai diku kishte humbur. Në fund, treni lëvizi dhe unë akoma nuk e di se pse, ngrita dorën për ta përshëndetur, dhe ai nuk më vuri re aspak, por si një i hipnotizuar, vështronte humburazi diku…”
AI – ”Në fund të çdo muaji shkoja në burgun e Zejmenit për të takuar babin dhe burrin e hallës. Me atë rast, përfitoja t’u çoja ushqime, veshje si dhe duhanin, që në kësi rastesh është kaq i nevojshëm dhe si të thuash i vetmi ngushëllim. Për të shkuar në Zejmen te Lezhës, merrja trenin e Shkodrës dhe zbrisja në stacionin e Milotit. Nga aty, me biçikletë, i ngarkuar sa më s’bëhet, me trastat që i kisha lidhur në zgarën e mbrapme, kaloja urën e re të Milotit dhe në fund të urës, merrja majtas drejt Zejmenit, ku ndodhej edhe kompleksi i burgjeve me të njëjtin emër. Rruga tashmë ishte fare e pashtruar dhe me brazda të thella nga rrotat e qerreve që tërhiqeshin nga buaj ku gjurmët e thundrave mbeteshin si  gropa përherë mbushur me ujë nga shirat e shumtë të sezonit. Në sistemin e atëhershëm, të burgosurit politikë mbaheshin veç atyre ordinerë dhe kampet ishin rrethuar me disa palë tela me gjemba. Për të shkuar në dhomën e takimit, ndalonim në një pikë që ishte rreth 200 metra larg një ndërtese administrative. Një polic vinte e na merrte emrat. Zakonisht qëllonte që kishte edhe të tjerë që kërkonin të shihnin të afërmit. Atë ditë po kthehesha nga një vizitë që kisha bërë tek babi. Isha shumë i shqetësuar, se ai me zor qëndronte në këmbë dhe m’u duk shumë i dobësuar e dyllë i verdhë në fytyrë. I kishte rënë hemorragji cerebrale dhe po të mos ishte ndodhur aty një mik i shtëpisë, mjek me profesion, por edhe ai në burg për agjitacion e propagandë, zor se do kishte shpëtuar. Rrija e mendoja dhe ndërkohë u përmenda nga dora e fatorinos që më lajmëronte se kisha mbërritur në Tiranë…”

© 2021, Agim Kubati. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin