Reklama

AMFITEATËR

nga Ajkuna Dakli

Unë quhem HUMBËS. Kundërshtari im quhet FITIMTAR dhe ata që, pasi u zbavitën me ndeshjen tonë, pritet të thonë fjalën e tyre për çka duhet të ndodhë më pas janë SPEKTATORËT.

Kjo nuk është hera e parë . Jo jo!  Ka ndodhur plot herë të tjera : para dhjetëra vjetësh, qindra vjetësh, mijëra  vjetësh… e që të mos e zgjas shumë, kjo histori filloi qëkur u ngjiz qytetërimi e vazhdon.

Dikur skena ka qenë amfiteatër, pastaj ndërroi pamje – dhe ndërron pamje vazhdimisht. Por ama unë jam humbësi, kundërshtari im fitimtari dhe ata rreth nesh që ngrenë ose ulin gishtin e madh janë spektatorët , prandaj, për lehtësi po e quaj arenë dhe shkallë  sepse në thelb pra, është e njëjta gjë.

Ja ku jam pra, përsëri këtu: Në arenë, përtokë, shtrirë në kokërr të shpinës, i çjerrë nga plagët, me shputën e këmbës së kundërshtarit tim mbi gjoks dhe majën e shpatës së tij vetëm disa gisht mbi hundën time, ndërsa veshët më oshtijnë ulërimat e thekshme të spektatorëve që pritet të ulin a të ngrenë gishtin e madh për të kërkuar faljen ose vdekjen time.

Kundërshtari im mund të jetë kushdo. Ose më mirë çfarëdo :  Mund të jetë me ose pa formë , i dukshëm ose i padukshëm, dikush / diçka që nuk e ka inatin fare me mua – personalisht me mua dua të them. Përpiqet të më vrasë sepse, kur u hodhën zaret diku atje lart, dhe secilit nga ne iu ngarkua një rol për të përmbushur, ai/ajo u krijua enkas për të më vrarë.

Unë nuk e shoh , madje as nuk e shquaj . Ndjej vetëm se jam mbërthyer përtokë me një peshë shkelmi mbi gjoks, armën vrastare të së cilës e kam mbi zemër. Majën e shpatës,  atë pikën e mprehtë metalike së cilës nuk i shpëton dot aq lehtë, e shquaj fare mirë.

Përse ndodhem unë dhe jo dikush tjetër në këtë vend, në këtë çast dhe a kam unë vetë, gisht në këtë mesele? Edhe kjo është një pyetje me vend. A ka të bëjë kjo me vendin ku jam lindur, me atë çka më ndodhi para se të vija nën majën e shpatës, a mund të kisha bërë diçka ndryshe?

Pikërisht kjo është pyetja e madhe që thonë se vjen një milion monedha ari, pyetje të cilën ia bëj gjithnjë vetes kur ndodhem nën këtë dreq majë shpate. Të jem i sinqertë asnjëherë nuk gjej një përgjigje të saktë – pak si e ngatërruar e gjithë kjo – prandaj i humbas gjithnjë  ato monedha ari . Sepse në fund të fundit nuk quhem më kot humbës.

E di sidoqoftë, se tani kjo nuk zgjidh më asgjë, prandaj i kthej sytë me shpresë nga spektatorët.

Me cepat e syve shquaj disa syresh në shkallën e parë, u shquaj madje, edhe fytyrat : një e skuqur u ngjitet mbi mollëza dhe u vete deri në sytë, zëri u del disi grykor dhe gjysmë i ngjirur nga të thirrurat . Sytë që i kanë të akullt.

“ Të vritet!”   dëgjoj  “Të vritet!” .

Kthej sytë me dëshpërim nga krahu i nderur me pëllëmbën e mbledhur grusht dhe shquaj gishtin e ulur poshtë. Rrotulloj sytë pak më sipër dhe mundohem të shquaj të tjerët mbi shkallët nga ku dëgjohet e njëjta e thirrur. Shoh, ose më mirë përfytyroj majat e gishtërinjve të ulur poshtë, dhe më duket se maja e vogël e shpatës mbi fytyrën time, është shumëfishuar dhe shpërndarë tashmë në qindra pika të akullta në sytë e atyre që për një çast, duket se kanë në dorë fatin tim.

Them për një çast, sepse në të vërtetë, fjalën e fundit në lojë do ta thotë lojtari i fundit, NJERIU ME SKEPTËR, ai që, do të ngrejë ose ulë I FUNDIT gishtin e madh, për të vendosur nëse tehu i shpatës do të përshkoje gjoksin tim tejpërtej dhe do ta shqyejë zemrën time në dysh, apo ndodhë ndonjë mrekulli dhe do më lënë të jetoj.  Ai vështron turmën që thërret.

Nga përvoja ime mijëra vjeçare, unë e di se mrekullitë ndodhin rrallë.

Ata e dinë se është ai që do të vendosë . Vendimi i tij nuk ka lidhje as me fitimtarin as me humbësin.  Ai është njëlloj i ftohtë dhe i largët dhe ndaj fitores apo humbjes vetë.  Vendimi varet nga arsyeja për të cilën ai ka ardhur në  shfaqje. Ai u hedh sytë, dëgjon të thirrurat e tyre, do numëron me një vështrim të shkathët , gishtat e ulur poshtë, bën një llogari të ftohtë në mendjen e tij. Atyre u duket se po mendohet disa çaste para se ta thotë verdiktin e tij.

I vështron.  Pret. Në sytë e tyre përshkënditet ndjesia e pushtetit, maja e shpatës shumëfishohet në mijëra shkëndija gënjeshtare të një dallgë të etjes për triumf.

Unë jam HUMBËS  dhe HUMBJA është mëkat. Ata janë më shohin nga lart, ulin gishtin mbi humbjen time. Ndjehen mbi të , larg asaj arene të humbjes. Mund të dënojnë ose falin. Një ditë mund të ndodhen ata nën majën e asaj shpate, po kjo as që u shkon nëpër mend. Tani për tani mund të fitojnë një copëz triumf, një refleks të mprehtë metalik të shpatës kur ajo të ngulet në mishin tim, një refleks që zgjat vetëm një çast të shkurtër po mjaftoka ai çast tu ndriçojë skutat e errëta të shpirtit aty ku fshihet frika, e ti bëjë të ndjehen të pamposhtur.

Njeriu me skeptër ngrihet në këmbë në shkallë dhe të gjithë ia ngulin sytë . Sovrani ngre dorën lart. Turma mban frymën.

Sovrani ul gishtin, turma brohoret, maja e mprehtë e shpatës ngulet në gjoksin tim, unë ndjej zemrën të me çahet dysh dhe frymën të largohet ngadalë.

Në agoninë e fundit shoh kundërshtarin tim tek ngre krahun lart fitimtar. Lëviz bebëzat në cep të syrit me shpresë se, duke ikur, do të kap fluturimthi një vështrim të fundit , pak keqardhje mbase një vrarje të vockël ndërgjegje që rrëshqet padashur nga cepat e syve të tyre : Turma brohoret edhe njëherë dhe pastaj pa pritur as që unë të derdh frymën e fundit,  hesht sikur të mos kishte ndodhur asgjë,  dhe , me një copëz triumfi ne xhepin e shpirtit, kthen shpinën dhe shpërndahet. Pas disa orësh do më kenë harruar .

Se ç’do të ndodhë më pas me trupin tim që po e tërheqin rrëshqanthi , ndërsa gjaku im njom  rërën e arenës, ata nuk duan të dinë, kjo nuk është punë e tyre.

Tek e fundit pas disa vjetësh, dhjetëra vjetësh, qindra vjetësh, mijëra vjetësh, do të jemi prapë të gjithë bashkë në të njëjtën lojë dhe loja do luhet njëlloj.

 

© 2020, Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: