E PARA ORKESTËR SIMFONIKE JONA

nga Akademik Vasil S. TOLE

Krijimi i së parës orkestër simfonike në Shqipëri si model Perëndimor, 6 prill 1924

(Deri mё sot, si kohё e krijimit tё sё parёs orkestёr simfonike nё Shqipёri mbahet viti 1950, kohё kur u krijua me vendim shtetёror Filarmonia Shqiptare e cila kishte nё pёrbёrje tё saj edhe orkestrёn simfonike. Pёrmes kёtij shkrimi, synojmё tё provojmё se koha e krijimit tё orkestrёs sё parё simfonike nё Shqipёri ёshtё akoma mё pёrpara dhe si rezultat i nismave tё individёve dhe shoqёrisё sё njerёzve tё lirё.)

Themelimi në Shqipëri i së parës orkestër simfonike ishte një nga qëllimet kryesore të dirigjentit dhe kompozitorit Thoma Nasi (1892-1964) në rrugën e orientimit perëndimor të shoqërisë shqiptare përmes muzikës, të cilin ai e bëri pjesë të veprimtarisë së shoqërisë së “Arteve të Bukura”, tё themeluar në Korçë nё dhjetor tё vitit 1920. Siç dihet, Thoma Nassi dhe trupa muzikore e Bandёs Kombёtare VATRA erdhёn nga Amerika nё Shqipёri nё prill tё vitit 1920, pёr tё mbёshtetur sipas mёnyrёs sё tyre zhvillimin e artit dhe muzikёs nё Shqipёri.

Foto: Banda kombёtare VATRA nё Shqipёri nё fillim tё viteve 1920. Nё qendёr Thoma Nassi. Botohet pёr herё tё parё.

Në këndvështrimin personal i ishte dashur të përshkruante një rrugë të gjatë për të formuar veten si muziktar, që të ishte i aftë të ideonte dhe të drejtonte një orkestër simfonike. E kishte filluar muzikën qysh fëmijë për t’u bërë violinist në Shqipëri e Greqi, vijoi me shkollimin për flaut në Konservatorin e Bostonit dhe në përfundim të studimeve si flautist u ushtrua pranë orkestrës simfonike të Bostonit, pas saj filloi aktivitetin si dirigjent bandash muzikore pranë formacioneve të ushtrisë amerikane gjatë shërbimit ushtarak, e vijoi këtë veprimtari me aftësimin si kompozitor, më pas duke drejtuar ansamblin e mandolinatës Dodona-1915 dhe bandën “Vatra”, për të mbërritur deri te propozimi që një orkestër simfonike të themelohej në Shqipërinë e fillimit të viteve 1920.

Para nismës së Nasit për të themeluar të parën orkestër simfonike në Shqipëri, duket se e vetmja traditë pararendëse, nëse mund ta quajmë të tillë, lidhet me qytetin e Shkodrës e me formacionet e ushtrisë austriake që ishin të dislokuara aty. Bëhet fjalë për vitin e largët 1913, i konsideruar si një “vit i mbrapshtë”[1], kjo për shkak të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, vendime[2] të cilat bënë padrejtësi të mëdha në dëm të kombit shqiptar, duke i shkëputur Shqipërisë më shumë se gjysmën e territorit të banuar nga shqiptarët. Deri në këtë vit, me përjashtim të muzikës së interpretuar nga formacionet e muzikës popullore qytetare ose nga bandat muzikore, veshi i shqiptarit të zakonshëm nuk kishte mundur të shijonte tingujt e kultivuar, harmoninë sublime, si dhe kryeveprat muzikore të interpretuara nga orkestrat simfonike, aq më pak të njihte në masë të gjerë kompozitorët, krijuesit e kësaj muzike.

Krijimi i orkestrave simfonike nuk ka qenë i lehtë për Austrinë e Vjenën perandorake, e jo më për Shqipërinë e 500 viteve nën pushtimin otoman. Deri në vitin 1842, vit në të cilin themelohet Vienna Philharmonic (që ne e njohim si Orkestra Filarmonike e Vjenës), monopoli i orkestrave simfonike u përkiste teatrove të operave, pranë të cilëve orkestrat ishin atashuar në përbërje të tyre. Në fillim të shekullit XIX, vetë fjala “filarmoni” ishte një fjalë e re në përdorimin e përditshëm. Etimologjia e saj lidhet me greqishten e vjetër (philos – shok, mik dhe harmonia – harmoni), në kuptimin e njerëzve dhe bashkësisë që e do harmoninë. Prandaj shoqëritë filarmonike që u krijuan e huazuan këtë emër kuptimplotë dhe përmes orkestrave simfonike, simbolit të ekzistencës së tyre e përhapën këtë fjalë paqeje në mbarë botën. Kujtojmë se fjalët filarmoni dhe simfoni janë gati-gati sinonime të njëra-tjetrës. Në anglisht si term u përdor për herë të parë në vitin 1813, pikërisht kur në Londër u krijua Shoqata Filarmonike Mbretërore The Royal Philharmonic Society. Ndërkohë, fjala filarmoni ruan të njëjtin kuptim edhe kur përdoret në gjuhë të tjera si në italisht (filarmonico), në frëngjisht (philarmonique) në gjermanisht (philharmonie) etj.

Deri sa të mbërrijmë në vitin e artë 1842, kohë kur orkestrat simfonike dolën si struktura të mëvetësishme në Europë e më gjerë, kompozitorët që krijonin muzikë instrumentale e simfonike “hiqnin picirin”, siç thotë populli, për të organizuar koncertet me veprat e tyre. Bëhet fjalë për mjeshtër të kalibrit botëror si Mozarti, Hajdeni, Bethoveni etj. Historia e muzikës na dëshmon se ndër të parët ishte kompozitori gjenial dhe pianisti i jashtëzakonshëm Wolfgang Amadeus Mozart i cili në vitin 1785 angazhoi orkestrën simfonike të Teatrit Mbretëror Vjenez për të interpretuar ciklin me 6 koncerte të tij; më 2 prill të vitit 1800 të njëjtën gjë u detyrua të bënte Ludwig van Beethoven për interpretimin e premierës së simfonisë së tij të parë; kurse më 24 maj të vitit 1824, u nevojit bashkimi i dy orkestrave, i asaj të “Shoqërisë së Miqve të Muzikës” – Gesellschaft der Musikfreunde dhe i orkestrës simfonike të Teatrit Mbretëror Vjenez për të realizuar premierën e Simfonisë së 9-të të Bethovenit etj. Kjo praktikë solli nevojën që më pas, orkestrat simfonike të organizoheshin si struktura të mëvetësishme pranë shoqërive filarmonike që i përmendëm më sipër.

Kthehemi në Shkodër.

***

Prej tetorit të vitit 1912, Shkodra ishte e rrethuar nga trupat malazeze dhe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 29 nëntor 1912 e gjeti kalanë dhe qytetin nën bombardimet e topave. Gjendja e qytetit dhe e rrethinave për shkak të luftës[3] ishte katastrofike. Në përshkrimin e dhënë nga Edith Durhami[4] thuhet se pranë Shkodrës kishte vizituar 1022 shtëpi të djegura dhe kishte parë e takuar gra e fëmijë që po vdisnin urie. Përfundimi i luftës në muajin prill 1913 me dorëzimin e Esat Pashë Toptanit te malazezët, e më pas edhe me tërheqjen e trupave malazeze, bëri që qyteti të administrohej prej fuqive të mëdha, ndër to trupat austriake, angleze, franceze dhe italiane. 1913 ishte viti kur shkodrani Lec Palok Kurti[5] (1884-1948), kompozitori i parë shqiptar i shkolluar në Itali kompozonte “Marshin Wied”, kushtuar Princ Vidit dhe këngën himn “Porsi fleta e engjëllit të Zotit” me poezi të At Gjergj Fishtës.

Pjesë organike e trupave ushtarake të huaja të dislokuara në Shqipëri, e në këtë rast në Shkodër, ishin edhe formacionet muzikore, kryesisht të llojit të bandave muzikore frymore, siç i kemi dëshmuar edhe në kapitullin e parë të librit. Në një tjetër foto të panjohur të Marubit, foto e muajve maj-qershor 1913, bërë në lulishten qendrore të Shkodrës e njohur ndryshe edhe si “Milet bahçe”, kemi provën e vetme të ekzistencës së një orkestre simfonike austriake[6], e cila shoqëronte vënien në skenë të shfaqjeve teatrore për ushtarakët dhe për publikun e qytetit të Shkodrës. Në ato vite ishte normale në Europë e më gjerë që si filmat, ashtu edhe shfaqjet teatrore të shoqëroheshin me muzikë të luajtur nga ansamble muzikore ose nga pllakat e gramafonit.

Foto: Flamujt e Fuqive të Mëdha në kalanë e Shkodrës, maj 1913

 

Foto: Trupa e teatrit dhe orkestra simfonike e trupave ushtarake austriake, Shkodër, 1913

Në foto dallohen qartë aktorët në skenë dhe poshtë tyre tri formacionet kryesore përbërëse të një orkestre simfonike: sektori i harqeve, sektori i të drunjtave dhe ai i tunxhit. Me gjithë përbërjen e reduktuar që ka kjo orkestër (24 vetë gjithsej me gjithë dirigjentin), ajo mund të konsiderohet “orkestër simfonike e vogël” ose “orkestër e natyrës simfonike”, që gjithsesi nënkupton një numër të reduktuar të pjesëtarëve në përbërje të saj. Nisur nga fotoja, në lidhje me repertorin e saj mund të hamendësojmë e të themi vetëm kaq, se ajo interpretonte muzikë në funksion të lojës së aktorëve dhe të shfaqjeve me natyrë argëtuese. Na vjen mirë të themi që në këtë foto dallojmë edhe një muziktar shkodran, siç është rasti i instrumentistit në kontrabas i cili më vonë konstatohet e shihet në përbërje të shoqërisë muzikore “Rozafat” po në Shkodër. Deri më tani nuk kemi të dhëna të tjera për aktivitetin e këtij formacioni ushtarak gjatë kohës së qëndrimit në Shkodër, që gjithsesi na detyron ta dokumentojmë atë si një fakt historik, e para në radhën e përpjekjeve të bëra, që një ditë, orkestrat simfonike të bëheshin realitet i prekshëm edhe në Shqipëri.

Orkestra simfonike e trupave ushtarake austriake, Shkodër, 1913

Viti 1913 ishte një “vit i mbrapshtë” edhe për muzikën austriake e për atë ruse. Bëhet fjalë për ato që njihen si “skandalkonzert”-“scandal concert” ose “koncert skandaloz”. Në vitin 1913, kur një orkestër amatore e modeste austriake interpretonte muzikë në Shkodër, orkestra më e mirë simfonike austriake Konzertverein Orchestra, më 31 mars 1913, në Vjenë, në koncertin e titulluar “Portreti i kompozitorit”, e drejtuar nga Arnold Shënbergu (1874-1951) kompozitori dhe drejtuesi shpirtëror i “Shkollës së Dytë Vjeneze” në muzikë, “dështoi” të përcjellë për publikun muzikën[7] e re të frymëzuar nga “sistemi i kompozimit 12-tonësh”. Dy muaj më pas, më 29 maj 1913, të njëjtin fat pati premiera e baletit “The rite of spring” e Igor Stravinskit (1882-1971) në Paris, i dyti “koncert skandal”. Vite më pas, u provua se “skandali” në vetvete ishte te pritja e publikut dhe jo te veprat muzikore që u interpretuan atë vit, të cilat ishin vepra që ndryshuan rrjedhat e historisë së muzikës botërore për të cilat nuk po zgjatemi më këtu.

Programi i “skandal koncertit”, 31 mars 1913 në Vjenë

***

Përsëri në Korçën e Nasit të vitit 1924…

I formuar profesionalisht dhe me vizion, të qartë, Nasi tashmë 32-vjeçar i parapriu ngritjes së orkestrës simfonike me disa veprime energjike, ndër to ajo e konceptimit të saj. Këtë vizion ai e përshfaqi në formën e një artikulli me titull “Përmi organizimin e një orkestre simfonike”[8], të cilin e botoi në dy numra të gazetës Shqiptari i Amerikës, në vitin 1923. Ai mund ta botonte në cilëndo gazetë qëndrimin e tij, por qëllimisht zgjodhi gazetën Shqiptari i Amerikës, e krijuar në Korçë nga federata shqiptare e Amerikës “Vatra”.

Artikulli i Nasit erdhi si përgjigje e një artikulli pararendës të shkruar nga Sotir Papahristo[9] (1887-1979), në atë kohë drejtor i arsimit në Korçë, i cili e kishte botuar atë në gazetën Zër’i Popullit. Artikulli i Papahristos hapte çështjen e organizimit të një orkestre simfonike dhe të mungesës së saj, gjë e cila ndihej si nga populli, intelektualët dhe artdashësit. Duket se qëndrimi i Nasit ishte i dakordësuar më parë me atë të z. Papahristo, pasi në hyrje të artikullit të tij, Thoma Nasi e çmon Papahriston si një njeri “që qëndron në vijën e parë të muzikëdashësvet të qytetit tonë” dhe për më tepër shprehte gëzimin që kjo çështje u hap për diskutim, gjë e cila i takonte jo vetëm lulëzimit artistik të Korçës, por edhe të gjithë Shqipërisë.

Artikulli “Përmi organizimin e një orkestre simfonike” hodhi realisht hapin e parë publik drejt qëllimit final, ngritjes së të parës orkestër simfonike në Shqipëri, me qendër në Korçë:

                … dyke marë parasysh gjendjen tonë muzikale gjejmë të arësyeshme se duhet të mundohemi të formojmë një orkestër simfonike me tërë kuptimin e fjalës. Tashi, përse orkestër dhe jo një tjatër formë organizate muzikale? Se orkestra është organizata që çfaq më mirë se çdo tjatër gjë idealet muzikore më të lartëra. Është organizata mi të cilën bazohen të gjitha veprimet e tjera muzikale, si opera, opereta, valleja kllasike, kori dhe të tjera. Është forma më e lartër e veprimit të artit muzikor[10].

Sotir Papahristo

Nasi kishte filluar me kohë përgatitjet teknike më të domosdoshme që kërkonte ngritja e orkestrës. Fillimisht e kishte nisur ashtu thjesht, si një nismë për ridimensionimin e formacioneve muzikore në përbërje të shoqërisë, duke pasuruar formacionet aktuale me vegla të reja, kryesisht ato të harqeve por edhe disa vegla që i mungonin formacionit të bandës “Vatra”, si: fagoti, pianoforte apo edhe klarineta në mib etj. Për këtë Thoma Nasi kishte sjellë në Shqipëri nga Amerika disa instrumente harku. Këtyre veglave iu shtuan edhe disa të tjera që, siç shpjegon vetë Nasi i mori si “plaçkë lufte” nga Vlora, në teatrin e Drashovicës, të lëna aty nga italianët, mes tyre edhe dy kontrabasë shumë të mirë, të cilat më pas shërbyen si baza e orkestrës simfonike të qytetit të Korçës.[11]

Ndërkohë mësojmë se cili ishte dhe formacioni i synuar nga Nasi për përbërjen e orkestrës së tij. Duke llogaritur siç thamë më sipër se pjesën e veglave të frymës ai e mbulonte përmes muziktarëve të bandës “Vatra”, pra: 2 flaute, 2 oboe, 2 klarineta në sib, dy fagotë, 2-4 korno, 3 trompa, 2-3 trombonë, 1 tubë, pjesën e harqeve (ose instrumentet e “gjalmit” siç i quan ai – shënimi ynë), e mësojmë përmes llogarive që ai propozon për blerjen e këtyre veglave. Pra, Nasi synonte një orkestër simfonike të përbërë edhe nga 22 violi, 8 violla, 6 viollinçello dhe 4 kontrabasa, duke shtuar edhe timpanët në koston e blerjes së veglave.

Gjithsej nevojitej një shumë prej 565 napolona floriri për blerjen e tyre, për të cilën ai propozoi skemën e mëposhtme të financimit:

  • 100 tregëtarë, nga një napoleonë – 100
  • 7 shtëpi më të pasura të qytetit nga 5 nap. – 35
  • 55 qytetarë të pasur nga 1 napolonë ar – 55
  • 30 tregëtarë të jashtmë të Rumanisë, Misirit dhe t’Amerikës, duke u adresuarë me letra të veçanta – 150
  • Institutat fetare Muhamedane, Bektashiane dhe Orthodokse të Korçës dhe të qarkut – 40
  • Kryeministri, ministrat dhe të tjerë persona të naltë të shtetit me nga një letër personale – 30
  • 3 nëpunës të lartë të qytetit – 6
  • 14 nëpunës të tjerë – 14
  • 20 nëpunës të tjerë – 10
  • 8 shoqëri të qytetit – 40
  • Nga dy prezentacie për këtë qëllim – 30

Suma e përgjithëshme e të ardhurave – 565 napolona flori

Nga shtypi mësojmë se pati gjithashtu fushata në popull për mbështetjen financiare për blerjen e këtyre veglave si dhe të pianos së madhe. Për nder të tyre që quheshin “Ndihmëtarët për blerjen e veglave” u organizuan edhe koncerte të dedikuara për inaugurimin me koncert të veglave të blera. Njëri prej tyre ishte ai për blerjen e pianos: …inaugurimi i pianos u bë me një koncert të Shoqërisë së Arteve të Bukura për nder të “Ndihmëtarëve të Fondit Piano…”, një buqetë familjesh të zgjedhura të cilët i kënaqi përkujdesja e të palodhurit, z. Thoma Nassi me një program të shkurtër, por të rafinuar.[12]

Më pas ai nxiti qytetarinë korçare që ta përqafonte atë, duke i bërë të qartë se ngritja e orkestrës ishte vërtet një formacion që i kishte rrënjët në Korçë, por që rëndësia e saj do të rrezatonte në mbarë Shqipërinë. Fjali të tilla “Korça bëhet me të vërtetë udhëheqëse e qytetërimit në Shqipëri”, se “jemi të detyruarë përpara botës së qytetëruarë të nisim dhe neve të krijojmë vepra të vërteta të qytetërimit”, u kujtonin të gjithëve se ishin tashmë një komb i lirë dhe nuk mund të justifikoheshin më me prapambetjen për shkak të tiranisë turke. Ai rrëzonte çdo argument që mund të ndërmerrej kundër kësaj nisme duke u kujtuar të gjithëve se: … mund të thuani jemi të varfër, po nuk jemi më të varfër se kombet e tjera të Evropës sot për sot!

Ishte më se e qartë. Ky ishte manifesti artistik i Thoma Nasit për të shfaqur haptazi para shqiptarëve përkatësinë e tyre perëndimore[13] në art e kulturë, ashtu si në gjuhë, gjeografi e histori. Sipas tij:… civilizimi nuk sillet me rrobat e mëndafshta, po me vepra përparim­tare, kulturore artistike si orkestra në fjalë e cila meriton çdo sakrificë financiare. Ky ishte hapi i tij i radhës, hap i hedhur në kohën kur misionit patriotik të bandës “Vatra” po ia zinte gradualisht vendin misioni kulturor, në kushtet e një shteti shqiptar që po stabilizohej nga dita në ditë e që kish nevojë për modele perëndimore në edukimin përmes muzikës e arteve në përgjithësi. Dhe ky mision më së pari fillonte me ndërtimin e shenjave kulturore evropiane në Shqipëri. Çfarë dinte të bënte më mirë ai ishte krijimi i institucionit të orkestrës simfonike evropiane. Dhe e bëri!

Orkestra u krijua dhe në datën 6 prill 1924 dha koncertin e saj përurues. Duke klikuar këtu, ose mbi imazhin përbri, mund të shfletoni programin e këtij koncerti.

I pari që shkroi me entuziazëm për krijimin e saj ishte përsëri Sotir Papahristo, ai që nxiti debatin për themelimin e saj, dhe ja se si: …me zellin e aktivitetin e Z. Nassi dhe të Shoqërisë së Arteve të Bukura u formua orkestra e dëshiruar, u mblodhën ndihma për plotësimin e orkestrës me një piano dhe më 6 prill u dha koncerti i parë në sallën e Kopshtores së Mitropolisë[14]. Artikulli vijon me fjalët:… tërë ata që u ndodhë në atë koncert mbetën të entuziasur prej suksesit të papandehur që pati orkestra dhe mbajtën kujtimet më të bukura e më të ëmbla. Kështu me një iniciativë private u krijua një mjet i fortë për të përhapur muzikën në shoqërinë tonë duke sjellë përfundimet e të tëra që ka mbi zhvillimin e shpirtit njerëzor. Me formimin e kësaj orkestre u provua dhe një herë, se sa fuqi ka iniciativa private, dhe ç’gjëra të mira mund të bëhen me anën e kësaj iniciative[15].

Faksimile e artikullit të botuar në gazetën “Shqiptari i Amerikës”, datë 13 maj 1924, ku flitet për premierën e koncertit të orkestrës simfonike të qytetit të Korçës.

Gazeta “Shqiptari i Amerikës” nuk ishte e vetmja gazetë që shkroi për koncertin. “Gazeta e Korçës” i kushtoi vëmendjen e saj kësaj ngjarjeje artistike unike për kohën duke shkruar:…kështu më 6 të prillit dha koncertin e parë të orkestrës simfonike në sallën e Kopshtores së Mitropolisë; në këtë koncert na dha rastin (këtu raste të tilla rrallë janë shfaqur deri tashti), që të shijojmë disa pjesë muzikale, e kështu të shkojmë një jetë të shkurtër me një sferë të lartër e të kulluar me anën e influencës së “Artis divinae[16].

Faksimile e “Gazeta e Korçës” e datës 31 maj 1924 ku flitet për koncertin e orkestrës simfonike të drejtuar nga Thoma Nasi.

Kjo datë nuk është thjesht data e krijimit të orkestrës simfonike të qytetit të Korçës. Ajo është data e krijimit të së parës orkestër simfonike në Shqipëri, e krijuar falë aftësisë dhe vizionit të themeluesit të saj, dirigjentit dhe kompozitorit Thoma Nasi dhe të muziktarëve instrumentistë të bandës “Vatra” dhe artistëve muziktarë të Korçës.

Në këtë pikë nuk ka më rëndësi se cila ishte përbërja nominale e orkestrës së harqeve, cilësia e interpretimit të saj, programi[17] i detajuar i koncertit, në mundi dot Thoma Nasi të plotësonte numrin ideal që kishte në mendje për përbërjen e orkestrës apo jo etj. Me siguri në të ardhmen më shumë do të dimë për këtë datë të shënuar.

Mitropolia e Korçës, në ambjentet e jashtme të së cilës u zhvillua koncerti i orkestrës simfonike i drejtuar nga Thoma Nasi

I rëndësishëm është vetëm një fakt. Që ai e ideoi, konceptoi, organizoi dhe drejtoi orkestrën e parë simfonike në Shqipëri. Pavarësisht se jeta e saj qe e shkurtër, ajo provoi se shqiptarët i kishin kapacitetet e duhura organizative dhe artistike për të krijuar orkestrën simfonike. Fjalët e tij: …dhe çfarë nisje më të bukur të bëjmë se fillimin e një orkestre simfonike, që do të jetë yshqim shpirti për të gjithë, lavdërimi i botës së qytetëruarë” do të shkruhen një ditë me germa ari në historikun e orkestrave simfonike dhe të muzikës së kultivuar në Shqipëri.

Vetëm dy dhjetëvjeçarë më vonë kemi një Orkestër Simfonike të Forcave të Armatosura italiane e drejtuar nga dirigjenti italian Rampi dhe ai austriak Vigelius[18], e më pas gjermane e cila funksiononte pranë Radio-Tiranës[19] dhe interpretonte muzikë drejtpërsëdrejti në radio për dëgjuesit. Pas çlirimit të vendit, me krijimin e Filarmonisë Shqiptare[20], në fillim të viteve 1950, me dirigjent Mustafa Krantjen, u rikthyem te nisma e Nasit për të vazhduar në kushte të reja traditën e orkestrës simfonike shqiptare[21] që ai krijoi, fakt që duhet t’i njihet tash e tutje pa asnjë ngurrim!

Më poshtë kemi shkëputur fragmente nga shkrimi i Thoma Nasit “Përmi organizimin e një orkestre simfonike”[22].

Ç’bëjnë sot kombet për muzikën?

Në gjithë qytetet e mëdhenj të kombeve të qytetëruarë kanë organizata muzikale të mëdha; kanë orkestra simfonike, të përbëra prej artistësh; kanë ndërtesa të posaçme ku lohen simfonitë dhe të tjerat pjesë muzikore të mjeshtërve të mëdhenj të tonit; kanë vende të posaçme ku lohen operat, oratoriot, opereta. Qytetet më të vegjël kanë të pakën një orkestrë simfo­nike përveç orkestrave më të vogëla që mund të numëro­hen me dyzina. Fshatrat, dhe ato më të vogëla do të kenë të pakën një orkestër të vogël dhe një bandë. Këto or­ganizata përbëhen, ato më të vogëlat prej popullit, dhe ato më të mëdhatë, përveç popullit dhe prej qeverive, bashkive, shoqërive, ose prej njerësve artdashës të pasur. Në për kryeqytetet e botës përmbahen orkestra përmi 100 vetash dhe kore përmi 600 vetash. Është fare e sigurtë që nuku ka kryeqytet i nonjë shteti, sa do të vogël, pa nonjë organizatë muzikale serioze, përveç shtetit tonë. Gjithë bota, dyke e çmuare muzikën siç duhet, i ka dhënë rëndësinë më të madhe, dhe jo vetëm qeveritë dhe organizata të mbëdha që përkujdesen për ta përparuarë, po edhe çdo familie veçanërisht. Në Amerikë, në qoftë se pyet një djalë ose një vajzë se ç’str­mente lot, do të çkuqet dhe do të turpërohet tepër në qoftë se është e deturuarë t’ju përgjigjet se nuku di. Kur shkon nëpër sokaket e qyteteve dhe të fshatrave të Amerikës dhe të Evropës, do të dëgjosh më gjith’ anët nëpër shtëpitë të lozin pjano, ose tjatër strumente. Dhe do të shikosh jashtë udhës me qindra vajza dhe djem me strumenta ose rrollin e tyre të muzikës nënë sjetull të drejtohen me nxitim nëpër shkollat muzikore ose të kthe­hen prej atyreve.

Ç’bën Shqipëria për muzikën?

Tashi le të hedhim sytë në Shqipëri të shohim ku gjendemi. Thamë në radhët e para të këti artikulli se strumenta më e zakonëshme që kënaq veshët e shumicës së Shqipëtarëve është daullja, e cila më të shumët here lohet solo, domethënë, vetëm. Shumë herë shohim një orkestër të përbërë prej dy ose më shumë daullesh, do e mos bën më të madh efekt. Pas këtyre vijnë orkestrat më të përparuara të cilat kanë dhe nga një ose dy zurna (zurnaja është stërgjyshi i hautboys ose obosë një nga strumentat me rëndësi të orkestrës). Pas këtyre vjen orkestra ideale e klasit të pare të Shqipëtarëve: Sazet, të përbëra më të shumat here prej një gërnete (kllarinetë), një fyelli, një qimane (violë) dhe një ose më shumë lautash (lauta është një strumente e vjetër Persiane e qojtur el’ud të cilën e gjejmë në kohët e mesme në Evropë me emrin lutë. Eshtë strumenta nga e cila u zhvillua mandolina e sotme).

Këto orkestra përbëhen me fare pak përjashtime prej jevgëve, fare të paedukuar të cilët për këtë shkak nuk përdorin nonjë farë muzike të shkrojtur, po dyke lojtur për ditë nëpër dasma, dhe në të tjera aktivitete sociale, kanë fituarë një teknikë të madhe. Këta muzikanë rojnë një jetë bohemiane; mund të lozin pa lodhur 20 orë ose më shumë, dhe pasi mbarojnë punën e tyre venë nëpër kafeanat me një herë dhe i prishin dyke i pirë të hollat që fitojnë.

Sazet korçare, fundi i viteve 1920

 

Sazet e familjes Poda, Kolonjë, 1930

Kemi muzikë kombëtare?

Këtu lindet një pyetje: a kemi muzikë kombëtare? Përgjigja është po, diç kemi. Dhe për këtë gjë do të flas në një artikull të afërmë, po të më jepet rasti. Sido të jetë ne dëshirojmë që të dëgjojmë muzikë thjeshtë Kom­bëtare; nuk do ta dëgjojmë nëpër qytetet, po nëpër malet dhe fshatrat tona.

Muzika moderne në Shqipëri.

… vitin e shkuarë, me shumë mundime, u organizua një orkestër prej 16 vetash dhe në prezenciet e Shoqërisë së Arteve lojti disa pjesë të mira të Grieg-ut, Biset-it, Beethoven-it dhe të tjerëve, po nga njëra anë, duke mos patur përkrahje morale, dhe nga ana tjatër, dyke u larguar disa nga pjesëtarët e saj u përnda, kështu që e vetëmja organizatë muzikale që existon sot në Korçë, është Banda Kombëtare “Vatra” e përmbajtur nga ana e Bashkisë së Korçës. Qytetet e tjera të Shqipërisë nuk dëgjohetë të bëjnë gjë. Kjo është me pak fjalë gjëndja e Shqipërisë nga pikëpamja muzikale.

Ç’duhet bërë?

Dyke marë parasysh gjendjen tonë muzikale gjejmë të arësyeshme se duhet të mundohemi të formojmë një orkestër simfonike me tërë kuptimin e fjalës. Tashi, përse orkestër dhe jo një tjatër formë organizate muzikale? Se orkestra është organizata që çfaq më mirë se çdo tjatër gjë idealet muzikore më të lartëra. Është organizata mi të cilën bazohen të gjitha veprimet e tjera muzikale, si opera, opereta, valleja kllasike, kori dhe të tjera. Është forma më e lartër e veprimit të artit muzikor. Orkestra nga pikëpamja teknike mund të konsiderohet si një strumente e madhe që mund të nxjerë një shumicë zërash të ndryshme, fuqija e të cilave mund të jetë e vogël ose kolosale. Orkestra përbëhet prej katër familjesh strumentash, prej strumentave të gjalmit, të drurit, të trunxhit dhe të goditjes. Në kohën e ardhme do të shkruajmë më shumë për këtë subjekt.

Si mund të formohet një orkestër?

Thamë më lart se orkestra përbëhet prej katër familje strumentash. Nga këto të tria të fundit d.m.th. të drurit, trunxhit dhe të goditurit i kemi. Kështu që na duhet familja e parë e cila është e gjalmit, d.m.th., violitë, violat, violinçelotë dhe kontrabasatë. Ku t’i gjejmë këto? Përgjigja naturale është t’i sjellim nga jashtë. Po, duke marrë parasysh financat tona nuk mund të ëndërrojmë hë-për-hë që të sjellim një shumicë muzikantësh nga jashtë. Po mund të sjellim aq sa të mundim, fjala vjen, 5,4,2 ose më në fund një mjeshtër të strumentave të gjalmit. Këta, ose ky të përkujdeset së bashku me ele­mentat e tjerë muzikorë të vendit që të krijojnë muzi­kantë dhe muzikëdashës. Muzikantët do të zgjidhen nga të vegjël të shkollave fillore ose më mirë nga Lise-ja. Këta djem, nën përkujdesjen e një mjeshtëri të mirë, nuk do të vonohet të japin pemë të pëlqyera dyke i dhënë studimit të muzikës vetëm kohën e tyre që u tepëron nga mësimet e tjera, dhe pas pak kohë të venë themelet e një orkestre simfonike dhe të krijojnë një atmosferë muzi­kale artistike jo vetëm në Korçë, po do të bëhen shem­bull dhe për të tjerat qytete të Shqipërisë.

Buxheti i vitit të parë

Pra le të zhvillojmë më mirë çështjen duke bërë dhe një buxhet aproksimatif. Buxheti është kështu:

8. Rroga e një mjeshtri të gjalmit për tetë muaj, me harxhet e tjera të udhëtimit – Nap. ar. 180.
9. Për të blerë strumentat e gjalmit, d.m.th. 22 violi, 8 violla, 6 viollinçello dhe 4 kontrabasa – Nap ar. 276
10. Për të blerë një palë timpane – Nap ar. 24
11. Për muzikë dhe vegla të tjera …..Nap ar. 50
Shuma e përgjithëshme e harxheve…. – Nap. ar. 530

Duke mos marrë para sysh që mund të gjenden edhe të tjera mjete për të mbledhur të holla suma e sipërme e kapërxen atë të shpenzimeve.

Çdo vepër e madhe pa sakririca nuku bëhet

Nofta disa po të shohin sumat e sipërshënuara do të thonë se është shumë e zorshme që të mblidhet një sumë aq e madhe, po, më parë duhet të kujtojmë se qëllimi është shumë më i lartër se suma. Duhet të kujtojnë se çfarë efekt do të ketë në botë krijimi i një vepreje të këtillë në Shqipëri. Duhet të kujtojnë se Korça bëhet me të vërtetë udhëheqëse e qytetërimit në Shqipëri. Duhet të mejtojnë se jemi të detyruarë përpara botës së qytetëruarë të nisim dhe neve të krijojmë vepra të vërteta të qytetërimit. Gjer sot nofta mund të justifikoheshim përpara botës dyke thënë se nuk na linte tirania turke dhe prandaj kishim mbetur aqe prapa. Po sot, që jemi një komb i firë, si mund të justifikohemi? Mund të thuani jemi të varfër, po nuk jemi më të varfër se kombet e tjera të Evropës sot për sot. E dini që të huajtë, gra e burra që vizitojnë Korçën çuditen me modhën e grave të Korçës?

Keni vënë re sa simple janë veshur gratë e huaja që kanë vizituarë Korçën? Do t’ju them një shembull tjatër. Një ditë kur po pregatitnim në Odën e Simfonisë (Symphony Hall) të Boston-it në Amerikë simfoninë e pavdekur të 9-tën të Bethoven-it vumë re se poshtë në fronat dy zonja të veshura me robe të paqme, po aqe simple sa do thoshe se të ardhurat e tyre nuk mund të ishin më shumë se 7 dollarë në javë. Më pastaj shikuamë se përkujdestari i Odes vajti dhe u tha se është e ndaluarë të hyjnë në oden orën e praktikës dhe iu lut të delnin jashtë. Aty, duke iu bindur urdhërit, u ngritnë që të shkojnë dyke i kërkuarë ndjesë shërbëtorit, kur për fat i vuri re konduktori i orkestrës dhe qëndroj dyke infor­muarë se ato zonja ishin motra dhe e shoqja e z….. që jepte përmi 30.000 dollarë në mot për të përmbajturë këtë orkestër. Mbanj ment se ky insident na kish bërë një përshtypje të thellë. Po sa më të madhe përshtypje mund të na bënjë, jo vetëm neve po dhe gjithë botës së jashtme, në qoftë se i shohim nënat, motrat, gratë tona nonjë të kremte të dalin jashtë me fustanin e vitit të shkuarë në gjoksin e tyre të kenë varur një konkardë të vogël e cila të shkruanjë: “mbajmë këtë fustan të vjetër, se të hollat që do bënim fustan të ri, i dhuruamë për fil­limin e orkestrës simfonike”. Dhe suma e fustaneve do të mbulonte atë që ësht’ e duhur shumë herë. Civilizimi nuk sillet me robat e mëndafshta, po me vepra përparim­tare, kulturore artistike si orkestra në fjalë e cila meriton çdo sakrificë financiare.

Le t’i përvishemi punës

Pra le t’i përvishemi punës të gjithë me sa na mundet. Duhet të gjithë të përpiqemi, dhe të pasurit dhe të varfërit. Duhet të zgjidhet një komision prej personave më të lartër të qytetit tonë. Zoti prefekt, z. Kryetar i Bashkisë, z. Prokuror, z. Kryegjykatës dhe qytetarët më të lartër dhe më të ndershim dhe të respektuarë duhet të marën pjesë në komisionë që do të mbledhë të hollat. Në vende të tjera të qytetëruara kështu bëjnë. Dhe shpesh herë shëkon Kryetarin e Bashkisë ose qeveritarin më të lartër të lypë ndihmën e popullit nëpër udhët dhe sqenat theatrore. Veglat e lartëra të çdo qyteti duhet të jenë udhëheqës të çdo përparimi të popullit. Vallë mos është shum’ e vogël këjo punë për zyrëtarët tanë të lartër? Apo s’kanë kohë? Po të jetë dëshira, të gjitha bëhen, dhe rasti më i mirë është sot kur fatbardhësisht takoj të kemi zyrtarë idealistë. Pra, nderi i formimit të një krye vepre të këtillë le t’u bjerë këtyre zotërinjve. Neve do të jemi të lumtur vetëm ta shikojmë të formohet, dyke dhënë ndihmën tonë me sa na mundet. Le të mos presim çdo gjë nga qeveria. Le të nisë të veprojë nisiativa private. Dhe çfarë nisje më të bukur të bëjmë se fillimin e një orkestre simfonike, që do të jetë yshqim shpirti për të gjithë, lavdërimi i botës së qytetëruarë, lartësimi i Korçës se ajo më parë se çdo tjatër qytet i Shqipërisë do të shkruhet në historinë artistike të botës, si një faktor artistik.

Korçë, 18 shtator 1923

 

(c) 2020, Vasil Tole. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

[1] Titullin “Viti i mbrapshtë” mban edhe një roman i Ismail Kadaresë i shkruar para viteve 1990.

[2] Shih gjithashtu: “Konferenca e Ambasadorëve”, te Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Vëllimi II, Tiranë, 2008, f. 1242; Muhamet Shatri. Dokumente britanike për çështjen shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, 19121913, Shtëpia Botuese “Toena”, Tiranë, 2012.

[3] Rrethimi dhe lufta zgjati në periudhën kohore 28 tetor 1912 deri më 23 prill 1913.

[4] Cituar sipas: “Mësimdhënia e historisë moderne të Europës Juglindore, Luftërat Ballkanike”, Selanik, 2009, f. 88. Për luftën e Shkodrës shih gjithashtu gazetën Cetinski vjesnik, nr. 33, datë 25 prill 1913, f. 1; Justin Rrota. “Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër ase Rrethimi i Qytetit 1912-1913”, Shkodër, 2010; Ilir Ikonomi. Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti, Tiranë, 2016 etj.

[5] Ndër veprat e krijuara prej tij përmendim “Gavotte”, 24 shkurt 1912; “Scherzo”, 17 dhjetor 1913; “Romanza senza parole”, 9 dhjetor 1913; “Preludio”, 20 mars 1913; “Andante”, “Presto”, “Preludio”, 11 maj 1914; “Le fronde che vedresti rinverdire, romanza, parole di Ada Negri”, 5 dhjetor 1913; “N’amasti mai”, 2 mars 1914; “Fuga me katër zëra”; “Marsh Wied”, klavier, 30 dhjetor 1913; dy partitura për orkestër simfonike: 10 mars 1914 dhe 2 prill 1914; “Sonata, për violinë dhe piano”; “Romanza” për violinë dhe piano 3 shkurt 1914; ”Trio për violinë, violonçel dhe piano”, 6 mars 1914; “Quartetto” për harqe, 24 prill 1914; “Tema con variazioni” 27 janar 1914; “Preludio” për piano, 20 mars 1914; “Preludio”, 29 janar 1914; “Berceuse”, 12 janar 1914; “Minuetto”, 6 dhjetor 1914; “Preludio”, 20 dhjetor 1914; “Sonata”, 19 mars 1914; operan“Arbëreshtja”, Venecia, maj 1915.

[6] Për raportet e shqiptarëve me ushtrinë austro-hungareze shih: Gjergj Fishta. Vepra letrare 10, “Ushtria austro hungareze e të mëkambunit e Shqipnisë”, Lezhë, 2004, f. 121-125.

[7] Për më shumë mbi këtë “skandalkonzert” shih: Joy H. Calico. “Noise and Arnold Schoenberg’s 1913 Scandal Concert”, botuar te Journal of Austrian Studies, Vol. 50, nr. 3-4 etj.

[8] Shkrim i botuar në gazetën Shqiptari i Amerikës, 22, 29 shtator 1923.

[9] Sipas FESH, “Fjalori Enciklopedik shqiptar”, botim i ASH-së: PAPAHRISTO Sotir (1887–1979). Filolog klasik, veprimtar i arsimit, autor veprash pedagogjike, drejtues institucionesh arsimore, përkthyes, kandidat i shkencave filologjike, Mësues i merituar. Lindi në fshatin Dhëmbell të Devollit (sot në Greqi). Pasi kreu gjimnazin e Korçës, vazhdoi studimet e larta për filologji klasike në Universitetin e Athinës. Pas mbarimit të studimeve shërbeu si profesor i gjuhës e letërsisë klasike greke në gjimnazin e Korçës; profesor dhe drejtor administrativ i Liceut Kombëtar të Korçës (1927–1933); drejtor i Institutit Femëror “Nana Mbretneshë” (1933–1939); mësues në shkollën e mesme pedagogjike “17 Nëntori” të Tiranës (1944–1947); përkthyes në SHB “Naim Frashëri” dhe punonjës shkencor në Institutin e Shkencave dhe në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (1948–1968). Botoi disa libra studimorë e pedagogjikë si dhe përktheu e përshtati në gjuhën shqipe një varg veprash letrare të autorëve klasikë grekë si Eskili, Sofokliu, Aristofani, Aristoteli, Plutarku etj.

[10] Artikull i cituar.

[11] Për më gjerë shiko në gazetën Liria, 1 mars, 1983, f. 1-3. Fjala e Thoma Nasit mbajtur në universitetin e Harvardit, Kembrixh, Mass.

[12] Cituar sipas: Gazet; e Korçës, 18 tetor 1924.

[13] Shih gjithashtu: Tochka Nicholas. “To ‘enlighten and beautify’: Western music and the modern project of personhood in Albania, c. 1908-1924”, publikuar tek Ethnomusicology, vol. 59, nr. 3, 2015.

[14] Shih shkrimin e Sotir Papahristos te gazeta Shqiptari i Amerikës, datë 13 maj 1924.

[15] Po aty. Artikull i cituar.

[16] Shih: Gazet’ e Korçës, 31 maj 1924, si dhe Vasil S.Tole. Muzika & Letërsia, Onufri, 1997, f. 16-17.

[17] Referuar të dhënave që jep Kristaq Balli, nga banda “Vatra” apo orkestra e Shoqërisë së Arteve të Bukura janë interpretuar: “Dëfrime Spanjolle” nga Desorme, “Bolero Cadix”, “Simfonia e pambaruar” nga Shubert, “Marshi i Bashkimit” nga Hall, “Minionette Uverturë” nga Bauman, “Largo” nga Handel, fragment prej simfonisë “Bota e re” nga Dvorzhak, “Qiejt tregojnë” nga Bethoven, “Balet Suitë” nga “Mbretëresha e Sabës” nga Guno, “Carmen” (Grand Selection) e Bize, uvertura “Egmond” e Bethovenit, uverturat e operave “Lohengrin” dhe “Mjeshtrit këngëtarë” të Vagnerit etj.

[18] Shih: Tafa Abdullah, Krantja, Ave Musicus. Kavajë, 2000, f. 65.

[19] Shih: Skifter Këlliçi. Historia e Radio Televizionit Shqiptar, Tiranë, 2003, f. 24-25.

[20] Shih: “Gjeneza e orkestrës simfonike shqiptare”, te: Tafa Abdullah, Krantja, Ave Musicus. Kavajë, 2000, f. 85-88.

[21] Studiuesi dhe dirigjenti i mirënjohur Eno Koço e përmbledh kështu historikun e orkestrave simfonike në Shqipëri:… ekzekutimi orkestral në Shqipëri nisi me funksionimin e një orkestre me elemente kryesisht të huaja gjatë Luftës së Dytë Botërore, për t’u shndërruar në dhjetor të vitit 1944 në atë që do të emërtohej Orkestra e Radios, e cila funksionoi deri më 1950. Në këtë vit (1950) kjo Orkestër së bashku me korin dhe grupin e valleve (baletin) do të formonin Filarmoninë Shqiptare dhe tre vjet më vonë, më 1953, mbi këtë bazë do të themelohej Teatri i Operës dhe Baletit. U deshën 12 vjet që nga ndërprerja e veprimtarisë së Orkestrës së parë të Radios për t’u riorganizuar edhe një herë më 1962 si Orkestra Simfonike e Radios apo disa vite më vonë si e Radios dhe e Kinematografisë. Me rritjen dhe fuqizimin e Radiotelevizionit, Orkestra mori peshën e asaj që quhet sot Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Cituar sipas: Eno Koço. Orkestra simfonike e Radios, Tiranë, 2015, f. 17.

[22] Shkrim i botuar në gazetën Shqiptari i Amerikës, 22, 29 shtator 1923.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin