ZGJIDHJA E MATIT DJE DHE PËRSIATJE TË TJERA

Problemi që solla dje, mati me një lëvizje, nuk është i vështirë për t’u zgjidhur, por kërkon atë që e kanë quajtur “lateral thinking”.

Në fakt, i bardhi jep mat duke marrë ushtarin e zi në d5 me ushtarin që në e5 – falë një rregulle të njohur si “marrje në kalim” (e cila mund të ekzekutohet vetëm menjëherë pasi pala tjetër ka lëvizur ushtarin e vet dy kuti përpara).

Çfarë do të thotë se, për të zgjidhur problemin, duhej të përfytyronim se çfarë lëvizjeje i kish paraprirë, duke gjetur ashtu lëvizjen e të ziut.

Kjo lloj analize, që niset nga një pozicion dhe procedon së prapthi, njihet si “analizë retrograde.”

Zakonisht, problemet e shahut i japin pozicionet të ngrira, jo si rezultate lojërash; kush e kërkon zgjidhjen, nuk ka nevojë të përfytyrojë se çfarë ka ndodhur më parë në tabelë.

Pozicionet, në probleme të tilla, nuk kanë shtrirje në kohë; u mungon historia (diakronia).

Megjithatë, ka disa lëvizje specifike, si marrja në kalim ose rrokada, që mund të kryhen vetëm po të jenë plotësuar disa kushte të caktuara: për shembull, marrja në kalim mund të ekzekutohet vetëm menjëherë pas lëvizjes dyfishe të ushtarit; ndërsa rokada mund të kryhet vetëm në qoftë se mbreti dhe torra përkatëse nuk kanë lëvizur më parë.

Si rregull, informacione të tilla nuk i jep pozicioni. Te diagrami më lart, nuk ka asnjë shenjë, asnjë indicie, që i ziu ka lëvizur d7-d5; por këtë informacion na e jep vetë titulli i problemit, “mat me një lëvizje”.

Kur e nxora këtë problem dje në Facebook, një koleg komentoi se pozicioni ishte “barazim i vdekur” edhe për motorin Stockfish, një softuer komercial që luan shah të nivelit shumë të lartë.

Mirëpo kjo vetëm sa tregon që softueri nuk është programuar që të bëjë analiza retrograde, kur i jepet një pozicion çfarëdo për ta “zgjidhur”. Përkundrazi, i qaset pozicionit jo si të ishte “fotogram” i një loje shahu, por si diagram abstrakt.

Stockfish – nëse vërtet e ka deklaruar pozicionin barazim – e ka injoruar faktorin dinamik, duke u nisur nga zeroja.

Diagrami më poshtë sjell një shembull të ngjashëm, që ka të bëjë me të ashtuquajturat “pozicione të paligjshme”, ose që nuk mund të arrihen gjatë një loje normale (radhën e lëvizjes e ka i ziu).

Pozicion i paligjshëm

Natyrisht, i ziu mund të lëvizë mbretin në f7, f8, g8, f6 ose h6; por pozicioni është megjithatë i paligjshëm. Mjafton të pyesim se çfarë mund të ketë lëvizur i bardhi, për ta përftuar këtë pozicion.

Dhe meqë mbreti i zi është në shah, i bie që i bardhi ose të ketë dhënë shah me fil (e pamundur) ose ta ketë zbuluar shahun duke hequr ndonjë gur nga diagonalja a1-h8 (sërish e pamundur).

Që pozicioni është i paligjshëm, kjo varet nga ajo rregull shahu që thotë se lojtari që e ka mbretin në shah duhet ta lëvizë mbretin, ta mbulojë shahun, të eliminojë figurën ose ushtarin që jep shah ose të dorëzojë lojën.

E vetmja gjë që nuk mund të bëjë lojtari që e ka mbretin në shah, është që ta injorojë shahun.

Pozicioni i përmbysur, si në diagramin më poshtë, nuk është megjithatë i paligjshëm:

Pozicion i ligjshëm

Dhe kjo thjesht ngaqë fili i bardhë në h8 mund të jetë shfaqur atje pas një nën-gradimi (underpromotion) të ushtarit të bardhë në h7.

Kush e vret mendjen për këto punë – qoftë edhe për hobby – do ta vërë re se rregulla që thotë se “mbreti nuk duhet lënë në shah” nuk është i njëjtë, nga natyra, me rregullën që përcakton si lëviz mbreti ose çdo figurë tjetër. Kjo e dyta, bashkë me të tjera të ngjashme, është esenciale për lojën, ndërsa tjetra jo.

Ta krahasojmë, për shembull, me rregullën e patit që thotë se “kur një lojtar që ka radhën e lëvizjes nuk ka lëvizje të ligjshme në fushë dhe mbreti i tij nuk është në shah, loja deklarohet barazim.” Kjo rregull nuk është e njëjtë me atë që përcakton si lëviz fili. Prandaj edhe ka zëra që kërkojnë ndryshimin e rregullës së patit, por nuk ka zëra që të kërkojnë ndryshimin e mënyrës si lëviz fili.

Disa nga rregullat, si ajo që përcakton se secili lojtar mund të bëjë vetëm një lëvizje dhe pastaj t’ia lërë radhën e lëvizjes lojtarit tjetër janë kaq esenciale, sa të bëhen pothuajse të padukshme. Të tjera rregulla, si ajo e patit më lart, tingëllojnë më “arbitrare.” Jashtë shahut, do të ishin të krahasueshme, mes të tjerash, me rregullën e ofsajtit në futboll, që është më pak “natyrale” se rregulla që topi nuk duhet prekur me dorë gjatë lojës.

Por le të kthehemi tani te pozicioni fillestar, ai i matit me një lëvizje, që u bë shkas për këto përsiatje.

Një problem shahu – mat, ose etyd – zakonisht merr trajtën e një pozicioni të ligjshëm; edhe pse ka një kategori problemesh që nuk e marrin parasysh këtë kriter. Ideja e përgjithshme këtu, edhe kur nuk formulohet qartë, është se një pozicion i paligjshëm nuk është më shah.

Ashtu mund të përfytyrojmë një bashkësi pozicionesh të ligjshme, të gjeneruara nga një bashkësi e vogël rregullash, dhe një bashkësi tjetër pozicionesh të paligjshme, të cilat nuk mund të gjenerohen nga ato rregulla. Sikurse mund të vendosim, gjithnjë me marrëveshje, që këtë bashkësi rregullash ta quajmë gramatikë të shahut.

Analogjia me modelin gjenerativist të Chomsky-t, për gjuhën, tërheq menjëherë vëmendjen; në fakt, në vija shumë të trasha, gjenerativizmi chomskyan e sheh gramatikën si një sistem rregullash që përfton “fjali gramatikisht korrekte” në një gjuhë të caktuar.

Edhe pse lidhjeve mes shahut dhe gjuhës u dha relevancë të madhe teorike Saussure-i (shihni edhe këtu), modeli gjenerativist i Chomsky-t duket se i përshtatet më mirë raportit mes lojës së shahut, si tërësi rregullash dhe instancës së një loje realisht të luajtur, ose të përftuar sipas rregullave; dhe kjo, në mos tjetër, për shkak të rolit që luan “gramatikaliteti” në vlerësimin e stringave gjuhësore, brenda gjenerativizmit.

Një pozicion i paligjshëm në shah ka ngjashmëri, strukturore, me një fjali gramatikisht jo-korrekte, të tillë si komandantit i dhembin koka, të cilën folësi kompetent i shqipes do ta refuzojë – ngaqë nuk ndjek rregullën e përshtatjes në numër mes foljes kallëzues dhe emrit kryefjalë (koka).

Megjithatë, numri i stringave me gramatikalitet të diskutueshëm, në një gjuhë të caktuar, është shumë i madh; p.sh. një fjali si komandanti me shoqëruesit e vet u largua nga vija e frontit për disa është e pranueshme, për disa të tjerë jo (këta të fundit preferojnë të përdoret u larguan, si kallëzues). Por kjo lidhet me kompleksitetin e madh të gramatikës së një gjuhe, në krahasim me shahun, i cili shtjellohet në një botë artificiale dhe të reduktuar.

Po t’i mbahemi analogjisë linguistike, ato pak rregulla të shahut që parashkruajnë njohjen e historisë së lojës, si ajo e marrjes në kalim ose e rrokadës, mund të krahasohen me rregullat e produksionit gjuhësor që kërkojnë të interpretohen në kontekst. Kështu, një fjali si ishte shumë i zemëruar tingëllon si e rregullt në shqipe, por po ta shohim në kontekstin: Nëna doli dhe e përplasi derën me forcë. Ishte shumë i zemëruar e njëjta fjali do të tingëllonte si jo-gramatikore, sepse mbiemri duhej të ish në gjininë femërore, që të përshtatej me antecedentin (nëna).

Nga Saussure-i te Chomsky, dhe falë analogjisë me shahun a me lojëra të ngjashme me shahun, na përvijohen dy modele të ndryshme të përmasës kohore në gjuhë: i pari ka të bëjë me diakroninë, ose me gjuhën si objekt që ekziston dhe evoluon në rrjedhë të kohës; i dyti me konsekutivitetin e produksionit gjuhësor (sintagmatikën), ose faktin që elementet e thënies dhe vetë thëniet, në përgjithësi, vijnë njëra pas tjetrës dhe, si rregull, çfarë është thënë kushtëzon atë që do të thuhet.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin