Reklama

ÄNDERNSMUSEUM

Kisha dëgjuar prej kohësh për Muzeun Ndryshues, Ändernsmuseum, në Pfilzburg, por gjithnjë kalimthi dhe në kontekst temash të tjera – edhe e dija që ekzistonte, edhe nuk dija asgjë për të.

Yni është një muze unik, më tha një nga ciceronet, që kish dalë të më priste te shkallët, e gatshme për të më shoqëruar.

I ftuar në “Konferencën e shkrimtarëve të pabotuar” – unveröffentlichte Schriftsteller, ironia proverbiale e Mitteleuropas – në atë qytet, u kisha kërkuar organizatorëve të më prenotonin një vizitë në Ändernmuseum.

Koncepti ynë është ai i një muzeu që e krijon publiku, më tha. Çdokush mund të sjellë diçka, një gjësend, një mekanizëm, një aparat, një skulpturë – për ta ekspozuar, me kusht që vijë për ta tërhequr në mbrëmje. Ditët kur nuk kemi ç’të tregojmë të re, themi se kemi ekspozuar Asgjënë.

Edhe ju vetë këto ditë mund të sillni diçka, po të dëshironi, vazhdoi, teksa po dorëzoja pallton dimërore në garderobë.

Prandaj, tha, këtë muze nuk thua dot që e kam vizituar; ose mund edhe ta thuash, por vetëm në kuptimin që ke hyrë brenda në ndërtesë dhe që pastaj ke dalë, natyrisht. Eksponatet e Muzeut tonë Ndryshues janë gjithnjë të ndryshme: çfarë sheh sot, nuk e gjen nesër, me përkufizim. Në rrethana të tjera, do t’ju kisha sugjeruar të linit këtu, për një ditë, pallton tuaj…

Këtu unë qesha, sepse mendova që një pallto në muzé nuk do të ishte atraksioni më i përshtatshëm, për një mot dimëror të thëllimtë si ky i Alpeve.

Dhe cila është tema për sot? – pyeta.

Tema për sot jeni ju, zotëri, m’u përgjigj vajza. Ju ka propozuar vetë Konferenca e Shkrimtarëve të Pabotuar, ku keni fatin të merrni pjesë. Unveröffentlichte Schriftsteller, apo jo? Nuk qëllon shpesh që të shfaqet, në këtë skutë të Bavarisë, një shkrimtar i pabotuar i kalibrit tuaj.

Dhe pastaj më ftoi, me shumë mirësjellje, të hyja në sallë.

 

© 2020 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: