KUR TRAGJEDIA KAPËRCEN FANTAZINË

(Shënime për romanin autobiografik « Vila me tri porta » të Vera Bekteshit)

Nga Ilir Yzeiri

Për Vera Bekteshin kisha dëgjuar të flitej herët, por vetë e kam parë dhe njohur në barin tonë të zakonshëm në Tiranë, te Friend’s Book House. Aty mblidheshin dikur edhe shumë nga ata që janë larguar nga kjo jetë: Andrea, Baxhaku, Rikardi dhe vendet ku rrinim ishin si të ndara. Vera rrinte me ta e, sa herë e shihja, përpiqesha të sillja ndërmend portretin e saj të dikurshëm. Edhe sot ajo i ka të gjitha tiparet e asaj kohës tjetër. Është tipi i femrës klasike. E gjatë, bionde me tipare që nuk e kanë humbur ende vezullimin; mes femrës nordike dhe gjallërisë së asaj mesdhetare. Kisha dëgjuar edhe për legjendën urbane që qarkullonte për të në vitet ’70, si një nga femrat dinjitoze dhe mendjehapura të Tiranës.

Mirëpo tani, megjithëse nuk e shfaq, ti duhet të përgatitesh të kuptosh se ajo mban mbi shpinë tragjeditë dhe vuajtjet që, nëse dikush do të t’i thoshte, nuk kishe për t’i besuar, madje edhe ajo vetë po të t’i tregonte, ti nuk do të mund t’i përfytyroje. Kur e sheh me vëmendje, të duket sikur ajo ka ardhur nga një nëntokë e errët, e zymtë, mbushur me të gjithë të gjëmat e kësaj jete, pa e humbur, ndërkaq, bardhësinë e lëkurës dhe dritën në vështrim, plagët e të cilave ti mund t’i shquash vetëm nëse e vështron gjatë, kur ajo çohet nga tavolina e largohet, sepse kur e sheh, tmerret që ajo ka kaluar, duket sikur janë fshehur në portretin e saj dinjitoz, në vështrimin dhe në qëndrimin drejt e në hijen që lëshon kur ecën në rrugën « Myslym Shyri ».

Ndërsa për romanin e saj « Vila me tri porta » kisha dëgjuar të flitej qysh kur doli në vitin 2018, si version i zgjeruar i « Vilës me dy porta » dhe nuk e di pse, po përmbajtja e atij libri më dukej si diçka e njohur dhe kurioziteti për ta marrë atë e për ta lexuar më largohej dhe i ngjante, kur e kur, asaj gjendjes që na krijohet me muzeun e arteve. Ishte si ajo ngasja që shuhet kur mendon se vepra që rri në galeri, është e njohur për ty për shkak të jehonës që ka krijuar dhe kjo jehonë të duket sikur e ka zëvendësuar takimin dhe ti ke ndjesinë se tashmë e njeh atë. Kohë më parë, kështu më pat ndodhur edhe me romanin e Mustafa Nanos «Lamtumirë baba!» apo me romanin e Myslym Pashës «Statuja».

Ndërkaq, një rrethanë tjetër më bëri që të takohem me Verën dhe pyeta se ku mund ta gjeja librin. E mora pas disa ditësh dhe, sapo u ktheva në shtëpi, e shfletova menjëherë.

Nuk e di a ndodh vetëm me mua, por unë u besoj shumë rreshtave dhe faqeve të para të një romani apo të një teksti në përgjithësi, madje, madje, frazës së parë. Dhe kur lexova fillimin e librit të Vera Bekteshit « Vila me tri porta », u binda se kam përpara një vepër të shkruar bukur, kam një metaforë të shtrirë në kohë. Nuk më mbetej vetëm ta shijoja. Ja fillimi:

«Një ditë shkurti, papritmas, diga e vogël prej dheu të ngjeshur, që mbante presionin e ujit në kanal, u thërrmua prej tij dhe farishtja e duhanit, nga çasti në çast, do të përmbytej. Po përpiqesha me të gjitha forcat të ngjeshja ledhin me lopatë… Nëse përmbytej farishtja, veprimi do të më faturohej si sabotim.

 Në punë e sipër syri më zuri një hardhucë, që uji e kish nxjerrë nga foleja, dhe po e merrte me vete. Përpiqej të ngrihej në tokën e thatë, po bishti i prerë nuk e ndihmonte. Vazhdova punën me shpërfillje ndaj saj dhe me përkushtimin ndaj duhanit, jo vetëm prej frikës së akuzës, por edhe se duhanin e doja, kurse hardhucat si të gjithë zvarranikët në përgjithësi, nuk i shihja dot me sy. Nuk di ta shpjegoj, por ajo hardhucë e vogël bishtprerë më tërhoqi sërish vëmendjen, ndoshta me zhurmën që bënin pllaquritjet e saj. Ktheva kokën për ta parë dhe m’u duk se m’i kish ngulur sytë e veckël të verdhemë:

– Të lutem më ndihmo, e ke kaq të lehtë të më shpëtosh nga mbytja! Bëje për solidaritet,

a nuk je dhe ti e gjymtuar, a mbrohesh dot nga vala që të ka rrëmbyer dhe që mund të të përplasë edhe më keq se mua?

U përkula, i afrova një shkop të vogël dhe ajo u ngjit në tokën e thatë. U zhduk sikur të mos kishte qenë kurrë, por e pashë sërish atij viti gati çdo ditë, kur vinte të më përshëndeste: e pashë të rritej e forcohej pak nga pak dhe dikur i thashë me zë të ulët:

– Ta dish që një ditë do të shkruaj për të gjitha këto ngjarje! »[1]

Kështu fillon romani. Të duket sikur është një parabolë biblike sepse aty çdo shenjë ka një simbolikë më vete. Fati i asaj krijese të mjerë që gjendet e hedhur në një pellg me ujë në një sipërfaqe të pamatë, është i njëjtë me atë të heroinës së romanit, e cila, ashtu si ajo, do të përpëlitet në oqeanin e thellë të vuajtjeve, fyerjeve, privacioneve, spiunimeve dhe absurdeve për të dalë e gjallë. Asaj krijese të mjerë iu desh shumë pak, heroinës sonë – gjashtëmbëdhjetë vjet. Pastaj diga, ngjeshja e saj, farishtet, të gjitha bëhen simbolika e diktaturës së egër që në vitin 1974 nisi fshesën e hekurt dhe vrau, burgosi dhe internoi një pjesë të elitës ushtarake duke i shpallur armiq, sabotatorë, puçistë dhe gjithfarë epitetesh të tjera represive.

Fabula e romanit « Vila me tri porta » vërtitet rreth fatit të familjes së Sadik Bekteshit, një nga gjeneralët dhe hierarkët e lartë të Ushtrisë Shqiptare që u dënua nga Enver Hoxha së bashku me Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon e qindra ushtarakë të tjerë. Autorja e këtij romani është bija e tij.

Kështu, në pamje të parë, të duket se Vera Bekteshi tregon sagën e familjes së saj dhe, në të vërtetë, ajo ashtu e quan librin – roman autobiografik. Mirëpo çfarë të befason në këtë vepër, është talenti i spikatur i saj për ta kthyer një vepër dokumentare, një rrëfim autobiografik në një roman artistik, në një trillim që rrëfen jo vetëm fatin e saj dhe të familjes, por të një shoqërie të tërë, të zhytur në mjerim, në krim dhe në varfëri e cinizëm shpirtëror. Këtu mund të hapen diskutime dhe kjo vepër meriton të studiohet në kurse të posaçme teorike si modeli që prish kufijtë e gjinive letrare.

Autorja tregon me besnikëri, madje edhe duke iu përmbajtur kronikës, historinë e familjes së saj. Ardhja nga zona e Plavë-Gucisë, origjina nga Vuthajt, pra nga trojet shqiptare në Mal të Zi, në Shkodër në vitet ’20 të shekullit të kaluar, përfshirja e të atit dhe e së ëmës në lëvizjen komuniste ngjizin faqet e para të veprës. Rrëfimi për gjyshet dhe brezin e Shqipërisë historike e antike, siç do ta quaja unë, hap paranteza të veçanta. Më tej, ardhja në Tiranë dhe vendosja në një vilë të shpronësuarish. Fëmijëria, rinia, jeta universitare, shkëlqimi i përkohshëm i viteve ’70 dhe pastaj represioni i egër i diktatorit mbi elitën e borgjezisë komuniste. Internimi në Berat. Puna në kooperativë, vuajtjet, spiunimet, arrestimi i babait, pastaj ardhja në Tiranë kur diktatura ra. Jeta në godinat e ish-shkollës së Partisë, një viktimë e kohës së re, arrestimi i vëllait në të famshmen aferë të birrës « Kruna », rifillimi i jetës dhe shuarja e shpresës për të rilindur. Kjo është topika e ngjarjeve të romanit. Subjekti është një rrëfim besnik dhe kronologjik i fateve të njerëzve të familjes Bekteshi. Babai, mamaja, vëllezërit, motra, banorët dhe funksionarët e fshatrave të Kutallisë, Vodës, punonjësit e Degës së Punëve të Brendshme Berat, fqinjët në ambientet e banimit, të gjithë jepen me emrat e tyre konkretë: Guxi, Neli, Zana, Ferdiu etj. Dhe çdo rrëfim për ta nuk është trillim, por një narrativë dokumentare. Autorja, si në një film natyralist, vendos kamerën te personazhi dhe e lë atë të tregojë veprimin. Mjeshtëria e saj është se arrin ta ritregojë apo ta riprodhojë një ngjarje reale me mjetet e imazhit letrar duke qëmtuar ato detaje që kanë shenjueshmëri universale. Në këtë kuptim, vepra, nga letërsi dokumentare, kthehet në letërsi artistike dhe personazhet e saj, nga njerëz realë me emër e mbiemër të dallueshëm, kthehen në personazhe letrare që mbajnë mbi shpinë jo vetëm fatin e tyre, por që shënjojnë një ide, një kohë dhe një emocion të caktuar kolektiv. Ky stil i Vera Bekteshit më kujton pak a shumë regjisorin amerikan Federik Wiseman, teknika e të cilit mbështetet mbi natyralizmin. Ai regjistron jetën reale në një spital psikiatrik, fjala vjen, apo në një qytet të vogël dhe pastaj shkon në montazh dhe ndërton filmin. Ky është pak a shumë edhe stili i Vera Bekteshit, ndaj unë jam në një mendje me Ardian Klosin, që e ka pagëzuar fillimisht këtë vepër si një roman autobiografik.

SHKATËRRIMI I BREZIT ANTIK, VDEKJA E PERSONAZHEVE QË DUKEN SI TË ARDHUR NGA LEGJENDAT

Në kapitullin e parë me titull « Im atë », Vera Bekteshi ndërton narrativën e prejardhjes së familjes së saj. Ajo rrjedh nga një zonë etnike shqiptare, nga Vuthaj, që përfshihet në zonën e Plavës e Gucisë, të mbetura jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, por të përmendura në historinë e vendit për trimëri e virtyte. Emigruar në Shkodër, familja e saj edhe aty bëhet qendër e elitës nacionaliste e përparimtare. Me këtë ravijëzim të shpejtë që ajo i bën familjes së saj, të duket sikur kërkon të thotë se përkrahja që i dhanë familjet e mëdha nacionaliste frymëzimit revolucionar e komunist, rezultoi si një mallkim edhe për ta. Ka shumë personazhe aty, por gjyshet, sidomos, vizatohen me tiparet epike të grave që i ndesh në Lahutën e Fishtës, por që këtu tregohen me realizmin e njeriut që ka jetuar me to. Një nga gjyshet, në një moshë të thyer, e porosit vdekjen dhe ajo i vjen pas gjysmë ore:

« Shumë vite më pas, kur do të ritakoheshim, Fatmiri, djali i vogël i dajës, do të më tregonte për largimin e saj nga kjo botë, se si qante në heshtje çdo ditë për hallin që e kishte gjetur familjen e së bijës, se si një ditë, kur ishin vetëm të dy, ajo e thirri për ta lajmëruar që të bëhej gati se do të vdiste pas gjysmë ore. Ndërkohë, gjatë këtyre minutave, ajo u bë vetë gati për të ndërruar jetë, duke bërë banjë fillimisht dhe pastaj duke u veshur me rrobat që i kishte qepur enkas për këtë punë. Pasi mbaroi krehjen e gërshetave, dhe pasi mblodhi flokët e rënë dhe ia dha nipit në dorë, u shtri në krevat dhe mbylli sytë saktësisht mbas 30 minutave, siç kishte paralajmëruar.

 Fatmiri tregon se kur nga dhimbja, e ngriti bashkë me nënkresën për ta përqafuar, nën të ishin lekët e varrimit. » (f. 43).

Pastaj vizatime të shpejta rrëfejnë të pathënat nga koha e luftës partizane, si vrasja për nder e partizanit të pashëm. Vjen më pas jeta në fakultet, emërimi aty dhe për të shënuar atë epokë që dukej sikur po shkrinte akujt, autorja tregon një darkë familjare ku merr pjesë dhe Kadareja me të shoqen. Ai, thotë autorja, nuk foli dhe nuk lëvizi nga vendi gjatë gjithë kohës.

Pasionet, ëndrrat dhe dëshirat për një jetë normale në një vend që nuk po jepte shenjat se mund të hapej, rrëfehen shpejt. Martesa nuk ka ndonjë vend të veçantë në jetën e saj, por lindja e djalit, Arturit, na rikujton ripërtëritjen e riteve të ngrohta familjare.

FSHESA E HEKURT

Ka nisur furtuna në Ushtrinë shqiptare për shkak të tezave të mbrojtjes. Këtë kontekst historik e njohim dhe për të është folur e shkruar gjatë. Vera Bekteshi është pedagoge në Fakultetin e Shkencave, më parë – studente e shkëlqyer. Është martuar, por i shoqi, pikërisht kur dënohet i ati i saj, kërkon divorcin. Ka marrë shtëpi në një pallat afër Postës. Familja në fillim është transferuar në Korçë, pastaj në Berat. Goditja vazhdon. Një ditë vjen tekniku i elektrikut të Beratit kur familja po merrte apartamentin në dorëzim, një teknik zemërbardhë, i cili kur ikën, nxjerr një letër dhe shkruan: « kujdes përgjimin », ia tregon Zanës, motrës së autores dhe e gëlltiti atë copë letre. Bota po i rrëshqet në këmbë edhe personazhit tonë.

Këtu ajo kthehet pas në kohë dhe ndërton disa intermexo.

Kujton jetën në Bllok, udhëheqësin, Bedri Spahiun që po ngarkonte plaçkat në kamion për t’u internuar dhe babain e Enver Hoxhës që kalon aty pari dhe që e pyet i çuditur se ku po shkon dhe përgjigjja e Bedri Spahiut se kur t’i vijë radha tët biri, të gjejë vend ku të futet. Një pandehmë që nuk u realizua kurrë. Pastaj një detaj tjetër, një fjalim i Enver Hoxhës për shkencën dhe përmendja e një matematikani, Rolës. Pastaj një vizitë e Enver Hoxhës në shtëpinë e Bekteshëve dhe naiviteti i Verës që, duke qenë studente e shkencave, hap bisedën për Rolën dhe kërkon ta theksojë ata pasazh, dhe aty, thotë ajo, pashë një vështrim të egër që nuk e kam harruar kurrë. Edhe kjo është një metaforë e gjetur bukur. Enver Hoxha, në një takim me intelektualët në vitin 1966, kishte përmendur këtë shkencëtar duke ngritur lart shkencën e cila sipas tij mund të vinte edhe jetën në ekuacion. Në fakt e kishte ngatërruar sepse një teori të tillë e kishte hartuar Voltera, matematikan italian, antifashist. Autorja me naivitetin e të riut student e kishte hapur këtë argument kur Enver Hoxha kishte ardhur për vizitë në shtëpinë e tyre dhe e kishte cituar drejt. Mirëpo, Ai dalloi në atë naivitet një dozë ironie dhe vështrimi tij u egërsua sepse ai mori vesh që autorja e njihte më mirë se ai këtë argument dhe zbuloi kështu një pikë të dobët të tij – shkollën e lartë të pakryer:

« Dhe kështu, duke shërbyer kafenë, fillova të flas për Rolën, sa matematikan i madh ishte, aq i madh sa kishte dashur të vinte jetën në ekuacion. Me «ëmbëlsinë» që rrezatonte, më krijoi mundësinë të flisja sikur po bashkëbisedoja me të thjesht si për një të njohur të përbashkët. Pa kuptuar mirë mora atë vrullin që kaplon të rinjtë kur iu duket vetja se çoç dinë, duke tentuar kështu të saktësoja vlerësimin që Ai kish për « jetën », një marrëzi e vërtetë kjo nga ana ime.

Pa mbaruar mirë fjalinë, Ai m’i nguli sytë, nga të cilat u shpërndanë mijëra shkëndija zemërimi, e gjithë lëkura m’u rrëqeth, fjala më mbeti në grykë dhe pikërisht atëherë e kuptova vetë, në lëkurën time, se ç’do të thoshte të kishe të bëje me të. » (f.129-130)

Një kujtim tjetër me Nexhmijen, pikërisht në ditët e plazhit kur protagonistja jonë, ashtu e shpenguar, largohet nga zona e mbrojtur dhe përzihet me të tjerët dhe aty, nga një incident banal, plagoset në kokë. Nexhmija telefonon jo për të pyetur për shëndetin, por për t’i hequr veshin që të mbledhin vajzën.

Blloku, Tirana, Porta e parë e Vilës, nëse do të bënim një paralele me trinitetin e botës sipas vështrimit biblik, mbyllet dhe tani hapet porta e dytë: Ferri.

VITET NË INTERNIM

Dëbimi nga Tirana dhe trajtimi si armiq të popullit i familjeve të atyre që diktatura i shpallte kundërshtarë, është një nga faqet më të errëta të historisë së re shqiptare. Diferenca e thellë që krijohej në këtë rast, përjashtimi që të bënin të tjerët nga jeta reale, survejimi dhe puna e rëndë u kishin dhënë këtyre familjeve pamjen e të burgosurve politikë jo në qeli, por jashtë në komunitete fshatarësh dhe njerëzish që i shihnin si të keqen e tyre në më të shumtën e herës. Pikërisht këtë realitet makabër e vizaton me mjeshtëri Vera Bekteshi. Dua të hap një parantezë. Në Shqipëri, më shumë se gjysma e popullsisë jetonte në fshat dhe në kushte të vështira. Mirëpo, është tjetër gjë fati dhe tjetër gjë fataliteti. Le të ndjekim kamerën e Verës, e cila, ashtu si ajo e regjisorit Wiseman, që përmenda në fillim, do të na çojë në hapësirat e vuajtjes dhe të tmerrit të regjimit komunist duke paraqitur fatin e familjeve të internuara e të përndjekura politikisht.

Familja Bekteshi vendoset në Kutalli të Beratit dhe brenda 24 orëve motra ime, thotë ajo, vuri re në kokën time një shtëllungë thinjash, ndërsa rrëshqiti krehrin mbi to. Pastaj, një ditë, dikush kishte ardhur t’u bënte një fotografi fëmijëve të kopshtit të Kutallisë, por Llazi fytyrëkuq i vatrës së kulturës e kishte hequr nga grupi djalin 3-vjeçar të Verës sepse ai ishte pjellë e armikut dhe fëmija qante me zë të mekur në një anë të gardhit.

Menjëherë duhet të bëjmë për vete edhe devizën e fshatit që këtu punët i bëjnë qetë, traktori dhe gratë. Ndërkaq, në atë ferr të mbushur me fyerje, punë të rëndë dhe përndjekje është edhe Tofiku me tipare njerëzore, Zylfija, Neja, Batija. Këtu Vera Bekteshi e kalon stilin e saj të rrëfimit në pikturë dhe ashtu si një mjeshtre e telajos vizaton portrete që të mbeten në mendje gjatë:

« Ja tani më vjen parasysh Zylfija, gruaja më elegante e fshatit… Ajo, Zylfija, ju nuk do ta besoni po t’ju them se i bënte flokët vazhdimisht permanent dhe e mbante trupin aq drejt sa të dukej se po sfilonte kur ecte, madje edhe kur ishte ngarkuar rëndë… » (f.156-157)

Apo një tjetër personazh, Neja.

« Neja ishte në moshën e pensionit në atë kohë, por i duhej të punonte, sepse kishte një burrë të verbër dhe nja katër fëmijë të vegjël të pamartuar, nga 11 të gjallë ndër 18 që kishte lindur gjithsej. I kishte akoma shenjat e bukurisë, që i trashëgonte e bija e parafundit, Asimeja, që qe e fejuar dhe që në pesë vitet e qëndrimit tonë e pamë si gonxhe para se të martohej, dhe pastaj derisa ikëm e ndoqëm transformimin e saj në një trëndafil të tharë, që humbi jo vetëm lëngun dhe aromën, por së fundmi edhe ngjyrën. Kështu ndodhte me të gjitha vajzat e fshatit, lulëzonin si lulet e bukura të gjembaçëve, që iu zgjat bukuria vetëm një ditë… » (f. 157).

Realiteti i fshatit në socializëm, varfëria dhe puna e rëndë që mbuloheshin me një propagandë të egër e të shpëlarë, në rrëfimin e Verës paraqitet me realizëm dhe nganjëherë me nota groteske. Është mjaft domethënëse historia e Lariskës, lopës që pinte qumështin e saj si për të vërtetuar edhe njëherë që fshati nuk ngopte me ushqim as bagëtitë, jo më njerëzit.

Jeta rrjedh shpejt dhe ashtu si në film, ne shohim imazhin e motrës së Verës, Zanës, që shfaq simptomat e një sëmundjeje që nuk do t’i shqitet më për gjithë jetën, pastaj krenaria e Guxit, vëllait të heroinës sonë, që i kundërvihet brigadierit dhe që e ruan dinjitetin edhe me anë të forcës. Puna e rëndë në lëmë dhe imazhi i atyre që hedhin duajt, i kujton autores klounin e Azmovit duke e pasuruar rrëfimin kështu edhe me informacion kulturor. Dhe pastaj vijnë skenat makabre të varfërisë. Një natë, duke ngrënë bukën me miell misri, një nga anëtarët gjen një dhëmb pastaj një gjë tjetër më të kobshme. Të gjithë kujtohen se në mulli misri ishte bluar bashkë me macen që kishte rënë në gurët e mullirit. Ky makabritet ndiqet nga një tjetër edhe më i rëndë. Një ditë vijnë dhe e marrin të ëmën e autores sonë punonjësit famëkeq të sigurimit të shtetit. Dhe ashtu, e rrëmbyer për një javë, ajo mbajti një qëndrim dinjitoz në një gjyq të kurdisur ku i kërkohej të dilte dëshmitare. Ndërkaq, intensiteti i së keqes rritet. Sëmundja në veshka. Operacioni në Berat dhe aty një tjetër dritë nga një pjesë njerëzish që nuk ishin zhbërë ende. Një sanitare në atë spital i bën masazhin më të mirë dhe i heq dhimbjen e kokës. Por ingranazhi i sistemit vazhdon. Ndërkaq, pas pesë vjetësh familja largohet nga Kutallia.

Ditën që po transferoheshim, thotë autorja, fëmijët e pallatit gjuanin me gurë qelqurinat dhe porcelanet e grumbulluara në tokë para se të ngarkoheshin në kamion. Kjo ndjenjë bulizmi dhe urrejtjeje kishte përfshirë gjithkënd. Ndërkaq, Kutallia kishte qenë një pranverë e vogël para asaj që do të gjenin në fshatrat e tjerë ku do t’i dërgonin. Të duket sikur ata po zbresin në një tjetër rreth të së keqes. Si për ta vërtetuar këtë pakëz dritë, autorja përmend kartolinën e Myrtos nga Kutallia ku shkruhej : kur ishit ju Kutallia ishte qendra e botës, tani është kthyer në një humbëtirë. Myrtoja kishte arritur të mos përfillte orientimin për t’i urryer ata dhe frikën. Ai kishte mall dhe u nisi edhe një kartolinë.

Vodëza ishte një fshat tejet i prapambetur dhe i varfër dhe bënte pjesë në kooperativën e Sheqëzës. Vuajtja, sipas diktaturës, duhet të ishte në lëvizje dhe jo stabël.

« Ajo që vumë re porsa mbërritëm, ishte se Vodëza nuk dallohej vetëm për varfërinë dhe mungesën e ujit, por edhe nga përqindja e lartë e të metëve apo eksiqëve, siç i quanin ata, dhe që përfshinte përveç banorëve edhe një qen të goditur në kokë, që bridhte pa asnjë qëllim të caktuar rrugëve të fshatit, me organin mashkullor përherë në ereksion të plotë. » (f. 233)

Edhe këtu, ashtu si një vëzhguese e hollë, ajo ka regjistruar personazhet më të dalluar të këtij areali që e tregojnë atë vend jo si një realitet, por e transformojnë në një utopi artistike dhe banorët realë kthehen në personazhe nga mjeshtëria e rrëfimit. Barosh beqari, Rufania si mishërim i ligësisë, Burka dhe pastaj Malo karrocieri dhe kali i tij i çuditshëm që sillet në atë vend si të ishte një nga banorët surrealë. Në fund të jetës së tij, ai ikën si i tërbuar dhe e mbyll atë cikël mbi tokë duke shqyer herdhet e tij, organet gjenitale, të cilat e kishin bërë të famshëm për çiftëzimin në atë zonë, për ta përmbyllur me Burkën, bandillin që nuk harronte të tregonte se ishte dhe ai aty, apo Azbija, personazhi empatik nga shtresa e ish-çifligarëve.

Tani jo vetëm internimi që ka marrë rrjedhën normale, por edhe jeta duket se nuk mund të ndalojë më. Dhe autorja e lë të rrjedhë. Mes absurdit dhe groteskut, mjerimit e vuajtjeve ka disa herë edhe shkëndija jete. Në pyll, Guxi me Nelin, dy vëllezërit e autores, bëjnë shaka të rrezikshme me Dashon, sekretarin e partisë. Diku tjetër autorja ka bërë për vete edhe sentencat që janë si një kod i veçantë për fshatarët e atyre anëve dhe që i ndihmojnë ata të ndërtojnë një realitet tjetër në ligjërim:

« Dimri është i vështirë, veçanërisht në skamje dhe do marrë pakëz me të mirë që të kalojë sa më butë. » « Kur pret drurin e moçëm ai qan, qan me lot gjaku. » (f. 259).

Tirana, iluzionet e jetës në Bllok kanë mbetur pas dhe tani shihen si një mallkim, por edhe realiteti i ri, jeta në një fshat të largët, të varfër dhe kushtet e vështira prodhojnë normalitetin fatal dhe tragjik. Zana, ish-sportistja e Tiranës, një nga vajzat e dalluara të kryeqytetit i dorëzohet fatit, dashurisë me Ferdiun nga fshati Vodëz që e do si i marrë, që martohet me të dhe sot jeton mes Tiranë dhe Finlandës. Historia e dashurisë së tyre, me kërcënimin e egër të policisë sekrete të Beratit që Ferdiu të mos ta merrte Zanën, trajtimi si të burgosur dhe mbyllja në shkollën e fshatit për një natë, lindja e Zanës që ngrihet natën dhe shkon në këmbë në qendrën spitalore me ujërat e lindjes që i derdheshin nëpër këmbë janë si skena filmi. Puna në kanal një ditë para se të lindte dhe ndihma që i jep aty një ushtar kur e sheh me barkun deri te goja, janë fragmente të një jete që e kalojnë trillimin.

Nga tragjiciteti, Vera kalon te një lloj komedie apo humor i zi. Vizatimi i jetës dhe familjeve të internuara në atë fshat, dhe kam parasysh këtu familjet Kati, Alibali dhe Duma, bëhet me nota ironie shpeshherë dhe autorja arrin të ruajë një farë drejtpeshimi emocional në këtë paraqitje. Mirëpo, talenti i saj spikat sidomos në qëmtimin dhe në rrëfimin e absurdit. Nëse në Vodëz gjejnë një qen të çmendur që ecën si budalla me organin gjithnjë në ereksion, nëse Lariska, lopa e Kutallisë pinte qumështin e vet dhe kali i Malos në fund shqeu herdhet e tij, këtu në Vodëz, Jusuf Alibali shfaqet si një personazh i një kohe tjetër. Në çdo mëngjes ai merr librin dhe shkon lexon te mani madhështor në qendër të fshatit. Ky imazh aristokratik dhe libri që ai lexon, duket sikur e sfidojnë kultin e punës dhe materialitetin e një jete që ndërtohet mbi vuajtjen me kazmë e lopatë. Për ta përçmuar dhe përsëndytur këtë imazh, Këshilli popullor i fshatit kërkon një zgjidhje dhe atë e gjejnë në ekstazën e disa të rinjve që natën shkojnë te mani dhe bëjnë nevojën rreth tij. Ky imazh, së bashku me atë të fëmijëve që qëllonin enët e porcelanit kur familja po ngarkonte plaçkat për në Vodëz, janë dy nga skenat që vizatojnë shfytyrimin që kishte pësuar vetëdija e njerëzve të indoktrinuar me dhunën dhe me kultin e vulgaritetit material.

Ashtu si në fillim, kur pas ikjes në internim, autorja e kthen rrëfimin pas me anë digresionesh, edhe këtu, ajo kthehet prapa në kohë dhe faqet ku ajo përshkruan dy njerëzit më të fuqishëm të diktaturës, Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun janë nga më të bukurat.

Ndërkaq, urrejtja dhe lufta ndaj kësaj familjeje nuk ka marrë fund. Arrestohet edhe i ati. Do të mjaftonte vizita në spitalin e burgut për të rikujtuar edhe njëherë trajtimin çnjerëzor të diktaturës ndaj kundërshtarëve politikë. Jeta në fshat me aventurat e Ferduçit, me pulat apo me shelegët, ndërthuret me lajmin për vdekjen e Enver Hoxhës dhe stili fiton edhe një veçanësi tjetër: ndërthuren përshkrimet e bukura me analizat politike. Ja një fragment. Ferdiu, burri i Zanës, ka marrë një lopë dhe Zana mëson ta mjelë.

« Lariska e mori veten dhe filloi të jepte qumësht. Derisa u mësua Zana, Ferdiu nuk shkonte në punë pa e mjelë. Kur filloi ta milte vetë, Zana më thoshte se s’kishte gëzim më të madh sesa kur mbushej kova me qumësht, ishte një ndjenjë e përafërt me lumturinë, që nuk krahasohej me vjeljen e domateve në shportë apo e lakrës në thes…

Po provonim një pas një të gjitha sistemet shoqërore gjatë atyre 16 vjetëve që ndenjëm në fshat: patëm filluar në Kutalli me socializmin kooperativist, që pak nga pak u katandis në karikaturën e vet në Vodëz, pastaj jetuam urinë dhe pocaqinë e feudalizmit mesjetar, për të mbërritur në fund te kapitalizmi infantil… Na mbeti pa provuar vetëm komunizmi i vërtetë, ai i librave, që u trumbetua aq gjatë te ne. » (f. 399-400).

Si për ta bërë rrëfimin më të butë dhe për ta kthyer tonalitetin në gjendjen që vizaton atmosferën e trishtë të mallit, autorja përshkruan me mjeshtëri momentin kur pas 16 vjetësh sheh përsëri detin. Treni që vinte nga Lushnja po kalonte në Golem. Ajo po shkonte bashkë me djalin për në spitalin e burgut. Pasi u kishte shpëtuar dy të njohurve që e ndiqnin jo aq për vitet e kaluara bashkë sesa për detyrën e re që kishin marrë, ajo sheh detin dhe përlotet. Kishin kaluar 16 vjet pa e parë atë masë të madhe e të paanë uji blu.

Mirëpo vetëm kaq se rrëfimi futet përsëri në rrjedhën e ritmit të jetës me shumë ulje ngritje. Në çdo faqe ka një skenë të rëndë. Lind Ana, vajza e dytë e Zanës dhe ishte aq e dobët sa, kur e lamë bashkë me mamanë, kujton autorja, asaj iu shqit edhe lëkura. Ndërkohë, Neli, vëllai i autores, i shquar për gjueti dhe nishan, tani, aty në Vodëz bëhet mjeshtër për të vrarë miza dhe miushë që popullonin banesën. Mamaja i vjedh cigaret dhe skena kur ai e dikton, të mbush me një ndjenjë humori të ëmbël dhe ata vetë tashmë janë kthyer në personazhe dhe ti mendon se po lexon ndonjë novelë të Çehovit ku absurdja me naivitetin pleksen në një shfaqje të vetme.

PORTA E TRETË

Vjen pluralizmi, zgjedhjet e para shumëpartiake në kooperativë. Këtu lexuesi ka rastin të shohë një tekst serioz të shkruar për një nga periudhat më të komplikuara të historisë sonë. Kur zgjedhjet e para pluraliste nxorën fituese ish-Partinë e Punës, unë, thotë autorja, pyeta vëllain tim, Guxin, që pse ndodhi kështu.

-A i mban mend pëllumbat e Arturit? – m’u përgjigj ai me të parën.
-E ç’hyjnë këtu pëllumbat, – i thashë.
-Epo bëje lidhjen!

Kur u arrestua babai, fshati përhapi « teorinë » se ne përdornim pëllumbat për të marrë e shpënë lajme me kryeministrin. Pastaj, kur ne qeshëm, na thanë se ai që ther pëllumbat për mish, e pëson nga mallkimi i tyre. E kur ne i thamë se mallkimi më të madh se të vish e të jetosh në këtë humbëtirë nuk ka, ata na u përgjigjën se do të shihni më pas. Ne u mbrojtëm sërish duke thënë se kur fëmija sëmuret, do therësh jo vetëm pëllumbin, por edhe shqiponjën, po të ra në dorë… » (f. 444).

Familja Bekteshi ka ardhur në Tiranë dhe autorja na rikujton edhe njëherë ish-shkollën e Partisë aty ku futën kokën ish-të internuarit dhe ish-të burgosurit politikë në vitet ’90. Të duket sikur po sheh anë të padukshme të purgatorit. Ardhja në Tiranë, rifillimi i jetës në një vend të dërmuar e të shkatërruar nuk është e lehtë. Nuk mjafton, mesa duket, vetëm liria. Si mjeshtre e detajit, Vera Bekteshi na tregon plagën e re të emigracionit, por përmes një personazhi emblematik, Guxit, djalit të vogël të Rizait, samarxhiut të fshatit dhe buçës së tij që u endën me ditë të tëra rrugëve për të arritur në Greqi. Ndërkaq, në ish-shkollën e Partisë, aty ku dikur shkëlqente marksizëm–leninizmi, sot ishte vendosur pjesa më e goditur nga ajo filozofi dhe dikush këtë gjendje e vendosi edhe në vargje:

Moj shkollë e Partisë ç’të ka rënë zija
Varur nëpër tela rroba vija-vija.
Atje ku marksizmi mësohej më parë
Sot vejnë e vinë vetëm ca zuzarë.

Ndërkaq, lexuesi është në ankth se si do ta përjetojë autorja rikthimin edhe njëherë te fakulteti i shkencave. Në intermexo 2 ajo tregon takimin me shokun e saj të fakultetit, Fatosin dhe telefonata me të ëmën nga një telefon ku ajo i thotë se fillova punë, të ngjajnë se lidhin një fill të këputur, por nuk bashkojnë më jetën. Ishte telefoni i zyrave të Institutit Meteorologjik, ku ajo filloi punë pas ardhjes në Tiranë. Ajo tashmë ka mbetur e thyer në dysh.

Nis rituali i zakonshëm i kthimit në jetën normale. Një vizitë te Kadarenjtë duket sikur e sjell përsëri gëzimin e jetës dhe rikujtimi i poezisë së Kadaresë « Patat fluturojnë në formë V-je », me aluzionin e germës së parë të emrit Vera përziejnë një emocion dhe një kohë të zymtë që ndrin vetëm një çast, atëherë kur kujtojmë fluturimin apo ikjen e saj.

Vetëm tani në fund autorja e hedh vështrimin brenda saj. Deri këtu ajo kishte përdorur stilin filmik dhe, si një regjisore e ndjeshme, kishte regjistruar gjithçka që do të paraqiste në filmin e saj absurd dhe tragjik të jetës në internim. Tani të duket sikur ajo e lë kamerën diku, mbyll sytë dhe hyn në një introspeksion të thellë. Ëndrra e vilës me tri pamje, ashtu si vila me tri porta, i shfaqet asaj si kuintesenca e këtij rrëfimi.

Ritakimi me ish-shoqen informatore, puna në Institutin e Meteorologjisë, piktura e Rjepinit dhe cinizmi kolektiv për të rikthyerit nga burgjet e internimet të kujtojnë ndjenjën armiqësore të dikurshme. Ndërsa arrestimi i të vëllait në demokraci, Guxit, në aferën e njohur me emrin birra « Kruna » kur ai ishte drejtor i Birra Tiranës, të duket se shënjojnë fatalitetin e këtij vendi që edhe pse ndryshoi sistem, edhe pse u largua nga diktatura, nuk arriti e nuk po arrin të ndërtojë vetveten.

Rikthimi në Vodëz, por tani si eksperte e fondit të zhvillimit dhe ndërtimi i rrugës atje, apo takimi me Azbijen që vjen nga Amerika dhe pinë një kafe në Tiranë, vulos kështu rrëfimin për një vend tragjik, absurd dhe të pakuptueshëm.

Vera Bekteshi na rrëfen, më në fund me shumë art vitet 1974 – ’90 me realizmin e një shkrimtareje klasike, duke i siguruar kulturës shqiptare një dëshmi monumentale për një nga periudhat më të zymta të historisë sonë.

PËRFUNDIM

Në letërsinë shqiptare të pasviteve ’90, tema e diktaturës është trajtuar në disa anë. Ajo është bërë objekt në vepra artistike nga autorë që ose kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë në këtë utopi ose kanë qenë të tërhequr prej saj për shkak të qasjes anatemuese dhe antikomuniste të autorëve të caktuar.

Edhe letërsia dokumentare filozofike me analiza dhe refleksione, ndërthurur edhe me përvoja personale është zhvilluar ndjeshëm në këtë kohë. Ndërkaq, në traditën e letërsisë shqiptare me këtë argument janë edhe disa vepra të tjera të çmuara, ndër të cilat do të veçoja atë të at Zef Pllumit «Rrno për me tregue » librin me kujtime dhe refleksione të Petro Markos, «Retë dhe gurët –autointervistë me vetveten », të Vedat Kokonës « Endur në tisin e kohës », të Jusuf Vrionit dhe Erik Fay « Kujtimet e një europiani » .

Ndërkaq, një pjesë shumë e rëndësishme është edhe letërsia që e ka vizatuar atë periudhë nga një prej realiteteve më tragjike, nga burgjet e diktaturës.

Jam përpjekur disa herë të kuptoj pse vetëvrasja e Mehmet Shehut ka tërhequr vëmendjen më shumë se të gjitha ngjarjet e kohës së diktaturës dhe e kam pasur të vështirë ta kuptoj deri në fund. Mjaft të kujtojmë se për të është shkruar thuajse çdo ditë për gati 30 vjet. Po të njëjtën gjë kam menduar edhe për këtë roman të Vera Bekteshit, pra pse ky rrëfim autobiografik me nota letrare është kaq tërheqës dhe pse kjo vepër të bën kaq shumë përshtypje ? Një përgjigje ndoshta mund të jetë edhe ajo që thotë Aristoteli të Poetika e tij kur flet për tragjedinë :

« Një armik që vret armikun e tij, as për vetë aksionin në vetvete, as në prag të kryerjes së tij, nuk bën asgjë që të ngjall mëshirë, përveç efektit të prodhuar nga akti vetë. Kështu ata duken si personazhe indiferentë mes tyre.

Por kur ngjarjet ndodhin mes personazheve miq ; ose për shembull një vëlla i shkakton ose është duke i shkaktuar vdekjen vëllait të tij, një djalë ia shkakton atë nënës së tij ose që kryen një aksion analog, ja çfarë duhet kërkuar. » [2]

Nga kjo pikëpamje tragjedia e familjes Bekteshi është një konflikt mes miqsh apo brenda familjes së madhe të komunistëve, ndaj dhe efekti tragjik është aq i madh. Ndaj edhe krimet që ndodhën brenda familjes së madhe të komunistëve vijojnë të tërheqin publikun ende.

Ndërsa romani autobiografik i Vera Bekteshit është pasqyra më e plotë për një nga periudhat më të vështira të historisë shqiptare të diktaturës ose më saktë për fundin e saj tragjik që u shënua si një dështim katastrofik në ekonomi, në politikë por edhe në anën shoqërore.

Përmes fatit të saj dhe të familjes, Vera Bekteshi, e pajisur me intuitë dhe talent të veçantë, paraqet në këtë roman anën më tragjike të socializmit shqiptar. Në rrafshin politik ajo tregon luftën e egër të klasave dhe paranojën e diktatorit për të sunduar deri në fund me gjak dhe duke eliminuar edhe bashkëpunëtorët e afërt. Në rrafshin ekonomik kjo vepër e Bekteshit është ndër pasqyrat më të qarta të shkatërrimit që pësoi sidomos ekonomia shqiptare në fshat, në të cilën ekonomi, kolektivizimi absurd dhe veçanërisht tufëzimi e ktheu atë në skllavëri dhe në mjerim. Nga ana shoqërore, Bekteshi tregon shfytyrimin që kishte pësuar shoqëria shqiptare e cila e indoktrinuar deri në palcë kishte humbur humanitetin. Ndarja e thellë klasore, përçmimi i tjetrit që projektohej si armik nga paranoja e diktatorit, shndërrohej poshtë në shoqëri në një copëtim social dhe filli që i mbante të lidhur ishte urrejtja. Nga pikëpamja artistike, Vera Bekteshi, e zhytur në këtë tragjedi zbuloi talentin e saj prej shkrimtareje profesioniste dhe arrin të na e tregojë atë realitet me mjetet e absurdit, duke qëmtuar detaje që vizatojnë me qartësi të zymtë një vend anormal me njerëz që e si kuptim të jetës kanë stërmundimin për të siguruar minimumin e një jete pa dinjitet dhe në të cilën jetë jo solidariteti por dredhia, urrejtja dhe përpjekja për të përfituar sa më shumë nga ajo që duket se është e përbashkët, janë motivet që i lejojnë të marrin frymë. Më në fund, Vera Bekteshi, me një forcë të rrallë, na ka treguar se si paranoja e kolektivizimit, urrejtja klasore, mbyllja dhe gjithçka që pretendohej si socialiste, kishte krijuar në fakt një realitet absurd që deri edhe kafshët i kishte çmendur.

© 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Vera Bekteshi, VILA ME TRI PORTA roman autobiografik MAPO editions, tetor 2018, botim i ripunuar, fq. 1-2.

[2]   POETIQUE D’ARISTOTE https://www.documentacatholicaomnia.eu/03d/-384_-322,_Aristoteles,_Poetique,_FR.pdf

VIII. Un ennemi qui tue son ennemi, ni par son action elle-même, ni à la veille de la commettre, ne fait rien paraître qui excite la pitié, à part l’effet produit par l’acte en lui-même. Il en est ainsi de personnages indifférents entre eux). POETIQUE D’ARISTOTE

Mais que les événements se passent entre personnes amies; que, par exemple, un frère donne ou soit sur le point de donner la mort à son frère, une mère à son fils, un fils à sa mère, ou qu’ils accomplissent quelque action analogue, voilà ce qu’il faut chercher. (P-14-15) (Përkthimi sipër i imi, I.Y.)

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin