ANADOLLI BRENDA NESH

Nga Gjeto Bashari

Libri i fundit i Gent Osmanit, Anadolli: nënvetëdija e modernitetit shqip (Botime Uqbar, Prizren 2020), i kap lexuesit në befasi, si histori e një kultur-gjeografie imagjinare.

Anadolli i viziton letrat e sotme shqip si emër i një zgjatimi të Azisë në Europë – të njohur edhe si Azia e Vogël, por me pafajësinë tashmë të humbur të paktën prej një shekulli e gjysmë. Osmani nuk humb kohë me penelata gjeografike dhe antroponomastike, por hidhet drejtpërdrejt te vizioni i Anadollit si vendi origjinë, ose Urheimat-i, i Perandorisë Osmane në Ballkan.

Gjithnjë i pranishëm sot e kësaj dite në realitet,– vëren autori – Anadolli si koncept i referohet kohës kur edhe shqiptarët ishin pjesë e Perandorisë Osmane; duke u paraqitur kështu, këmbëngulje, si antipodi i trojeve tona brenda hapësirës perandorake; që vijon të ekzistojë, edhe kur perandoria ka pushuar së qeni.

Si burim i supozuar i një ekzeme mendore “orientale”, shkruan Osmani, Anadolli sjell mes nesh të keqen për t’u shmangur – të cilën të keqe shqiptaristët e kyçën dikur në neologjizmin anadollak, jo më “banor i Anadollit”, por tashmë “njeri i prapambetur, që mendon e vepron sipas zakoneve të vjetruara e prapanike; njeri i pagdhendur, i vrazhdë.”

Këtë semantizëm Osmani e krahason pastaj me të turkoshak, “që vepron a qeveris me mënyra të prapambetura e të vrazhda; që u përmbahet zakoneve të vjetruara e prapanike; që ka mendime e sjellje të trasha; anadollak.”

Fjalët janë vërtet sinonime, thotë Osmani, por te dallimi mes tyre qëndron te specifika e Anadollit, brenda hartës imagjinare të shqiptarisë në Botë.

Nga Anadolli duket se kanë ardhur jo vetëm pushtuesit turq, por edhe vetë “turqëria” si filozofi të jetuari, që kurrsesi nuk duhet ngatërruar me jetën islame.

Brenda Perandorisë Osmane, Anadolli i kundërvihej kështu Rumelisë, duke ia lënë Stambollit rolin kritik të balancimit mes Azisë dhe Europës. Edhe sot do të kërkojmë dhe do të gjejmë me mijëra Stambolle të tilla balancuese në miniaturë, kudo ku shqiptarët duan të ngrenë një mur, një urë, një statujë, një varr a një institucion.

Njëlloj si ato zgavrat e thella të frerit, që pjellin demonë, edhe Anadolli besohet të ketë dërguar drejt nesh – shqiptarëve europianë – të keqen ottomane shekull pas shekulli, në forma groteske “aziatike”.

Asgjë të përbashkët nuk duket të ketë ky Anadoll me Azinë e Vogël dhe qytetërimet e saj që në kohët prehistorike – nga Troja dhe Hititët, te Greqia Helenistike dhe pastaj Bizanti.

Edhe pse dikur djep i kulturave dhe i diversitetit, Anadolli u riformatua, prej turqve osmanë, në mishërimin psiko-gjeografik të rrafshimit të mendjes. Kjo, gjithnjë sipas tropeve të kulturës pop të shqiptarisë moderne, të cilat Osmani i identifikon me durim, por pa i paragjykuar.

Në Anadollin “tonë” nuk lëviz asgjë: gjithçka duket sikur pret përzishëm që të bjerë nata, për t’u ndezur zjarret e karvanarëve dhe për të dëgjuar pastaj, gjithnjë për së largu dhe në ngadalësi, kolonën zanore të vajtueshme të një bote që refuzon t’i shfaqet të tretit, mysafirit, të huajit. Një bote që tashmë i është shkrirë velloja me fytyrën.

Për Shqipërinë dhe shqiptarët, nën Perandorinë Osmane, Anadolli vjen e simbolizon gjithçka të largët dhe jetërsuese. Është masa gjigante e Azisë, që kërkon të depërtojë në Europë, por duke u shtërzuar. Është hernia e përbindshme barkut aziatik të përbindshëm, e zhytur më kot në ujërat e Mesdheut.

Anadolli dhemb e sëmbon.

Ashtu edhe anadollakët mes nesh thuhet se qenkan çmimi shëlbues që paguajmë të gjithë, për frymët e humbur të shqiptarëve në Anadollin perandorak.

Në disa hapësira të imagjinatës kolektive të Rilindjes, shkruan Osmani, Anadolli është vendi ku të dërgojnë për të ndëshkuar; vendi ku të bëjnë syrgjyn.

Vetëm ky lloj haraçi njerëzor mund të shpjegojë dyndjen zvarritëse të së gjithë atyre të tjerëve që, të nisur nga Anadolli, përfytyrohen se erdhën e zunë rrënjë mes nesh.

Anadolli është frikë.

Duke qëmtuar pastaj me lupën e filologut, në letërsinë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX, Osmani menjëherë pikas paralele të theksuara mes Anadollit dhe Siberisë – edhe i pari, edhe e dyta, si hapësira rezervë perandorish, për të ushtruar instinktet më të ulëta të pushtetit.

Anadolli ishte Siberia e Perandorisë Osmane, vëren autori; ose e kundërta – Siberia ishte Anadolli i Perandorisë Sovjetike.

Ushtari i Anadollit është më i miri në botë, thotë një nga turqit të romanit Kështjella të I. Kadaresë; duke i bërë haptazi jehonë mitit të ushtarit siberian, gjatë Luftës II Botërore.

Por ky Anadoll, mitër bujare asqerësh të duruar si dheu, të besës dhe të bindur si dheu, ka tani nevojë për frymën e bijve të egër të një trualli delirant, si Shqipëria, vazhdon ai personazh, për të sunduar dynjanë.

Vendi i stepave dhe i pluhurit, i mërzimit dhe i përgjumjes, paska pasur nevojë për marrëzinë që pjell mali.

Duket sikur suksesi i Perandorisë Osmane, vëren autori i esesë, u themelua mbi këtë kompromis të shkretëtirës me lartësinë – të stepës dypërmasore me vertikalitetin.

Aq sa edhe vetë aftësia jonë sot, për ta veçuar Anadollin dhe për ta ekzorcizuar prej trashëgimisë sonë identitare, mund të interpretohet si një lloj sëmundjeje auto-imune, ku trupi (dhe shpirti) hyn në luftë me vetveten.

Kapitulli i fundit, i esesë së Osmanit, i kushtohet Anadollit në hapësirën publike shqiptare bashkëkohore – dhe përdorimit të tij nga ligjërimet publike përkatëse.

Dëshira difuze, për ta gjetur Anadollin në shtresën e turqizmave që u mbijetuan spastrimeve të mëdha të shekullit XX nuk është, thotë autori, veçse shenjë e përtacisë ideologjike.

Edhe vetë gatishmëria, me të cilën figurat publike në Shqipëri dhe në Kosovë distancohen prej Anadollit, madje duke e matur virtytin e vet sipas distancës prej atij vendi imagjinar, tregon – thotë Osmani – se të kaluarën ende përpiqemi ta mbajmë larg duke e varrosur, në vend që të distancohemi prej saj duke u zhvendosur.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Gjeto Bashari ka studiuar letërsi të krahasuar dhe filologji autori në universitetin e Fuorigrotta-s, Napoli. Ka botuar disa libra me ese dhe kritikë letrare. Që prej tre vjetësh, jep lëndën Hyrje në Ballkanistikë, në Universitetin Oriental të Tiranës.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin