KUR BOTA E LIRË I KËNDONTE STALINIT

Më qëlloi të lexoj, këto ditë, vjersha që poetë komunistë në Perëndim, në vitet 1940-1950, ia patën kushtuar Stalinit – kjo pas polemikës rreth një copëze nga autobiografia e Nerudës, të botuar tek Ex Libris.

Poetët në fjalë – ndryshe nga kolegët e tyre nën totalitarizëm – ishin të lirë të shkruanin për Stalinin.

Lexova të plotë oden e Nerudës, pastaj ca pjesë nga një ode e Éluard-it. Kjo e fundit m’u duk veçanërisht e keqe.

E dija që kish edhe Ricosi një të tillë; unë nuk di greqisht, por për fat ma dërgoi të përkthyer Sokol Çunga (e falënderoj).

Edhe Ricosi, sikurse Neruda, shkruajnë për vdekjen e Stalinit: tronditja u jep shkas të dyve të pikturojnë imazhin që kanë për vozhd-in sovjetik.

Ricosi shkruan për paqen, bukën që mbrun Stalini, zjarrin që ndez Stalini nën vorbën e nënos, prozhektorët që ndez Stalini për ata që s’kanë as kandil, trenat me vaj bukë dhe qymyr që dërgon Stalini për të uriturit.

Veçanërisht ironike, kjo e fundit, për njeriun që personalisht dhe qëllimisht shkaktoi zinë e bukës në Ukrainën e viteve 1930, që numëroi miliona viktima.

Ricosi përmend flamuj, kambana, bedena, llogore, diellin, dhe të tjerë simbole të dala boje. Për të mesazhi i Stalinit, këtij gardiani burgu të gjysmës së botës, është “Mbrojeni Lirinë, o kombe!”

Stalini i vjershës së tij është shpëtimtari i popujve dhe lehtësuesi i vuajtjeve: ai sjell paqe dhe liri, ai jep për të ngrënë dhe mban ngrohtë.

Një vjershë fetare e rëndomtë, ku mungon veç Zoti. Ose më mirë, ku Zotin e ka zëvendësuar një idhull djallëzor.

Pyes: çfarë e lidh Stalinin e këtyre vargjeve me liderin në Kremlin? Asgjë. Ricosi i këndon një produkti monstruoz të konfeksionuar nga propaganda sovjetike – mbase me porosi “nga lart”.

Që këtej edhe shpjegimi për vargje dhe figura tejet të dobëta, si kjo e Stalinit që shkroi “me diejt e 74 viteve të tij” një libër të trashë prej çeliku, dhe “e mbështeti në gjunjët e botës”.

Pyetje: Mirë çeliku që rrjedh i shkrirë nga emri, po si u shkruaka një libër me diej? Përgjigje: me orientim nga Partia.

Dhe si ndodhi që dielli hipi në podium në Sheshin e Kuq, ku të sharron bora dhe acari? Përgjigje: me direktivë nga Partia.

Nuk ka asgjë komuniste, në këto vargje të Ricosit; por vetëm himnizim formulaik të një despoti, përmes klisheve pseudo-kristiane të poverty porn.

Kushtuar dikujt që, në realitet, kish burgosur miliona dhe që ish drejtërdrejt përgjegjës për krizën më të madhe bujqësore në historinë e Rusisë.

Poverty porn, në një kornizë konvencionale të zisë së krishterë: tri herë bien kambanat, brenda kësaj vjershe të shkurtër, edhe pse poeti kërkon që të ndalen.

Do të më thonë: Ricosi nuk e dinte.

Mbase nuk e dinte, edhe pse këto gjëra nuk ishin të panjohura. Më mirë është të thuash: komunist, në ato vite, ishte ai që refuzonte të dinte për krimet e Stalinit.

Në këto shina lëviz edhe poema e Nerudës, Ode a Stalin, që mund të lexohet spanjisht këtu, anglisht këtu.

Neruda flet edhe ai për vdekjen e Stalinit, thotë ku gjendej kur i erdhi lajmi (në Isla Negra, përballë detit të trazuar), pastaj fillon të rrëfejë, varg pas vargu, historinë e shekullit XX – që kurrë nuk më është dukur më e gjatë dhe më e mërzitshme.

Poema e tij lexohet, në pjesën më të madhe, si ndonjë kryeartikull i Pravda-s, me pak garniturë kitsch të tipit: Stalini, me hapin e vet të qetë, hyri në Histori i shoqëruar nga Lenini dhe era.

Pasi harxhon dhjetëra vargje me grurë, traktorë dhe lokomotiva, nobelisti kilian zbulon ligjin stalinist: ¡Ser hombres! ¡Es ésta la ley staliniana! (“të jemi njerëz”).

(Unë do ta parafrazoja kështu: provoni të mbeteni gjallë, njerëz!)

Kur e përtyp këtë tallash të Nerudës, them me vete: kot u paskemi rënë në qafë tanëve.

Stalini i Nerudës paska ndihmuar deri edhe mollët në Siberi që të lëshojnë fruta! Në Siberinë e arkipelagut Gulag…

Dhe ndryshe mbase nga Ricosi, Neruda dinte.

Për të ruajtur sadopak respektin për veten, këta poetë “planetarë” nuk i këndonin Stalinit, politikan pragmatist dhe udhëheqës dorë-hekurt i shtetit të sovjetëve, por një Plaku të Vitit të Ri të proletariatit botëror, në mos figurinë prej druri e një kishe fshati a lodër prej lecke në koshin e lodhur të fëmijës global.

Në fund të odes së tij, rrëfen për një peshkatar iriqësh deti, në ishull, që i afrohet për të ndarë me të hidhërimin.

“Ishte më i urtë se gjithë ne të tjerët bashkë”, i thotë i porsa-shfaquri Nerudës, “duke vështruar në det, me sytë e plakur prej populli.”

Pastaj, pas një minute heshtjeje të detyruar, peshkatari shton:

“Por veprën e tij tani do ta vazhdojë Malenkovi.”

Udite, udite! Hera e parë, dhe besoj e fundit, që një nulitet si Malenkovi e çan rrugën drejt vargut poetik… Ky aparatçik dhe yesman i Stalinit, që e vazhdoi besnikërisht Stalinin për nëntë ditë (!) vetëm dhe më pas nuk arriti as të dalë nga skena si duhet, kur e dëboi Hrushovi me një shkelm mollaqeve të tulta.

Peshkatari i poemës, megjithatë, kish shpresë. Dhe me shpresën e vet, habiti edhe një ujk deti të vjetër, si Neruda.

Yo lo miré sorprendido pensando: ¿Cómo, cómo lo sabe? ¿De dónde, en esta costa solitaria?

(E pashë i habitur, duke menduar: Si e di ky këtë? Si? Nga e ka marrë vesh, në këtë breg të shkretë?)

Dhe pastaj e gjen menjëherë përgjigjen:

Y comprendí que el mar se lo había enseñado.

(Dhe e kuptova se ia kish thënë deti.)

Qesharake që një përbindësh politik i shekullit, si Stalini, të përfundojë kështu, i pllaquritur në kitsch.

Këta poetë që i këndojnë forcës së Stalinit janë, në fakt, provë e gjallë se Stalini kish forcë deri edhe t’u diktonte poetëve më të mirë si të prostituoheshin në skenën e letrave.

Më e dobëta, nga vjershat që lexova, ishte nga Paul Éluard (Ode à Staline), e vitit 1950: po riprodhoj ca pjesë këtu më poshtë:

Staline dans le cœur des hommes
Sous sa forme mortelle avec des cheveux gris
Brûlant d’un feu sanguin dans la vigne des hommes
Staline récompense les meilleurs des hommes
Et rend à leurs travaux la vertu du plaisir
Car travailler pour vivre est agir sur la vie
Car la vie et les hommes ont élu Staline
Pour figurer sur terre leurs espoirs sans bornes.

Et Staline pour nous est présent pour demain
Et Staline dissipe aujourd’hui le malheur
La confiance est le fruit de son cerveau d’amour
La grappe raisonnable tant elle est parfaite.

Si mund të rrjedhë kjo grappe raisonnable nga pena e një artisti të hollë surrealist, si Éluard? Përgjigjja: me urdhër suprem të Partisë.

Çfarë të bie në sy, kur lexon vargje të tilla, është edhe vizioni global – ose projeksioni i hijes së Stalinit mbi botën mbarë; kjo, edhe në pajtim me filozofinë komuniste të “proletarë të së gjitha vendeve…” Bota si tenxherja ku zien pilafi i revolucionit proletar botëror. Stalini vetëm aksidentalisht është në krye të shtetit sovjetik: ai është “mbret i botës”, por vetëm në atë kuptim, që edhe Jesus-i quhet “mbret” – bota ku mbretëron, komunizmi, ekziston vetëm në të ardhmen, ose në realizim e sipër (Et Staline pour nous est présent pour demain).

Vizionet e Ricosit, Nerudës dhe Éluardit për Stalinin janë, në thelb, të krishtera; mbase po aq sa edhe retorika e tyre.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin