DY TREGIME

nga Blerina Kanxha

Seritë e asaj që panë sytë

1.

Mundi të rrëfente me detaje se ditën e djeshme e kishin ndjekur qyshse kishte dalë prej shtëpie e derisa u kyç brenda natën vonë. Një burrë me shall të kuq i ishte vënë nga pas me idenë, gjithnjë sipas rrëfimit, për ta parë nga afër. Me ç’tha, hapat e tij ishin të shpejtë, ndërronte trotuaret sa herë ai i ndërronte. Tek ecte nxitimthi, ishte ndalur në një kryqëzim e priste me padurim të kapërcente rrugën. E kuqja e semaforit, e ndali. Burri nga pas u zmbraps. Nuk ndjeu më hijen e tij. Paskësh kthyer sytë nga ana tjetër e rrugës e burri me shall të kuq i kishte ngritur dorën si për ta përshëndetur. Si e pat parë, stakoi kokën menjëherë drejt rrugës së tij. E gjelbra pulsonte. Nga ana tjetër, në rrugën përbri, një djalë e vogël e paskësh ndjekur hap pas hapi, madje e kishte pyetur edhe si e kishte emrin. Por, gjithnjë sipas asaj që na tregoi, ishte larguar me vrap dhe ishte fshehur në rruginën e parë të sigurt nga prej ndjeu se një plakë në ballkon ia kishte përgjuar rrugën me sy, sepse një mesoburrë me motor kishte dalë me qëllim për t’ia prerë rrugën. E kishin ndjekur macet, disa zonja të cilat kishin veshur taka, shoferi i autobusit paskësh marrë një tjetër linjë vetëm për të parë se ku do të shkonte, disa makina rresht nuk e kishin lënë të qartë gjer në fund të qytetit aty ku punonte zakonisht.

Pasi doli nga puna, makinat i bënë dritë, autobusi e kishte pritur macet i kishin dhënë sytë e tyre për ta udhëhequr në errësirë. Derisa hyri në shtëpi. Na tha se, komshiu sa herë dilte në dritare dhe e zgjaste kokën për të parë mesa duket ç’bënte. E në shtëpi nuk kishte grila. Sytë e dikujt tjetër, krejt tjetër nga njerëzit që i ishin vënë pas, po e vëzhgonin, pa e lënë të qetë.

2.

Të gjithë e njihnin se punonte ne Institutin e Studimeve Kozmike. Të gjithë thonin se ai donte të shkonte në Hënë. Të gjithë ishin të bindur se ai po punonte të shkonte në Hënë dhe bashkë me të do të shkonin edhe të tjerë. Të largoheshin nga Toka. Thonin, se i kishte premtuar të shoqes se do të shkonte në Hënë. Ajo do të ishte e para grua e cila do të shkelte në sipërfaqen e vrazhdë e me dritë, pa të. Aty, qukat e së shoqes do të merrnin kuptim. Sepse qukat e saj ishin si pullat e hënës. Sa herë ia recitonte këtë krahasim, ajo mblidhte shpatullat në siklet. E linte të fliste, pa i vënë fre planeve të tij. Ai vazhdonte punonte me padurim për të parë gjëra që do ta largonin nga themelet të cilat kishte ngritur në këtë Tokë.

Thonin, se gënjente vazhdimisht. Ishte e pamundur që ai të shkonte në Hënë. Ai punoi sërish, që ajo të shihte Hënën. Ajo, shkoi në Hënë. Ai, nuk mundi dot të shkonte jashtë kësaj Toke. Tanimë vërtitet rrugëve të këtij qyteti, e mendon se qukat nga fytyra e gruas, janë shndërruar në kometa, që e gjejnë kudo të fshihet. E gjuajnë, e gjuajnë, e nuk e lënë të lëshojë frymën e fundit.

3.

Përgjatë fluturimit, piloti shihte me zili gruan që do të shkelte në Hënë, ndaj humbi kontrollin. Së paku, kështu thanë. Para mendjes iu fanitën tërë fytyrat që njihte. Nga frika se mos harronte ndonjë njeri, përpiqej të kujtonte edhe njerëzit më të rëndësishëm, të gjallë a të vdekur me idenë se ndoshta do t’i gjente ata në një mënyrë a tjetër në cilëndo botë të shkonte. Për fat, piloti mori kontrollin e u nis drejt Hënës me kujtimin e njerëzve të mbetur në kokë, duke mbirë si bërthama qershie. Hëna, tanimë, i dukej dru me rrëshirë, në të cilin vështirë ishte të shkelje. Atmosfera qe e tillë saqë gruan e sëmuri ideja se nuk mund të shkelte mjedis të sheshtë. Apo të vraponte. E të dy mbetën në ajër, duke kujtuar se sa mirë do të ishte të binin si kometa, të ndizeshin si shkrepëse e të ktheheshin si hi në Tokë.

Historia e shkurtër e një miu

Ndjeva se mund të nuhas sërish. Nata e shkuar më kishte lodhur shqisat ndaj mund të merrja frymë vetëm me gojë. Në bajame kisha gjithë pluhurin që hidhej nga abazhuri që qëndronte mbi kokën time. Mami e urrente pluhurin në shtëpi. Sidomos kur dielli i pasdites binte mbi tavolinën e xhamit e bënte të dukej edhe pluhurin nën shtroje.

Jam gjallë, marr frymë, nuk mund të lëviz. Gishtërinjtë e vegjël ndiejnë puhizën e lehtë që vjen nga dritarja, gishtërinjtë e vegjël nuk janë të mbuluar më shtrojë, kanë ftohtë, por nuk mund të lëviz duart që të zgjas shtrojën të më mbulojë këmbët. Shtroja, si bisht nuselale, më mban në afsh të ngrohtë. Njësoj sikur në dimër përpiqem të ngroh majën e hundës. Gishtërinjtë e këmbës janë maja e hundës. Por duhet të qëndrojnë jashtë në rast se dikush më prek, mund ta ndjej prej këmbëve. Në rast se ka kandrra në dhomë do të qëndrojnë në lëkurën e pastër dhe do të mund të çlirojnë nga shtrëngimi i muskujve. Do të frikësohem, uroj të frikësohem, kështu do të zgjohet çdo qelizë nga frika.

Në fshat, në verë, një fëmijë i vogël, i lidhur mirë në djepe, duke fjetur, vdiq i mbytur nga një nuselalë e zezë me bishtin e gjatë. Fshati ishte plot me nuselale të zeza. Gjithmonë duke gjetur minj për të kollofitur. Ashtu siç pulat mbanin larg gjarpërinjtë. Ashtu siç macet mbanin larg çdo gjë. Edhe nuselalave u jepej e drejta të mbronin shtëpitë nga diçka. Besohej se shtëpitë që nuk kishin gjela i pllakoste fati i keq. Gjelat ishin fat. Gjelat që vareshin si qafore, gjelat që mbarsnin pulat. Shtëpia ku pllakosi fatkeqësia, nuk kishte gjela. Kishte vetëm nuselale, sepse kishte shumë minj. Ndaj nuk dua të jem më i mbuluar në shtresa, dua që të ndjej lëkurën e ftohtë, gati për të reaguar, për t’u trembur, për t’u alarmuar. Kështu mbase do të çohem.

Mendova: sa mirë që nuk janë nuselale. Në këtë shtëpi ka vetëm minj. Mendova: ata kanë thonj. Mendoj se me bishtin e tyre do të më shtrëngojnë siç shtrëngojnë nuselalat me bishtin e tyre fëmijët e vegjël në djepe. Ndërkohë minjtë prej kohësh, përpiqen të gërryejnë në muret e këtij pallati. Kanë marrë kohën e tyre për të gërryer me këmbët e tyre çdo tullë, ngadalë, përpiqen të ndërtojnë tunelin e tyre të sigurt për të qenë në këtë shtëpi. Të futën në bufe, të hanë ushqimin që unë kam blerë. Ushqimin që nëna e fëmijës që vdiq përpiqet ta mbledhë në arë, e që shëtit nëpër kompanitë të cilat procesojnë ushqimin, grurë, misër, elb. Të gjitha të çimentuara në kazanin e madh të një fabrike që prodhon drithëra, që më ushqen mua, që ushqen nënës e fëmijës në fshat që nuk është më.

Në një dhomë në dyshemenë e së cilës qëndrojnë minj të mëdhenj të cilët më përshkojnë trupin, lëvizin në mënyrë të parregullt në vrimat që kanë punuar me vite e vite të tëra për të ndërtuar, për të lëbyrë në çdo centimetër të këtij vendi në të cilin unë kam jetuar. Në të cilin unë mendoj se kam jetuar. Ndaj, ndjeja që më shponte hundët, minjtë ishin në shtëpi.

Kështu ndjeva se mund të çohesha. Mbylla çdo vrimë që minjtë kishin hapur. Zaptova me rërë të rëndë çdo mur. Ndërrova dyert, bravat, çelësat. Dy muaj më vonë, pasi era e rëndë e kanaleve të ujërave të zeza që sollën minjtë, u zëvendësua me erën e çimentos. Pas dy muajsh, pune, ashtu siç punuan minjtë për të ardhur në shtëpinë time, me shumë durim, duke gërryer e gërryer pafund, ndjeva nevojën të qëndroja i shtrirë në shtrat. Shpuplova jastëkun.

Më në fund shtriva trupin në shtrat. U mbulova me shtrojën e rëndë, me gishtat e këmbës të lënë jashtë shtrojës. Sapo ndjeva valën e parë të gjumit, tek sytë ishin skuqur dhe kërkonin prehje, ndjeva se një çark i zi kishte zënë këmbën e majtë. Mblodha çarçafin, për të parë, shiritin e hijes që reflektohej prej grilës, e diellin që këmbëngulte me vizllimin e tij në xhamin e dritares.

(c) 2020, Blerina Kanxha. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin