PUNË QË BËHET

LEHTËSIA E PAPËRBALLUESHME E TË QENIT KANDIDAT PËR NË GJYKATËN KUSHTETUESE!

nga Denar Biba

Në hyrje të tempullit të perëndisë Apollo, në Delphi të Greqisë antike, thuhet se ishin gdhendur tri maksima. E para dhe më e famshmja, urdhëronte: “Njih vetveten”! Dy të tjerat që pasonin ishin “Asgjë me tepri” dhe “Siguria çon në shkatërrim”. Të tria keto maksima, të cilat iu atribuohen mendjeve nga më të mençura të antikitetit, në thelb mund të përmblidhen kështu: “Mos e tepro, njih vetveten, mbaj vendin që të takon në realitetin e gjërave në këtë botë, përndryshe me sjelljen tënde mund të bësh dëm!”.

Gjithë sa më sipër më erdhën menjëherë ndër mend ndërsa lexova në media lajmin (shokues për mua) se mbi 16.000 individë(!) janë vetë-kandiduar në platformën “Deputetiqeduam.al”, përmes së cilës të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për të qenë pjesë e listës së hapur të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit (shiko http://www.gazetatema.net/2020/10/21/shqiptaret-te-fiksuar-per-tu-bere-deputete-16-mije-qytetare-regjistrohen-per-4-dite-ne-platformen-e-ps/).

Aty për aty, mendova edhe për furinë e aplikimeve të para disa ditëve për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, apo aplikimet për në Gjykatën Kushtetuese. Me dhjetëra vetë, disa prej te cilëve pothuajse të panjohur apo absolutisht të panjohur dhe pa asnjë eksperiencë dhe/ose kontribut në, respektivisht, fushën e zgjedhjeve apo drejtësinë kushtetuese.

Mbresëlënëse – në gjykimin tim – kjo lehtësi e papërballueshme për të aplikuar për funksione kaq të larta shtetërore, kjo mosnjohje e papërgjegjshme e vlerave dhe aftësive personale, vrastare kjo siguri të cilën disa bashkëqytetarë e kanë në ato përmasa sa guxojnë ta shohin veten të denjë për të qenë deputetë, anëtarë të KQZ dhe, mbi të gjitha – për shkak të rëndësisë e specifikës, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese!

Listat shumemrore të partive për zgjedhjet kanë ende kohë për t’u bërë publike dhe, deri atëherë, kandidatët do kalojnë nëpër shumë filtra, disa prej tyre parimore e ndonjë jo; anëtarët e KQZ në ndërkohë janë zgjedhur e kanë nisur detyrën, me një kryetar e disa personalitete si anëtarë që na japin garanci të arsyeshme se vendimmarrja institucionale do të jetë e pranueshme (çka është shumë për standardin e demokracisë shqiptare, ku të gjithë presin, por asnjë nuk beson te mrekullitë); por, Gjykata Kushtetuese ende nuk është në formatin e saj të plotë e eficient.

Mbetet në vullnetin dhe përgjegjësinë profesionale e morale të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) e më pas Presidentit, Kuvendit dhe Gjykatës së Lartë që, mes kandidaturave, të përzgjedhin dhe emërojnë si gjyqtarë kushtetues individë me kapacitete të respektuara si juristë (mundësisht të së drejtës kushtetuese) dhe reputacion në profesion e në jetën publike. Presioni i madh i kohës dhe faktorëve të tjerë politikë (kombëtar e ndërkombëtar), ndërsa vlen për aq sa vlen, nuk duhet të ndikojë në atë mënyrë që të pasohet nga përzgjedhje të nxituara, pasi dëmi potencial që mund të shkaktojnë individë të cilët nuk ia kanë idenë fushës dhe filozofisë shtetformuese mund të jetë i pallogaritshëm. Një shembull se në çfarë mund të përfundojë nxitimi për të krijuar institucione thjesht për hir të të plotësuarit të një angazhimi ndërkombëtar e kemi te KPK dhe KPA, një pjesë e anëtarëve të të cilëve janë thjesht mediokër, ndërsa ka dyshime të forta se nuk plotësojnë as kriteret formale për të qenë në ato pozicione. Ambasadorja e SHBA, me eufemizëm pranoi se ato janë institucione jo-perfekte, por këtë standard nuk duhet ta tolerojmë për Gjykatën Kushtetuese. Pasardhësit e juristëve me emër të madh, si Sokol Sadushi, Xhezair Zaganjori, Sokol Berberi, Fehmi Abdiu, Petrit Plloçi etj. (përtej kritikës, pëlqimeve e mospëlqimeve personale të gjithkujt për secilin prej tyre) nuk mund të jenë thjesht individë që kanë 15 vite që kanë mbaruar fakultetin e drejtësisë, ndërkohë që si eksperiencë të vetme pune kanë qenien juristë në biznese private apo struktura publike periferike, pa asnjë publikim apo kontribut akademik. Afërmendsh, do të ishte e tepërt të pretendonim për personalitete shumë-dimensionale si Ruth Bader Ginsburg, gjyqtarja e ndjerë e Gjykatës së Lartë të SHBA, por nuk është e paarritshme, në nivel krahasimor sidoqoftë, të kemi shumicën e gjyqtarëve tanë kushtetues me tituj akademikë (si Gjykata Federale gjermane) apo me punime shkencore në fushën e së drejtës (si anëtarët e Gjykatës Kushtetuese italiane).

Nëse disa kandidatë kujtojnë se Gjykata Kushtetuese është një vend pune dhe aq e nuk e dinë vendin e tyre në jetë, KED nuk ka thjesht detyrën t’ua tregojë, por më shumë se kaq, ka misionin historik.

(c) 2020, Denar Biba. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin