DÉCALAGES

Për një periudhë kohe, në Shqipërinë e viteve 1970-1980, djemtë që mbaronin shkollën e mesme nuk mund të vazhdonin drejtpërdrejt universitetin, pa kryer një vit “stazhi” në prodhim – në një fabrikë ose ndërmarrje (njëlloj si për shërbimin ushtarak, vajzat nuk e kishin këtë detyrim). Synimi politik i kësaj paranteze ishte që të merrej kontakt me “klasën punëtore”, në kuadrin e trekëndëshit arsimor revolucionar “mësim-punë prodhuese-edukatë fizike dhe ushtarake” të adoptuar në vitet 1960. Përndryshe, eksperienca reale e post-gjimnazistëve në stazh rezultoi përgjithësisht mjerane, brutale, shpesh e mërzitshme dhe çoroditëse për të rinj të papërgatitur që të jetonin ashtu. Mua më dërguan të punoja në Fabrikën e Tullave, në Vorë, bashkë me ca të tjerë nga Samiu; tre prej nesh patëm fat që nuk u përfshimë drejtpërdrejt në prodhim, por u sistemuam në oficinën e rimontit – edhe pse gjithnjë në një mjedis si prej shtëpie korrektimi dhe të rrethuar sa nga qymyri, aq edhe nga hostiliteti i përgjithshëm. Pati të tjerë që e pësuan shumë më keq – sepse ne të Vorës të paktën ktheheshim pasdite në shtëpi, por ca të tjerë u degdisën në provincë, në punë të rënda dhe kushte të tmerrshme, si të internuar.

Kështu e pësoi edhe një shoku im, po e quaj Berti, që u emërua si krah pune në një ndërmarrje shpimi, diku në Mirditë ose në Pukë. Ndenji aty nja dy muaj, i sfilitur nga puna e rëndë fizike, ushqimi i keq dhe ambienti ku nuk përshtatej dot; pastaj nuk duroi më dhe e mori në sy të “arratisej” nga vendi i punës dhe të kthehej në shtëpi në Tiranë. Stazhin nuk ishte e lehtë ta braktisje – për të vazhduar studimet e larta duhej marrë miratimi i ndërmarrjes ku të kishin dërguar të punoje; por Berti nuk e kish dhe aq të lartë mesataren dhe gjithsesi nuk kish shpresë se do t’i dilte e drejta e studimit: prandaj edhe muajt e kaluara në baltë dhe në të ftohtë, duke mirëmbajtur sondat, po i dukeshin torturë e kotë. Prandaj edhe u shfaq një ditë te dera e shtëpisë, ku prindët e pritën me këmbët e para. Ç’ka ndodhur? Pse e le punën? Ishte edhe një frikë se kjo farë braktisjeje mund të vinte edhe me pasoja në biografi. Berti, që e kish vendosur tashmë se ç’do të bënte, filloi të raportonte me tone tejet dramatike për kushtet e punës në shpim: balta, shiu, mushamaja, turni i tretë, rreziku për aksidentim vdekjeprurës… Erdhi një moment – më tregoi më pas – kur fillova të qaj, ca ngaqë më qahej vërtet, ca për t’i bindur nënën dhe babanë, ende skeptikë. Që andej nuk do të dal dot gjallë, u tha. Por në mes të këtij tensioni, kur prindët ishin vënë para dilemës nëse dëshironin vërtet që djali i tyre të linte kokën te një sondë shpimi, bie dera: tak-tak-tak.

Kush është? Posta! Çfarë na ka ardhur? Një letër nga Berti… Posta në Shqipëri aso kohe vonohej pak. E hapin prindët letrën e Bertit, që ky e kish shkruar më se një javë para arratisjes. Jam mirë, u thoshte, mos u bëni merak për mua. Nuk më mungon asgjë. Me punën po mësohem, le që nuk është aq e rëndë. Do bëj si do bëj. Shokët i kam të mirë, kujdesen për mua… E lexojnë prindët letrën dhe pyesin: nëse këtë e ka shkruar Berti, atëherë kush je ti këtu? Çfarë ka ndodhur me ty? Nëse na ke gënjyer, çfarë duhet të na bëjë që të të besojmë tani? Dhe Berti e pa të arsyeshme të qante prapë: si përfundim, mbeti në Tiranë dhe, siç e priste, e drejta e studimit nuk i doli; por të paktën i kurseu vetes muaj internimi, ose pagesën shpirtërore për një mall që nuk do ta kish marrë dot gjithsesi.

***

Lexuesit e interesuar e dinë që narrativa e zhanrit fantashkencor procedon me topos-e, ose kategori narrative që shtegtojnë lirisht nga një vepër në tjetrën, si ajo e udhëtimit në kohë (time travel) ose tjetra e kompjuterëve të vetëdijshëm (sentient computers); mes këtyre, edhe topos-i i anijeve të brezave (generation ships) të quajtura ndonjëherë edhe arka ndëryjore (interstellar arks), të përfytyruara si anije gjigante, në gjendje të transportojnë mijëra, ndonjëherë dhjetëra-mijëra pasagjerë, së bashku me ekologjinë e nevojshme për t’i mbajtur këta gjallë, nga sistemi ynë diellor drejt një ylli tjetër. Gjatë kohës së gjatë që vazhdon udhëtimi, “popullsia” e anijes do të jetë në gjendje të riprodhohet, çfarë do të mundësojë, të paktën teorikisht, një udhëtim edhe prej mijëra vjetësh drejt një destinacioni përndryshe të paarritshëm. Ideja e kësaj teknologjie i atribuohet Konstantin Ciolkovskit, njërit prej baballarëve të astronautikës; por pastaj u adoptua menjëherë në fantashkencë, si një zgjidhje relativisht e besueshme e sfidës së kapërcimit të distancave ndëryjore me shpejtësi jo shumë të madhe. Në disa vepra tashmë klasike të fantashkencës amerikane, rrëfehet si ekipazhi i një anijeje të tillë gradualisht e humb kujtesën e prejardhjes së tij dhe mësohet ta konsiderojë anijen jo më si mjet transporti, por si “atdheun” e vet të natyrshëm (Robert Heinlein, Orphans of the Sky dhe Harry Harrison Captive Universe). Edhe vetë ideja se banorët e këtyre anijeve të ngadalshme, gjatë shekujve që u zgjat udhëtimi, nuk i rezistojnë dot entropisë dhe degradojnë, ndonjëherë duke hyrë edhe në luftëra tribale mes tyre ose duke krijuar “territoret” e tyre sovrane brenda anijes dhe duke zhvilluar religjione sui generis, erdhi dhe u shndërrua, me kohë, në topos të fantashkencës amerikane. Kjo, krahas me një spin-off që na intereson veçanërisht këtu: ndonjëherë, gjatë shekujve që i janë dashur anijes së brezave për të arritur në destinacion, njerëzimi në Tokë zhvillon teknologji të tilla të astro-navigacionit, që lejojnë të udhëtohet me shpejtësi të afërta me ato të dritës ose edhe duke përdorur hiper-hapësirën; dhe kështu ndodh, si te Balada e Beta-2 (The Ballad of Beta-2, Samuel Delany), që kur një anije e tillë arrin në destinacion, gjen atje një koloni tokësore, të themeluar nga udhëtarë të nisur shekuj më pas, por që kanë udhëtuar shumë më shpejt, falë teknologjisë së re.

Efekti mund të ilustrohet skematikisht kështu:

  1. Viti 2100: “Argos”, një anije gjigante brezash, me një popullsi prej rreth 30,000 vetësh, niset drejt një planeti në orbitë rreth yllit Vega, të gjykuar nga astronomët si të banueshëm prej njeriut. Kjo anije pritet ta përshkojë distancën për 300 vjet (duke udhëtuar me shpejtësinë maksimale të mundshme për teknologjinë e kohës).
  2. Viti 2150: zbulohet një mënyrë për të udhëtuar në hiper-hapësirë (nëpërmjet tuneleve, ose wormholes), çfarë mundëson që udhëtimi nga Toka drejt yllit Vega të kryhet në më pak se 5 orë.
  3. Viti 2170: falë teknologjisë së re, njerëzimi fillon të kolonizojë planetin në sistemin e yllit Vega.
  4. Viti 2400: “Arka”, anija e brezave e nisur nga Toka në vitin 2100, me tashmë 50,000 banorë pasardhës të atyre që u nisën nga Toka para 300 vjetësh, arrin më në fund në sistemin e Vegës, dhe i afrohet planetit të synuar, për ta gjetur këtë të kolonizuar, prej më se 200 vjetësh, nga njerëz që i përkasin, në thelb, edhe së shkuarës edhe të ardhmes së tyre.

Në versione të tjera të këtij topos-i, anijet e brezave që rishfaqen ose zbulohen sërish, pasi kanë lundruar me shekuj përmes galaktikës, studiohen me interes të madh nga qytetërimi tokësor, si fosile të gjalla të një periudhe historike të mëparshme.[1] Edhe romani fantashkencor i rumunit Sergiu Fărcășan, i përkthyer në shqip si “Një ngjarje në vitin 41042”, dhe që gëzonte popullaritet në Shqipërinë e viteve 1960-1980, bazohet në një topos të ngjashëm: një anije nga mijëvjeçari i 9-të, “Arka e Noes”, kthehet në Tokë në vitin 41042, kur njerëzimi tashmë e kish harruar krejt.

***

Siç e rrëfen në hollësi Ismail Kadareja në kujtimet e veta, ai kish nisur ta shkruante Dimrin e vetmisë së madhe që në fund të viteve 1960[2]; dhe teksa romani rritej dhe pasurohej, Tirana dhe Shqipëria po përjetonin një “pranverë” të vogël liberalizimi, në vazhdën e revolucionarizimit të mesviteve 1960 por edhe të ndikimit të televizionit italian dhe, tërthorazi, të 1968-ës europiane dhe botërore. Lexuesi që i ka jetuar ato vite, sot e kësaj dite e ndien frymën liberale dhe properëndimore në faqet jo-politike të romanit, portretin e një kryeqyteti që kërkon të gjejë veten duke rizbuluar hedonizmin dhe vetëdijen intelektuale të elitave. Tërthorazi, edhe konflikti i Hoxhës me sovjetikët në Moskë dhe pastaj përplasjet në Pasha-Limanin e veprës mund të interpretoheshin edhe si një orvatje e Shqipërisë për t’u shkëputur nga orbita e Lindjes dhe për t’iu afruar Europës. Prandaj edhe Tirana e Dimrit, e anticipuar nga autori, ka një gjallëri kulturore dhe jetësore të cilën në jetë nuk e arriti dot kurrë, por që mund ta arrinte, me gjasë, po të vazhdonte në rrugën e re, të porsaçelur, të liberalizimit. Si edhe gjetiu, edhe me këtë Tiranë imagjinare, ku njerëzit jetojnë “bukur”, Kadareja kërkonte t’u jepte lexuesve të vet një imazh-model, sipas të cilit të ndërtonin jetën e tyre të përditshme. I konceptuar dhe i ndërtuar në këtë mënyrë, Dimri i vetmisë së madhe i përkiste po asaj lëvizjeje kulturore si edhe Festivali i 11-të i Këngës në RTSH, eksperimentet modernizuese në teatër, në artet vizuale dhe në arkitekturë, dhe gjeste të tjera të hapjes edhe në zakonet e të jetuarit, të cilat shënjonin edhe konstituimin e elitave kulturore si motorë të progresit qytetar në Shqipëri.

E gjitha kjo lëvizje përpara dhe shpresë do të përplaseshin dhunshëm, pas murit që ngriti famëkeqi Plenum IV, i cili dënoi ashpër vijën liberale në kulturë dhe protagonistët e saj; me fjalimin e vet, Enver Hoxha nisi një fushatë të madhe spastrimesh, internimesh dhe burgosjesh sidomos kundër artistëve, shkrimtarëve, regjisorëve, njerëzve të kulturës dhe administratorëve në qendër dhe në provincë, që u gjykuan si agjentë të “degjenerimit” borgjez-revizionist. Pak muaj u deshën për ta zëvendësuar atmosferën produktive dhe optimiste, në Tiranë dhe gjetiu, me një ndjesi ankthi, errësire dhe përgjimi total.

Mu në mes të këtij ri-orientimi të dhunshëm të jetës publike, ia behu në libraritë romani Dimri i vetmisë së madhe, i Kadaresë, tashmë i lajmëruar; i cili u prit si kurrë ndonjë vepër tjetër më parë – u tha se tirazhi prej 20,000 kopjesh ishte shitur brenda pak orëve. Romani fliste për Enver Hoxhën dhe Hrushovin, sovjetikët dhe Pasha-Limanin, klasat në pushtet dhe klasat e përmbysura, brezin e vjetër dhe brezin e ri, të mirën dhe të keqen; por rrëfente edhe një Tiranë dhe Shqipëri që, pas Plenumit IV, nuk ekzistonin më. Për shkak të vonesave normale të dorëshkrimit, në rrugëtimin e tij nga shtëpia botuese në shtypshkronjë, Dimri u shfaq në firmamentin e kulturës shqiptare njëlloj si ato anijet e brezave, që vinin nga një epokë e mëparshme; si vepër, si objekt kulturor, jo vetëm i përkiste Shqipërisë para Plenumit IV, por edhe i referohej asaj dhe e mbështeste besueshmërinë e vet mbi besueshmërinë tashmë në pikëpyetje, të asaj bote. Aq sa lexuesit do të mund të krahasonin jo vetëm jetën e lulëzuar të Tiranës në roman me mjerimin e ankthshëm të Tiranës të pas-Plenumit, ku binin dhe arrestoheshin po ata intelektualë dhe artistë që te Dimri portretizoheshin si protagonistë dhe ndriçues të mendjeve; por edhe vetë Enver Hoxhën e romanit, hero prometean që guxonte të ngrinte zërin kundër Zeusit në Kremlin, me Enver Hoxhën meskin dhe shpirtlig, që lëshonte urdhra për likuidimin e krijuesve “liberalë”, përçues sipas tij të “shfaqjeve të huaja”. Për të gjithë ata që e lexuan (dhe nuk ishin pak, në raport me popullsinë totale të Shqipërisë), Dimri shërbeu si përkujtesë për çfarë mund të kish qenë Shqipëria, përballë kësaj që kish përftuar Plenumi IV dhe paranoja e pseudo-Prometeut të Moskës, duke krijuar kështu një çarje në vetëdijen kolektive: a do ta përdorte regjimi romanin si armë në përpjekjet e veta për t’u legjitimuar, apo do ta dënonte, si imazh të ndaluar nga një e kaluar e afërt që duhej fshirë nga kujtesa?

Ngjarjet pritet të ndjekin një renditje të caktuar, të përcaktuar nga marrëdhëniet e shkakësisë me kohën – në kuptimin që shkaku duhet t’i paraprijë pasojës. Për këtë arsye, prishja e kësaj renditjeje, për shkak të anomalive të udhëtimit, mund të sjellin pështjellime të mëdha. Shoku im Berti e kish shkruar letrën e vet para se ta piqte në mendje vendimin për ta braktisur “stazhin”, por letra u manifestua, si objekt dhe si mesazh, pasi ky vendim tashmë ishte marrë, për shkak të mënyrës si funksionon posta; një anije brezash, në fantashkencë, mbetet e ngrirë në qelibarin e së shkuarës së vet të largët, të cilën e bart tashmë me vete; një roman si Dimri i vetmisë së madhe, i shkruar edhe në mbështetje të një zhvillimi epokal të caktuar, mund të vonohet rrugës dhe t’i bjerë në dorë lexuesit kur ky zhvillim është shpallur tashmë, prej regjimit, si krim politik – ashtu edhe romani përjetohet si artifakt prej një Shqipërie alternative (paralele). Por janë pikërisht shmangie të tilla, zbrazëti të shfaqura befas në rrjedhën kohore, zhvendosje të suksesionit a décalages, që i nxjerrin në pah kontradiktat e historisë, duke treguar se vijueshmëria në sipërfaqen e reales shpesh maskon një kaos të dhunshëm prirjesh dhe kundërprirjesh, shtysash dhe kundërshtysash, baticash dhe zbaticash; dhe se çfarë ne përjetojmë si normalitet, është në fakt rezultat fare i pezullt i impulseve historike që shtjellohen, secili, në vijë-kohën e vet.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] Për këto shënime rreth topos-it të generation ships (interstellar arks), jam mbështetur edhe në esenë e Renato Giovannoli-t, La Scienza della fantascienza, Saggi Bompiani, 2015.

[2] Ismail Kadare, Invitation à l’atelier de l’écrivain, suivi de Le Poids de la croix, Éditions Fayard, 1991.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin