NJERIU I BUKUR

nga Natasha Shuteriqi

Refleksion mbi ligjin „Qarkullimi i vlerave në letërsinë e përbotshme[i]

Ende nuk kishte hyrë shekulli XXI, kur Plasari meditonte rreth pyetjes „Si po hyjmë në mijëvjeçarin e III?“, duke evokuar në parimet estetike të kritikës së letërsisë konceptin e njeriut të bukur, të cilin e artikulon si nen themelor në Ligjin e Qarkullimit të Vlerave në Letërsi.

Në mendimet e mia vërtitej prej rreth 30 vitesh ky nen duke më detyruar ta kërkoja atë sa herë që (tanimë) përplasej me dijet e mia një model proze a poezie, jo më nëpërmjet mendësisë që ai përcillte, por nëpërmjet imazhit që fjala e thënë modelonte në përfytyrimin tim, duke më ngacmuar njeriun e bukur, që edhe në shëmtinë e tij (hera-herës), kontrapunktonte (siç e cilëson Plasari këtë proces) të kundërtën e vetvetes. Por sigurisht që të legjitimonte me argumente idenë e tij, Plasari e gjen zanafillën te koncepti i letërsisë së përbotshme, duke cituar Gëten dhe jehonën që pasoi pohimi i tij:

„Gjithnjë e më tepër po bindem se poezia është një pasuri e mbarë njerëzimit dhe se, në të gjitha vendet e në të gjitha kohët, ajo shfaqet te qindra e qindra njerëz. Vetëm se njëri ia del diçka më shumë se tjetri dhe arrin të qëndrojë në sipërfaqe më shumë se tjetri, kjo është e gjitha…Letërsia kombëtare nuk do të thotë kushedi çfarë; ka ardhur koha e letërsisë së përbotshme dhe gjithsecili duhet të ndihmojë në vendosjen e epokës së saj. …Nëse na duhet ndonjë model, lypset t`u kthehemi grekëve, në veprat e të cilëve përshkruhet njeriu i bukur. Gjithçka tjetër do përfillur në rrafsh historik e do marrë prej saj ç ‘është më e mirë.“(Plasari: 180)

Nëse nën termin e letërsisë së përbotshme, do të vijonim të ndiqnim udhëshkrimin e Plasarit, pa u befasuar do të kuptonim se rrafshi historik, për të cilin Gëte sugjeron përfillje, në kuptimin e rëndësisë absolute që merr ky dimension, nuk është gjë tjetër veçse një bashkëmarrëdhënie e gjuhës, si mekanizëm qendror në përfaqësimin e realitetit me modelet e krijuara në ndërgjegjet letrare të epokave.

Por procesi letërsi e përbotshme, pa dyshim, duke qenë i lidhur me gjuhën, e cila nga ana e saj ka një dinamikë të vetën në procesin e zhvillimit social, nuk mund të jetë më ai procesi besnik i epokës së Gëtes[ii]. Për aq kohë sa gjuha-mekanizmi i gjallimit të letërsisë-zhvillohet pashmangshmërisht në procese sociale dhe historike, bëhet pjesë e këtyre proceseve, ushtron një efekt dominues në këto procese (sidomos ato sociale) duke përcaktuar edhe mutacionet e tyre, atëherë, vetëm duke analizuar se si ajo vetë (fjalët, frazat, tekstet) formon jo vetëm njeriun e bukur, i evoluon nenet e Ligjit të Qarkullimit të Vlerave, i përcakton ato dhe, pse jo, nxjerr nene të reja nga çdo epokë e ndërgjegje letrare, vetëm atëherë, ne do të kemi marrë më të mirën nga çdo rrafsh historik, siç lë „amanet“ Gëte.

Në vijimësi të mendimit të Plasarit, i cili njeriun e bukur të Gëtes e cilëson si ideal (Plasari: 183) të çdo letërsie, çdo shkrimtari, ne gjykojmë se si çdo ligj tjetër, edhe ky i sipërpërmenduri, ka nevojë për alogim nenesh dhe përditësim termash e formulimesh. Duke e përditësuar teorinë Weltliteratur , mund të shohim se si nën ndikime të imazheve të prejardhura nga figura që rimerren, në ndikime të diskurseve që përsëriten në kontekste të përafërta apo të prejardhura, vendosen linja të nënkuptuara, falë të cilave merr reflekse të ndryshme termi në fjalë dhe mund të vërejmë se si letërsitë „e hershme“, ndikohen nga letërsitë “e mëvonshme”, për fat duke e „tradhtuar“ teorinë fillestare gëtiane. Pra mbështesim idenë tonë se faktori gjuhë, ka luajtur dhe luan funksione bashkëvepruese në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, si rrjedhojë edhe në ndërgjegjet letrare të tyre. Gjuha jo vetëm e ndihmon këtë ndryshim por edhe e garanton atë, siç do ta pohonte I.J.Lee një eksponent i rëndësishëm i iluminizmit semantiko-modern: Kemi arritur në një pikë që të njohim zhvillimin e klimës, temperaturës, presionit atmosferik dhe lagështisë, rolin e kushteve mjedisore fizike dhe sociale, dimë ku janë vitaminat, efikasitetin e lenteve të syzeve, dhe mijëra faktorë të tjerë që formojnë përgjigjet tona. Por në një farë mënyre kemi qenë më pak të saktë për sa i përket përgjegjshmërisë sonë ndaj faktorëve linguistikë dhe vlerës së tyre. Kemi lindur dhe jetojmë në një mjedis gjuhësor që influencon shumë në përcaktimin e mënyrës sonë të të menduarit dhe të të vepruarit[iii].

Është më se e natyrshme që në vlerësime të tilla, të cilat brenda Ligjit nuk gjallojnë dot pa nenet, ta marrim në konsideratë pikërisht këto nene dhe t`i qartësojë ato në dinamikën e zhvillimit të tyre edhe nëpërmjet gjuhës në përdorim. Për parantezë të këtij konstatimi, duam përsëri të kthehemi të Plasari (i cili do të shërbejë si busull në orientimin tonë hulumtues) që rendit si shumë të rëndësishëm takimin e kulturave në qarkullimin e vlerave në letërsitë e gjithkohëshme. Por si pjesë e kulturave, letërsitë takohen nëpërmjet procesit të leximit, i cili është vetjak. Në sfondin tonë studimor, nuk jemi duke synuar të verifikojmë se duhet filluar analiza nga produkti (teksti) apo nga lexuesi i zakonshëm. Ne mendojmë se të qartësosh zhvillimin dhe ndryshimet që ka pësuar Ligji i qarkullimit të vlerave (po e shkurtojmë për arsye studimore), para së gjithash duhet të gjykosh mbi mënyrën se si një letërsi vjen te shkrimtarët, tanimë të vështruar si lexues. Sepse, në fund të fundit, janë ata që do ta transferojnë këtë lexim (e përmend edhe Plasari një fakt të tillë kur flet për këmbimin e drejtpërdrejtë të librave) në një kulturë tjetër, duke e takuar, mbivendosur apo risjellë, (siç ka ndodhur me letërsinë shqipe në raportet që ajo ka krijuar me helenizimin dhe frymën bizantine, cituar Plasari) por nën dritën e punës së tij, siç pohon Palou[iv], kur analizon mënyrën se si një shkrimtar lexon të tjerët.

Pikërisht në vijim të këtij konstatimi, ne duam vlerësojmë rolin garantues që luan përkthimi, një tjetër nen listuar jo më vetëm nga Plasari, por edhe nga filozofë e studiues së fushës së përkthimit, pra të vlerësojmë rolin e përkthimit, rolin gati hyjnor[v] të përkthimit, që sipas Kunderës ka një ndikim të tillë, sa historia e artit europian duket si një garë stafetash[vi] Kjo metaforë e Kunderës e zhduk kufirin mes letërsisë së madhe apo të vogël, sepse sjell në mënyrë implicite bashkëmarrëdhënien e letërsive, takimin e kulturave por dhe gjuhën si shkese e këtij procesi. Nëse popujt ndajnë fate të përafërta, ata jetojnë ndryshe, mendojnë ndryshe, gjallojnë në përvojat e tyre specifike dhe domosdo kanë gjuhët e tyre të ndryshme nëpërmjet të cilave bëjnë të mundur këto pikëtakime. Letërsia botërore prodhon tema të përsëritura dhe mënyra të trajtimit të tyre, përmbajtje universale, por jashtë tyre nuk mundet kurrë të mbetet gjuha, si sistem shenjash, teksti si makroshenjë, por edhe gjuha si dukuri nacionale, jo thjeshtë e kombit se sa kombëtare.

Në këtë rast, dua të sjell në vëmendje një pohim të Borges-it që më ka shoqëruar sa herë që lexoja Kadarenë në frëngjisht dhe në forma të ndryshme tekstet e tij më thërrisnin brenda teksteve të rigjetura: Ajo (letërsia, shënim i imi) mund të përtërisë veten thellësisht dhe për një kohë të gjatë, vetëm duke filluar nga periferitë[vii] .Duke gjykuar nga një mori treguesish qoftë numerikë, historikë, socialë apo edhe estetikë (asnjëherë gjuhësorë), letërsia shqipe mund të shihet si një letërsi periferike, te e cila kulturat janë mbivendosur nëpërmjet gjuhës; përkthimi, si një proces tregtimi, i ka dhënë ndërgjegjes krijuese shqiptare vlerat e qarkullueshme dhe i ka marrë të tjera vlera po aq të qarkullueshme. Në këtë proces tregtimi gjuha si mekanizëm ka prodhuar tekste në Shqipëri, nga autorë shqiptarë, në shqip, por edhe ka sjellë autorë të huaj, në territor shqiptar, në shqip.

Por ky konstatim mbetet sfidë e të tjera analizave, përderisa ajo që ne parathamë në hyrje të punimit tonë, kishte të bënte më shumë qarkullim të gjithhershëm edhe duke ardhur nga letërsitë periferike. Gjithsesi kjo është çështje e diskutueshme interpretimi, sepse në fund të fundit, asgjë nuk mund të kuptohet në ndonjë fenomen lokal, përveç si një lidhje, një nyje lidhëse, në grupin e gërvishtjeve të kuptimeve të prodhuara nga njeriu, në një poetikë të kompleksitetit të interpretimit[viii].

© 2020, Natasha Shuteriqi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[i] Plasari.A, Letërsia dhe muret, Bota letrare 1/1991, Revistë tremujore për letërsinë e huaj, Nr. 1, janar 1991,

[ii] Plasari gjykon se sidoqoftë Gëte bëhet shprehës i situatës së re në të cilën kishte hyrë kultura dhe letërsia në kohën e tij. Kjo lloj shtrirje që sugjeron Gëte, sipas Plasarit thekson të kuptuarit historik të letërsive, marrëdhënien autor-vepër-kohë. Ne do përpiqemi ta vështrojmë në një tjetër këndvështrim këtë proces, duke mos e anashkaluar absolutisht pohimin me vlerë të Plasarit.

 

[iii] Lee,Irving J. language Habits in Human Affairs: An Introduction to General Semantics, New York, 1941, ivi:XIII

[iv] Palou. P, http://www.elboomeran.com/blog/2548/postales-de-ee-uu-blog-de-pedro-angel-palou/

[v] Plasari na e kujton këtë nëpërmjet legjendës së Shën Andonit dhe hermeneutit.

[vi] Kundera .M, Il sipario, Adelphi, Milano, 2005, fq 43.

[vii] Saggio contenuto in Borges Jorge Luis, Discussione, Adelphi, Milano 2002

[viii] Geertz. C, Interpretation of cultures, New York, Basic Books, 1973 Wien, Passagen Verlag, 1996.

Rreth Autorit

Natasha POROCANI (SHUTERIQI) Diplomuar në gjuhë shqipe dhe letërsi. Doktoruar në fushën e gjuhësisë së aplikuar, autore e një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në Shqipëri e diasporë.

Author Archive Page

9 Komente

  1. E lexova dy here shkrimin por prape nuk po I jap dum. Adrian, meqe e ke sjelle kete shkrim ketu, a do kishe mundesi me nje apo edhe dy fjali te ma shpjegoje se ku konsiston shkrimi? Pa asnje nentekst pyetja, thjesht nje deshire pozitive per ta kuptuar me mire e mbase per te diskutuar me tutje. Faleminderit nese e gjen kohen.

    1. Mbase duhet pasur parasysh edhe shtjellimi specifik i Plasarit, por pavarësisht nga konteksti, unë e lexoj shkrimin kështu: çdo letërsi kontribuon në Letërsinë e Përbotshme në atë masë edhe që e mishëron (e përfaqëson); por për ta realizuar këtë, duhet të kapërcehet barriera e gjuhëve të ndryshme (post-Babeli); aq më e rëndësishme, po të pranojmë rolin krijues të gjuhës në mendim dhe në mendësi – ergo, edhe në letërsi. Kjo legjitimon edhe rolin e përkthyesit, si një udhërrëfyes të letërsisë në pyll.

  2. Edhe une e lexova dy here dhe m’u duk se shkrimi pak a shume mbronte hamendjen se ekziston letersia e perbotshme, ku ajo shqiptare si letersi periferike mund te jape ndihmesen e saj ne perteritjen e ameshuar te letersise se perbotshme qe vjen nga periferite, duke mos u shkeputur nga modeli ideal grek i njeriut te bukur ( si intermezzo ka edhe nje krehje bishti perkthyesve).

    Letersia e perbotshme per mua eshte nje koncept qe perben nje aberracion dhe i takon nje realiteti distopik. Nuk eshte e thene qe globalizmi te nderhyje ne cdo fushe dhe tani te na duhet t’i gjejme vendin vetes. Plasari aty ka qene thjesht trendy dhe kaq. Persa kohe qe ka nje metafizike perendimore, Hajdegeri dixit, nuk e kuptoj si mund te kete poezi te perbotshme ?

    M’ane tjeter koncepti i letersise shqiptare si letersi cepash e skajesh te kesaj letersie te perbotshme, do te kerkonte fillimisht shquarjen e letersise qendrore, gje qe autorja nuk e ben. Ciles letersie i rrotullohet letersia satelite shqiptare ? A eshte kjo qender edhe per letersine periferike te pigmejve, eksimezeve dhe letersise maori ? Cfare e bashkon letersine shqiptare me letersine maori , nqs te dyja jane qenesisht periferike te nje letersie qendrore ?

    Mos valle jemi duke caktuar thjesht nje model hierarkik e supremacist, duke denuar letersine e kombeve te ndryshem me role helotesh qe thjesht mund te metojne te hyjne tek kategoria e ”neodamodei”, sepse nuk mund te jene kurre spartiate ?
    Cfare duhet te kuptoje autori shqiptar, qe s’ka me asnje shprese per te qene autentik ?

    Me duket se ketu po flitet per gremisjen qenesore te shqiptarit te lire, gje qe eshte sa e rende aq edhe e pabesueshme.

  3. Adrian, faleminderit per pergjigjen dhe ajo qe thua makes sense. Thjesht nga titulli dhe nga referencat me Plasarin mu duk me shume si nje diskutimet per te rikthyer ne Letërsi “heroin” (njeriun e bukur) pastaj nje perpjekje per te krijuar nje Letërsi globalist, pastaj gjuhetar globalist e keshtu me rradhe. Po prapë shkrimi me duket shume konfuz qofte edhe per debate. Por qe it is what it is sic thoshte nje good fella.

  4. Isha adoleshente kur u njoha me Alfred de Musset-në, dhe e trallisur keq nga frëngjishtja, u vura të përkthej poezinë “Le saule”, që asokohe më la pa frymë (flet për yllin e zbehtë të mbrëmjes, lajmëtarin e largët…. etj, etj. E pranoj, e pranoj, poezi shterpë për vajza naive, po une adoleshente e realizmit socialist isha dhe zhvillimi emocional nuk i kapërcente frymëzimet romantike të shekullit XIX).

    Ndërsa përkthimi më eci deri diku mirë, ngeca tek “au sein du firmament”…. Fillimisht nuk po mundesha të gjeja fjalën e duhur për firmament. U përpoqa ta përkthej si “kupë qiellore”, por nuk më rrinte mirë aty. Po ashtu, “au sein” do të duhej të përkthehej “në gji / gjirin”.

    Pas netësh pa gjumë kuptova se togfjalëshi “në gji të kupës qiellore” kishte shumë probleme.
    Së pari, nuk tingëllonte aspak poetik.
    Së dyti, kupa në vetvete është metaforë e gjirit kështu qe ajo çka po thoja unë katandisej të ishte: në gji të gjirit….
    Së treti, edhe sikur të ishte më pak i koklavitur, gjiri i kupës nënkupton një vektor që përfundon shi në thellësinë e kupës, mbaron, ngec e shuhet aty. Kurse poezia nënkuptonte që ylli bënte shumë rrugëtime të tjera nëpër shtretër të trëndafiltë, nëpër ujëra të thellë detesh ku zhyste kokën e vet flokëartë…. e kështu poeti i lutej yllit të mos zbriste prej qiejve… pra edhe gjiri i kupës qiellore, më shumë se sa destinacion poetik tingëllonte në shqip si nje kurth apo çark për të mirin e të zbehtin yll të mbrëmjes.

    Ndaj edhe, pasi pranova dështimin e turpshëm të tentativave të mia gjithsesi serioze për përkthime poetike, vendosa ta lë de Musset-në rehat në frëngjishte dhe të mos dhunoja shqipen duke imponuar formacione të ngrira, utilitare e ndaj edhe të pasinqerta.

    Kështu njeriu i bukur de Musset shpëtoi për një qime pa u kthyer në njeri te shëmtuar dhe unë shpëtova pa kryer krime estetike në gjuhën e nënës.

    P.S. jo se përkthimet e mia do ishin botuar gjëkund. Krimi im estetik do të mbetej në tentativë gjithsesi. Shqyqyr, se sot kam një pishman më pak nga adoleshenca.

    1. Problemi nuk eshte aq i madh se eshte ceshtje botekuptimi dhe jo perkthimi. Ne shqip do thuhej shume mire ne ”zemer te qiejve”. Gji,krahahor,gjoks,zemer perdoren edhe si metafora te, le te themi, esences se qendersise, si duket ta kerkoje poezia, per si eshte pershkruar.
      Vecse nese autori ka vendosur qe ylli ushqehet me ”au sein du firmament”’, atehere s’ke ci ben, perndryshe ne shqip qendron shume mire ”ne zemer te” apo poetikisht ”zemres se”, meqenese pyetjes ku(?), mund t’i pergjigjemi me nje pseudorrjedhore ”zemres”, (meqe vendorja kuptimore gjendet formalisht si rrjedhore/dhanore).

      Pra ne vend te (vertitej, shkonte etj) ”ne gjirin e kupes qiellore”, mund te perdoret (vertitej,shkonte drejt) zemres se qiejve ( kupa qiellore eshte qartazi koncept prozaik, edhe pse padyshim mund te perdoret per efekte te ndryshme ne formen, ”ne te qiellit kupe”).

  5. Ne e kemi zhdukur me zell shumëçka do të na bënte interesante si periferi. Çfarë ka mbijetuar nga kjo masakër fshihet me turp si shenjë inferioriteti përballë modernitetit të qendrës. (Njëkohësisht, pothuaj nuk prodhojmë as kulturë as dije të re shkencore.)

    Në këtë kuptim, ne nuk kemi më ç’të ofrojmë në “qarkullimin e vlerave”. Ne vetëm marrim, çfarë e bën edhe më të pashmangshme përmbytjen e gjuhës sonë të kulturës dhe dijes.

    Jemi si ato lagjet, dikur fshatra, të cilat uria e qytetit dhe mungesa e rezistencës i ka përfshirë brenda “vijës së verdhë”, e që kanë ngrirë në një gjendje të pashquar.

    1. Nga sa lexova dhe kuptova, shkrimi nuk fokusohet thjesht tek roli përkthimit si urëkalimi e letërsive nga një vend/ kulturë në tjetrën.
      Historia e zhvillimit të letërsisë është , tek e fundit, histori e zhvillimit të vetë gjuhës si mbartëse dhe garantuese e zhvillimeve kulturore dhe diskurseve.
      Ndoshta do të ishte më e udhës të sqarohej koncepti për ” njeriun e bukur” si model ideal/ arketipal. Çfarë nënkuptonin grekët antikë me ” njeriun e bukur” dhe a ka ndryshuar vetë model/ ideal nga një epokë në tjetrën , jo vetëm si imazh harmonik ( në skulpturë) por edhe si koncept estetik ( mimesis) .
      ” Njeriu i bukur” në antikitet i referohet heronjve kulturorë. Më tej kemi estetiken e iluminizmit, të romantizmit, realizmit e deri tek heroi absurd i modernitetit.
      Autoria përmend se duhen hetuar tekstet, gjuha letrare, si ” lënda e parë” por dhe produkti, materia e evolucionit konceptual/ diskursiv.
      Ndoshta behet fjalë për intertekstualitetin, nisur nga ajo që thotë Barthes se në çdo tekst janë shenjat e dhjetra teksteve.
      Proçesi duhet kqyrur nga optika e autorir jo vetem si ” makinë” që prodhon tekste letrare por edhe nga statusi i tij si leximtar.
      Çfarë “lexoi” Homeri që prodhoi Iliadën? Si e përthithi DeRada letërsinë romantike europiane kur krijoi Këngët e Milosaos? Dhe në një kontekst më të gjërë, si janë reflektuar në letërsinë shqipe të Rilindjes,në gjuhën e saj, konceptet,temat dhe diskurset e letërsisë europiane etj etj. E derivuar prej këtij këndvështrimi ështê dhe rimarja e figurave ( heronjve?) dhe risjellja e tyre nê kontekstin e diskurseve të reja ( bie fjala, figura e Uiksit tek Homeri dhe Joyce) .
      Përkthimi padyshim është një hallkè e rëndësishme e qarkullimit të vlerave në kushtet e ” mureve” kulturore dhe gjuhësore.
      E thënë sipas termave të autores, gjuhët e vogla si shqipja , kanë një treg të vogël lexuesish. Këtu mer rol përkthimi ( rasti Kadare) në kapërcimin e lokales dhe futjen në sistemin e përbotshëm të vlerave letrare.
      Por përkthyesit duhet të kenë një brumë cilësor lokal për të kapërcyer muret e periferisë dhe statusin e ” letërsisë provinciale”
      Para do ditësh , kur u dha Nobeli në ketërsi, diku në fb më zuri syri një status ku, në esencë, shprehej ideja : boll mè Kadarenë. Kemi një duzinë me autorë shumë të mirë, dosjet e të cilëve duhen çuar në tavolinën e komisionerëve të Nobelit.
      Po a kemi vërtet letërsi të tillë , që mbetet e mbyllur brënda kufijve nacionalë, për shkak të ” mallkimit” të shqipes si gjuhë e vogël?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin