EMRA PËR REVOLUCION

Një kujtim nga vitet e gjimnazit: ngrihet një shoku im në mësim, dhe e fillon fjalën kështu:

Vladimir Iliç Stalini…

Nuk mbaj mend më tepër, përveçse që ky shoku po fliste nga banka. Por më kujtohet edhe që këtë emër të ngjitur me pështymë e shtuam sakaq në një “libër të gafave” që e mbanim aso kohe – pa asnjë shpjegim kontekstual.

Shoku im, me gjasë, kërkonte të fitonte kohë, për t’u “organizuar”. Asnjë arsye tjetër nuk kish pse ta quante Stalinin me emrin tri-pjesësh (për më tepër, duke u ngatërruar).

Josif Visarionoviç Stalini – ky ishte emri që i duhej. Por edhe ashtu, dy pjesët e para – Josif Visarionoviç – nuk është se shërbenin për të dalluar gjë: Stalin kish një dhe vetëm një.

Emri dhe patronimi, Josif biri i Visarionit, vlenin më shumë si një lloj titulli – a përkujtese se bëhej fjalë për një njeri të gjallë.

Gjithë duke pasur parasysh se Stalini e kish emrin “e vërtetë” Josif Visarionoviç Xhugashvili. Këtu do të jeni dakord me mua, që “Visarionoviç Xhugashvili” tingëllon pak si çuditshëm në shqipe.

Që të vegjël, e dinim se Lenin dhe Stalin ishin pseudonime: Stalin lidhej me emrin rusisht të çelikut dhe kish kuptimin “i çeliktë”; Lenin, me gjasë, e kish origjinën nga koha kur Vladimir Iliçi përdorte pasaportën e një miku të vet, një Nikollaj Lenin; vetë mbiemri rrjedh nga emri i lumit Lena, në Siberi.

Thuhet që Stalini e zgjodhi pseudonimin në mënyrë të tillë, që ky të ngjante me atë të Leninit – bashkëtingëllimi fonik, te çifti Lenin Stalin, do t’i përgjigjej kështu fatit të tyre të pandashëm, si udhëheqës të revolucionit.

Përndryshe, Lenini e kish emrin Vladimir Iliç Uljanov.

Dhe sërish do të jeni dakord me mua, që Uljanovi dhe Xhugashvili nuk është njëlloj si Lenini dhe Stalini; dy të parët dëgjohen si emra kusarësh (kaçakësh) që plaçkitin komunitetet e kozakëve të Donit; ndërsa të dytët e kanë vendin në podiume, panteone dhe flamuj.

Por Lenini dhe Stalini nuk ishin të vetmit, që përdornin pseudonime. Nga udhëheqësit e Revolucionit, mjaft të përmend këtu Trockin, që kish lindur si Lev Davidoviç Bronstein; Kamenevin, që kish lindur Leo Rosenfeld (Lev Borisoviç Rozenfeld); Zinovievin, që kish lindur Hirsh Apfelbaum dhe pastaj i njohur edhe si Ovsei-Gershon Aronoviç Radomislski; dhe plot të tjerë.

Një pjesë e mirë e këtyre ishin hebrenj Ashkenazim të Rusisë, që kishin adoptuar mbiemra në bazë të vendit ku jetonin.

Në një studim për onomastikën e revolucionarëve rusë[1], Steven A. Grant shpjegon se, në vitet 1870-1917, revolucionarët rusë adoptonin zakonisht një nofkë për ta përdorur me njëri-tjetrin, në organizatat e tyre dhe në veprimtaritë klandestine; dhe një pseudonim, për të nënshkruar artikujt që botonin dhe daljet publike. E para njihej si kliçka, ose nom de guerre, ndërsa tjetri ishte thjesht nom de plume.

Rrethanat e kohës, censura dhe persekutimi ua impononin shumë intelektualëve përdorimin e nofkave dhe pseudonimeve: Grant përmend një thënie të Georgi Plekhanovit: “Çdo shkrimtar rus konsiston në një trup, një shpirt dhe një pseudonim.”

Zgjedhja e pseudonimit, thotë ai autor, u shërbente dy synimeve kryesore – i pari, ishte fshehja e identitetit nga autoritetet dhe i dyti ishte që të tregonte diçka rreth personit në fjalë. Kjo vlen veçanërisht për ato nofka dhe pseudonime që i qëndronin kohës.

Për shembull, Lenini ka pasur të paktën 150 (!) të tilla të ndryshme në karrierën e vet, ndërsa Stalini rreth 40.

Nga ana tjetër, një nom de plume zakonisht stabilizohej, kur i shoqërohej një botimi të rëndësishëm.

Sipas historianit Robert Payne, bolshevikët i zgjidhnin pseudonimet e tyre me kujdes të madh dhe u jepnin rëndësi, duke eksperimentuar derisa të gjenin kombinimin e duhur të rrokjeve. Pseudonimet e tyre ishin flamuj betejash, maska dhe zbukurime. Ndonjëherë ato i jepnin personit një personalitet të tillë që nuk i përkiste, por ai përpiqej ta realizonte.[2]

Çfarë duket në pseudonime të tilla si Kamenev “njeri prej guri”, Molotov “çekan”, Sablin(a) “shpatë” (Krupskaia), Voinov “luftëtar” (Lunaçarski).

Siç e vëren Grant, një revolucionar mund të kish disa dhjetëra pseudonime dhe nofka; e megjithatë, zakonisht njëri prej tyre do të mbijetonte, ndërsa të tjerët do të mbeteshin të lidhur pas një momenti ose botimi të caktuar.

Kjo luftë emrash do të përcaktohej nga biografia e individit vetë – por edhe nga prozodia e emrit dhe, në analizë të fundit, preferenca e të zotit të emrit.

Për këtë arsye, historia e një pseudonimi – Lenin, Stalin ose Trocki – është njëfarësoj edhe historia e përfshirjes së individit vetë, në rrjedhën e ngjarjeve.

Vargu i nofkave dhe pseudonimeve të Stalinit e dëshmon këtë: Josifi lindi si Ioseb (Josif është forma e rusifikuar), dhe pastaj, ende fëmijë, u njoh si Soso, një hipokorizëm i Ioseb; kur vajti të studionte në Seminarin e Tbilisit dhe të jetonte në konvikt atje, Stalini filloi të lexonte literaturë “subversive” dhe ashtu i ra në dorë romani Atvrasja i Aleksandër Kazbegi-t, ku protagonisti – një bandit tip Robin Hood-i – quhej Koba. Ky emër e tërhoqi seminaristin, si të ishte një sferë ku t’i përvijohej e ardhmja. Me këtë emër, Koba, do të njihej pastaj Stalini prej miqve të vet revolucionarë gjatë gjithë periudhës së para-1917-ës: Lenini ashtu e quante, në bisedë – Koba. Për t’u mbajtur mend edhe fillimi i letrës së 43-të që Bukharin-i i shkroi Stalinit nga burgu: “Koba, ç’nevojë ke që unë të vdes?”[3]

Vëreni efektin e dëshiruar të kësaj Koba, në gojën e një njeriu tashmë të mbaruar dhe gati për ekzekutim. Bukharini i apelohet jo Stalinit, por Kobës, njeriut të miqësive revolucionare, bashkëluftëtarit dhe bashkëfajtorit. Atje ku Stalini nuk do të falte, mbase Koba mund të lëshonte pe. Nuk ndodhi kështu.

Domethënëse edhe një letër e Leninit, e vitit 1915, drejtuar kolegut të tij Vjaçeslav Karpinski, për t’i kërkuar:

Një favor të madh: përpiqu të marrësh vesh (nga Stepko [N.D. Kiknadze] ose Mikha [M.G. Tskhakaya]) emrin tamam të ‘Kobës’ (mos e ka gjë Josif Xh…? Ia kemi harruar). Kjo është shumë e rëndësishme!!! (Amis, sipas Volkogonov)

Shumë pseudonime ngrihen mbi një narrativë por jo vetëm: Lenin rrëfen për udhëtimin me pasaportë false; Stalin për identifikimin e Xhugashvilit me çelikun, një metaforë; Trocki i referohet – me gjasë – një gardiani burgu nga e shkuara e tij e largët revolucionare.

Zgjedhja e emrave të tillë ishte edhe një akt krijues: njëlloj si emrat e heronjve në një epikë, këta duhej të përkonin me rolin në skenën e historisë.

(Sipas Martin Amis-it, në korrespondencën që mbante me organet e sigurimit, gjatë viteve 1936-1938, Stalini nënshkruante si Ivan Vasiljevich, emri i Ivanit të Tmerrshëm, që ishte për të, aso kohe, rol model.)

Atë që realizoi Stalini, nuk do ta realizonte dot Xhugashvili. Bronstein-ët, Rosenfeld-ët dhe Apfelbaum-ët nuk do të tingëllonin të besueshëm, si udhëheqës të një revolucioni rus.

Ndërrimi i emrit, ose akti i pagëzimit me pseudonimin final, shënjonte – madje konsakronte – kalimin nga kontingjenca në histori, duke i vënë identitetit vulën e një misioni suprem.

Stalin dhe Molotov tingëllojnë fort si emra gjysmë-perëndish të stepës; Josif Visarionoviç Xhugashvili dhe Viaçeslav Mikhailoviç Skriabin tingëllojnë mirë, si dy emra nëpunësish të një stacioni trenash në mes të stepës.

Përkundrazi, emra hibridë, ku një gjysmë e emrit të gjendjes civile i bashkohet rezultatit të një akti simbolik gati magjik, siç është pseudonimi, të tipit Vladimir Iliç Lenini, Lev Davidoviç Trocki, etj. nuk mund të jenë veçse rezultat i ri-normalizimit të emrit pas revolucionit, ose provë se heronjtë e djeshëm tani lejohen të dalin pa ferexhe përpara masave.

Mbaj mend që Leninin e ndeshja, në libra, të quajtur në gjithfarë mënyrash: Lenini, Iliçi, Vladimir Iliçi, Vollodja, Vladimir Uljanovi… Forma Iliç përcillte dhemshuri si ndaj një ungji të butë, Vollodja ishte emër prej fëmije. Kur gjuha të vë në dispozicion disa emra, prej të cilëve të zgjedhësh, atëherë secili priret të specializohet – që këtej edhe anekdota e shumë-rrëfyer, me Josip Visarionoviçin, që i përmend Stalinin të birit, për ta trembur.

Për ne që i shohim nga e sotmja, nofka si Lenin dhe Stalin tingëllojnë si të predestinuara për të udhëhequr një revolucion – po aq sa ç’tingëllon Trocki si emër i dikujt që, herët a vonë, do të likuidohej si armik. Të ketë vallë diçka të keqe, të mbrapshtë, te kombinimi bashkëtingëllor t-r-c-k, diçka prej insekti që kërcet nofullzat kitinoze në skutë? Apo mos ky sajim është a posteriori, ose racionalizim i asaj çfarë dimë të ketë ndodhur?

Nga ana tjetër, çdo emër solemn, i tipit Vladimir Iliç Lenini është konstrukt i të pamundshmes, ose një lloj kimere antroponimike: dy pjesë gjendje civile dhe një pjesë histori gatuajnë një pamundësi – sepse anulojnë arsyen e ekzistencës së pseudonimit vetë.[4]

Gjejmë aty një emër, Vladimir, me gjasë të zgjedhur për arsye triviale (familja, kalendari kishtar); një patronim, Iliç, që i referohet babait, por që përndryshe e ka humbur çdo funksion; dhe një nofkë, Lenin, që i ka rrënjët te ajo pikë ku biografia e Vladimir Iliç Uljanovit takohet me historinë.

Thelbi, në këtë mes, është se nofka ka zëvendësuar mbiemrin e mirëfilltë, Uljanov, i cili përndryshe do ta ankoronte personin në fjalë në një gjenealogji dhe histori të një lloji tjetër.

Te kalimi nga LeninUljanov ka një ndërprerje, një çarje, që shënjon – për mua – thelbin e konstituimit të revolucionarit si njeri mirëfilli politik.

Shoku im, që u ngatërrua dhe tha Vladimir Iliç Stalini, për të impresionuar pak mësuesen e historisë dhe për të fituar pak kohë, mbase do ta ketë ndier, njëfarësoj, hapësirën e fituar, falë asaj ndërprerjeje. Kjo, edhe në kontekstin tipik të atij që kërkon të fitojë kohë, duke kaluar nga një regjistër më pak formal në një tjetër më formal, që i lejon ta paketojë ligjërimin me ballast.

© 2020, Peizazhe të fjalës. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Steven A. Grant, Nomen est Omen: Onomastics and Russian Revolutionaries, The Slavonic and East European Review, Vol. 98, No. 2, April 2020.

[2] Payne, The Rise and Fall of Stalin, London 1968.

[3] Cituar sipas Martin Amis, Koba the Dread, Vintage Books, 2010. Këtë informacion e kanë dhënë të parët Zhores dhe Roy Medvedev, në The Unknown Stalin (2006). Thuhet se Stalini e pat mbajtur këtë letër te skrivania e punës, deri ditën kur vdiq, në 1953. Përfytyroj sikur e kish vendosur poshtë xhamit: dikur i kanë pasur mbuluar skrivanitë me xhama të mëdhenj të rëndë.

[4] Ndryshe është puna me shkrimtarin Aleksei Maksimoviç Peshkov, të njohur pastaj si Maksim Gorki: pseudonimi Gorki vjen nga rusishtja горький, “i hidhur”, dhe u shfaq si nom de plume që në 1892, i zgjedhur posaçërisht për të treguar se ky autor do të rrëfente “të vërtetën e hidhur” për jetën në Rusi. Ndërsa Maksim është emri i babait të shkrimtarit.

 

8 Komente

  1. Pseudonimet, me sa mbaj mend nga historia që na mësonin në shkollë dhe librat e at’hershëm, i kanë perdorur edhe bolshevikët shqiptarë. Nuk e di a është bërë ndonjë katalogim i tyre por, do isha kurioz nga iu lindi ideja të marrin një apo më shumë. Jugosllavët prapë?

      1. besoj se ka qene edhe kultur kacakesh e bandash, si kudo ne evrope, ndoshta llagapi fillon me heret, nga sklleverit e lire, kaloresit e deri te te paligjshmit (vogelfrei)… vazhdon ende te mafia e bandat e lagjeve, “boli” apo “cerri”, ose “kokemadhi” apo “saraca”.

  2. Nje shkrim pa vlere prej perrallaxhinjsh. Keshtu eshte kur nje njeri i vetem perpiqet te mbaje nje organ ” shtypi “. Me keto perralla e ngopet dynjane aq sa jeni bere bajate dhe te palexueshem edhe kur shkruani per ndonje gje te vertete dhe te sakte.

    1. Hapësira e komenteve në PTF nuk është chat room ku të hidhni çdo mendim kuturu që ju vjen në mëndje. Ju është vënë në dispozicion për të tjera qëllime, por jo për të vlerësuar cilësinë/dobishmërinë e shkrimeve.

      Por po ju përgjigjem për të mos lejuar shtrembërime të tilla të qëndrojnë. Është e vërtetë që një njeri përpiqet dhe e mban mbi shpatulla gjithë këtë përpjekje, por nuk është dhe aq vetëm sa çmund të duket. AV është autor i 62% të shkrimeve dhe nuk ka asgjë për tu çuditur. Peizazhet u krijua si hapësire për kënaqësinë e një grupi shume të vogël, dhe gradualisht tërhoqi kontributorë të tjerë – deri më sot ka rreth 145 kontributorë te ndryshëm. Dera ka qenë e hapur për të gjithë. Tani të mbajë dorën AV se mos e merrni ju për megaloman?

      (asnjë përgjigje rreth kësaj çështjeje nuk do të lejohet. faleminderit)

  3. Shkrim shume i kendshem, Ardian. Faleminderit per detajet dhe… fantazine.
    Nuk e di a do te kesh kohe te shkruash dicka per pseudonimet e shqiptareve ne kohen e Luftes se Dyte Boterore (e preku dikush me lart) dhe, me se shumti, per ato te ish-sigurimsave.
    …E kuptoj qe duket si ‘mision i pamundur’ se kjo qasje do te trazonte shume ndjenja, do te implikonte subjektivizmin dhe interpretimin, por mund te shmanget ‘frika’ e ketyre, po qe se, ndoshta, nuk do te referoje emra konkrete. Sa e veshtire?
    …E ke prekur bukur kete teme onomastike ne shkrimin per 5 emrat e mamase, dhe flet per suksesin e E. Rames lidhur me emrin e tij! Por c’do te thoshim per suksesin e disa p.sh. shkrimtareve si C.S. Lewis apo V. S. Naipaul?! Kush do i mesonte emrat e tyre, po te mos kishim Internetin!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin