KONTRAPUNKT

(minikomedi me një akt)

Sallon i një apartamenti luksoz, i stilit rokoko, i mobiluar rëndë. I vetëm, SHEFI, një burrë energjik dhe rondokop, i veshur në harmoni me rokoko-në e apartamentit, merr poza teatrale përpara një pasqyre të madhe dhe fillon të këndojë arien Largo al factotum, nga opera “Berberi i Seviljes”, e Gioacchino Rossini-t:

Ah, bravo Figaro! Bravo, bravissimo;
Ah, bravo Figaro! Bravo, bravissimo;
A te fortuna (a te fortuna, a te fortuna) non mancherà
Ah, bravo Figaro! Bravo, bravissimo;
Ah, bravo Figaro! Bravo, bravissimo;
A te fortuna (a te fortuna, a te fortuna) non mancherà
Sono il factotum della città
Sono il factotum della città
Della città, della città
Della città!!!
La la la la la la la la la!

Teksa SHEFI këndon dhe gjestikulon me të madhe, nuk vë re që në sallon kanë hyrë, pa zhurmë dhe njëri pas tjetrit, me instrumentet nën sqetull, muzikantët e një kuinteti tunxhi: TRUMBETA 1, TRUMBETA 2, KORNOJA FRANCEZE, TROMBONI dhe TUBA, të cilët po ia ndjekin performancën të mahnitur. Edhe muzikantët janë të veshur me rroba të epokës dhe kanë në kokë parruke dhe kapele me pupla.

SHEFI mbaron së kënduari dhe, ende pa i parë muzikantët, me orkestrën shoqëruese të aries që vazhdon të luajë në sfond, afrohet te një gramafon i stilit të vjetër, me altoparlantin në formë gypi, dhe ngre nga disku krahun me gjilpërën. Muzika ndalon menjëherë.

Që nga përjashta, përmes dyerve të mëdha të hapura të një ballkoni, buçasin duartrokitjet dhe brohoritjet e turmës.

SHEFI e heq nga gramafoni pllakën dhe e fut në këllëf, teksa edhe muzikantët e kuintetit të tunxhit kujtohen dhe fillojnë të thonë Bravo! Bravo! Bravo!

TRUMBETA 1: Performancë mbresëlënëse, shkëlqesia juaj!

KORNOJA FRANCEZE: Ariet ju kanë kaq hije!

TROMBONI: Si gjithnjë, i admirueshëm, shkëlqesi!

SHEFI (muzikantëve): Po ju nga m’u shfaqët kështu? Nuk guxon njeriu të këndojë se…

TUBA: si çdo mëngjes erdhëm, shkëlqesi, si çdo mëngjes.

SHEFI (lojcak): Po mirë. Kushedi edhe unë po ju prisja. Çfarë keni në plan të luani për mua sot?

TRUMBETA 2: Ndonjë gjë nga Telemann, shkëlqesi? Kemi kohë që nuk kemi luajtur nga Telemann…

SHEFI: Telemann? Jo, jo, Telemann është i mërzitshëm. Sikur kishit gati një gjë nga Bach-u…

TROMBONI: Contrapunctus I, nga Arti i Fugës, die Kunst der Fuge!

SHEFI: Tamam. Atë dua të më luani prapë.

Ai zgjedh me kujdes një pllakë nga rafti përbri dhe e vendos në gramafon, pastaj ul mbi të gjilpërën, teksa muzikantët marrin pozicionin gati për të luajtur.

Fillon muzika.

Me pantomimë të përsosur, muzikantët bëjnë sikur u bien veglave të tunxhit, teksa SHEFI dëgjon i hipnotizuar.

Gjatë kohës që luhet muzika, një person thatim i veshur me sqimë të madhe hyn për një çast në sallon, vështron rreth e rrotull, dhe largohet sakaq. Askush nga të pranishmit nuk e vë re.

Në fund të pjesës, SHEFI afrohet te gramafoni dhe e ndal; menjëherë edhe muzikantët i heqin instrumentet nga buzët.

SHEFI: Bravo! Bravo!

Përmes dyerve të ballkonit, dëgjohen duartrokitjet dhe brohoritjet e njerëzve përjashta.

SHEFI: Sa ju duan!

TROMBONI: Është merita juaj, shkëlqesi, që i keni hapur dyert muzikës klasike.

Tregon me dorë nga dyert e ballkonit.

SHEFI: Nuk kemi si të shkojmë në Europë, pa një kuintet tunxhi për së mbari.

Publiku përjashta vazhdon të duartrokasë dhe të brohorasë me të madhe.

TRUMBETA 1: Me lejen tuaj, shkëlqesi, duam të dalim t’i përshëndesim dhe të bëhemi pjesë e gëzimit të tyre.

SHEFI: E meritoni. Edhe publiku e meriton që t’ju shohë. Urdhëroni dhe dilni.

Përkulet dhe tregon me dorë nga ballkoni. Muzikantët dalin në rresht njëri pas tjetrit. Publiku përjashta brohoret edhe më fort.

SHEFI afrohet te rafti, zgjedh një pllakë tjetër dhe e vendos në gramafon. Fillon të dëgjohet një version i stilizuar, për tunxh, i këngës popullore TË KA LALI XHAN. Shkon pastaj te një panel tjetër me shumë dritëza, ku shtyp një buton, për t’i shtuar pjesës beat-in elektronik.

Hyn sërish ai tipi thatim i veshur me sqimë, që është, në fakt, ambasadori italian.

SHEFI: Signor Ambasciatore! Che bel piacere!

L’AMBASCIATORE: Il piacere è tutto mio, eccellenza!

SHEFI: Me çfarë mund t’ju shërbej sot? Pronto prontissimo son, come il fulmine, Sono il factotum della città!

(Disa nga fjalët italishte të SHEFIT, përkojnë me tekstin e aries së Figaros.)

L’AMBASCIATORE: Shkëlqesi! Erdha edhe pak më parë por ishit i zënë. Nuk desha t’ju ndërpres. Në fakt po kaloja në korridor, dhe dëgjova bandën e talentuar që po luante…

SHEFI: La banda, sì, la banda… Che meravigliosi che sono! Apo jo, Sua eccellenza?

L’AMBASCIATORE: A dire il vero, çfarë më solli këtu, ishte aria e Figaros, që valëvitej e varej nga dritaret e apartamentit tuaj te sheshi poshtë. Amo quella musica!

SHEFI: Vero, verissimo… Ju e dini sa më pëlqen muzika klasike. Ju e dini edhe sa kam bërë për muzikën klasike, në këtë cep të Ilirisë të Poshtme. Pa kërkuar asgjë, pa kërkuar asgjë…

Ndërkohë kuinteti i tunxhit vazhdon të luajë për popullin, që nga ballkoni, por shefi e ul volumin e muzikës, për të lejuar që të dëgjohet dialogu në sallon.

L’AMBASCIATORE: Opera, shkëlqesi, është zanafilla e gjithçkaje të kuptimshme. Marrëdhëniet mes vendeve tona…

SHEFI: Opera, operetta… Unë zbavitem shumë edhe me ju, carissimo amico. Keni shqisa të pagabueshme.

L’AMBASCIATORE: Ju falënderoj nga zemra, shkëlqesi… Por ajo banda që po ju thoja…

SHEFI: Janë këtu akoma, po argëtojnë masat poshtë në shesh. Nuk i dëgjoni? Kanë dalë në ballkon; tek i njëjti ballkon ku dal unë, kur mbaj fjalimet e mia, të cilat më kanë siguruar se nuk i kam fare pa vlerë… Peccato che non posso cantare, come vorrei, davanti al mio popolo… A nuk ju duket pak ironike kjo? Gjithsesi, mund t’i takoni sapo të mbarojnë. Do t’ju bëhet shumë qejfi. E kam fjalën, atyre do t’ju bëhet shumë qejfi, por mbase edhe ju. Kur ishte hera e fundit që jeni takuar me një kuintet tunxhi?

L’AMBASCIATORE (pas një pauze): Popujt gjithnjë janë mahnitur pas bandave. Mizoria e fatit të tyre.

SHEFI: Dhe kjo është në favorin tonë, apo jo?

L’AMBASCIATORE (konspirativ): Për këtë desha t’ju flas pak.

Kthehet për një moment nga ballkoni.

L’AMBASCIATORE: Kjo bandë… siç e quani edhe vetë. Nuk di t’i vë emër kësaj gjëje që po luan tani, por pak më parë, m’u bë se po eksploronte diçka nga Bach-u?

SHEFI: Bach-u, po. Il più grande di tutti. Diçka nga Arti i Fugës. Një pjesë që nuk më mërzitet kurrë…

L’AMBASCIATORE: Bach-u ka marrë shumë nga Vivaldi dhe kompozitorë të tjerë barokë tanët.

SHEFI (i vetëkënaqur): Vivaldi, posi. Eh, Vivaldi! Kush nuk ka marrë nga Vivaldi? E dini, sua eccellenza, që Vivaldi…

L’AMBASCIATORE (e ndërpret): Bach, però, è un po’ troppo – come dire – astratto, quasi quasi decadente. Non so se riesco a spiegarmi. Populli nuk e kupton Bach-un. Anzi, e keqkupton.

SHEFI: Prandaj u thashë atyre që, për popullin poshtë, të luajnë diçka folklorike, argëtuese. T’i flasin popullit një gjuhë të kapshme, pa stërhollime dhe intelektualizma.

L’AMBASCIATORE: Por populli nuk është budalla. Il popolo è furbo. Troppo furbo. Siç ju dëgjuan kur kënduat Figaron më parë, pastaj edhe Bach-un, ose karikaturën që i bënë ata Bach-ut. Dhe me siguri thanë me vete: adesso non ci si capisce più niente. Por tani që ka dalë banda për të luajtur tarantella-t e Lalit në ballkon, shumë nga ata poshtë do të thonë: ky tjetër muzikë dëgjon për vete, tjetër na ofron neve.

SHEFI (evaziv): Edhe kjo është gjë e mirë për ne, apo jo? Panem et circenses?

L’AMBASCIATORE: Ju e thatë vetë, shkëlqesi: banda ka dalë në ballkon, në po atë ballkon ku populli është mësuar t’ju shohë ju që t’i flisni. Banda ka dalë nga kontrolli juaj.

SHEFI: Mi dica, të dal edhe unë tani, në ballkon?

L’AMBASCIATORE: Jo, shkëlqesi, nuk e kam fjalën aty. Por dua të them që ju nuk duhet të lejoni një bandë njerëzish që nuk dimë se ç’janë, që t’ju përfaqësojnë para popullit poshtë.

SHEFI: Si muzikantë më pëlqejnë. Kanë shije. Më vinin nga pas dhe luanin për mua edhe kur isha në opozitë.

L’AMBASCIATORE: Që nga momenti kur dalin në ballkonin tuaj, nuk janë më muzikantë; fanno politica.

SHEFI: T’ua ndërroj pllakën dhe t’i vë të luajnë Bach-un edhe për miletin laggiù?

L’AMBASCIATORE: Prapë nuk po shpjegohem mirë. Vorrei dire che nga ajo bandë veç keq mund të presë njeriu. Ecco, basterebbe pensare a come hanno trattato il povero Bach: ia kanë marrë një copë nga Arti i Fugës dhe ia kanë dekonstruktuar krejt, kinse për ta orkestruar në tunxh.

SHEFI: Dekonstruktuar. Ha-ha-ha. Dekonstruktuar. Më pëlqen kjo fjalë.

L’AMBASCIATORE: Oggi po dekonstruktojnë këngën popullore. Domani… do t’ju dekonstruktojnë ju.

SHEFI qesh prapë, pastaj teshtin me të madhe.

L’AMBASCIATORE: Voce di Dio. E thotë edhe fjala vetë: “banda”, shkëlqesia juaj. Ç’mund të jenë ata muzikantë, përveçse banditi? Që komplotojnë kundër jush?

SHEFI: Banda, bandito… këto fjalë vijnë nga italishtja, apo jo?

L’AMBASCIATORE: Nga italishtja dhe nga Italia. Prandaj duhet të bëni diçka sa nuk është vonë. Një bandë në rezidencën tuaj: e kuptoni se ç’rrezik ju kanoset?

SHEFI fillon të shqetësohet, dhe ashtu avitet te gramafoni, e ndalon muzikën dhe e heq pllakën që andej, duke e futur në këllëf.

Nga jashtë dëgjohen ovacionet e zjarrta të publikut, që kërkon bis.

L’AMBASCIATORE: Keni armë zjarri me vete? Armë të ftohta? Chiamate le guardie! Chiamate le guardie! Questa banda ora ci ammazza tutti!

SHEFI: Si calmi, si calmi. Ja tani po i thërras rojet.

Nxjerr nga sirtari një bilbil dhe i fryn. Nën tingujt e La danza delle ore të Amilcare Ponchielli-t, në sallon hyjnë pesë badigardë të bëshëm, të veshur edhe ata sipas stilit të epokës, por me helmeta dhe shtiza. Të pestë rrotullohen në skenë, pastaj ndalojnë para SHEFIT dhe me gjeste si prej balerinash marrin pozicion për ta mbrojtur.

(Kalojnë disa çaste në heshtje.)

L’AMBASCIATORE: Pse nuk po vijnë? Dove cavolo sono?

(SHEFI u afrohet dyerve të ballkonit dhe shikon përjashta.)

SHEFI: Nuk qenkan në ballkon. Paskan ikur. Na kanë lënë puplat.

Ulet dhe merr nga dyshemeja një pupël dhe ia tregon ambasadorit, si provë.

L’AMBASCIATORE: Sono fuggiti? Come sono fuggiti? Chi li ha aiutati? Torneranno?

SHEFI: La banda si è data alla Fuga. Sikur ta dija.

L’AMBASCIATORE (duke psherëtirë): Edhe unë duhet ta kisha marrë me mend. Arti i Fugës…

SHEFI afrohet sërish te gramafoni, dhe vendos atje një pllakë të re. Fillon të dëgjohet orkestra e aries së Figaros, nga Berberi i Seviljes, dhe pastaj SHEFI bën sikur këndon:

Largo al factotum della città
Largo! La la la la la la la LA!

Presto a bottega che l’alba è già
Presto! La la la la la la la LA!

Ah, che bel vivere, che bel piacere (che bel piacere)
Per un barbiere di qualità! (di qualità!)

Ah, bravo Figaro!
Bravo, bravissimo!
Bravo! La la la la la la la LA!

(bie perdja)

1 Koment

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin