RRETH KOMENTEVE PËR GJUHËN

Vazhdojnë të vijnë, në revistë, njerëz praktikisht nga rruga, që lënë komente për gjuhën e përdorur në shkrimet, duke qortuar përdorimin e fjalëve “të huaja” dhe duke sugjeruar zëvendësime.

Si moderatori kryesor i komenteve dhe si drejtues i kësaj faqeje, e kam sqaruar disa herë, dhe po e përsërit, se komente për gjuhën e materialeve që botojmë përgjithësisht nuk do të lejohen të dalin.

Pse nuk do të lejohen?

  1. Sepse këto komente e zhvendosin vëmendjen nga tema e trajtuar në shkrim, te leksiku i saj (ndonjëherë edhe drejtshkrimi, etj.). Si redaksi, ne përpiqemi, brenda mundësive, që t’i paraqitim shkrimet sa më mirë, edhe nga ana gjuhësore; duke pasur parasysh që të shprehurit qartë ndihmon në komunikimin e tekstit me lexuesin. Por mangësitë gjuhësore të shkrimeve – reale dhe imagjinare – nuk duhen komentuar si të ishin pjesë e tematikave dhe problematikave.
  2. Gabimet gjuhësore janë një gjë, eksperimentimet gjuhësore një gjë tjetër dhe zgjedhjet stilistike një gjë tjetër. Dikush mund të përdorë trajtën shkruajta, edhe pse shkrova është trajta normative; dikush mund të provojë të futë një paskajore të gegnishtes; një i tretë mund të përdorë turqizma. Shqipja e shkruar është kantier i hapur. Por në asnjë mënyrë nuk do t’u japim hapësirë atyre që vijnë këtu – zakonisht nga rruga – për të na treguar se cilat fjalë të huaja kemi përdorur dhe me ç’fjalë shqipe mund t’i kishim zëvendësuar. Ka njerëz që mendojnë se purizmi është e vetmja politikë gjuhësore – punë e tyrja, por këtë nuk mund ta propagandojnë në faqet tona.
  3. Një person përndryshe i panjohur, dhe që komentonte për herë të parë te ne, erdhi dje të më shpjegonte se nuk duhej të kisha përdorur fjalën kurioz, sa kohë që mund të thoja kureshtar; nuk duhej të shkruaja i konfirmuar, por i pohuar, i miratuar; nuk duhej të thoja de-radikalizimi sepse nuk ka njësi fjalëformuese de- në shqipe, e kështu me radhë. Nuk m’i kursente as fjalët e ashpra, me këtë rast, siç bëjnë zakonisht ata të rrugës. Të gjitha këto, në vetvete, mund të diskutohen – edhe pse jo në komentet për një temë që nuk ka lidhje me leksikun e shqipes dhe normën leksikore. Mua më duket fatkeqësi e madhe që një lexues, në vend që të tërhiqet pas temës së trajtuar, të fillojë të kapet pas fjalëve që janë përdorur – madje jo fatkeqësi, por katastrofë. E kam të qartë se ka një ushtri anonime dhe gjysmë-anonime, të rreshtuar në horizont, që është specializuar me shfarosjen e këtyre “shfaqjeve të huaja” në shqipe – donkishotë, vërtet, por hajde dhe bindi për këtë mullinjtë me erë… Si dikush që e shkruan shqipen prej kohësh, mendoj se shqipja ka vend edhe për kurioz, edhe për kureshtar; se konfirmoj nuk është e njëjta gjë me pohoj, e kështu me radhë, sikurse mendoj se pastrime të tilla e budallallepsin leksikun, duke e varfëruar. Edhe parashtesa de-, te de-radikalizimi, nuk është dhe aq “e huaj” – sepse ka hyrë në shqipen librore me fjalë të tilla si destalinizimi, destabilizimi, dekompensimi, dekompozimi etj.; dhe një arsye do të ketë qenë pamundësia (fonetike) për të përdorur, në fjalë që nisin me st-, parashtesën sh-/zh-/ç-. Por është e vështirë t’i diskutosh këto, me dikë që e nis komentin e vet kështu:

“Si ka mundësi që ju gjuhëtarët që po plasni për t’u vetshpallur eruditë, shkelni mbi shqipen letrare sikur ato fyçkat e instagramit që e kanë marrë edukimin në youtube?!”

Gjithë duke mbajtur parasysh se paranoja është shumë e vështirë për t’u mjekuar.

  1. E thashë edhe më lart, se shkrimet që dalin te Peizazhe të fjalës gjithnjë kanë vend për përmirësim, edhe në aspektin gjuhësor. Por nuk i kemi mundësitë të paguajmë redaktorë të specializuar dhe as kohën për t’u marrë me këto tekste ashtu siç duhet; një revistë online ka tempon e vet, që duhet mbajtur – dhe, sidomos, ne gjithashtu kthejmë mbrapsht, për arsye gjuhësore, shkrime që nuk i përmbushin kriteret minimale. Njerëzit nuk e kanë mësuar shqipen në Peizazhe të fjalës, por në shkollat publike; mangësitë e tyre gjuhësore duhet t’ia faturojnë kësaj shkolle, jo një reviste që – mes të tjerash – përgjithësisht ka ruajtur, në vite, reputacion të mirë për shqipen që kultivon. Nga pikëpamja ime, si redaktor por edhe si gjuhëtar, problemi më i madh që ka shqipja sot është vështirësia e shkruesve për t’u artikuluar mirë – ose për t’i shprehur mendimet me të gjitha nuancat që meritojnë. Vërtet, aftësia për të argumentuar nuk varet tërësisht nga zotërimi i gjuhës, por gjuha e mangët nuk e lë argumentin të ecë, ia lidh këmbët. Rrjetet sociale, komunikimi përmes mesazheve tekst dhe komentimi nëpërmjet reaksioneve epidermike dhe emotikonave (më pëlqen/ s’më pëlqen) po i mëson shumë njerëz që të komunikojnë – dhe të komentojnë – vetëm kur janë të zemëruar; duke identifikuar mospajtimin me refuzimin emocional. Dhe kur zemërimi vë në shënjestër gjuhën, e gjithë kjo përfundon në komedi. Përfytyroni një mysafir që ju ka ardhur në shtëpi, i cili të fillojë t’ju qortojë me pasion për vendin ku e keni vendosur kolltukun në dhomën e pritjes. Ambulanca do të ishte zgjidhja më logjike.
  2. Por çfarë më zhgënjen, sistematikisht, është se shumë rrallë lexoj komente kritike për strukturën argumentative të një shkrimi – ose për aspekte të tjera të shprehjes dhe të “gjuhës”, që i tejkalojnë caqet e zgjedhjeve leksikore dhe në përgjithësi të normës. Duket sikur shumë zelltarëve të shqipes shkolla u ka mësuar vetëm rëndësinë e normës, por jo të gjuhës vetë (të cilën, në fakt, norma synon ta lubrifikojë); dhe kjo është po aq shqetësuese, sa edhe deliri i ca të tjerëve, të cilët ende e kundrojnë përdorimin e shqipes si një lloj rituali kombëtarist magjik, të shkëputur nga çfarë komunikohet ose përcillet nga ky ose ai ligjërim.
  3. Jam përpjekur ta argumentoj prej kohësh, edhe te libri Kundër purizmit i vitit 2012, se kjo hapje e sistemit leksikor ndaj kritikës masive, kjo gatishmëri e përdoruesve për të menduar se me çfarë mund ta zëvendësojnë një fjalë që “nuk u pëlqen”, zakonisht sepse është “fjalë e huaj”, në kombinim me entuziazmin për neologjinë, në fakt e ka dobësuar normën vetë dhe u ka çelur rrugën barbarizmave – në kuptimin që shumë prej nesh e kanë humbur aftësinë për të pikasur se cila fjalë i përmbahet normës leksikore dhe cila jo, duke e zëvendësuar këtë aftësi, ose shqisë normative, me një vigjilencë ksenofobike – dhe njëkohësisht qesharake – ndaj “fjalës së huaj”.

Dhe kështu me radhë. Si Peizazhe të fjalës, ne nuk e ndryshojmë dot kulturën dhe as etikën e komentimit online – por është e drejta jonë, që t’i moderojmë komentet dhe t’i heqim sa herë që këto bien ndesh me rregullat tona të komentimit. Ose më mirë, me rregullën kryesore, sipas së cilës komentuesi duhet t’i përmbahet temës së shkrimit ku komenton. Këtë rregull ne nuk e kemi shtruar ndonjëherë për diskutim me lexuesit dhe as do ta shtrojmë – është prerogativa jonë, të cilën do ta ushtrojmë vijueshëm.

Me fjalë të tjera – mos komentoni për gjuhën e një shkrimi, në hapësirën që ofrohet për komente rreth temës së atij shkrimi. Kush ndien se, megjithatë, ka diçka të rëndësishme për të thënë lidhur me gjuhën, leksikun, ose gjithçka tjetër të ngjashme, mund të na kontaktojë nëpërmjet seksionit merr pjesë.

Ardian Vehbiu

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin