RËNIA E KINEMA 17 NËNTORIT

shkruar nga Elsa Demo, në vitin 2003 dhe botuar në gazetën Korrieri.

Shembet më e vjetra dhe e para kinema me arkitekturë moderne në Shqipëri. Në vitet e tranzicionit bëri jetën e bingos, dhe prej disa ditësh është bërë rrafsh me tokën. E administruar si pronë private, pritet të fillojnë ndërtimet. Sipas një akt-marëveshjeje të pronarit të ri me Institutin e Monumenteve të Kulturës, nga kinemaja e dikurshme “17 Nëntori”, do të rindërtohet vetëm fasada me harqe.

Shfaqja e fundit në kinemanë e parë moderne në Shqipëri ishte shembja e saj. Xingato, kamionë, dhe pluhur betoni, në vend të Kinemasë “17 Nëntori”, në Rrugën e Barrikadave. Zëra se kjo do të ndodhte qarkullonin prej muajsh, për t’u shembur këto ditë. Kinemaja nuk ishte ndonjëherë monument kulture, as në pushtetin e vjetër, as tani. Edhe aksi ku ajo bënte pjesë nuk përfshihet në hartën e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Qytetit. Ligjërisht shembja përligjet.

I vetmi akt i nënshkruar që mbronte vetëm fasadën e kinemasë ka qenë mes pronarit aktual (dikur pronë e Beshirëve) dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës. “Kinemaja nuk ka kaluar si monument i veçantë në zonën e mbrojtur. Por sipas marrëveshjes së nënshkruar, fasada do të ribëhet në të njëjtin stil”, thotë drejtori i Monumenteve Gazmend Muka. Ai pohon se nga Bashkia e Tiranës ka ardhur një kërkesë për ndërtim mbi rrënojat e ish-kinemasë “17 Nëntori”.

Asnjë ligj nuk e mbrojti të paprekshme arkitekturën e të parës vepër moderne të vitit 1929, projektuar nga arkitekt Skënder Luarasi, dhe kur në brinjë të saj, ndërtime të vona si Hotel Tirana apo Qendra e Biznesit Veve kanë të gjitha shanset të marrin pasaportën që i mbron nga kërcënimi urban.

Kinema “17 Nëntori” u shemb me lehtësinë që mund të frysh një pupël në erë, dhe sepse organizmat administrativë që kanë në duar një listë të monumenteve të regjistruara, menduan se “ca si shumë ishin bërë ndërtesat bashkëkohore që duheshin marrë në mbrojtje”. Po të citojmë arkitektin Maks Velo, në apelin që botohet bashkëngjitur, “Prishja e kinema “17 Nëntorit” ishte një humbje e madhe për fondin e pakët që disponojmë. Kjo është e pafalshme. Kjo u bë me koshiencë dhe në mënyrë të pamëshirshme”.

Në vendimin 180 të vitit 2000, kur fillon puna për hartën e monumenteve të Tiranës që mbrohen nga shteti, thuhet se nga Kinema “17 Nëntori” do të ruhet vetëm fasada. Ndërsa drejtori i monumenteve pretendon se do të ribëhet. “Do të ruhet” dhe “do të ribëhet”, nuk është e njëjta gjë, sikur nuk mund të imagjinohet në trupin e një ndërtese të fillimit të mijëvjeçarit të tretë, imitimi i fasadës së kinemasë të fillimit të shek. XX, ose ndryshe të modelosh kadifen rreth shajakut. Edhe pse shumë mund të kenë argument rrënimin e kinemasë në gjiriz e bingo, në njëmbëdhjetë vjet tranzicion.

Ç’mund të mendojë një njeri i vetëm, në Institutin e Monumenteve të Kulturës, një njeri elegant në punën e një jete të tërë pranë monumenteve të kultit dhe ato bashkëkohore si Sul Dashi, kur lista prej 139 objektesh regjistruar prej tij, përfshirë matje, histori, fotografi, një dosje e tërë e qepur, nuk ka kaluar ende nga dikasteri i kulturës?! Aty ishte rreshtuar edhe “17 Nëntori”.

Për realizimin e këtij projekti do merrnin pjesë MKRS, IMK, Bashkia e Tiranës dhe Instituti i Projektimeve Urbanistike. Parashikohej se askush nuk mund të bëjë punime pa marrë leje. Sepse shumica e objekteve që përfshihen në këtë zonë janë funksionale. Në këto ndërtesa lejohet ndërhyrja duke bërë përshtatjen me stilin e arkitekturës, pa e tejkaluar atë.

Specialistë e njerëz të zanatit, nëse mendojnë se evolucioni urban në Tiranë nuk është bërë sipas rregullave standarde për Rregullimin e Territorit, le të vazhdojnë ta ngrenë zërin kafeneve, kokë më kokë. Kinema “17 Nëntori” do të mbetet kujtim.


Rekuiem për “17 Nëntorin”

nga Maks Velo

Mora lajmin se Instituti i Monumenteve të Kulturës aprovoi prishjen e Kinema “17 Nëntorit”, që ishte një nga veprat në listën e objekteve të arkitekturës moderne në Shqipëri.

Një dhimbje e veçantë dhe një pezm më pushtoi. Pyetja që bëj është: si është e mundur të aprovohet me kaq lehtësi zhdukja e atyre pak vlerave që kemi? Se duhet të themi se vepra të arkitekturës moderne të projektuara nga arkitektët tanë para Çlirimit janë të pakta. Kjo kinema ishte ndër më të spikaturat dhe më të dalluarat. Ishte vepër e arkitektit Skënder Luarasi dhe ishte ndërtuar në vitin 1929. Sa herë që e vizitoja më çudiste racionaliteti dhe moderniteti i stilit. Jashtë dominohej nga tre harqe të lartë që mbanin sipër volumin e kabinës së projeksionit. Hyrja ishte veçanërisht e zgjidhur me lehtësi dhe tregonte aftësitë profesionale të autorit. Holli megjithëse ishte i vogël kishte atmosferë dhe i lidhte spektatorët gjatë minutave të pritjes për t’u futur në sallë. Veshja me mermer të zi ishte me efekt qetësues dhe pritës. Prej aty kalohet në sallën e platesë apo me anën e shkallëve, lart në llozhë. Salla ishte e proporcionuar dhe kishte parametra optimalë vizualë dhe auditivë. Nga ana e djathtë ishin dyert e daljes. Aty, nga ajo anë u bë edhe një kinema verore që lidhej funksionalisht shumë mirë me atë dimëroren. Ka qenë kinemaja më luksoze e kryeqytetit shqiptar në kohën e mbretërisë dhe gjatë pushtimit. Ajo mbeti kinemaja më e zgjedhur edhe mbasi në Tiranë u ndërtuan të tjera si “Partizani”, “Republika” etj. Në vitet e vështira të diktaturës, kinemaja ishte e vetmja hapje vizuale drejt Perëndimit. Atëherë kishim vetëm librat e përkthyer dhe filmat. Po filmi ish më i plotë, më i gjallë, më tërheqës. Ish e vetmja mënyrë që të shihnim pak “perëndim…”. Tek kjo kinema kam parë “Vjedhësin e biçikletave”, “Nuk ka paqe nën ullinj”, “Vdekja e çiklistit”, “Ishulli i vetmuar”, “Pagesa e frikës” dhe qindra filma të tjerë. Gjithmonë kisha dëshirë që filmat perëndimorë t’i shihja tek ajo kinema, sepse arkitektura e saj lidhej me vetë filmat. Ishte një nga veprat e para të arkitekturës moderne, projektuar nga ark.Skënder Luarasi, por njëkohësisht një nga veprat më të dalluara të asaj kohe. Në ato dekada në Shqipëri punuan Qemal Butka, Anton Lufi. Trashëgimia e tyre është shumë e rëndësishme për Historinë e Arkitekturës Shqiptare, sepse aty bëhet kalimi, për herë të parë nga arkitektura popullore në atë profesionale. Në mënyrë të veçantë arkitekt Luarasi dallohej për një modernitet, nga më të pëlqyeshmit dhe më racionalët: në të dallohen qartë elementët në fasadat dhe funksionimi perfekt i planimetrive. Ai zotëronte kapacitetet profesionale baraz me shumë kolegë evropianë. Këtë e tregojnë veprat e tij. Ai e pati të vështirë t’i adaptohet parimeve emblematike të arkitekturës së realizmit socialist dhe kjo tregon se pati një brumosje të fortë dhe të plotë moderniste. Ai mbetet racionalisti më i shquar tek ne. Veprat e tij pas Çlirimit janë kapitulli më i rëndësishëm i arkitekturës moderne të gjysmës së parë të shek.XX.

Prishja e kinema “17 Nëntorit” ishte një humbje e madhe për fondin e pakët që disponojmë. Kjo është e pafalshme. Kjo u bë me koshiencë dhe në mënyrë të pamëshirshme.

Çuditem se si Shoqata e Arkitektëve nuk protestoi dhe nuk ndërhyri!

Çuditem se si Fakulteti i Arkitekturës nuk protestoi dhe nuk ndërhyri!

Çuditem se si KRT-ja mundi të aprovojë një gjë të tillë!

Kjo kinema ishte vepra më e mirë në llojin e vet, ndër gjithë kinematë e projektuara në Shqipëri. Po ky fat ngjau me kinema “Mazhestik” në Korçë, të cilën duke e kthyer në kinema Milenium i prishën tipologjinë me plate dhe i ndërtuan një soletë të pjerrët.

Protestoj për prishjen e kësaj kinemaje!

Arkitekt,

12 shkurt 2003

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin