PIKTORI DHE DIKTATORI

nga Ilia Lëngu

Në gusht të vitit 1995, punova për disa javë në Bibliotekën e njohur pariziane Sainte-Geneviève, që ndodhet në zemër të Quartier Latin, në krah të Panteonit, ku prehen eshtrat e figurave të shquara të kombit francez. Kërkoja, duke kaluar në mikrofilm tërë koleksionin e gazetës letrare “Les lettres françaises”, dokumente lidhur me një studim të ndërmarrë prej vitesh.

Kureshtja dhe padurimi më shtoheshin sa më shumë i afrohesha vitit 1953, sepse një nga numrat e muajit mars paraqiste, për mua, interes të veçantë. Në të duhej të ishte edhe portreti i Stalinit nga Pikasoja me rastin e vdekjes, për të cilin kisha dijeni (si shumica e shqiptarëve) nga që kishte folur (me indinjatë e përbuzje) Enver Hoxha në një nga librat e tij. E kam të vështirë të shpreh përjetimin tim, kur më doli, papritur (sepse ishte një numër gazete i fillimit të shkurtit 1950), një vizatim krejt i panjohur i piktorit të famshëm, që asokohe bashkëpunonte, herë pas here , me gazetën e Aragonit, rrethuar nga një poezi e Gijvikut kushtuar Stalinit, si dhe nga një shkrim për librin e Zhan-Rrishar Blokut kushtuar po atij.

Në dhjetor të 1949, në Bolshoi Teatër, ishte festuar me madhështi 70-vjetori i “Babait të Popujve”. Faqja e gazetës që shihja në ekran ishte, sigurisht, jehonë e ngjarjes “fatlume”. Poeti i njohur, i konvertuar tashmë në komunist, zhvillonte në poezinë e tij të gjatë, një bisedë “të ngrohtë” me “shokun Stalin”, përmendte kalimthi “mirësinë” e tij dhe e mbyllte atë me vargjet prozaike: “Për të fituar ne kemi veprën dhe shembullin tënd”. Kurse shkrimtari dhe publicisti i famshëm rrekej të përhapte në opinionin francez “madhështinë” e figurës së Stalinit, “Njeriut të Komunizmit”, siç e quante ai. Po piktori gjenial ç’kishte bërë kështu? Unë nuk u besoja syve. Ai ngrinte dolli, duke i uruar, me germa të mëdha, shëndet Stalinit. Piktori dhe diktatori çukisnin nga larg gotën me njëri-tjetrin, kur ky i fundit pinte më shumë gjak se verë! Pas habisë, ndjeva thellësisht kënaqësinë e studiuesit që ndesh në dokumente të panjohura dhe me interes. Aparatura moderne e bibliotekës të jepte mundësinë e fotokopjimit të menjëhershëm dhe unë bëra disa fotokopje të këtij vizatimi të rrallë, si dhe të tjetrit, botuar në numrin e fillimt të marsit të vitit 1953.

Ideja e një shkrimi në gazetën “Drita”, duke i bërë të njohur për herë të parë lexuesve të saj vizatimet e Pikasos, më lindi në çast, krahas, sigurisht, shfrytëzimit të mëtejshëm të dokumenteve të gjetura. Një rastësi disi e habitshme bëri që, në fund të gushtit, stacioni prestigjoz radiofonik “France-Culture”, t’i kushtojë dy emisione njëorëshe, me interval njëjavor, figurës së Stalinit. Veç kësaj, kisha blerë librin e bukur të sapobotuar të Pierr Deksit, kushtuar Aragonit, ku një kapitull i veçantë tregonte për historinë e portretit të Stalinit. Mbi këtë bazë, duke bërë të njohura disa të dhëna interesante me karakter informues, mendova të trajtoj, njëherazi, edhe problemin e keqtrajtuar shpesh të pikëtakimit të letërsisë dhe artit me politikën dhe ideologjinë.

Historia e vizatimit të parë është më e thjeshtë. Ajo lidhet me imazhin mitik dhe një lloj kulti me përmasa ndërkombëtare, krijuar rreth figurës së Stalinit, fill pas Luftës së Dytë Botërore. Dukej sikur jo vetëm popujt sovjetikë por mbarë bota i detyrohej gati për gjithçka Stalinit. Ndaj dhe kremtimi i bujshëm i 70-vjetorit të lindjes, urimet, përbetimet, krijimet artistike, dhuratat simbolike etj. E kësaj kohe është edhe poezia e Pol Elyarit për Stalinin.

Historia e vizatimit të dytë është më e bujshme dhe ia vlen të ndalesh më shumë. Të dhënat që sjell, tani së fundi, Pierr Deksi, asokohe kryeredaktor i gazetës “Les lettres françaises”, lejojnë të krijohet një ide më e plotë dhe më e saktë për atë që u quajt “Çështja e portretit”, por dhe për klimën e atëhershme në gjirin e një partie komuniste nga më të vjetrat në Europë.

Ftesa për të bërë diçka për numrin e gazetës kushtuar vdekjes së Stalinit, Pikasos iu bë në emër të Aragonit. Vizatimi erdhi në redaksi në çastet e fundit dhe, pa asnjë ngurrim, u vendos të botohej, duke shtuar poshtë: “Stalini, nga Pablo Pikaso 8 mars 1953″. Piktori i madh e kish paraqitur Stalinin të ri, mbi bazën e një fotografie të viteve 1903-1904, botuar ato ditë nga revista “Regards”.

Reagimi i udhëheqësve të partisë dhe i militantëve të bazës ishte i menjëhershëm. Në telefon, Elsa Trioleja (e shoqja e Aragonit) i thotë Pierr Deksit se ai dhe Aragoni kishin bërë një marrëzi duke botuar atë portret. Kundërshtimit të tij, se “Stalini, në fund të fundit, nuk ishte Perëndia vetë”, Elsa me zgjuarsinë e saj të njohur, i përgjigjet: “Pikërisht i tillë është, Pierr. Askush nuk ka për ta lexuar këtë numër. Madje askush nuk do ta vrasë mendjen se ç’ka dashur të thotë Pikasoja me këtë vizatim. Në të vërtetë ai nuk e ka shpërfytyruar fytyrën e Stalinit. Përkundrazi ai e ka respektuar. Veç ai guxoi ta ndryshojë. Ai guxoi, Pierr, a e kuptoni çdo të thotë kjo?…” Aragoni pati burrërinë ta çlironte kryeredaktorin nga përgjegjësia dhe të merrte gjithçka mbi vete. Dhe Deksi, që nuk vonoi të kthjellohej e të këpuste lidhjet me partinë komuniste, shkruan në librin e tij: “Stalini ishte shndërruar vërtet në baba i popujve. Në një plak të thinjur dhe babaxhan. Pikasoja, me nuhatjen e tij të zakonshme, e kishte çbërë këtë imazh iluzor. Ne akuzoheshim tanimë se kishim botuar një Stalin gjakatar, një Stalin aziatik, Stalinin e armiqve tanë”.

Shumë shpejt, kjo çështje mori një karakter politik. Gazeta u detyrua të botonte komunikatën e sekretariatit të partisë që e kundërshtonte botimin e portretit. Aragoni pranoi të bënte autokritikë publike dhe të botonte reagimet e shumta të kuadrove sektarë si dhe të militantëve të bazës, “të fyer dhe të indinjuar” nga veprimi i redaksisë. Pikasoja, i vënë në dijeni për sa ndodhën më pas, nuk i dha shumë rëndësi dhe i quajti ato një histori brendapërbrenda familjes.

Ndërsa dy emisionet radiofonike, të një niveli profesional tepër të lartë, me një gërshetim të përsosur të materialit informativ dhe intervistave apo dëshmive të ndryshme, ishin një model i masmedias së vërtetë, të hapur e të çliruar nga paragjykimet. Figura e Stalinit u analizua në tërë kompleksitetin e saj. Si lindi dhe mori përmasa mitike kulti i Stalinit, duke e bërë atë të gjithëpushtetshëm dhe të kudopranishëm. U vu në dukje klima e frikës, dyshimit, survejimit të përhershëm, me momentet saj më të ndezur, spastrimet masive të diktatorit, sapo që ai ndiente rrezikun më të vogël të prekjes së pushtetit të pakufizuar të tij, siç ndodhi në 1935, në 1947, madje dhe dy muaj para se të vdiste, kur në janar 1953, u akuzuan dhe u dënuan me vdekje “bluzat e bardha”, shumica e të cilëve ishin hebrenj.

E megjithatë, ky njeri që gjithë jetën zbatoi me gjakftohtësi e makiavelizëm djallëzor politikën e terrorit, shkaktoi, kur vdiq, një tronditje të madhe brenda dhe jashtë Bashkimit Sovjetik të asaj kohe. U krijua një atmosferë në prag të marrëzisë e të histerisë së përgjithshme. Nga të katër anët e vendit, njerëzit u  dyndën me çfarëdolloj mjeti, për të parë për të fundit herë “Atin” e tyre. Ditën e ceremonisë së varrimit, “Sheshi i Kuq” mori qindra jetë njerëzish të pafajshëm (sikur të mos mjaftonin viktimat e panumërta në të gjallë të diktatorit), shtypur nga lëvizjet kaotike të turmës gjigande të dalë jashtë kontrollit.

Në këtë kontekst kuptohet se përse procesi i destalinizimit, jo vetëm që nuk ishte i lehtë, por zgjati aq shumë, madje ende sot, kur trupi është hequr nga Mauzoleu dhe është vendosur në një varr të thellë (me dhjetë metra beton përsipër!), gjen andej-këndej nostalgjikë që fantazmën gjakatare të diktatorit e mbajnë për idhull dhe nuk duan të çlirohen nga pushteti okult i një iluzioni, tashmë të humbur përfundimisht për këdo që është në gjendje të gjykojë me mendje të kthjellët. Shifrat tronditëse që sjell Brzhezhinski, në librin e tij “Jashtë kontrollit”, botuar kohët e fundit edhe në gjuhën shqipe (20-25 000 000 jetë të masakruara gjatë viteve që Stalini ishte në krye të partisë dhe të vendit) flasin vetë dhe nuk kanë nevojë për koment.

Nëse mbajmë parasysh këtë kuadër të zymtë, si shpjegohet vallë që firma më e shquar e pikturës moderne të gjendet poshtë dy vizatimeve, kushtuar njërit prej diktatorëve më gjakatarë të Historisë njerëzore? Së pari, nuk duhet harruar se kemi të bëjmë me vizatime pak a shumë të shpejta, që nuk kanë kurrfarë peshë në veprën e përgjithshme të Pikasos. Kuptimi i tyre është më tepër politiko-ceremonial se artistik dhe dallimi bëhet dukshëm kur kujton pikturën e famshme “Guernica”, ku është fiksuar dhe shprehur me gjenialitet një moment tragjik i Luftës së Spanjës.

A ka mospërputhje, kontradiktë, midis piktorit që reagoi me talentin e tij kundër barbarisë fashiste, duke krijuar një kryevepër artistike dhe dy vizatimeve kushtuar simbolit të barbarisë komuniste? Sigurisht që ka, por jo në atë shkallë siç mund të duket në vështrim të parë. Mbi të gjitha, gjërat duhen parë fillimisht me syrin e kohës dhe vetëm pas kësaj mund të ndriçohen më tej e më mirë, përmes asaj që kemi mësuar qysh atëherë. Përndryshe, çdo kokë e rëndomtë e këtij fundshekulli, mund të pretendojë se kishte për të qenë këshilltari më mendjehollë i “kokëtrashëve” gjenialë që jetuan para tij dhe, për pasojë, shekulli XX do të kishte qenë krejt ndryshe…

Sot, shumëkush e ka të lehtë të vërejë ngjashmëritë midis totalitarizmit fashist dhe totalitarizmit komunist. Miti fashist dhe miti komunist ngjasojnë në mënyrën e funksionimit dhe mjetet e përdorura, veçse thelbi i tyre është i ndryshëm. I pari ngrihet mbi pabarazinë e racave, të drejtën e më të fortit, çnjerëzoren, i dyti mbi një ideal njerëzor e fisnik për mbarë njerëzimin. Sot këto dy forma të totalitarizmit i takojnë së shkuarës, Historisë. Sipas filozofit Edgar Moren, i pari u shemb nën peshën e bombave dhe bota e qytetëruar triumfoi mbi barbarinë, ndërsa i dyti, pasi përpiu “përpjekjet njerëzore, mbinjerëzore dhe çnjerëzore” të qindra milionë vetëve, u shpërbë nga brenda dhe sot është e qartë, për këdo që nuk e ka humbur aftësinë gjykuese, se ai ishte iluzor dhe i paarritshëm. Veçse, për një kohë relativisht të gjatë, “iluzioni fantastik” (sipas E. Morenit) i shekullit XX, funksionoi herë si aspiratë mitike, herë si dukuri mistifikuese. Ndaj dhe kostoja ishte aq e lartë. Brzhezhinski thotë se “përpjekjet e dështuara për ndërtimin e komunizmit në shekullin XX konsumuan jetën e rreth 60 000 000 qenieve njerëzore, duke e bërë komunizmin dështimin më të kushtueshëm në të gjithë historinë”. Por nëse viktimat mund të përllogariten deri diku me saktësi, askush nuk do të mund të përllogaritë shifrën e qindra milionave që besuan, u mashtruan dhe (duan apo nuk duan ta pranojnë) gabuan në zgjedhjen e idealit të tyre.

Në këtë kuadër duhen vendosur dhe parë edhe ato raste të quajtura me ngut “komprometuese” për shkrimtarë e artistë si Pikasoja etj., që në rrugën e krijimtarisë së tyre u kryqëzuan me hijen gjigante të mitit komunist dhe besuan në ardhjen  e “Mbrëmjes së Madhe” festive për mbarë njerëzimin. Vizatimi për 70-vjetorin e lindjes së Stalinit hyn në morinë e veprimtarive kremtuese për Fitimtarin e luftës kundër fashizmit dhe simbolin ende të pazhvlerësuar të një ëndrre të bukur. Gjithsesi, kemi të bëjmë kryesisht me një urim konvencional. Të njëjtën natyrë, pak a shumë, do të mendoja se ka dhe vizatimi tjetër për vdekjen e Stalinit. Piktorit iu kërkua të bëjë diçka me këtë rast dhe ai, ndofta më në dijeni tanimë të dyshimeve që po shtoheshin rreth “bëmave të diktatorit”, i bëri atë “retush” kuptimplotë. Veçse, nuk më duket pa interes të kujtoj ndërkaq, se piktorit spanjoll, kurrë nuk i shkoi ndërmend të marrë penelin për diktatorin fashist të vendit të tij, gjeneralit Franko. Pa interes nuk më duket as fakti tjetër se, po në faqen e parë të gazetës “Les lettres françaises”, në krah të vizatimit të Pikasos, ndodhet homazhi i gjatë për Stalinin i shkencëtarit të famshëm nobelist Frederik Zholio-Kyri, ndërsa poshtë, vargjet e një poeti thellësisht të pikëlluar, për të cilin, pas vdekjes së Stalinit, “bota mbeti jetime”. Në faqet e tjera ka me dhjetëra emra të njohur e më pak të njohur, midis të cilëve dhe Aragoni e Pierr Deksi, që rreken të gjejnë formulime sa më të goditura e më afektive, siç ndodh kurdoherë në të tilla raste, siç ndodhi dhe në masmedian shqiptare në prill 1985, kur i erdhi radha shëmbëlltyrës ballkanike të diktatorit rus. Por më mirë mos ta hap më shumë parantezën shqiptare, se ndër viset tona nuk ka dalë ende dimri dhe, herë pas here, fryjnë erëra të ftohta…

A mund të mendohet se, pas kësaj, gjithë këto figura të nderuara u “komprometuan” keqas apo përfundimisht, se kontributi i tyre në këtë apo atë fushë të letërsisë dhe artit u bë pa vlerë dhe se ata nuk kanë më të drejtën morale për të shprehur mendime të tjera më pas? Në një shoqëri të emancipuar, as që bëhet fjalë të ndodhë kështu. Është e habitshme të vëresh, megjithatë, sesi njerëzit që jetojnë në shekullin që përmbysi, zhvlerësoi apo vuri në pikëpyetje gati tërë vlerat njerëzore, që njohin prej kohësh tanimë teorinë e relativitetit universal të Ajnshtajnit, që kanë hyrë në epokën e Pasigurisë së gjithçkaje, vazhdojnë të gjykojnë e të mendojnë ende me parametra e paragjykime jo vetëm të kapërcyera, por edhe arbitrare e absurde.

Qenia njerëzore është vërtet superiore ndaj gjithë specieve të tjera të natyrës, dhe ka realizuar arritje kolosale e madhështore, veçse ajo mbetet, siç thotë poeti, “një pus i thellë e i shqetësuar”, e ndërgjegjësuar tanimë se “asnjë arritje nuk është përfundimtare dhe e qëndrueshme” , se në mendimin modern po mbizotëron pikëpamja se jo vetëm që nuk ka më të vërteta absolute por madje as dhe relative, dhe se gjithçka është vetëm çështje, mënyrë interpretimi. Në këto kushte ai që pretendon se zotëron gjithmonë të vërtetën, se është konsekuent në parimet e veta, se nuk gabon kurrë në jetën e tij, gënjen më tepër veten sesa bind të tjerët.

Aq më tepër vlen të mbahet parasysh një këndvështrim i tillë në fushën e krijimtarisë letrare dhe artistike. Lajthitjet dhe “komprometimet” e shkrimtarëve dhe artistëve (të çfarëdo krahu a ngjyre qofshin), më së shumti mund të kenë interes biografik  për këtë apo atë moment të jetës së tyre. Ato mund të ndihmojnë gjithashtu për të kuptuar më drejt ndonjë problem të veçantë të krijimtarisë, veçse kurrë nuk duhet të ngrihen, në kriter themelor për vlerësimin e veprave të ndryshme apo të veprës në përgjithësi të një shkrimtari apo artisti.

Kur në natën e dhjetorit 1995, Barbara Handrix këndoi në sheshin Bastijë këngën “Koha e qershive”, me tekst të poetit komunar Zhan-Batist Kleman, turmës gjigante të mbledhur për të nderuar Presidentin Miteran, që do të varrosej të nesërmen, as që i shkonte ndërmend “komprometimi” i atij që kishte dashur të ishte “poet dhe ushtar i Revolucionit”. Dhe nën shiun e imët që s’pushonte, qindra mijëra njerëz, përtej spektrit politik që përfaqësonin, vibronin të prekur sa nga talenti i jashtëzakonshëm i këngëtares zezake amerikane, aq dhe nga bukuria tronditëse e vargjeve të poetit. Atë natë e kuptova më mirë se përse, gjatë një vizite në varrezat Per Lashez, kisha parë lule të freskëta mbi varrin e këtij poeti, vdekur njëqind vjet më parë, si dhe emocionin që kisha ndier, teksa prekja e rregulloja buqetën e prishur nga era…

(c) 2020, Ilia Lëngu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ky shkrim është botuar për herë të parë në gazetën “Drita” të datës 17 mars 1996.

Rreth Autorit

Ilia Lëngu është studiues dhe përkthyes. Mban gradën “Doktor i shkencave” dhe titullin shkencor “Profesor”. Është autor i librave me studime letrare: “Alkimia e Fjalës” dhe “Vështrimi i Orfeut”, si dhe i disa teksteve universitare. Ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra të rëndësishme nga letërsia franceze si “Tundimi i shën Antuanit” të Floberit, “Poezi të zgjedhura” të Aragonit, “Njeriu i revoltuar” të Kamusë, etj.

Author Archive Page

15 Komente

  1. E ku tjeter vecse ne France.
    Kultura, sot ne menyre organike perqafon, dhe perfaqeson idete e majta. E ca me teper kjo ne France, ku duket se e ka origjinen si praktike. . Fillo qe nga periudha e revolucionit te 1789 e deri ne ate tjetrin te 1968. Motoja ngelet …”vaut mieux avoir tort avec Sartre, que raison avec Aron…” Shume nga drejtuesit e levizjeve komuniste neper bote, statistikisht kjo jo e rastesishme, jane edukuar ne France, qe nga Ho Shi MIn, Teng Ciao Ping, Pol Pot.. perfshi ketu edhe ate tonin.

    Poeti ne 1184, ne nje poeme te gjate me titullin Architrenius, e per shkruante Parisin e asaj kohe me keto ngjyra:

    Parisi, pallati i dyte i Foebus-it (Apollonit)
    Delfik, me qytetart e vet
    Kroesus nga pasuria ( mbreti i famshem Kroesus i Lydia-s}
    Greqi ne bibliotekat e veta
    Indi ne shkollat
    Rome per poetet
    Atike per filozofet
    Lule e botes
    Melhem i krijeses
    Sidon ( qytet ne Libanin e sotem) per shkelqimi, e tij, festat dhe te pirit

    Kam pershtypjen se behesh i majte kur je i ngopur.

      1. Te faleminderit..
        Nuk e kisha hasur gjekundi as titullin dhe as autorin.

        E majta franceze me intereson sepse me duket i rendesishem evolimi i mendimit te saj. (edhe Marksi ne ate burim e mbushi ulin e vet)
        Influenca e saj eshte dhe mbetet goxha e madhe, Merr per shembull moton “liberte, egaliete, fraternite”.
        U formulua per here te pare politikisht ne 1790. Megjithese diku kam lexuar se si origjine , e ndofta edhe praktike, e ka gjenezen ne epoken e mbreterise se Jerusalemit, gjate kryqezatave.
        Kjo moto ngelet bashkekohore, me peshe dhe influencon njerezit, edhe sot e kesaj dite, gati 250 vjet me vone. E djathta, me qe jemi tek Franca, e djathta franceze te themi e asaj kohe, edhe ajo kishte motot e veta si psh ..” la nation, la loi, le roi…” ose “union, force, vertu”, ose “liberte, surete, propriete”. Asnje nga keto nuk ka mbijetuar. Asnje nga keto nuk i thote gje njeriu.

        Ne pergjithesi propaganda e majte ka qene dhe mbetet me efektive, me seduktive. E majta i ben thirrje nje dickaje te padukshme, te paprekshme.te pamaterializueshme. Eshte nje propagande qe arrin te penetroje, e qe i flet gati gati ne menyre subkoshiente pjeses me primitive te koshiences sone, aty ku qendrojne te gjithe reflekset tona qe kane te bejne, mendoj, me sigurine dhe me te ardhmen, si ne planin personal ashtu edhe ate te grupit. dhe ku intuita overides logjiken. Perndryshe eshte e veshtire te kuptohet “magjia” e ketyre ideve, megjithe lumenjte e gjakut te derdhur gjate aplikimit praktik te tyre.

        Rregulli, respektimi i ligjit, ulja e taksave, rritja e investimeve, shtimi i vendeve te punes jane te gjitha objektiva te vlefshem,te realizueshem, por me spekter te ngushte. Demografik dhe jo vetem.

        Pune per te gjithe, shtepi per te gjithe, green revolution, drejtesi per te gjithe, barazi per te gjithe, nuk jane objektiva. Nuk realizohen dot. Por ama kane nje spekter te gjere. Cdo kush e kupton se per cfare po flitet, dhe eshte i prirur ne menyre natyrale ti doje, ti respektoje e ti besoe ato.

        E djathta flet per makinat, per zjarr, per muskuj.

        E majta flet per fusha te gjelberta, per peme, per ajer.

        Kush eshte me ndjellese?

        1. Spartanet spartiote/spartiate quheshin edhe ”homoioi” dmth te barabartet, si dhe kishin edhe vellazerine edhe lirine. Kujdeseshin qe te kishin shtepi e ilote per te gjithe, drejtesi e barazi per te gjithe. Por edhe modeli arian i Hitlerit nuk dallonte shume, cfare ishin ariane duhet t’i kishin keto e si spartiatet edhe nderin e lavdine. Edhe persianet e lashte thuhet te Kiropedia e Ksenofontit, ishin shume te barabarte, e kishin drejtesi, barazi, pune, nder e lavdi per te gjithe persianet.

          Keto nuk jane as te majta e as te djathta, ceshtja eshte tek spektri ku shtrihen. E djathta thote spektri eshte i ngushte, ose eshte klasor/shtresor, si tek spartiatet ose kombetar/etnik si tek persianet e lashte ose edhe racor tek rasti hipotetik i arianeve te Hitlerit, por edhe praktik i arianeve te lashte te Indise qe e ndane shoqerine ne kasta fillimisht me baze racore dhe etnike, pastaj vijuan si shtresa shoqerore deri ne ditet tona.

          Ata qe thane liberte, egalite, fraternite ishin po te njejtet qe me ne krye Napoleonin u perpoqen te pushtonin gjithe Europen, ndersa ata te Jeruzalemit pushtuan shume arabe.

          Kur dikush thote liberte, egalite, fraternite, i duhej bere pyetja, po per ke, se historia eshte plot me liberte,egalite e fraternite?

          Per fusha te gjelberta, per peme e ajer fliste gjithe diten e biles nqs e besojme edhe naten, Naim Frasheri, po jo se ishte ekologjist ( si domatja, jeshile jashte, e kuqe brenda) ante litteram.

          Kisha e bazonte pushtetin e vet tek shitja e nje utopie morale, ashtu si edhe islami dhe hebraizmi. Kete forme pushteti qe buron nga utopia morale eshte perpjekur t’ia marre kishes e majta dhe pastaj rregullisht ashtu si priferinjte e peshkopet edhe kreret e se majtes politike e intelktuale, kane thene beni si them une e mos beni si bej une ( nuk ka nevoje per ilustrime me shembuj).
          Ne fund fare, ky eshte edhe funksioni i te majtes parlamentare e sistemike, te mbaje nen kontroll delet e Perendise, qe zhvillimi teknologjik e kapitalizmi i levizi nga toka bujqesore drejt uzinave e fabrikave dhe njekohesisht i shnderroi nga pronare biznesesh familjare si eshte prona bujqesore e blegtorale ne rrogetare.
          E si do ia dilnin kapitalistet me delet e Perendise pa te majten parlamentare qe i kullot shpirterisht ?

      1. Per mendimin tim, veteinteresi nuk eshte ideologji, nuk eshte zgjedhje sociale.

        Shpesh e barazojne ate me makuteri, babzi.
        Te vjetrit e dinin mjaft mire kete. Prej nga edhe tre maksimat e famshme:
        -Njih vetvehten
        -Asgje me tepri
        -Siguria (te qenit i sigurte) sjell shkaterrim

        1. Po te kemi parasysh qe ne Shqiperi nje nga parrullat me te vyera te sistemit ultra te majte, ose te pakten te vetepretenduar si i tille ishte:

          “Te veme interesin e pergjithshem mbi ate personal”

          me rezulton qe edhe neqoftese veteinteresi, sic thoni ju, nuk eshte ideologji, mund te perdoret si surrogat ideologjik. Une per vete mendoj se interesi personal, sigurisht jo i pare si makuteri, babezi, apo egoizem i shfrenuar, por si ambicje e shendetshme, padyshim eshte nje stimulues i fuqishem qe ben te prosperojne njerezia ne nje ambjent qe e njeh individualizmin si specifike pozitive dhe stimulon konkurrencen midis individeve. Me duket se kjo me shume ndodh ne shoqerite kapitaliste, me me shume apo me me pak elemente sociale, pak rendesi ka. Pra ne ato shoqeri qe edhe pse mund te kene ne qeverisje parti te majta, nuk marrin guximin te majtesojne (me fal termin) gjithecka, sic eventualisht ndodhi pas Rev. te Tetorit ne ish BS, apo ne vendet e tjera ish-socialiste.

    1. Ekulibri sjell progres
      “,,Common ground. That’s the challenge of our party tonight — left wing, right wing.

      Progress will not come through boundless liberalism nor static conservatism, but at the critical mass of mutual survival — not at boundless liberalism nor static conservatism, but at the critical mass of mutual survival. It takes two wings to fly. Whether you’re a hawk or a dove, you’re just a bird living in the same environment, in the same world…’
      Jesse Jackson

      1. Ekuilibri sjell vetem stanjacion, progresi vjen pas cdo prishje ekuilibri. Nuk eshte e thene qe cdo prishje ekuilibri te jete progres, ama nuk mund te kete progres po nuk u prish nje ekuiliber egzistues.

  2. “ Edhe une vete frymezohem e marr shembull nga mesimet e Stalinit ,per te cilin lexoj ne gazeta “- I tha Stalini te birit gjate nje sherri qe pati me te ..

  3. Ka edhe nje element tjetër te marrëdhënies se te dyve, per te cilin prej vitesh vërej se nuk flitet shume: pagesa e Guernikes. Po afrohej ekspozita e famshme boterore e Parisit e vitit 1937 dhe Republika spanjolle i kishte kerkuar Pikasos nje tabllo per stenden e saj. Thuhej se ai po i vinte vërdalle prej kohesh gjetjes se nje subjekti dhe se fundi vendosi te jete diçka ne kujtim te vdekjes se Joselitos (José Gómez Ortega), nje toreadori legjendar, vdekja ne arene e te cilit vite me pare ishte perjetuar si drame kombëtare ne Spanje.
    Ndërkohë, ne prill ndodhi ngjarja e Guernikes. Aviacioni gjerman bombardon qytezen e vogel, qe siç del nuk ishte aq e qete e paqesore ate dite pazari te prillit 1937 por nje qytet kyç i rrjetit te hekurudhave, nga ku kalonin forcat republikane qe po tërhiqeshin drejt Bilbaos. Nje bombardim, qe ndryshe nga sa thuhet pritej sepse me shpejtësi ishin ndërtuar disa strehime ajrore…
    Bombardimi ndodhi, por ketu ka shume konfuzion. Nuk pati 1800 te vrare por vetem 236…
    E megjithatë ngjarja ishte rast i mire per te ekspozuar ne nje drite me tronditëse rrezikun e nazizmit (gje qe ne vetvete nuk eshte fort ide e keqe). Dhe kjo ishte arsyeja qe edhe Pikaso vendosi t’ia kushtoje tablonë e tij Guernikes. Por tashme subjekti i saj ishte hedhur ne telajo. Toreadori dhe demi ne agoni ishin aty. Po çlidhje do te kishte kjo me Guerniken e pafajshme? Kete le ta gjenin kritiket me vone. Mundesa e kesaj lidhjeje jo te drejtpërdrejte nuk e pengoi ate te cilesohet si Tabblloja me e madhe e shekullit…
    Erdhi koha e pageses dhe çmimi per te ishte 300 000 pesetas, nje shume kolosale qe Republika ne veshtiresite qe ndodhej nuk e kishte.
    Ketu hyn ne skene Stalini. Ishte ai qe mori persiper pagesën e saj, por nuk e di nese kjo beri qe te ishte me i inatosur nga “mosmirenjohja” qe i eshte dukur se ka pâre ne portretin e tij.

    Pikaso (hiq fillimet) gjithnjë eshte cilësuar si piktori me i paguar i te gjithë kohërave…

    1. Kjo intervistë me Roberto Matta-n ndoshta sqaron pse, pas një jehone të parë skandalistike, historia që sillni ju nuk përmendet më:

      https://ricerca.repubblica.it/repubblica/archivio/repubblica/1996/07/01/io-picasso-guernica.html

      Përkundrazi, diku mes rreshtave, artikulli më poshtë sqaron se piktori pat dhuruar para për kauzën komuniste (në vend se të paguhej):

      https://www.theguardian.com/artanddesign/2010/may/08/pablo-picasso-politics-exhibition-tate

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin