T’I SHKRUASH VARGJE STALINIT

Ex Libris i kësaj jave hapet me një tekst konfesional nga Pablo Neruda: Pse e shkrova poezinë për Stalinin? (Shkëputur nga Kujtime, Penguin Books, 1992. Përktheu: Granit Zela). Dhe, meqë nuk besoj të ketë më shumë se katër (duke ekzagjeruar) lexues të kësaj gazete që e dinë se Neruda e ka shkruar një vjershë të tillë; dhe më shumë se 2.5 që duan ta dinë pse e bëri këtë, atëherë me gjasë ky artikull njofton lexuesin se (edhe) Neruda ka shkruar vargje për Stalinin.

Po mirë, xhanëm; dhe mund të pyesim edhe se kujt iu bë vonë për këtë gjë? Poezia për Stalinin, që ribotohet lirisht sipas rastit, nuk është nga më të mirat e poetit nobelist dhe, nga ana tjetër, shumë nga admiruesit e tij, nuk duan t’ia dinë për bindjet e tij politike dhe për jetën e tij. Neruda ka qenë komunist, i përkëdhelur i regjimit sovjetik dhe më pas ikonë e së majtës komuniste në Perëndim; madje edhe fitues i çmimit Stalin “për paqe dhe miqësi midis popujve.”

Nga teksti i botuar rishtas i Nerudës mësojmë, megjithatë, ca gjëra për Stalinin që edhe i dinim, edhe nuk i dinim (ose që nuk i dinim se i dinte Neruda). Për shembull, që diktatori i paska shpëtuar jetën “[Ilia] Ehrenburgut të madh”; se ka mbrojtur Majakovskin nga detraktorët (dhe traktorët e tyre); se në letrat e tij, pas vdekjes, është gjetur një listë me titullin “Të mos preken”, me emrat e Shostakoviçit, Eisenstein-it, Pasternakut, Ehrenburgut (sërish), e kështu me radhë.

Stalini rezulton kështu të ketë mbrojtur disa nga artistët më të mëdhenj sovjetikë të kohës, nga sulmet vdekjeprurëse të mediokërve (“fanatikët e kollarisur”), pa çka se këto sulme nuk mund të bëheshin, pa frymëzimin e ligsht të një diktatori si ai.

Po ai Stalin, për të cilin Neruda ka shkruar vargje të zjarrta, paska mbrojtur gjenitë e artit sovjetik nga mëria e verbër e fanatikëve.

Ku tjetër e kemi dëgjuar tani vonë këtë histori?

Neruda poet dhe intelektual publik nuk ka bërë ndonjë krim, që i dalë krah Stalinit vite më pas dhe që ka shkruar për të:

“ai u ngrit para syve të mi, si njeri me zemër të mirë, me parime, i matur, si vetmitar, mbrojtës titan i Revolucionit Rus.”

Shumë vjet pasi kishin dalë tashmë në dritë krimet e pashembullta të regjimit stalinist, ai shkruante:

“Tragjedia vetjake për ne komunistët ishte të përballeshim me faktin se, për disa aspekte të çështjes së Stalinit, armiku kishte të drejtë. Kjo zbulesë, e cila ishte marramendëse, na la në një gjendje të dhimbshme shpirtërore.”

Edhe pse Neruda nuk e bëri kurrë hasha Stalinin si ca të tjerë, dhe as e ktheu mbrapsht çmimin Stalin, kjo “dobësi” e tij e dikurshme nuk ia gjymtoi veprën poetike, së cilës sot e kësaj dite i mbeten shumë admirues anembanë botës.

Mua nuk më intereson shumë marrëdhënia e Nerudës me Stalinin dhe totalitarizmin sovjetik, madje edhe kur kjo i intereson revistës Ex Libris (por bëhem kurioz që Ex Libris zgjedh t’u japë lexuesve këtë çikërrimë në analet e historisë së totalitarizmit komunist). Njëlloj nuk më bëhet vonë, që Neruda paska shkruar vargje për demonin e Kremlinit dhe që paska qenë i afërt me një regjim kriminal për vite e dekada, pa e detyruar kush (pa e detyruar kush!).[1]

Por – dhe kjo është një por e madhe – kur shoh tekstin e Nerudës në krye të gazetës së rëndësishme Ex Libris, më shkon mendja se kjo lektisje e poetit pas një satrapi të kallëpit të Stalinit, nuk do të ketë qenë dhe aq e pafajshme sa ç’rrëfehet.

Është thënë, për shembull, se Neruda, kur punonte si Konsull i përgjithshëm i Kilit në Mexico City, bashkëpunoi me sovjetikët, për t’i siguruar një vizë kiliane piktorit meksikan David Alfaro Siqueiros, njërit prej konspiratorëve për vrasjen e Leon Trotsky-t[2] (Siquieros-i pat udhëhequr një sulm të armatosur kundër shtëpisë së Trotsky-t në periferi të Mexico City-t, që nuk pati sukses; edhe pse gjatë atij sulmi u plagos rëndë nipi 13 vjeç i Trotsky-t). Edhe pse Neruda më pas u shfajësua për këtë angazhim, duke thënë se ia kish kërkuar presidenti i asokohshëm i Meksikës, dyshimet mbeten se edhe ai veproi si aset i së njëjtës agjenturë sovjetike që organizoi dhe ekzekutoi atentatin, në Meksikë, kundër arki-armikut të Stalinit (lexoni më gjatë këtu, ku thuhet, mes të tjerash, se ambasadori kilean në Meksikë u detyrua t’i kërkojë ndjesë qeverisë meksikane për shkeljet e konsullit të vet)[3]. Atij që arriti ta vrasë Trotsky-n tre muaj pas këtij sulmi, Ramón Mercader-it të mbiquajtur “hombre de acero”, do t’i kushtonte më pas vjershën përkatëse poeti kuban Nicolás Guillén, i njohur si “poeti kombëtar i Kubës”, edhe ai laureat i çmimit Stalin pak më vonë.

Shumë mbase do të jenë ngushëlluar që NKVD-ja sovjetike nuk ia ngarkoi drejtpërdrejt Nerudës eliminimin e tradhtarit Trotsky; nga ana tjetër, gjesti i tij human në favor të Siquiero-s mundësoi që ky i fundit të vazhdonte edhe për shumë vjet karrierën e tij si piktor sipërfaqesh murale anti-kapitaliste.

Qëndrimi im ndaj kësaj katrahure letraro-revolucionare, për aq sa vlen, dhe që e kam shprehur edhe gjatë debatit për bashkëpunimin e Ernest Koliqit dhe të Martin Camajt me agjenturat e spiunazhit në Romë, është se intelektualët, shkrimtarët dhe artistët, në kohën e Luftës së Ftohtë shpesh përfunduan të përdorur dhe të abuzuar nga politika dhe për interesat e politikës; dhe se kjo nuk ndodhi vetëm në vende brutalisht totalitare, si Shqipëria, por edhe në vendet perëndimore.

Ndoshta më shumë interes ka, për letërsinë, të diskutohet si arritën shkrimtarë dhe artistë të mëdhenj, të asaj periudhe, të pajtojnë – meqë jemi në temë – admirimin publik për diktatorët dhe përkushtimin filial ndaj tyre, me artin e madh që u mbijetoi atyre marrëdhënieve.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në media të tjera. Shkelësit do të ndiqen ligjërisht.


[1] Lexoni këtu (Një epigram, pastaj një ode) për fatin e një poeti tjetër, Mandelstam-it, që guxoi të thurë vargje për Stalinin. Mbase Neruda, nga lartësitë e Nobelit, mund t’ia kish kushtuar edhe këtij të ziut një distik a një haiku të vetëm.

Frida Kahlo – Autoportret me Stalinin, 1954.

[2] Sipas këtij artikulli, në librin e David King, Trotsky. A Photographic Biography, është botuar një fotografi ku shfaqen së bashku Diego Rivera, David Alfaro Siqueiros dhe Pablo Neruda, në funeralin e Frida Kahlo-s në Mexico City, në 1954. Piktori Rivera – bashkëshorti i Kahlo-s – ishte ai që i ofroi mikpritje Trotsky-t në Meksikë, por që pastaj ndërpreu me të çdo marrëdhënie, pas vitit 1939. Për Kahlo-n thuhet se, para se të vdiste, po punonte për një pikturë të rëndësishme të Stalinit.

[3] Ky operacion agjenturor “anti-trockist”, i drejtuar nga famëkeqi Nahum Eitingon, pat arritur të likuidojë trimërisht, në 1938, djalin e Trotsky-t, Lev Sedov, të shtruar në një spital në Paris.

3 Komente

  1. shkroi “shqiponjat qe fluturonin lart”, “ku t’i kerkoj rrenjet e tua part”, 80 faqe te nje romani ia kushtoi diktatorit…apo s’e kishit llafin per kadarene?

  2. ..poetet e medhenj me gjase e kane nga nje ‘thember Akili’ kur jane para te plotpushtetshmeve ose eshte kompromisi qe me vetedije zgjedhin te bejne, plot te tille perqafuan ideologji, mendje paranojake, ngjarje te erreta., duke shkelur me kembe vlerate humanizmit qe percojne me veprat e tyre, ose eshte si ne rastin qe thote Kadare se ne letersi me lehte eshte t’i thuresh vargje nje gruaje te perdale sesa nje te virtytshmeje…

  3. Ai ne fakt ka shkruar per Stalinin (dhe jo per Josif Visarionoviç Xhiugazhvilin).

    ps: si i tha Stalini te birit (kur ky ishte i vogel dhe beri nje faj) : hajt se kur te rritesh, ta tregon Stalini vendin.
    I biri nuk kuptoi gje dhe i tha : po Stalini je ti o bà.
    Budalla, ja ktheu i ati, une jam Josif Visarionoviçi. Stalini eshte ai ne tabllonë atje, mbi mur. Mos paç te kesh te besh me të

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin