MENDIME TË PAKREHURA (LXI)

(nga Stanislaw Lec*)

Le të bëjmë kujdes! Po ta trajtojmë me përbuzje një analfabet, ai mund të vërë pikat mbi i.

Kur ra zjarri në geto, shumë përfituan për t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri.

Mësoni t’i vlerësoni fjalët! Secila mund të jetë juaja e fundit.

Mund të pështysh në fytyrë pa e hapur gojën.

Si t’i përkthesh psherëtimat në gjuhë të huaj?

Proteza e shpirtit nuk duhet të duket.

Mund ta dënosh dikë me harresë, por vendimi duhet zbatuar ndaj atyre që e kujtojnë.

Po sikur të nxitonim për të shpikur një mënyrë tjetër të llogaritjes së kohës, për të mos u gjendur më në shekullin XX?

Opinionet zakonisht bashkëndahen: mes të pushtetshmve.

Tabelat në autostradë nuk udhëtojnë kurrë.

Ndonjëherë e ndien veten si dy dhe dy që nuk bëjnë katër.

Shpellari nuk ishte shpellar. Ishte në nivelin e qytetërimit të epokës së vet.

Gjithçka është iluzion. Edhe kjo që sapo thashë, natyrisht.

Kur kërceni nga gëzimi, kujdes se mos ua vjedhin tokën nga poshtë.

Në rrjedhë të jetës, kam ndeshur në rrugën time tipa që zakonisht i ndeshja edhe gjetiu.

Kush e ka pyetur ndonjëherë tezën dhe antitezën nëse ishin dakord që të bëheshin sintezë?

Dy vija paralele takohen në pafundësi: dhe, më e bukura, është se e besojnë këtë.

Dashuria për atdheun nuk i njeh kufijtë… e të tjerëve.

Do të kisha preferuar që Davidi ta vriste Goliathin me goditje të harpës.

Gishtat e shërbëtorëve duhet të lënë shenjat e zotërinjve.

Të jesh ministri i brendshëm i vetes!

Njerëzit nuk janë egoistë. Askush nuk mban zi për veten.

Çfarë snobizmi! Të duash të bëhesh Eunuku i Madh.

U mbars mali dhe polli… një mal të vogël. Sa e çuditshme është kjo!

Ca nuk kanë as shpresën më të vogël, ca të tjerë e humbasin përjetësisht.

E shëmtuar kur një padron zotëron një numër të madh skllevërish. Por nuk është gjë më mirë, kur një skllav zotëron një numër të madh zotërinjsh.

Shumë nga ata që ishin përpara kohës së tyre, u detyruan ta presin në lokale që nuk ishin nga më të rehatshmet.

Bëni kujdes që të mos krijoni pa dashje diçka që do të rrojë në përjetësi. Sa njerëzve do t’u duhet të flijojnë me dëshirë jetën e tyre, për ta shkatërruar!

Analfabetët janë të detyruar të diktojnë.

Shumë janë munduar të krijojnë gurin filozofik duke gurëzuar mendimet.

Në ca fjalorë mungon “fjala e nderit.”

 

(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

6 Komente

    1. Po përpiqem t’i gjej librit një shtëpi botuese të mirë – sepse nuk ka pasur shumë entuziazëm deri më tash. Jo për cilësinë, as për përkthimin, por për interesin nga lexuesi. Përkthimi im nuk është filologjikisht “korrekt” (nuk di polonisht), por është gjë pasioni, a thing of love; nuk pretendoj të jetë i tillë edhe për botuesin e mundshëm.

  1. …nje permbledhje tejet origjinale eshte ajo e Konices, por autori polak ka nje mprehtesi dhe ironi fshikulluese si rrallekush ne kete sofren e madhe te mejtimit., personalisht besoj se niveli me te cilin e percillni Ju gjuhen ame, eshte ku e ku me lart se perkthimet dhe redaktimet bjerraditese qe gelojne nder botimet tona…

  2. …them edhe se kjo permbledhje mund dhe duhet te jete nje manual i shfletueshem per cdo rast., pasi ligjerimet publike qe metojne t’i japin mend popullit tene jane shkretanike, te varfer, te zhveshur si mos o Zot, ose frikshem te ngjashem me kengetaret trendy dhe tekstet qe tingellojne ne ate muziken e tyre…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin