THËNIEZIMET DYGJUHËSORE

nga Enkelejda Kapia

Pa e vënë fare në dyshim që të folurit mirë shqip patjetër që shërben si gur prove për të qenë një figurë e mirë publike në një vend ku flitet shqip (ashtu sikurse të folurit mirë gjermanisht ta rrit profilin si figurë publike në një vend ku flitet gjermanisht), eseja Elitat belbëzuese (e risjellë këto ditë në vëmendje) më tërheq edhe për një arsye tjetër. Sepse godet bash mu në zemër debatin shkencor mbi ristrukturimin konjitiv të sistemit gjuhësor tek një individ i rritur. Debat ky me përmasa vigane në fushën e studimeve teorike gjuhësore.

Të marrim Albanën. Jo politikanen, dhe as Ministren e Arsimit (po i qëndroj qëllimisht larg rrethanës në të cilën Albana është politikane dhe figurë konkrete publike — lus gjithashtu lexuesit të mos komentojnë në lidhje me këtë dimension të çështjes sepse nuk e kam shqyrtuar në këtë prizëm).

Marrim Albanën, pra, vajzën den-baba-den shqiptare që mësoi shqip në vendlindje dhe që në moshë të rritur, pas mbarimit të gjimnazit, shkoi në SHBA, ku kreu studimet e shkollës së lartë, mandej ato të Masterit dhe të doktoraturës. Punoi disa vite atje, derisa iu afrua të dyzetave, dhe një ditë vendosi që për arsye personale të kthehet në vendlindje dhe punojë e jetojë aty. Albana, dhe shumë të tjerë si ajo, në fushën e studimeve gjuhësore, njihen përgjithësisht (përjashtoj këtu raste tepër të veçanta) si individë që pësojnë një rrudhje të sistemit gjuhësor amtar (attrition në anglisht). Kjo rrudhje karakterizohet si një dukuri jopatologjike sepse nuk është një proces që vjen, fjala vjen, nga një sëmundje e caktuar apo nga dëmtime të caktuara të trurit a aparatit të të folurit, por nga kontakti i pakësuar që ka Albana me gjuhën e vet amtare gjatë kohës që është në mërgim. Kjo dukuri njihet si një dukuri psikolinguistike me përmasa individuale, sepse në këtë proces luajnë rol të rëndësishëm rrethanat specifike të individëve të ndryshëm në marrëdhënie me të dyja gjuhët në përdorim, atë amtaren dhe atë të dytën, si për shembull, mosha kur individi fillon kontaktin me gjuhën a dytë, niveli i aftësive në gjuhën amtare, përafria tipologjike e gjuhës amtare me gjuhën e dytë, kontakti që mban individi me gjuhën e vet amtare gjatë kohës që është në mërgim, etj, etj.

Në sytë e veshët e dëgjuesve të thjeshtë këta folës të rikthyer në mëmëdhe mund të tingëllojnë vërtet si belbëzues, me një gjuhë të një niveli në dukje foshnjor, gjuhë e cunguar, e paqartë, dhe herë-herë e palidhur. Por si përcaktohet nga pikëpamja shkencore gjendja e sistemit konjitivo-gjuhësor të individëve dygjuhësh (në rastin më të thjeshtë, edhe pse sot rrallë se gjen njerëz që flasin vetëm dy gjuhë)? Në rast se ngjërojmë literaturën për të ndërmarrë një përmbledhje të studimeve deri më sot, kuptojmë që përshkrimi i asaj çka ndodh në psikikën e njeriut që flet dy gjuhë nuk është aq çështje e thjeshtë, që mund të zgjidhet me një të rënë të topit. Kjo fushë gjëllon sot e gjithë ditën me modele shpjeguese për individët si Albana dhe ende nuk e ka ndarë mendjen se përse individë si Albana kur flasin shqip pas rikthimit në atdhe bëjnë gabime të paimagjinueshme gjuhësore ose, thënë teknikisht, pësojnë rrudhje të sistemit gjuhësor amtar. Pa u futur ne detaje e hollësira teknike, po ravijëzoj disa nga këto modele:

Në krye të herës studiuesit hodhën idenë që shpjegimi i dukurisë së rrudhjes gjuhësore mbështetej mbi parimin “del e para ajo që hyn e para”. Ky model parashikon që gjuha amtare harrohet e para, meqë është mësuar e para, është futur pra e para në tru dhe kujtesë. Sakaq, kur nuk arrin të shpjegojë se si disa tipare të sistemit strukturor të gjuhës amtare vazhdojnë të jenë qëndrueshme, e disa të tjera jo, ky model del fishek nga dritarja.

Një tjetër model teorik është ai që presupozon që tiparet që janë më të qëndrueshme në strukturën e gjuhës amtare dhe nuk bien pre e rrudhjes, janë ato tipare që në ‘drejtorinë e produksionit gjuhësor” (po e huazoj nga Ardian Vehbiu, sepse më pëlqeu fort ky term i gjetur prej tij) në tru kanë formuar sektorë të fortë të qëndrueshëm dhe drejtohen nga shefa që ia dinë radhën punës. Pra, nëse subjekti ynë, për shembull, ka një problem, me përshtatjen në numër të kallëzuesit me kryefjalën, sipas këtij modeli, kjo do të thotë që ky tipar (i përshtatjes) nuk ka arritur të krijojë një përfaqësim të qëndrueshëm (një sektor, po të vazhdonim analogjinë e administratës) në drejtorinë e produksionit gjuhësor në tru. Por sa gjasa ka të jetë kjo e fundit nëse dihet që përshtatja kryefjalë-kallëzues në numër është një nga tiparet e para morfo-sintaksore që  përthithet qysh herët në fëmijëri, madje në fazat parashkollore? Ju ftoj të dëgjoni me vëmendje parashkollorët tuaj. A thonë ndonjëherë: dumdumi sollën ujin? Nuk besoj se gjenden parashkollorë që nuk dinë të përshtatin kallëzuesin me kryefjalën. E them këtë dhe nga puna ime hulumtuese në terren me fëmijë të vegjël shqipfolës (për projektin e hartimit të hapave zhvillimore të përvetësimit të morfo-sintaksës tek këta fëmijë). Përshtatjen kallëzues-kryefjalë nuk ta mëson shkolla. Këtë gjë e “mësojmë” të gjithë pa shkuar në shkollë.

Modeli i tretë, e ndoshta ndër më premtuesit në këtë fushë, merret me ndryshimet tipologjike mes gjuhës amtare dhe gjuhës së dytë. Në këtë hulli, studiuesit sugjerojnë që janë pikërisht tiparet strukturore dalluese të gjuhës amtare nga gjuha e dytë ato që kanë prirjen të rrudhen e tkurren të parat. Fjala vjen, nëse gjuha amtare ka një sistem zgjedhimi të foljes ku secila vetë në njëjës dhe shumës merr mbaresa të ndryshme, siç është shqipja, ndërkaq që gjuha e dytë nuk e ka këtë sistem/pasuri, siç është, për shembull, anglishtja, e cila ka vetëm mbaresën zero dhe mbaresën –(e)s për kohën e tashme të mënyrës dëftore, atëherë janë pikërisht këto tipare që bien pre e thikës së kasapit të sektorit të rrudhjes në drejtorinë e produksionit gjuhësor.

Kështu që mendoj që kjo puna e të folurit mirë të gjuhës amtare pasi ke qenë një kohë i larguar prej saj (për arsye të ndryshme) nuk është thjesht një çështje kërpaçërie, por është edhe një çështje që lidhet po aq ngushtë me sistemin gjuhësor konjitiv, me trurin si organ i të menduarit dhe të folurit dhe me psikikën si tërësia e përjetimeve të rrethanave të jetës së një individi, duke përfshirë këtu disa nga faktorët e prekur më lart.

Megjithatë një fije uzdaje na lind për rimëkëmbje të kësaj situate dygjuhësie kur shohim modele teorike që parashtrojnë idenë se tiparet e rrudhura në gjuhën-bukuroshe të fjetur, që ka qenë, le të themi, në gjumë për vite me radhë, nuk zhduken. Ato janë aty, në formë të pavetëdijshme, por tkurren si pasojë e presionit dhe ngarkesës mendore (peshës që i ushtrohet kujtesës, ndër të tjera) që drejtoria e produksionit gjuhësor ka për të realizuar thëniezime në më shumë se një gjuhë. Kjo lloj drejtorie, siç mund të merret lehtësisht me mend, nuk është e mbytur në kaq shumë andralla në trurin e individit monolingual.

Përtej përsiatjeve teorike, të cilat personalisht më çojnë detyrimisht drejt qëndrimeve jondëshkuese të individëve dygjuhësh në mërgim dhe ata të rikthyer, e mbështes dhe unë fort idenë që jetës shqiptare publike i nevojitet një laborator ku mund të përpunohet dhe të rafinohet shqipja publike. Por ç’formë duhet të ketë ky laborator? Si mund ta imagjinojmë? Mos ndoshta duhet të ketë formën e një shkolle klasike të Retorikës të cilën duhet ta kenë kaluar me notë mesatare të lartë të gjithë figurat publike përpara se të bëhen të tilla? Mos duhet të jetë pjesë e kurrikulës së një shkolle të menduar për administratën shtetërore? Është një çështje që meriton të diskutohet patjetër. Sidoqoftë, për një gjë e di fort mirë që nuk jam mëdyshas: që mjerimi ligjërimor i gjuhëve, dhe jo vetëm i shqipes, nuk vjen nga elitat apo jo-elitat dygjuhëshe. Përkundrazi, vjen, mbi të gjitha, nga “elitat” sunduese, të cilat nuk lexojnë më, as në gjuhën e tyre dhe as në ndonjë gjuhë tjetër.

© 2020, Enkeleida Kapia. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autores.

Rreth Autorit

Enkeleida Kapia është kërkuese shkencore për çështjet e gjuhës pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë dhe Universitetit Ludwig Maximilians në Mynih. Puna e saj kërkimore përqendrohet në aspektet psikolinguistike dhe sociolinguistike të gjuhës si dukuri njerëzore tek individët një- ose disa- gjuhësh. Është autore e disa librave, ndër të cilat edhe Psikolinguistika, i cili trajton anën konjitive dhe fiziologjike të gjuhës, me të dhëna dhe ilustrime edhe nga shqipja. Përpara kthimit të saj në Evropë, ajo ka punuar në Universitetin e Bostonit, ku ka kryer dhe studimet e saj doktorale. Pasioni i saj është hulumtimi i faktorëve që ndikojnë në përvetësimin e gjuhës nga fëmijët e vegjël si premisë kryesore jo vetëm në debatin “nature vs nurture”, por edhe në zbërthimin e natyrës modulare dhe evolucionare të gjuhës. Afërmendsh që dashuria e saj është shqipja.

Author Archive Page

14 Komente

  1. Mire e ke ti Enkeleida me keta/disa :”elitare” qe artikulojne keq; por ka dhe me keq: kur artikulon bukur dhe perdreq punet!
    psh. femijeve te mij ky i gjati i duket interesant, flet lezetshem – thone. E une heq picirin per t’i treguar se vertet fjalet di t’i thote mire e me lezet, por punet i mbajne erë…
    Ty te bezdis e folura. Mua me bezdis edhe surrati, madje dhe kokat ; pale qethjet. E ke pare ti Muc Nanon sesi qethet per te qene i kohes: i dalin tre xhufka: nje mbi balle e dy anash, “nje ne maje e dy ne dege”. Po e ke pare sa i mencur i duket vetja. Kur ky zoteria “nje ne maje e dy ne dege”, qe s’eshte i vetmi, merr e drejton emisione televizive ç’pret nga te ftuarit, qe s’artikulojne siç do ta kishte enda ty?

  2. Leida, po dua të komentoj pak idenë që shprehje në shkrim se disa rregullsi në të shprehur, si ajo e përshtatjes së kallëzuesit me kryefjalën, “nuk t’i mëson shkolla”, por gjuha vetë, ose – për ta parafrazuar unë – i përkasin kompetencës së gjuhës amtare. Sillje si shembull një fëmijë që nuk thotë kurrë “dumdumi sollën ujin”.

    Unë kam dy probleme, në thelb, me këtë që thua. I pari, është që përshtatja e kallëzuesit nuk është aq e lehtë sa në shembullin që solli – sidomos në rastet kur kryefjala është e përbërë – për shembull, “nëna dhe gjyshi e sollën ujin në mëngjes” (ku kallëzuesi vjen në shumës, por mund të përfytyrohet një fëmijë që gabon dhe e vendos në njëjës) dhe pastaj “ose nëna ose gjyshi e solli ujin në mëngjes” (ku kallëzuesi vjen në njëjës, por mund të përfytyrohet një fëmijë që gabon dhe e vendos në shumës, meqë e përfytyron nënën dhe gjyshin si kryefjalë plurale). Ose në shembullin “Asnjë nga të dy kotelet nuk e kapërceu dot murin” (korrekt – në njëjës; por sërish mund të përfytyroj një fëmijë që të ngatërrohet dhe të thotë “asnjë nga të dy kotelet nuk e kapërcyen dot murin”, për shkak të induksionit plural të togfjalëshit “dy kotelet”). Këto luhatje, besoj unë, ndodhin pikërisht ngaqë rregulla e përshtatjes kryefjalë-kallëzues është aq e fortë, sa prish enën e vet.

    Problemi i dytë që dua të diskutoj, është se shembulli yt më kujtoi – mbase jo dhe aq rastësisht – një gabim mes gabimesh të tjera të ish-ministres Besa Shahini, të cilin gabim ia pat vënë në dukje, para shumë muajsh, Elona Pira me një letër private. Bëhej fjalë për një status të Shahinit në Facebook, të cilin Pira ia dërgoi autores të korrigjuar, si më poshtë:

    Dhe nuk mori natyrisht përgjigje – sepse Shahini gjente kohë të nxirrte statuse të kota dhe të shkruara keq në Facebook, por jo që t’i përgjigjej dikujt që, tek e fundit, po përpiqej ta ndihmonte. Gjithsesi kjo është çështje tjetër.

    Le të shohim statusin më lart. Shahini shkruan:

    Shkolla dhe mësimi digjital do të bëhet pjesë e procesit të zakonshëm mësimor.

    Ku kallëzuesi “do të bëhet” nuk përshtatet me kryefjalën që është plurale: “shkolla DHE mësimi digjital”. Duhej të ishte “do të bëhen”.

    Dhe pak më poshtë:

    Edukimi feminist dhe mediatik janë thelbësorë për të edukuar qytetarët e mirë të ardhmes.

    Ku ndodh e kundërta: një kryefjalë në njëjës, “edukimi” shoqërohet me një kallëzues në shumës “janë”.

    Pse ndodhin gabime të tilla, gjithë duke ditur se ish-ministrja Shahini e ka shqipen gjuhë amtare dhe se përshtatja e kallëzuesit me kryefjalën nuk është gjë imponim i standardit?

    Hipoteza ime është se kjo ka të bëjë me ndërtimin e teksteve të shkruara me blloqe, të cilat nuk komunikojnë gramatikisht mes tyre. Për shembull, kallëzuesi në njëjës, “bëhet”, në shembullin e parë, lë të kuptohet se për shkruesen e asaj fjalie “shkolla dhe mësimi digjital” janë një subjekt singular (kryefjalë njëjës), thjesht ngaqë “shkolla dhe mësimi” vjen si pleonazmë, duke shënjuar të dy gjymtyrët e togfjalëshit të njëjtën gjë, të mësuarit. E rishkruar si “Të mësuarit digjital do të bëhet pjesë…” fjalia do të ishte gramatikisht korrekte. Problemi këtu është, pra, ndarja e panevojshme, “shkolla dhe mësimi”, me gjasë e induktuar nga një klishe ligjërimore, por që, në mendjen e shkrueses, mbetet njësi singulare.

    Në shembullin e dytë, “edukimi feminist dhe mediatik” trajtohet si kryefjalë plurale dhe shoqërohet me një kallëzues në shumës (“janë”); në fakt, gabimi këtu qëndron – për mua – te kombinimi vetë, meqë duket sikur shkruesja po flet për një edukim që është “feminist dhe mediatik”, edhe pse, çdo lexues i vëmendshëm, do ta vërejë se edukimi feminist dhe edukimi mediatik janë dy gjëra të ndryshme, dy EDUKIME të ndryshme, prandaj edhe shprehja e saktë do të duhej të ishte “edukimi feminist dhe edukimi mediatik”, duke e përsëritur emrin EDUKIMI, sa kohë që ajo DHE nuk lidh gjë dy mbiemra të cilat nuk kanë arsye të lidhen mes tyre, por dy lloje të ndryshme edukimi.

    Prandaj, gjithnjë për mendimin tim, gabimet më sipër vijnë ngaqë shkruesja – ish-ministrja Shahini – nuk arrin ta kontrollojë shprehjen e saj të shkruar; i njeh mirë rregullat e saj elementare (si përshtatjen kryefjalë kallzues), por nuk arrin t’i optimizojë në përdorim. Dhe kjo ndodh, besoj unë, te dikush që nuk është mësuar të shkruajë shqip, nuk i vjen të shkruarit shqip as lehtë as lirisht, me gjasë sepse në këto nivele është mësuar të artikulohet në një gjuhë tjetër. Që këtej, edhe belbëzimi. Sepse – dhe kjo duhet theksuar – këtu po bëhet fjalë për gabime në të shkruar, dhe të shkruarit (kompetenca e të shkruarit shqip), edhe të gjuhës amtare, gjithnjë mësohet në shkollë. Kjo nuk do të thotë se ish-ministrja Shahini nuk di të shkruajë shqipen mirë, por vetëm që ajo nuk arrin ta mbajë shqipen e saj të shkruar në kontroll, ashtu siç ia kërkon statusi.

    Për ta përmbledhur – gabimet, edhe në gjuhën amtare, ndodhin kur ka konflikt rregullash, ose kur subjekti folës nuk arrin dot të zgjedhë, në kohën e duhur, se cilën nga rregullat të zbatojë; dhe gabimet në gjuhën amtare të shkruar ndonjëherë – nuk po them shpesh – varen nga pazotësia e shkruesit për ta mbajtur në kontroll fluksin ligjërimor, ose për ta optimizuar.

    1. Po, Ardi, ke të drejtë. Në thelb, ti po ngre disa nga pikat e parashtruara nga modelet e mësipërme. Që konfliket e rregullave brenda sistemit të gjuhëve si dhe ngarkesa që ka drejtoria e produksionit gjuhësor për të konkretizuar këto thëniezime sjellin (apo sjell?) në zgjedhje përfundimtare që nuk përputhen me gramatikën e një gjuhe të caktuar (dhe kur situata është kaq e ndërlikuar për individin monolingual, imagjino sa e vështirë është për individin bilingual). Jemi dakord deri këtu. Dhe nuk po themi asgjë të kundërt. Dhe ti në parashtrimin tënd, siç e lexoj unë, e njeh rolin që ka vetë struktura dhe konjicioni për kryerjen e kësaj veprimtarie gjuhësore nga vetë individi/folësi.
      Por gjithashti ti ngre dhe një pikë tjetër të rëndësishme të procesit të nxënies: kur mund ta quajmë një tipar të përvetësuar? Në pikëpamjen e shumicës që punon (apo punojnë??) në këtë fushë, nëse fëmija arrin të përdorë sipas rregullave të gramatikës 95% të rasteve të një tipari të caktuar në ligjërimin e vet, ky tipar konsiderohet i përvetësuar. Fakti që folësit e rritur ende mund të bëjnë gabime në të folur si ato të tipit që veçove ti, kjo nuk do të thotë që ata nuk e kanë përvetësuar tiparin e përshtatjes. Në të folurin e rrjedhshëm madje mendoj që këto gabime nuk i parandalon dot. Edhe profesorët më të nderuar (me raste të veçanta) po t’i lësh të ligjërojnë lirshëm do vësh re që u ndodhin shkarje të këtij lloji pa një pa dy. Në të shkruar është tjetër punë më duket mua (dhe kjo do një tjetër artikull).
      Tani, në kompleksin e problemit të përvetësimit të tiparit morfologjik të përshtatjes, shumë çështje meritojnë të trajtohen ndoshta dhe këto në një artikull më vete (ose dhe libër, siç ka disa të tillë që janë thelluar në këtë problem duke marrë parasysh rrethana gjuhësore dhe profile të ndryshme folësish për gjuhë të ndyshme), kështu që këtu doemos nuk mund të mbulojmë gjithë çka është thënë mbi këtë temë. Shembulli që ceka në artikull (pa dashur të luaj cekash) është shembulli tipik i një kryefjale të thjeshtë. Këtë zgjedhje e bëra jo pa qëllim, me idenë për të lehtësuar kuptimin e asaj që doja të thosha për lexuesin jo të fushës. Sigurisht, po t’i futemi thellë kësaj teme dhe të marrim raste të ndryshme të tipologjisë së përshtatjes, do të shohim që rrugëtimi që bën fëmija nuk është i njëjtë për tipe të ndryshme përshtatjesh. Rasti i thjeshtë, nga të dhënat që ka fusha nga gjuhë të ndryshme të botës, përvetësohet rreth afër moshës 3-vjeçare dhe rastet më komplekse përvetësohen rreth moshës 5-6 vjeçare (në të folur/production sepse të kuptuarit/comprehesion e këtyre kryefjalëve merr pak më shumë kohë). Por sidoqoftë, ky rast u mor si shembull për të thënë që tiparet më të qëndrueshme, pra ato që përvetësohen herët dhe që e kanë plotësuar trajektoren e tyre të zhvillimit, janë ato që nuk bien pre kollaj e dukurisë së rrudhjes në gjuhën amtare.
      Rastet më komplekse, duke përfshirë edhe ato të letrës së Shahinit (me që ra fjala, personalisht shoh gabim te rasti i parë, por jo tek i dyti??), janë sërish shprehje, gjithnjë sipas mendimit të atyre që merren më shumë me këtë punë se sa unë vetë, të mënyrës se si drejtoria e produksionit gjuhësor në tru përcakton raportet e varësisë mes gjymtyrëve përbërëse të frazës, pra shprehje të fap-fap-fapit të shpejtë neurologjik që ndodh në tru në momentin e produksionit gjuhësor. Këto raporte në raste normale, siç e vë në dukje dhe ti, e kushtëzojnë zakonisht kallëzuesin të përshtatet me “kokën” e frazës kryefjalore, si tek “Uji i dumdumeve është i pistë” ku folja është përshtatur me emrin “ujin”. Por në një rast gabim, që fusha e njeh si dukuria e “attraction”-it (po e quaj në shqip me shaka “fiksim” si te shprehja “me je bë fiksim”), përshtatja ndodh me pjesën e kryefjalës që është më afër kallëzuesit, pra është në lagjjen e vet — ku rasti më sipër mund të na dalë si “Uji i dumdumeve ishin të pistë” ku foljes i është bërë fiksim emri “dumdumeve” meqë e ka në lagjje, aty afër shtëpisë së vet.
      Po, për kureshtje dhe për hir të bisedës/muhabetit, s’janë vetëm këto raste. Kemi dhe raste akoma dhe më kompekse, ku përveç numrit gramatikor, kryefjalët kanë numër nocionor të ndryshëm nga ai gramatikor, pra raste kur nocioni semantik sugjeron një entitet plural, por numri gramatikor sugjeron një entitet singular dhe e kundërta (si në rastin e emrave kolektivë “grup, familje, juri, panel, tufë” etj). Pra, drejtorisë së produksionit gjuhësor i duhet të mbajë nën kontroll dy filtra: filtrin e numrit gramatikor dhe filtrin e numrit nocionor. Me fjalë të tjera, fap-fap-fap-i duhet në të qindën e sekondës të vendosë a duhet të themi “Juria ishin në korridor” apo “Juria ishte në korridor”.
      Këto janë mos-përshtatetje që ndodhin rëndom në të folur, në individin monolingual e aq më shumë në atë bilingual, sado i shkolluar të jetë individi, dhe janë bërë jo rrallë herë objekte studimi sepse shërbejnë mirë si shtigje për të kuptuar se çfarë ndodh në momentin e produksionit të thënies.
      Por, përtej të folurit (që ishte dhe subjekt i parashtrimit tim të motivuar nga eseja Elitat belbëzuese), mendoj dhe dihet që shkrimi (siç është rasti i ligjërimit të ministres) është proces krejt tjetër psikolinguistik, të cilit i duhet DOEMOS praktika, eksperienca, jo vetëm për optimizim dhe për të qënë të zotë në të, por edhe për të filluar për ta përvetësuar. Drejtorira të tjera produksionesh gjuhësore brenda administratës së madhe të gjuhës futen në punë në kokat tona për shkrimin duke qënë se nuk është proces automat si e folura. Edhe kjo çështje meriton një shkrim (shkrim për shkrimin), e mbase dhe në PTF dikush mund të ketë shkruar për këtë temë tashmë — thjesht unë nuk e kam parë.
      Kurse sa për subjektin ministre në këtë rast, si gjuhëtare, studiuese që merrem me shpjegimin e sjelljes gjuhësore te folësit, mendoj që është interesante nga pikëpamja studimore që ligjërimet e saj janë të paredaktuara sepse mund të përdoren si lëndë e parë për të gjurmuar ndoshta ndryshime që po ndodhin në shqipe në kohët e sotme dhe procese që mund të hapin dritare studimore mbi procesin psikolinguistik të gjuhës (duke hequr këtu mundësinë që disa gabime mund të jenë thjesht të shtypjes në tastierë).
      Re faktit që ligjërimi i saj duhet të postohej i redaktuar jam 100% dakord me ty dhe me sugjerimin dashamirës që i ka bërë Elona. Por siç e thashë dhe në shkrim, kjo është temë tjetër. Qëllimi im ishte shpjegimi i disa modeleve psikolinguistike të ristrukturimit të gjuhës amtare në individin e rritur bilingual.

    2. Ardian,
      si është kjo puna e përdorimit të nyjes “së” në shkrimet e tua, p.sh. tek shkrimi “Kovidiologji”: -por të së tjerëve-, ndërkohë që pastaj shkruan: -se si mund të mbrohen të tjerët-, -për të mos ua ngjitur sëmundjen të tjerëve-, – t’ua kalosh infeksionin të tjerëve-;
      apo rasti tjetër, po aty: – që është pjesë e një së tëre-

      sepse, duhet të kesh parasysh që një pjesë e madhe e ndjekësve të tu, veç përmbajtjes së shkrimeve, janë gjurmues edhe të formave të tyre, deri dhe shprehjeve të veçanta madje: rasti i freskët i Enkelejdës ( “drejtoria e produksionit gjuhësor”); dhe me siguri kjo “së”-ja që ti ke kohë që e përdor do të ngjisë dikur. Por këtu jemi në terren të gramatikës. S’ka punë stili këtu. Ai tjetri, profesori Mynihut, shkruan:-me bërë (paskajore e shartuar), …
      Ç’paraqet pra “së”-ja juaj si rast gramatikor ?

      Komentin mund ta kisha bërë tek “kovidiologjia”, por meqë këtu po flitet për gjuhën dhe stilin…

      1. Këtë “të së”, si një mënyrë për të shmangur kakofoninë e “të të”, ia kam parë Çabejt ta përdorë rregullisht dhe ia kam huazuar.

        Përndryshe, të gjithë kemi edhe huqe gjuhësore, që janë pjesë e idiolektit. Sikurse bëjmë edhe ndonjë eksperiment ndonjëherë – me shpresë se e kemi bërë me shije.

        E rëndësishme është që personi që i bën këto, ta ketë provuar se i njeh rregullat, pra që e di se ç’bën, e ka akoma ligjërimin e vet në kontroll.

        Në këtë temë ka pasur edhe disa komente të tjera, që kritikonin disa zgjedhje leksikore të autores, të cilat nuk i kam kaluar. Komente të tilla nuk mirëpriten dhe nuk do të kalojnë asnjëherë – në përgjithësi, ligjërimi i autorit nuk lejohet të diskutohet në hapësirën e komenteve për shkrimin.

        Është shkelje e rregullave të diskutimit, që të vijë një anonim nga rruga dhe t’i thotë autorit: ke përdorur këtë ose atë fjalë, që mua nuk më pëlqen, sepse kështu dhe ashtu. Nuk e kam fjalën për komentin tuaj – po ta kisha parë si të parregullt, nuk do ta kisha kaluar as atë. Komentet e parregullta unë nuk i diskutoj, por i fshij.

        Çabej ka pasë përdorur edhe një formë jo-standard të perfektit të foljeve vetvetore: “u ka zgjuar herët” në vend të “është zgjuar herët” që duhej të ishte sipas standardit.

        Arsyeja – besoj unë – është se shqipja lejon të dallohet mes “u ka zgjuar herët” dhe “është zgjuar herët” (nga sinjali i alarmit), pra mes një ndërtimi mesor-vetvetor dhe një ndërtimi pësor.

        Dhe, meqë jemi në temë, edhe forma “ka pasë përdorur” që përdora unë lart nuk është normative – sikurse nuk është normative forma “pasë” në vend të “pasur”.

        Norma lë vend edhe për shmangie, të cilat jo gjithnjë janë shkelje.

        1. Ardian,
          te falenderoj. nuk e di por ketu me duket se ka goxha materjal per nje shkrim te plote. ti ke dhe tagrin dhe kurajon per t’ia kercitur. mua me duket me mjaft rendesi. madje nuk e kuptoj pse e ke lene kaq gjate.

          1. Të krahasohen edhe këto dy ndërtime, meqë jemi në temë:

            Tavlla në Shkodër ka qenë luajtur shumë

            dhe

            Tavlla në Shkodër u ka pasë luajtur shumë

            Ndërtimi i dytë është vetvetor, i pari pësor-vetvetor.

            Gjuhët romane e dallojnë qartë këtë: të krahasohet si è alzato dalla sedia me è stato alzato da, ku ndërtimi i parë është vetvetor ndërsa i dyti pësor (shembull nga Google: La durata dei contratti a tempo determinato senza causale è stata alzata da 12 a 36 mesi, në kuptimin që e ka ngritur p.sh. parlamenti, nuk është ngritur vetë).

            Në shqipe pësorja dhe vetvetorja janë përzier keq, aq sa të krijojnë një trajtë unike – në gramatikat. Por dialektet i ofrojnë mundësitë për ta bërë dallimin, të paktën në format analitike (e kryera, etj.).

  3. A mund te vendosni nje “moratorium” mbi shpikjen e fjaleve te reja shqipe nga i madh e i vogel?
    Se eshte bere kjo gjuha jone si wiki, kujt i gjindet ne xhep nje laps me maje, e para gje ben nje “analize”, e dyta, ze e nxjerr fjale te reja shqipe.
    Faleminderit shume!

  4. Unë mendoj se, në rastin e ministres, problemet kanë filluar në kohën e shkollimit në vendlindje. Niveli i përvetësimit të gjuhës shqipe atje është problematik, me shumë toleranca në të folur dhe në të shkruar, në shkolla, në mediet, në komunikimin privat dhe publik. Pastaj largimi dhe studimet në vende të tjera kanë bërë punën e tyre (siç e analizon në laboratorin teorik e vet studiuesja), por në thelb mbetet mospërvetësimi me baza të shëndosha i gjuhës amtare deri në gjimnaz. E them me bindje se, nëse do të bëhej ministre në Kosovë, nuk do t’i kishte shkuar kujt në mendje ta fyejë për gabimet gjuhësore. Kjo është prova për këtë që po them.
    Pastaj, që po lakohet kaq shumë, me teoria e teorema, ministrja e parë nga Kosova në Shqipëri, është përtej fyerjes…

  5. Punimi/ese me pelqeu shume madje e shpërndava ne profilin tim.
    Të përgëzoj Leda për seriozitetin dhe aftësinë me të iu je afruar kësaj teme/çështjeje që për nga rëndësia është e tejkohshme.
    • Hulumtimet dhe konstatimet janë ato te studiueses të pasuruara edhe me përvojën botërore.
    • Qëndrimi i vendosur për t’u përqendruar tek problemi duke iu larguar emrave apo politikës së ditës.
    • Ideja se duhet ndërtuar struktura e nevojshme brenda arsimit në nivel parauniver për të vendosur në të një nga institutet më të rëndësishëm te Kodit të komunikimit, GJUHËS, Retorikës.
    • Kujdesi i institucioneve të medias në respekt të shqipes standarde.

    E rekomandoj besimplotë të gjithë miqve të mi dhe jo vetëm sepse profili im eshtë publiksi ushqim intelektua e cilësor.

  6. Modeli i trete, besoj se mbeshtetet fort mire me shembuj tek gjuhet kreole e variantet pidgin qe kane mbire si pasoje e kolonializmit ( jo vetem ai i shekujve te fundit). Ky model i trete ka hedhur perfundimisht poshte teorite greko-sllave mbi shqipen si gjuhe kreole, te cilat gjeten mbeshtetje jo edhe aq te fshehur ne akademine tone te shkencave ( skandal me vete dhe teme me vete).

    Ato pyetjet ne fund mendoj se do te ngelen pa pergjigje. E nisi ky para 7 vjetesh me nje redaktor per cdo institucion shteteror, po si cdo nisme e reforme edhe keto llogje kavaje i kishte, po shyqyr qe nuk e ngacmoi me tej dhe nuk beri deme me ndonje gjysem reforme.
    Gjithsesi besoj se nuk kerkohet luksi kur gjithcka ecen se prapthi. Se pari, te thone ndonje te vertete.

      1. E përdora për të nënkuptuar “tërësinë e procesit psikik a njohës të ndërtimit të thënieve”. Më sugjeron diçka tjetër? Jam e hapur për një term më të përshatshëm.

Lini një Përgjigje te Natasha LushajAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin