KOVIDOLOGJI

Te një material i shpërndarë publikut nga autoritetet shëndetësore në NYC, lexova këtë dialog shëmbullor:

Pacienti: Si të mbrohem nga COVID-19?”;

Mjeku: mbulojeni gojën me dorë ose me një shami, kur kolliteni ose teshtini.”

Te kjo përgjigje, m’u duk se gjeta esencën e vëmendjes publike ndaj krizës së tanishme nga koronavirusi.

Pacienti pyet “si të mbrohem UNË”, por përgjigjja që merr, me këshillën për të mbuluar gojën dhe hundën, nuk ka lidhje me mbrojtjen e atij vetë, por të së tjerëve; dhe presupozon që personi që kollitet ose teshtin është (ka gjasë të jetë) infektuar me COVID-19. Pra, pacienti pyet “si të mbrohem unë”, dhe autoriteti i përgjigjet me një këshillë se si mund të mbrohen të tjerët prej tij.

Shqetësimi për të mos ua ngjitur sëmundjen të tjerëve është pjesë e qëndrimit qytetar ndaj sëmundjes; por në qoftë se ti je infektuar tashmë dhe mund t’ua kalosh infeksionin të tjerëve, kjo nuk ka lidhje me pyetjen.

Përgjigjja e pritshme do të ishte “lani duart”, “mos frekuentoni vende të mbyllura, me shumë njerëz, si baret ose kinematë” dhe, sidomos, “mos rrini në kontakt me dikë që është tashmë i infektuar”. Por një person nuk mund të mbrojë veten, ndaj infeksionit, duke mbuluar gojën dhe hundën kur teshtin ose kollet.

Autoritetet e dinë këtë – dhe megjithatë japin një përgjigje devijuese (edhe pse kurrë nuk duhet përjashtuar idiotizmi institucional si faktor). Dhe nuk e bëjnë nga inkompetenca, por ngaqë, për autoritetet e shëndetit publik, nuk ka aq rëndësi sëmundja individuale, sesa përhapja e saj nga një i prekur tek tjetri.

Emergjencën publike nuk e shkakton infeksioni me koronavirus, por përhapja e infeksionit; autoriteti shëndetësor kërkon të ndalojë transmetimin dhe vetëm më pas të ndihmojë ata që janë të sëmurë.

Madje edhe për të sëmurin vetë, angazhimi i autoritetit publik fokusohet tek izolimi i tij, shkëputja e kontakteve, ose pengimi i përhapjes.

Kjo farë qasjeje më kujtoi menjëherë si vepronte autoriteti policor, në një regjim totalitar, për të përndjekur fjalën e lirë. Një informacion i gjykuar si “armiqësor” përndiqej sidomos për aq sa ç’ishte përhapur ose ç’mund të përhapej.

Ta zëmë, nëse dikush ish raportuar se kish thënë, në një bisedë gjysmë private, se “Qemalin (Stafën) e kanë vrarë këta vetë”, atëherë hetuesi do të pyeste: “kush ta tha këtë” dhe sidomos “kujt ia ke thënë” ose “me kë e ke biseduar” – pa e vrarë shumë mendjen se çfarë efekti mund të kish ky informacion tek ti vetë.

Shteti ndihej i rrezikuar nga qarkullimi i informacionit subversiv, jo nga informacioni vetë, që mund të ishte edhe një gjepur, ose gënjeshtër, ose gjë krejt irrelevante. Kish frikë nga vetëdija e grupit të atyre që e kujtonin veten depozitarë të një informacioni “kundra”, jo nga çfarë mund të bënte dikush me këtë informacion. Ishte akti i përcjelljes që duhej penguar, jo paketa e përcjellë.

Edhe autoriteti shëndetësor është totalitar nga natyra: individi i intereson vetëm në atë masë që është pjesë e një së tëre, në kuptimin që merr pjesë në përftimin e së tërës, duke shkëmbyer viruse, baktere ose sjellje adiktive (drogë, alkool, duhan) me të tjerët. Këtu implikohen ndonjëherë edhe organet e rendit, kur përndjekin trafikun e drogës, jo përdorimin; tutorët e prostitucionit, jo prostitutat, etj.

Logjika këtu është se, duke frenuar ose penguar përhapjen e së keqes, do të frenohet dhe pengohet edhe vetë e keqja; pra, se një sëmundje ngjitëse nuk është gjë tjetër – në sytë e autoritetit – përveçse përhapja e saj në masë.

Mirëpo individi mund të angazhohet këtu vetëm tërthorazi, duke u kërkuar të tjerëve që të bëjnë punën e autoritetit; p.sh. të vënë maska ose të mbulojnë gojën kur kolliten. Nga ana tjetër, për dikë që kujdeset që të mos infektohet, përhapja e infeksionit mund të jetë shqetësim njerëzor dhe qytetar (vuajtjet e të afërmve, vështirësitë dhe kolapsi social, etj.) por jo shqetësim shëndetësor mirëfilli (nuk ia kërkon trupi, që ta frenojë epideminë).

Dua të them – për individin, që kërkon si të mbrohet nga infektimi, përhapja e infektimit nuk është dhe nuk mund të jetë e barabartë me infeksionin vetë ose sëmundjen që mund ta bëjë të vuajë dhe madje të vdesë. Dikush që sëmuret dhe lëngon në shtrat, ia vë fajin për këtë jo përhapjes së infeksionit, por infeksionit vetë.

Në fakt, kjo të bën të mendosh se autoriteti i shëndetit publik ka në vëmendje masën e padiferencuar të njerëzve, jo individin; njëlloj sikurse ka në vëmendje përhapjen e sëmundjes ngjitëse, jo sëmundjen vetë. Ai të shërben ty, si individ, vetëm tërthorazi, ose sa kohë që ti mund të marrësh pjesë në pengimin e një dukurie statistikore – siç mund të jetë epidemia (dhe ashtu, bie fjala, të ndihmosh që spitalet të mos mbingarkohen, ose të mbrosh arkën e shtetit nga shpenzime të mëdha).

Çfarë edhe e bën qesharake këshillën që një individ mund të mbrohet nga infektimi me COVID, duke mbuluar gojën kur kollet. Unë si qytetar dhe si njeri normalisht empatik kujdesem gjithnjë që të mos infektoj të tjerët, sidomos kur nuk ndihem mirë – por ky kujdes nuk është, dhe as mund të jetë i njëjtë, me kujdesin që tregoj për të mos u infektuar unë (tek e fundit, mbrojtja më e mirë që mund t’u ofroj të tjerëve, është duke u mbrojtur nga sëmundja unë vetë).

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin