NËNA IME ME PESË EMRA

Që i vogël e kam ndier – nuk po them ditur – se emri i sime mëje, Suzi, ishte special; dhe jo në kuptimin që për çdo fëmijë emri i së ëmës është special, por ngaqë Suzi në Tiranën time të fëmijërisë nuk para kishte. Megjithë kaosin e emrave tradicionalë të Athinave, Frosinave, Bedrijeve, Meremeve dhe Semihave në zëvendësim e sipër nga Dhuratat, Teftat, Liritë, Donikat, Shpresat, Vjollcat dhe Fatbardhat, pa folur për Lilianat, Violetat dhe Natashat; megjithë modën e emrave “europianë” në përplasje emulative me emrat “ilirë”, Suzi mbetej përjashtim, në kufijtë e gabimit. Unë vetë isha Ardian mes Ardianëve të valës patriotike post-rilindëse, që sot identifikohet aq bukur me një brez të caktuar – timin; im atë, Ulvi, edhe ai pjesëtar i një bande laramane Ulvish dhe Ylvish, të rreshtuar gjithsesi sup më sup në librin e telefonave (si shenjë përparimi social); por Suzi tingëllonte ndryshe, në kufijtë e lajthimit a të diçkaje që nuk duhej të kish qenë; si një gotë që ti ende e përdor për të pirë ujë, edhe pse e di që është e thyer.

Erdhi pastaj koha kur fillova të pyes: nga vinte ky emër? Motra ime lindi kur unë isha gjashtë vjeç, e megjithatë unë e pata një rol në zgjedhjen e emrit të saj, aq sa mund deri edhe të pretendoja autorësinë – Elva, një emër të cilin e pata krijuar vetë, duke modifikuar pak emrin e një fqinjës sonë, Elda. Po emrin Suzi kush e kish gjetur, kush e kish vënë dhe, sidomos, nga çfarë emri tjetër e kish modifikuar?

Kisha dëgjuar disa që e thërrisnin nënën time Suzana; siç kisha dëgjuar të tjerë që e thërrisnin Zana (nga Su-Zana; disa edhe “zysh Zana”, nga vitet kur ajo kish qenë mësuese e letërsisë në gjimnaz). Suzana sërish nuk ishte emër “yni”, por edhe dëgjohej tek-tuk, siç dilte edhe në letërsi dhe në filma. E vënë me shpatulla për muri, ime më e refuzonte emrin Suzana: emri i saj ishte thjesht Suzi, edhe pse nuk kish ç’t’u bënte të tjerëve që ia zgjeronin, duke ia suvatuar. Kjo më kujtonte edhe një kushëririn tim, Eduardin, të cilin e thërrisnin Ardi, siç më thërrisnin mua dhe pastaj u duheshin dhënë shpjegime të gjithë të ngeshmëve në darkat e farefisit. Pa çka se kalimi nga SuziZana, me ndërmjetësinë e një emëruesi të përbashkët imagjinar Suzana, bëhej edhe më traumatik, po të mendosh se Zana si emër kish në shqipe historinë e vet të lavdishme.

Por edhe më e madhe ka qenë habia ime – për të mos thënë zhgënjimi – kur zbulova një ditë prej ditësh, përmes një certifikate të lindjes a nuk di ç’dokument tjetër identiteti – se ime më paskësh pasur edhe një emër tjetër, madje më të vërtetë se të tjerët: Senije. Dhe ky ishte nga ato zbulime që i përmbysnin krejt letrat në tryezë – sepse deri atëherë unë e kisha lidhur Suzin me diçka unike, sa moderne aq edhe mondane, madje exquisite, progresive, europiane; diçka për t’u krenuar, brenda atij konteksti kulturor të viteve 1960, që premtonte largim “emancipues” nga brezi i Senijeve, Hajrijeve, Hysnijeve, Sadijeve, Bekijeve, Fatrijeve, Remzijeve; dhe unë sado fëmijë kujtoja se e kisha trashëguar këtë kapërcim nga një brez më parë (Sanije quhej edhe një hallë e tim eti). Ç’të ishte kjo Senije tani? Gabim fatal i nëpunësit të gjendjes civile? Imponim konservator? Koncesion ndaj traditës islamike në një epokë të krenuar si laike?

Përgjigjja më erdhi si pjesë e një historie, brenda së cilës do të gjente vend edhe emri Suzi.

Nëna ime u lind në New York, në një familje emigrantësh nga Gjirokastra, nga nëna Inajet dhe babai Adil.[1] Ishte dimër i vitit 1935, kur erdhi në jetë – dhe prindët ende nuk kishin vendosur ç’emër do t’i vinin, teksa ua dërgonin me telegrame të afërmve të tyre në Shqipëri lajmin e mirë. Mes telegrameve të urimit, që pasuan si përgjigje, ishte edhe ai nga familja që kish lënë im gjysh Adili në Gjirokastër: “T’ju rrojë Senija.” Gjyshi im këtë mesazh kriptik e përjetoi si manifestim të një vullneti që duhej respektuar verbërisht, edhe ngaqë po përcillej në një distancë praktikisht të pamundshme: as ai, as e shoqja, nuk e ftillonin dot emrin Senije në telegram; nuk kish në familjen tonë ndonjë Senije të lashtë, së cilës t’i përjetësohej emri duke u ripërdorur; por edhe mundësi për të kërkuar sqarime onomastike dhe filologjike, nga New York-u në Gjirokastër, nuk kishte. Senije thoshte telegrami, dhe Senije mbeti – ashtu edhe u regjistrua ime më në gjendjen civile amerikane, në Birth, Death, Marriage & Divorce Records, si Senije Aliko; ashtu edhe u krijua certifikata me gjurmët e shputkave si putra, e cila – në analizë të fundit – do të na sillte të gjithëve familjarisht në New York, gjysmë shekulli më pas.

Kaluan javë, dhe më në fund origjina, ose më mirë “arsyeja” e këtij emri Senije doli në dritë, përmes një letre nga Gjirokastra: familja e tim gjyshi atje kish marrë iniciativën sa dashamirëse, aq brilante, që ta quante të bijën e Adilit emigrant sipas princeshës Senije, motrës së mbretit Zog; e cila jo vetëm po pompohej si një farë celebrity në ato vite, por edhe sapo kish bërë një vizitë – me gjasë mbresëlënëse – në Shqipërinë e Jugut, ku kish shkelur edhe kalldrëmet me nam. Nuk ishte fjala, pra, për ndonjë traditë familjare, patriarkale, islamike për ta ri-mishëruar hijen e një para-ardhëseje të vdekur te foshnja e sapo-mbërritur; Senije si variant i Sanije mund të jetë vërtet emër kuranik me kuptimin “sublime”, “fisnike”, “e përndritshme”, por ata që e sugjeruan nuk u frymëzuan nga feja e tyre a e të parëve të tyre, por nga një event dhe nga një personazh mondan i Shqipërisë së asaj kohe. Nëse emri që i vihet fëmijës përmban gjithnjë edhe një dëshirë, Senije, në telegramin nga Gjirokastra, duhej të përcillte dëshirën për shkëlqim, pasuri, sqimë, fisnikëri (gjak blu) dhe elegancë – siç shihej nga populli Senija e Zogut.

Sublime dhe fisnike mbase vërtet, por gjyshes sime Inajet ky emër nuk i pëlqeu fare. Ishte rritur me të tjera gjëra në mendje – motrat, kushërinjtë dhe kushërirat e saj dhe një pjesë jo e vogël e brezit të saj ishin nisur për të kryer studimet e larta në universitetet europiane, ose të paktën po bënin plane për t’u nisur; Gjirokastra e viteve 1930 ishte si një reaktor atomik, që do të rrezatonte me energji intelektuale gjithë Shqipërinë – dhe Islami, edhe pse i respektuar shumë, po humbte terren ndaj fesë së re të modernizimit, të “europianizimit.” Prandaj edhe Inajeti e pranoi emrin Senije, për të mos ua prishur “monarkistëve” të qytetit të lindjes; por edhe filloi t’i mbajë mëri të shoqit. Tregojnë se Adili një ditë e gjeti duke qarë, me foshnjën në gji: emri Senije nuk po i pëlqente fare. Nëse vinte, ky refuzim i Inajetit, edhe nga ndonjë karshillëk a kundërvënie me familjen e të shoqit, këtë mund ta marrim me mend, por nuk e verifikojmë dot më, përveçse po të provojmë me spiritizëm.

Gjirokastritët e New York-ut, në ato vite aq emblematike, mblidheshin bashkë. Njëri prej tyre, Tefik Ciu, beqar, i cili përveçse mik dhe bashkë-qytetar, ishte edhe kushëri i gjyshes sime, edhe ai nuk e kish gëlltitur kollaj këtë Senije si emër të fëmijës, prandaj edhe i bërtiti gjyshit Adil: nuk shkon kjo Senije, i tha; dhe aq më pak shkon në mes të Amerikës. U ndodhe bosh dhe e bëre atë gabim në certifikatë, por vëri vajzës një emër tamam. E ç’emër t’i vë? – e pyeti gjyshi. Vërja Suzi, i tha Tefiku. Suzi? Nga e kërreve këtë Suzi? Dhe Tefiku shpjegoi: Suzi quhet e dashura ime hebreje, dhe mua më pëlqen shumë si emër. Dhe, për çudi, Adili u thye dhe e pranoi propozimin e kushëririt tonë: Senija u bë Suzi; ose më mirë, u bë edhe Suzi; dhe Inajeti nuk mundej veçse ta përshëndeste këtë zhvillim – jo vetëm ngaqë Suzi ishte emër “modern”, por edhe ngaqë propozimi kish ardhur nga ana “e saj” (ishte Ciu, nga familja; dhe Tefikun e kish kushëri “të vetin”).

Hebreja Suzi, e cila me gjasë do të ketë qenë ndonjë Susan (në mos ndonjë Susannah[2] a Shoshanna), e shkruante emrin e vet Susie – dhe kështu e shkruante ndonjëherë edhe im gjysh, në letrat e veta më vonë. Unë këtë emër, Susie, e pata zbuluar në kapakun e një stilografi të zi, të cilin pa pat dhuruar sime mëje gjyshi qëmoti: ishte një nga ato dhurata aq amerikane, ku ti mund ta gdhendësh emrin e tjetrit, për t’i personalizuar. Por unë kujtoja se Susie ishte marka e stilografit, derisa një ditë, kushedi pse, pyeta time më dhe kjo më tha: Susie jam unë! Ashtu më thërriste Adili, Susie! Po Suzi ç’është atëherë? Susie, Suzi, janë e njëjta gjë – shpjegim që m’u desh, sepse ende fëmijë, nuk e kuptoja mirë që një fjalë mund të shkruhet “ndryshe” nga ç’shqiptohet.[3]

Ashtu edhe u bë nëna ime me pesë emra: Suzi, që ishte son nom de guerre, i jetës së përditshme; Suzana që ishte emri që ia pat vënë Tirana, e tunduar nga moda dhe moderniteti italian; Zana, që ishte emri i saj për atë brez kolegesh dhe nxënësesh të fundviteve 1950, kur ajo pat nisur punën si mësuese gjimnazi; Senije që ishte emri i saj sekret, por edhe më i fuqishmi, meqë ruante identitetin e saj “amerikan”; dhe Susie, që ishte emri i saj si fëmijë në një familje emigrantësh, mes miliona emigrantësh të tjerë në Amerikën e viteve 1930. Këta emra i garantonin një farë virtyti unik, personal, të pareplikueshëm; por të kombinuar me fije DNA-je shqiptaro-ilire (Zana), italiane (Susanna), mbretërore-islamo-turke (Senije) dhe amerikano-hebreje (Susie).

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Familja jetoi në New York për disa vjet, para se gjyshja ime, me dy vajzat e veta, të ktheheshin për të kaluar ca kohë në Gjirokastër; por nuk u kthyen pastaj dot më në SHBA, ngaqë i bllokoi Lufta II Botërore. Pas Luftës, për arsye politike, gjyshja ime dhe të bijat sërish nuk u bashkuan dot me gjyshin, dhe dy vajzat, nëna ime dhe tezja, komunikuan me të vetëm me letra, derisa ai u kthye përfundimisht në Shqipëri, në vitin 1971, për të vdekur një vit më pas. Në familjen tonë “Amerika” ishte një mit edhe i origjinës; nëna ime, e lindur në New York por e kthyer në Shqipëri fëmijë, na dukej herë si e rënë nga qielli, herë si plaçkë lufte. Për më tej, lexoni këtu (Katër breza oqean).

[2] Për t’u shënuar se emri, në forma të ndryshme, përdoret tashmë anembanë Europës; madje edhe me hipokorizmin Sanna, karakteristik për kulturat skandinave, dhe që nuk është shumë larg Sanije/Senije, sikurse edhe nga Zana jonë e maleve.

[3] Edhe historia e emrit të tezes sime Flora, lindur edhe ajo në New York, meriton të tregohet. Kur ajo erdhi në jetë, tim gjyshi i patën thënë gabimisht se ishte bërë me djalë – i madh ishte gëzimi i tij, aq sa, rrugës për në maternitet, u hardallos duke pirë me shokë e të njohur, për disa orë, para se të arrinte atje; por pa harruar të ndalej në një dyqan lulesh, ku të blinte më të madhen buqetë të mundshme, për të shoqen. Por kur hyri në dhomë, e gjeti gjyshen time sërish në lot – sepse kësaj ia patën thënë tashmë që Adili po festonte lindjen e djalit; megjithatë, kur im gjysh mësoi se ish bërë sërish me vajzë, tha: Aq më mirë! Edhe më mirë! Do ta gëzojmë më shumë! Dhe pastaj, në një moment frymëzimi, vështroi mega-buqetën që kish sjellë dhe shtoi: kështu le t’ia vëmë emrin, Flora! E vërteta është se tezes sime në dokumente emri iu shkrua Florence, emër amerikan tipik, mjaft popullor në ato vite; dhe në dokumentet në Shqipëri Florenca, emër edhe më i rrallë se Suzi. Kur ende fëmijë ia pashë dikur tezes, letërnjoftimin, dhe lexova atje Florenca Tophana, kujtova se ishte emri i dikujt tjetër – sepse as këtë emër, Florenca, nuk e kisha dëgjuar kurrë që të përdorej për të; as mbiemrin Tophana nuk e dija, që paskësh qenë mbiemri “zyrtar” i të shoqit të saj shkodran, përndryshe i njohur botërisht me mbiemrin Halili. Incidentalisht, edhe emri hebraik Suzana (në versionet Susan, Susanna, Susanne, etj.) ka në zanafillë kuptimin “zambak” dhe pastaj “trëndafil” dhe “lule”; çfarë do të thotë se, etimologjikisht, të dy motrave, edhe Suzi edhe Flora, u është vënë emri “lule.”

19 Komente

  1. Shume i bukur rrefimi, se bashku me ate te parin qe me kish shpetuar. Nuk ka trillim qe i kapercen keto histori kaq personale, por te zakonshme se njerzore.

    Une ende nuk e kam kuptuar deshiren e emigranteve per te vdekur ne vendin e tyre. Ajo enderra per te cilen shkruajte, kush e di se c’thirrje mistike eshte. Une jam i shurdher nga ai vesh e me habit vertet.

    1. Une ende nuk e kam kuptuar deshiren e emigranteve per te vdekur ne vendin e tyre..”
      Si duket duan qe tu vije dikush ne varrim.Kam marre pjese me funerale komshinjsh amerikane ku beheshim gjithsej nja 5-6 vete .Ne Shqiperi edhe Hodo Leckamani qe e ka kaluar jeten duke rremuar kazanet e pleherave varroset si pasha duke marre pjese gjithe qyteti .Sikur shqipot te respektonin te gjallet ashtu si respektojne te vdekurit..

  2. Ardi, sa bukur ke rrëfyer një histori familjare që shpalos një shekull histori qytetare shqiptare e madje më gjerë. Chapeau!

  3. Sa bukur na e ke kallezuar! Ka aq shume prej nje familjeje a nje epoke ne nje emer. Nje leksion per Shqiperine mes Lindjes e Perendimit dhe per historine e saj gjuhesore ne nje lende per gjuhet e Mesdheut une e nis me njehistori te emrit (emrave) dhe mbiemrit tim. 🙂

      1. hah, teksa hartoni leksionet, kuturisuni të hidhni një sy në traditat e disa fshatrave të Labërisë që u jepnin të porsalindurve dy emra; njëri për konsum publik – zakonisht mysliman (Barjam apo Merjeme), e më pas shqiptar – frymëzuar prej rilindjes kombëtare (Agim, Luan). Emri tjetër ishte emër i krishterë, për përdorim shtëpiak. Vetë jam rritur në këtë ambient të çuditshëm; kur isha e vogël rrekesha mjaft të kuptoja nëse një hallëmadhja ime quhej Katerina apo Qamile’.Nuk e di nëse është shkruar për këtë, nëse jo, ja një temë e sigurtë disertacioni 🙂

  4. “Nuk e di nëse është shkruar për këtë, nëse jo, ja një temë e sigurtë disertacioni..” Eshte nje fenomen per te cilin ka edhe studime. Me i miri ne mos gaboj (se nuk kam pare te tjere) eshte ai i Margaret Hasluck-ut qe e ka gjetur dhe pershkruar ne Shpat te Elbasanit, ku familjet kishin sistematikisht dy emra, madje edhe pse ishin myslimane, kishin edhe ndonje altar te vogel brenda shtepise, ku i faleshin “atij tjetrit”. Per mua eshte nje fenomen i ngjashem si ai i te kriptokrishterëve, qe u shfaq ne kushte te tjera dy mije vjet me pare. Ne shqiperi eshte perkthyer edhe kriptokomunistet:-))

    1. Jam mësuar të mendoj sikur poshtë ndërrimit të emrit fshihet gjithnjë një traumë – që mund të jetë kolektive (ndërrimi i fesë) ose individuale. Por në fakt mund të jetë edhe vetëm efekt i një dëshire për ta filluar nga e para, ose vanitet. Nomen omen, thoshte latini. Edi Rama mbase nuk do të kish suksesin politik që ka pasur, po ta kish emrin Vasillaq Papamihali ose Pashk Mark Ndou ose Bejtullah Koçobashi. Nëse disa e kanë të shkruar të ardhmen në emër, atëherë pse të mos e shkruash vetë të ardhmen në emër? Ka disa emra të njohur, në mediat dhe publicistikën shqiptare sot, që janë “të rinj” – nuk po i përmend, sepse mbase të zotëve u ka mbetur sado pak privatësi për të ruajtur. Në Shqipëri ka pasur edhe një ligj – më duket – që nxiste ndërrimin e emrave të tipit Mjaftime, Mbarime, Sose, etj.; por studimet onomastike tregojnë sa masiv ka qenë dhe mbetet ndërrimi i emrave. Nuk gjen familje, që të mos vijë me një histori ri-etiketimi. Ndonjëherë edhe thjesht ngaqë fiset zgjerohen dhe ndahen – më kanë thënë që mbiemri im, Vehbiu, është relativisht i ri, pas ndarjes së një dege të fisit Emiri. Muhabetin do ta ketë ngatërruar edhe zakoni që djali të merrte si mbiemër emrin e babait. Kjo në histori. Sepse sot më shumë interes ka emër vënia – si akt gjuhësor (performativ); në kuptimin që çfarë realizon mirëfilli; dhe kapërcimi tashmë nga funksioni klasifikues i emrit në funksionin e auspicit, ose dëshirës. Aq sa edhe shprehja “dita e emrit” për shumë të brezit të rinj nuk ka më kuptim. Është shkëputur antroponimia nga kalendari dhe emrat e njerëzve tashmë janë si një hartë e tendencave dhe modave kulturore. Për t’u shënuar dhe që, mu për këtë shkak, moda e djeshme sot shërben si identifikues i prejardhjes: emra njerëzish si Vlorë, Shkumbin, Vjosa, Berat, Labinot sot “tradhtojnë” prejardhjen nga Kosova; emra si Ardian, Ilir, Agron, Teuta vitet 1950 të ringjalljes së ilirizmit (paskëtaj nuk do të ketë më Piro, as Pirro). Edhe vetë dyzimi Tefta/Teuta flet aq shumë, për projeksionin patriotik në emër-vënie. Pa folur për emra thjesht eufonikë, si Ola, Ela, që shënjojnë – për mua – një lloj krize të shënjimit.

      1. Shume i bukur shkrimi! Ka brenda histori familjare, por dhe te ngjarjeve qe kaluan shqiptaret. Ne Gj ende kujtohet vizita e motrave te Zogut dhe ime më tregonte se si per Sanijen dhe te motrat poshte ballkonit te hotelit degjohej “2 minuta ne ballkon, djelmuria ju kerkon!” Antroponimia do te perbente vertet nje cikel te bukur leksionesh, pa le te vilen shembujt per çdo krahine…

  5. HIstori familjare interesante, qe behet e ditur per te tjere sepse autori di ta tregoje bukur dhe ne menyre terheqese, si edhe zoteron revisten ne te cilen publikohet historia. Me shkon mendja, sa histori te ngjashme, mbase edhe me interesante, diku misterioze diku intriguese, ndonje here edhe te shifruara me deshifrues qe diku ka humbur ose fshehur, mbeten te panjohura per te tjeret (te tjeret, ne kete rast = jo pjestaret e familjes) per arsye nga me te ndryshmet, nje prej te cilave mund te jete psh per te fshehur “skeletet ne dollape”.

    Por disa prej komenteve me bene te mendohem ca me gjate rreth nje ceshtjeje qe lidhet me identitetin ne pergjithesi dhe me identitetin e shqiptareve ne vecanti. Pergjithesisht, besoj se njerezit me identitet te forte e te percaktuar si nga vetja ashtu edhe nga te tjeret, nuk kerkojne te nderrojne emrin, i marre ky ne daç si “indentifier” ne daç si ornament i personalitetit. Perkundrazi, njerezit e pasigurt, pra njerez te pasigurt ne vetvete se cilet jane, ose cfare perfaqesojne, jane me te prirur ta pranojne nje emer rezerve (just in case), madje shpeh here edhe ta kerkojne nje emer rezerve si nevoje, si mbrojtje, ose si nje paravent pas te cilit mund te fshehin emrin e meparshem, duke kujtuar se keshtu fshehin edhe veten.

    Pa e zgjatur, nuk i gjej dot ndonje shpiegim shume kendelles faktit qe ne Shqiperi, ne cfaredo katundi apo krahine, njerezia kane patur a kane nga dy, tre apo me shume emra qe mund te perdoren sipas nevojes, apo kerkesave te çastit. Madje edhe interesi eventualisht shkencor qe mund te paraqise ky fenomen dhe potenciali qe ka per te shkruar disertacione nuk me josh shume.

    Nuk e kam fjalen per emrat perkedheles qe mund t’i ngjiten njerezve nga pjestaret e familjes, apo rastit qe permend autori ne shkrim, ku egzistenca e disa emrave per te njejtin person shpiegohet me arsye qe jane krejt te ndryshme nga “krizat e mundshme te identitetit”. Eshte fjala, qe t’i biem shkurt, per ato raste kur perdorim emra myslimane, por per çdo eventualitet mbajme edhe nje emer rezerve, ortodoks a katolik qofte. Me shkon mendja pa te keq, qe ky mikrofenomen familjar ka koaguluar ne nje pasiguri identitare kombetare dhe ç’eshte me keq, mendoj se mungesa e ketij identiteti te konsoliduar kombetar ka qene ne bazen e te gjitha fatkeqesive qe e kane ndjekur popullin shqiptar qysh nga 1912 e ketej. Perpjekjet e regjimit komunist, te qelllimshme apo te paqellimshme paçin qene, ne dukje sikur e zbuten ca kete problem, por vetem perkohesisht. Mbas viitit 1990 kriza identitare e kombit shpertheu me te gjithe forcen e saj. Po permend vetem dyzimet me tipike, pa folur qe ka edhe trezime, katerzime apo n-zime: maloke dhe moçalore, shqiptare dhe kosovare (a thua se keta te fundit nuk jane shqiptare), komuniste dhe balliste (e shtrire kjo deri ne brezin e trete ose te katert). Eshte e vertete qe kjo e fundit i ka rrenjet ne periudhen historike te meparshme, si ironi e perpjekjeve te regjimit per konsolidimin e unitetit kombetar, perkatesisht te IDENTITETIT kombetar,

    Dyzime te tjera: turq e kaure, katunare e qytetare, veriore e jugore dhe “Chi più ne ha più ne metta”.

    E gjitha kjo mund te jete edhe nje keqinterpretim, sidoqe krejt padashje, i nje realiteti qe gjithsesi eshte i prekshem sidomos ne hostililtetin qe shprehet deri ne vulgaritet ne forume te ndryshme, sidomos ne komentet e medieve on-line, ndaj pjestareve te grupimit “kundeshtar”.
    Shenim: Nese komenti ka erdhur dy here, eshte per shkak te veshtiresise me log-in ne WordPress

  6. Na patën mësuar dikur në shkollë që historitë, përfshi edhe kujtimet, duhet të kishin “kuptim” – por ja që del tani se këto “pa kuptim” kanë edhe më shumë kuptim se të tjerat. Pastaj, kur futen në kujtesë, personazhet sikur fillojnë dhe zbuten, sikur kalojnë avash-avash nga salla në ekran, se mua ashtu më duken këto që më rrëfen ime më tani në pleqëri, si “të shfaqura”, për të mos thënë bardhezi. Dhe kam vënë re që herën e parë që i nxjerr nga sepeti, i tregon më mirë se herët e tjera – ngaqë historia sikur vjen e “prishet”, pasi del në dritë. Si në një film të Fellini-t, “Roma”, kur gjetën një varr etrusk gjatë punimeve në tunelet e metrosë, dhe pastaj afresket zunë të prishen e të shpërbëhen mu nën sytë e punëtorëve, nga oksigjeni që u fut në kriptë. Kështu janë edhe këto gjëra. Dhe mua më është dukur se më e vështirë nga të gjitha, të paktën për mua, është të identifikoj se çfarë ËSHTË histori dhe çfarë jo, ose më mirë çfarë nuk bëhet dot histori, edhe po ta rrëfesh.

    1. Ime më nuk rrëfen, por besoj se ca probleme identiteti ajo do t’i ketë pasur, kur ende fëmijë – e kthyer në Gjirokastër nga New York-u, dhe aq më tepër në kohë lufte. Mirëqenia amerikane përballë mizerjes së provincës shqiptare, të atyre kohëve. Pas Luftës madje origjina e saj “amerikane” filloi të kthehej dora-dorës në handikap, brenda një familjeje si jona, të angazhuar edhe këtej edhe andej. Pakot me ushqime dhe veshje që dërgonte gjyshi në vitet e vështira të triskave të Frontit sërish e dallonin nënën time nga të tjerët, për mirë dhe për keq. Nuk diskutohet që ky status ndikoi edhe në jetën e saj, po aq sa edhe peripecitë e emrit; por nuk mund ta çoj më tutje këtë analizë. Nuk ka qenë e lehtë ta kishe babanë “amerikan”, në vitet 1950-1960 në Shqipëri, por nga ana tjetër të jepte edhe një kompleks superioriteti, siç mund të kuptohet.

      Për fat të mirë të saj dhe tonin, gjyshi im i ndenji larg politikës në mërgatë dhe u mor me punët e veta – derisa erdhi dita që të kthehej në Shqipëri. Por e mbaj mend si tani, që ditën që erdhi, i rrethuar nga të afërmit në dhomën tonë të pritjes, teksa radio Tirana ndezur në sfond filloi të jepte lajmet, ky u kthye me shaka dhe tha “e mo, propagandë bën”, dhe e pashë që kjo të mive nuk u pëlqeu, sepse menduan se do t’u hapte punë. Pati edhe incidente të tjera, si një herë kur vajti të blinte miell në dyqan dhe shitësja i tha që “nuk e ke emrin në listë” dhe ky nuk arrinte ta kuptonte këtë si koncept, dhe i thoshte shitëses së shkretë: “urdhëro paratë, më jep mallin”, duke treguar me gisht nga mielli në raft. Por duket të ketë pasur shumë nga këto incidente të vogla.

      Kish sjellë me vete një magnetofon, të cilin e përdorte gjithnjë e më shpesh për të regjistruar veten dhe grupin e kushërinjve, duke kënduar këngë labe. Këtë e bënte edhe në Tiranë edhe në Gjirokastër. Unë kam qenë ende i vogël atëherë dhe nuk kisha ndonjë lidhje emocionale me të – doja gjyshin tjetër, i cili më kish rritur. Por veç mund ta marr me mend, se çfarë ka hequr nëna ime, në përpjekje për të pajtuar imazhin e babait me babain vetë, një njeri pothuajse të alienuar.

      Në fakt, gjyshi nuk “u kthye” gjëkundi – gjeti një Shqipëri pa lidhje me atë të mbretërisë, që kish lënë në vitet 1930; dhe i mungonte formimi intelektual, për të marrë vesh se ç’ndodhte rreth e rrotull. Përpjekjet e tij për t’u familjarizuar me të pafamiljarizueshmen ia shpejtuan fundin – drejt së cilit e ndihmoi pa masë edhe rakia. Unë nuk e kisha njohur, përveçse emër; kisha të drejtë të pyesja: “ç’është ky?”; por nuk them dot sa e (ri)njohën ata të tjerët. Kthimi i tij nuk riparoi asgjë, përkundrazi, vetëm sa e bëri totalisht reale një humbje që shumë nga të familjes vazhdonin ta trajtonin si incidentale ose të përkohshme.

      Ishte njeri modest, që e kish djegur jetën në emigracion; ndoshta kish jetuar, në mënyrën e vet, me ëndrrën për t’u kthyer një ditë në Shqipëri dhe për t’u bashkuar me dy vajzat. Por këto kthime janë gjithnjë të pamundura. Në rastin e tij, emri nuk ndryshoi – mbeti i njëjti; por gjithçka tjetër po.

  7. Une qe po shkruaj jam afer shtepise se zysh Suzit me pune, gjithashtu dhe ish nxenesja e saj. Jam brezi i fundit matura 87′, ku zysh Suzi dha mesim dhe pas doli ne pension. Nje zysh “kokete” e veçante ne llojin e saj. Me nje menyre te veçante te spjegimit. Ne momentin kur ajo spjegonte te gjithe rrinin e degjonin dhe pse zilja mund te binte. Jam shume afer shtepise se saj, por kam kohe qe nuk e shoh me te dale. Nuk e dija qe kishte lindur ne Amerike, po menyra e sjelljes dhe stili i saj ka qene gjithmone i veçante. Pleqeri te mbare…

Lini një Përgjigje te Ardian VehbiuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin