1X10: DEKALOGU I NJË LAGJEJE TIRANASE

Titulli: Dekalogu i një lagjeje tiranase
Autori: Krymi
Shtëpia botuese: Berk, 2020
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Anna Shkreli

 

 

 

1. 

Si nuk shkonte më në shkollë, Safeti zbuloi dy pasione të mëdha. I pari qe ai që trashëgoi nga gjyshja – fuqia shëruese e bimëve – pasion të cilin e ushtroi deri në fund të jetës. Përgatitja e melhemeve dhe përzierjeve bëhej me barna dhe erëza që ia sillnin me porosi ose i mblidhte vetë në rrëzë të Dajtit, duke krijuar koleksione të tëra me lëngje e pluhura të ndryshëm që i përdorte sipas rastit. Emri i saj filloi të njihej gjerësisht si Mjekja Popullore e Rrugës së Kavajës. Që nga gratë e ambasadorëve, si për shembull Anna, gruaja e ambasadorit Paolo Foresti, e cila vuante nga një shqetësim stomaku, e deri te njerëz të thjeshtë, që nga bajamet e deri te djegiet e rënda e masazhet terapeutike, ishin të shumtë ata që frekuentonin oborrin e shtëpisë. Fjala vjen, një nga lëngjet për tretjen e gurit të veshkave që përgatiste përbëhej nga kungulli i egër, i cili lihej një kohë të caktuar, sa të fermentohej bashkë me përzierës të tjerë. Sa herë që i dozonte masat, nuk harronte t’u shpjegonte familjarëve të pranishëm me shumë pasion:

– Duhet me bo shumë kujdes me masat, se kungulli i egër myt i kalë ngaqë është i helmët.

2. 

Një tjetër përzierje, që kur thahej të kujtonte çimenton e ngrirë, përbëhej nga domate të shterrura, gomallatë dhe alkool 97% dhe përdorej për djegiet e shkallës së rëndë, duke përtharë avancimin e djegies në mish, e cila sipas Safetit “hyn 40 ditë”, pra vijon ta gërryejë mishin e djegur der në 40 ditë pas djegies.

3. 

Është, gjithashtu, i mirënjohur kremi i saj me dyllë blete dhe vaj ulliri, i cili nuk lejonte malcimin e plagëve a vrajeve, por e mbante lëkurën e ruajtur derisa ajo zinte dregëz dhe rigjenerohej në vetvete.

4. 

Po aq interesant ishte vaji i akrepit, i domosdoshëm për çdo shtëpi tiranase me akrepa, merimanga e gjithfarë insektesh. Safeti, sapo shfaqej një akrep te stivë e druve, e kapte shpejt me mashë, e hidhte brenda një shisheje me vaj ulliri dhe i mbyllte tapën. Pas pak minutash akrepi, në pamundësi për të ikur, kryente atë që njihet si vetëvrasja e akrepit duke harkuar bishtin mbi shpinë e duke i ngulur thumbin vetes në qafë. Si e bënte këtë veprim, shtendosej i tëri dhe javë pas jave humbiste ngjyrë, duke u shndërruar nga i zi, në kanellë të çelët e duke lëshuar të gjithë vetitë e tij kuruese në vaj. Mjaftonin dy-tri pika nga ky vaj nëse të pickonte akrepi, ndonjë merimangë e keqe, që zbriste kryesisht nga tanat e rrushit të çdo shtëpie tiranase, apo ndonjë mushkonjë e infektuar, për ta qetësuar menjëherë plagën që krijonte pickimi.

5. 

Posa vinte dimri dhe fëmijët e lagjes në Tiranën e ftohtë e të lagësht kalonin bronkit pas bronkiti, mamatë rendnin të merrnin te Moma Feti (siç i thonin) shishkat me finj, të cilat i përgatiste dhe i linte në parvazin e dritares së kuzhinës enkas për komshinjtë, duke i porositur që t’u jepnin fëmijëve esëll një filxhan kafe me finj të nxehtë përzjerë me një lugë vaj ulliri. Pak e sikletshme për t’u pirë, por me fuqi të mrekullueshme vepruese si pastrues i këlbazës së bronkeve, pra një mukolitik i shkëlqyer. Finjën, po ashtu, e përdorte dhe për larjen e çarçafëve e të brendshmeve të bardha që “kërcisnin nga pastërtia”. Ka shumë gjasa që vetitë zbardhuese të finjës të kenë qenë pjesë e dijes popullore të krejt Mesdheut, pasi një sërë detergjentësh sot e ripropozojnë këtë formulë të quajtur “cenere attiva”, duke e shenjuar, madje, në mënyrë të dukshme në ambalazh.

6.

Safeti njihte mirë vetitë e shumë bimëve, të cilave u kalojmë pranë në natyrë pa i vënë re, duke “shpërfillur”, kështu fuqinë e madhe kuruese të mëmës natyrë. Një pjesë e tyre përbëjnë sot gjerësisht principet bazë të mjaft mediakmenteve farmaceutike apo dhe të shkencës së rizbuluar të paramjekësisë. Disa ndër më të përdorurat qenë gjethet e ftoit së bashku me lulet dhe gjethet e eukaliptit, për kurizimin e ekzemave a psoriazit; gjethet e bërdëllakut, zyrtarisht i njohur si bardhullok, me të cilin ndalonte hemorragjinë e plagëve; bari i metriqit, të cilin ua jepte grave ta pinin pas dështimeve apo lindjeve të vështira me operacion, sepse pastronte mitrën; majdanozi i shtypur bashkë me bishtat e njoma të prasit, me të cilin qetësohej otiti, infeksioni i veshit; avulli i hithrave, të cilit, po t’i qëndroje sipër përditë për mëse një muaj, të përthante sinusitin e, po ashtu, lëngu që hithrat lëshonin në uthull artizanale për të kuruar zbokthin apo baltën e kokës (yndyrën e skalpit); qinglat, të cilat shtypeshin në havan druri, përziheshin me vaj ulliri dhe me këtë masë xhelatinoze lyheshin flokët, të cilat merrnin një ngjyrë të zezë në blu plot shkëlqim, të cilën Safeti e quante ‘shpinë kacabuni’; qepa e mbushur me hi, vaj ulliri dhe sapun sode, e cila vihej mbi zjarr derisa përbërësit treteshin te njëri-tjetri dhe, ashtu e nxehtë sa mezi durohej, vihej në puçrrat apo lungat me qelb, e madje edhe mbi ato të quajtura “të thatat”, duke e mbledhur qelbin në një pikë e më pas duke e shpërthyer plagën, e cila në këtë mënyrë vetëpastrohej.

7.

Vendi ku njerëzit merrnin mjekimin ishte në korridorin e qelqtë të Berkut, i cili edhe aso kohe ka qenë i gjelbëruar, si rrjedhojë e dashurisë së Safetit, që ishin bimët e pemët. Në fakt, ulliri që bën hije në oborrin e Berkut ka moshën e Esatit, djalit të saj të fundit, pasi iu blatua atij qysh në lindje. E vetmja pemë që Safeti nuk kishte përzemër të mbillte ishte pema e arrës, ngaqë, sipas një bestytnie të trashëguar te tiranasit, kur trungu i arrës të trashej në madhësinë e qafës së atij që e kishte mbjellur, “pema hante robin”, pra mbjellësi, si për mallkim, vdiste. Mistika e arrës është gjerësisht e shpërndarë në këto treva. Për të thuhet se kqyr e vren, njësoj si detaji që përdor Ismail Kadare te libri i tij Emblema e Dikurshme, ku trungu i arrës do bëhej dëshmitar, gati fotograf i ngjarjes kriminale.

8.

Kjo dashuri për bimët me siguri lindte nga kopshtia e pamatë që kish pasur në shtëpinë atërore, një kopshtie që ruhej për breza me radhë nga një qen i quajtur përherë Kuri. Ky emër për tiranasit do të thotë “i errët, zeshkan”. Safeti, mesa duket, kishte shpesh mall për shtëpinë e saj të vegjëlisë, pasi dhe pse pa patur qen, shpesh këndonte nëpër shtëpi “Kuri, Kuri, do gjymës paruri”. Në oborrin e saj plot drunj, lule e gjithfarë, bënte hije një man, pemë që shenjoi pasionin e saj të dytë, atë të rritjes së krimbit të mëndafshit, të zhdrivillimit të pupave dhe endjes në tezgjah të vogël të shpateve të mëndafshta. Mani ishte një pemë e gjendur thuajse në çdo bashtë tiranase, pemë së cilës i referoheshin edhe si tregues stinor. Është proverbiale shprehja tiranase “Kur t’vishet moni, zhvishet insoni”11, për të treguar se pranvera kish ardhur. Kur mani të mugullonte krahët e tij të dendur me gjethe e fletë, atëherë njeriu mund të lehtësohej nga teshat e dimrit.

9.

Mes fletëve të dendura të manit të vet Safeti qysh tetë vjeç e tutje nisi të kultivonte koloninë e krimbave të saj të mëndafshit. Njihte mirë pesë moshat e krimbit të mëndafshit, mirëmbajtjen e tij, si duhej ta ruante koloninë nga mospirja e ujit te vijë e ujit e bostanit pak metra pas manit pasi, përndryshe, hollohej sekrecioni me të cilin krimbat mbështjellin veten, e që s’ish tjetër gjë veçse fija e mëndafshit. Njihte mirë kohën kur pupat qenë mbyllur plotësisht, ndaj i vilte me kujdes nga gjethet para se të hapeshin e prej tyre të dilnin fluturat. Më pas ndante veç një dorë pupash, të cilat nuk do t’i zhdrivillonte, ndërsa pupat e tjera të caktuara për t’u bërë fill, i përvëlonte me ujë të nxehtë të cilin e maste me sa duronte bërryli i saj prej fëmije, ngaqë po të qe shumë i nxehtë, dëmtohej fija e mëndafshit, ose siç thuhej asokohe, “egrohej”. Pasi i kishte përvëluar, niste zhdrivillimi i pupës dhe ashtu një pupë e vogël sa gjysma e gishtit të madh të dorës nxirrte deri në 28 metra fije mëndafsh. Fillimisht e mbështillte lirshëm përreth një boshti të quajtur drudhe, rreth 20 cm, në mënyrë që fija të thahej dhe të merrte diell, pastaj e bënte atë gati për vegjët (avlëmendin), shpati i së cilës për vetë brishtësinë e fijes nuk i kalonte 20 cm. Pupat që kish lënë mënjanë ndërkohë, nuk i hapte, thjesht i linte të thaheshin, i lyente me bojë të posaçme mëndafshi, me ngjyra shumë të lehta, kryesisht bojëqiell, e më pas me majën e një bisturie të hollë i priste për së gjati e i përdorte për të zbukuruar me to qëndisma të ndryshme. Kur ishte dymbëdhjetë vjeç me këto pupa, si edhe me fillin e mëdafshit të tjerrë vetë, pat qëndisur mbi një copë mëndafshi të endur po vetë, dy pallonj në skaj, bishti i hapur i të cilëve ngrihej e takohej si në një kurorë të madhe. Mesi ishte bosh. Rendi tek i ati dhe ai i kënaqur i tha se do ta kornizonte e do ta ruante që ajo një ditë të vendoste në mesin e zbrazët fotografinë e saj më të dashur.

10.

I ati, duke ia kuptuar pasionin për endjen, i bleu një manifakturë të tërë tezgjahu si për lin, ashtu edhe për mëndafsh, me shpate në të tre masat: të gjata, të mesme e të vogla. Madje që vajzukja të ndjehej në mbretërinë e saj të avlëmendjes, thirri ustallarët që t’i ndërtonin dhe të ashtuquajturën ‘gropë të vegjve’, një gërmim i posaçëm e i niveluar poshtë veglave të tezgjahut, ku paloheshin vetiu të patrazuara metrat e sapo endura të mëndafshit, të linit, të byrynxhikut a të mermerit12. Copat e endura dhe të qendisura prej saj, të cilat sot janë pjesë e koleksionit të “Berkut”, përfshijnë punime nga të linjtat e pajës, deri te peshqirët e vegjël vetjakë, të quajtur ‘havllija’. Kur Safeti u martua, shtëpinë nuk e gjeti, siç mund të mendohet rëndom, por e solli me vete, si pjesë e ëndrrave të saj të sendërtuara nga tetë deri tetëmbëdhjetë vjeç, ditën kur u largua nga shtëpia atërore e shoqëruar nga katër kaloshina me pajë e dhunti. Puna e saj me dorë, e cila e transformoi shtëpinë në një vepër arti, u zgjerua aq shumë, sa të kombinonte tantellat e tavolinave me përparëset e saj të gatitmit, jo aq si mënyrë për ta shndërruar Safetin në pjesë të shtëpisë, sesa për ta bërë shtëpinë një entitet që lindte rrotull saj, siç bën artisti me veprën e tij të artit.

3 Komente

  1. Ç’hyn këtu “…Anna, gruaja e ambasadorit Paolo Foresti, e cila vuante nga një shqetësim stomaku…”? Paolo Foresti është personazh i vërtetë; a i është marrë,leje Anës që ecejaket e saj për t’i gjetur melhem stomakut të saj të shqetësuar rrugëve të Tiranës t’i njoftohen publikut? Edhe sikur Anna të jetë personazh i sajuar, përmendja e Paolo Forestit më duket pa etikë dhe më lë një shije të hidhur.

    1. Ketu gjithe personazhet me sa duket jane reale; pse u dashka hidheruar per permendjen e gruas se nje ish-ambasadori te njezetepese viteve me pare, e cila qenka kuruar per nje dhimbje stomaku? Apo lejet e medha nder ne, kur nderkohe ne gazeta e portale shkruhet 24/24 per gjera qe jane jashte cdo etike e per personazhe aktive, me soj e me sorollop. Memuaristika – sidomos kur nuk ka info te rezervuara, dhe kur pasojat e nje kujtimi nuk afektojne jeten private e publike – nuk i njeh keto kufij, qe ndofta aktualiteti edhe mund te mos i relativizoje.

      1. Thoni: “kur pasojat e një kujtimi nuk afektojnë jetën private e publike…” Po ne nuk e dimë nëse e afektojnë jetën private apo publike të zonjës Foresti. E vetmja mënyrë që ta dimë është të pyesim zonjën Foresti nëse jep leje që ecejaket e saj nëpër mjekë popullorë në Shqipëri të bëhen publike. Kam përshtypjen që kjo leje nuk është marrë – ose të paktën nuk kuptohet në mënyrë eksplicite në tekst – e ndaj më duket joetike përmendja e saj.

        Thoni gjithashtu: “…nderkohe ne gazeta e portale shkruhet 24/24 per gjera qe jane jashte cdo etike e per personazhe aktive, me soj e me sorollop”. Pikërisht! Fakti që portalet e gazetat shqiptare (e jo vetëm) ndërhyjnë, me shumicë e në mënyrë skandaloze në jetët private të personave të njohur e të panjohur, nuk e legjitimon dhunimin e privatësisë. Ne duhet të jemi të shqetësuar madje që sasia e frikshme e ndërhyrjeve të dhunshme në privatësinë individuale e ka relativizuar problemin dhe normalizuar dhunën. Se kështu është si të thuash: “e mo ç’bëri, në fund të fundit një vrasje / vjedhje / përdhunim / rrahje ishte. Ka të tjerë që vrasin / vjedhin / përdhunojnë / rrahin për ditë”.

        Në fund, është pakëz ironike që ju, mbrojtur ashtu si edhe unë e shumica e komentuesve në këtë faqe, nga anonimiteti që lejon nick name-i, të jeni kaq dorëlëshuar e zemërgjerë me privatësinë e të tjerëve që përmenden me emër e mbiemër.

Lini një Përgjigje te NatraAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin