NË POLENË

nga Sokol Çunga

 

Reportazh

Këtë behar e solli rasti të bëj ca udhëtime të shkurtra në fshatin Polenë të Korçës. Duke u përpjekur të mbështesja një projekt kulturor krejt origjinal, gjeta kohë të sodisja vendin, njerëzit, peizazhin fjalët dhe mimikat. Më shijoi ajo atmosferë, ndaj dhe këto radhë vijuan natyrshëm.

Polena ndodhet 9 km në perëndim të qytetit të Korçës, në të djathtë të rrugës Korçë – Ersekë. Si shumë fshatra të tjerë ndanë Fushës së Korçës, qëndron si një ballkon natyral në këmbët e kodrave përmbi fushë, 850-900 m mbi nivelin e detit. Fshati fillestar ndodhej pak më thellë në gji të kodrave, sindonja 30 minuta me këmbë (në behar, se dimrit me dëborë tjetër punë). Rrënjët e tij datojnë në mes të shek. XVIII, siç gjemë në burimet e deritanishme. Tempujt e krishterë të fshatit të vjetër rrëfejnë se historia e tij humbet në muzgun e historisë, ashtu sikundër themelet e fshatit të dikurshëm janë mbuluar nga bimësia. Gjatë fillimit të shek. XIX, sikundër e gjithë zona e Korçës, edhe polenakët kërkuan mbrojtjen e Ali pashë Tepelenës, në këmbim të pagesës. Pas vdekjes së Aliut, një prej bejlerëve, deri atëkohë shërbyes i Aliut, u lëshua dhunshëm mbi Polenë dhe fshatrat përreth, për të zaptuar sa më shumë territore. Përpjekjet e armatosura mes familjes së beut dhe fshatarëve në vitet 1822 – 1836 bënë që shumë familje vendase të shpërnguleshin në Ohër, Manastir a Krushovë (Kërçova e sotme, Maqedoni e Veriut). Për t’i vënë fre arbitraritetit të beut, polenakët paditën beun në autoritetet e kohës dhe çështja u shqyrtua në gjyq. Me sa duket, drejtësia nuk zgjidhi shumë punë, pasi shpejt 300 shtëpitë e Polenës u bënë sindonja 20-25. Ndaj beu i ftoi të ikurit të ktheheshin sërish, për të shmangur braktisjen e fshatit. Mirëpo, beu nuk pranonte bashkëpronarë, por bujkrobër. Në këmbim të paqes përvetësoi, dalë nga dalë, gjithë tokat dhe pyjet. Nakari i tij arriti deri aty sa u mat t’u vinte qira fshatarëve për shtëpitë e tyre. Fshati u ngrit dhe desh e shoi familjen e beut me gjithë ç’kishte. Më pas, për ta zgjidhur çështjen përfundimisht edhe në rrugë juridike, mërgimtarët polenakë, të ndodhur, kryesisht, në Worchester, Boston, MA., krijuan më 1905 “Shoqërinë Bamirëse të Polenës” dhe mblodhën ndihma në para, me të cilat blenë, në dobi të fshatit, tokat e zaptuara nga beu. Shoqëria vijoi të kontribuonte për fshatin edhe në dekadat e mëpastajme. Kështu i gjeti Lufta II Botërore, kur më 1943 fshati u dogj prej Ballit Kombëtar. Kurse një tërmet në vitet ’50 dëmtoi thuajse krejtësisht dhe ato pak shtëpi të rindërtuara pas Luftës. Fshati aktual filloi të ndërtohej në mes të viteve ’50 me kontribut të përbashkët të shtetit dhe vetë fshatarëve. Kjo zgjidh dhe misterin e organizimit të përkryer urbanistik të Polenës: të gjitha rrugët brenda fshatit kryqëzohen mes tyre duke krijuar kuadrate të rregullta, mes të cilëve ndodhen shtëpitë, dukuri e përveçme ndër fshatrat e Shqipërisë.

Fotografi e ritit të Arapëve, marrë në: https://www.facebook.com/1390644710954319/photos/a.1858552317496887/2319398814745566/?type=3&theater

Polena është e famshme veçanërisht për ritualin e “Arapëve” (ose “Rrogeçëve”)[1] dhe lakrorin[2]. Pyesim pleqtë e fshatit për ritualin. “Karnavali, t’i themi më mirë, jo ‘Arapët’. Se, ç’faj na kanë ato vendet arabe, që t’u themi ashtu…. Jo, s’është mirë”, thotë njëri prej tyre. Të tjerë vërsnikë thuajse shekullorë e kundërshtojnë parafolësin, duke pohuar se ashtu është emërtimi i ritit, “Arapët e Polenës”. Teksa, herë duke pohuar me kokë ato që thotë folësi, herë duke debatuar me zjarr për elemente specifike të ritualit, ndjekim atmosferën e këndshme të krijuar prej bisedës, nuk mund të mos mendojmë: këto ditë, teksa bota gëlon nga parullat “Black lives matter”, mesazhi paska mbërritur fort edhe në Polenë, saqë vetë bartësit e traditës ndikohen dhe, për t’iu përgjigjur thirrjes globale, ndonjëri prej tyre nuk ngurron as të higjienizojë traditën në dobi të njerëzores. I mrekullueshëm ky element humanizmi, mbresëlënës ndërgjegjësimi se solidariteti njerëzor për dikë është më i rëndësishëm se tradita e trashëguar gjysh-stërgjyshi, por e trishtë kur mendojmë se sa lehtë ndikojnë mjetet e komunikimit masiv në riformulimin e traditës dhe, vetvetiu, të ndërgjegjes vendase, paçka se nuk ekziston ndonjë lidhje faktike mes problematikës së ngritur në SHBA dhe botë, dhe realitetit të Shqipërisë.

Vazhdojmë dhe pyesim kë mundemi për kujtimet e tyre nga rituali i Arapëve. Teksa pyetja drejtohet tek ndalimi i festës dhe ritualit më 1967, padashka rrëfenja shket në të tjera hulli, në realitetin socialist dhe kooperativist të fshatit. “Eh, ishim fshat i mirë ne. Me spital, po, me dyqane, po, me mensë të kooperativës, po, ofiçinë bujqësore kishim, vinin gjithë fshatrat këtu tek ne, ku kish si ne, ore. Tani iç, s’jemi gjë.” Pastaj folësi na rrëfen se disa herë në fund të viteve ’80 ka takuar atëkohë mjekun Sali Berisha që shoqëronte grupe mjekësh, vizitorë të huaj, të cilët vinin për të parë spitalin e Polenës, model për kohën. Spitali i dikurshëm sot është gërmadhë, strehë barërash të këqija dhe gjarpërinjsh. (Në vend të tij, pranë shkollës së fshatit ndodhet një Qendër Mjekësore, me hatër 50 m2.) Dyqanet e dikurshme sot janë ndërtesa të zymta, kojëkyçur e symbyllur (polenakët i bëjnë pazaret në Korçë). Sigurisht, zotëria i moshuar që thotë fjalët e mësipërme nuk po flet përpara mikrofonit, nuk e lustron fjalën si për deklaratë zyrtare. Po bën një copë bisedë me dy vizitorë në sokak të portës ku ka dalë të ajroset e të këmbejë ca llafe me kalimtarët. Megjithatë, më mbetën në mendje fjalët e mësipërme që ngjante sikur glorifikonin të shkuarën, fjalë, të cilat pjesërisht i dëgjova edhe nga të tjerë polenakë.  Vallë, nostalgji për socializmin, kooperativën, tufëzimin e anatemuar? S’e besoj, se nuk m’u duk se flisja me nostalgjikë të komunizmit, por me njerëz të arsyeshëm. Rrugës së kthimit më kujtoheshin të tjera raste, të tjera episode historish personale të shtatëdhjetë-e-sipër-vjeçarëve nga fshatra të Shqipërisë: “ishim më mirë, nuk qahemi, po mirë s’jemi”. Refren aspak i panjohur për veshin tim. Kujtohem se po këtë refren e kam dëgjuar edhe në qytete, edhe në Tiranën tonë caput Albaniae me shumë çmime e lëvdata për urbanizmin e saj sekular. E kam dëgjuar ngaherë prej gojësh që gjatë bisedës shpesh rrudhen e shtrëngohen, kur flasin për hallet e së sotshmes dhe vështirësitë e jetës që ecin përpara më shpejt se vetë jeta. Po s’e kam dëgjuar kurrë nga kush i ka hipur kalit të shtetit e politikës, a kush aspiron t’i hipë atij kali. Ndoshta këtu është çelësi: kooperativisti i djeshëm që shtyn ditët në sokak të portës, bashkë me gjithë vërsnikët e tij që s’e ngjyen gishtin në mjaltët e fondeve të buxhetit, kuptojnë se diçka shkoi shtrembër nga kjo “punë e demokracisë”, se propaganda e sotshme s’është aspak larg së djeshmes, se dinjitetin njerëzor që dje e thyente vija ideologjike e Partisë dhe kodi penal politik, sot e thyen arroganca e pushtetit dhe drejtësia gjingjoniste. E çë se e djeshmja thuhet “diktaturë”?

Projekti i madh që përshkoi gjithë jugun e Shqipërisë, rrjeti gazsjellës TAP, kaloi edhe pranë Polenës, duke u shtrirë nën fushat atypari. Në kuadrin e kontributit për komunitetin, rrugët e fshatit po shtrohen e rregullohen prej fondeve të projektit. Asfalti i ri ka nisur të kafshojë dhe zëvendësojë kalldrëmin e vjetër. Megjithatë, në një prej rrugëve, ca fqinjë e kundërshtuan asfaltin. U mblodhën bashkë, me kontributet e tyre rregulluan kalldrëmin dhe do të mbajnë atë para portave të tyre, jo asfaltin. Se, vërtetë kalldrëmi i Polenës nuk është shekullor e historik, as ka hyrë në UNESCO, por është pjesë e shpirtit të ca polenakëve që dashurojnë çka i lidh me identitetin, jo oportunizmin e tri gisht asfalti.

M’u kujtuan, ndërkaq, ato komente turistësh, gazetarësh a diplomatësh të huaj që mbeten gojëhapur nëpër Shqipëri kur shohin ndonjë qoshe ndërtese, gërmadhë e shek. XIX, a rendin pas ndonjë sfurku të flakur e thërrasin “Wow, amazing, this is so antic!” S’kanë për ta bluar gjatë historinë e dëbimit të bejlerëve dhe riblerjes së fshatit, s’do t’u bëjë përshtypje historia e Dr. Berishës që shoqëron vizitorët në spital të Polenës për t’u rrëfyer mrekullitë e socializmit, as mensa dhe ofiçina bujqësore e dikurshme, as kanë për ta parë kalldrëmin e shporrur nga asfalti. Higjienizimi vullnetar i traditës nuk do t’u bëjë përshtypje si dukuri antropologjike. Madje, edhe ndonjë “qytetar”, që rruga i bie aksidentalisht nga Polena, s’ka për t’i rrëmuar këto histori, se mendjen do ta ketë tek legjendari lakror i Polenës dhe historitë do t’i fshijë bashkë me yndyrën e buzëve. Askush nuk ka kohë të ndalet për t’u marrë me Polenën, apo çdo Polenë tjetër, mes fotografive në timeline të Facebook-ut dhe stories me stickers e hashtags në Instagram.

Shënim: Ky reportazh u shkrua pas disa vizitave në fshatin Polenë, në kuadër të një projekti etnografik, për të cilin u ftova të kontribuoja. Opinionet e këtij reportazhi nuk përfaqësojnë përmbajtjen dhe qëllimin e projektit etnografik.

 

Legjenda të fotografive:

01: Pamje panoramike e Polenës siç duket nga kodrat në shpinë të fshatit. Përballë: fusha e Korçës dhe Mali i Moravës.

02: Dy prej figurave të Arapëve.

03: Lakrorë polene.

04: Duke intervistuar të moshuarit e Polenës mbi ritualin e Arapëve.

05: Një kryqëzim rrugësh në Polenë. Rrugët e kalldrëmit duke u konvertuar në rrugë asfalti.

 

Fotografitë: Sokol Çunga

[1] Për më shumë rreth ritualit të Arapëve shih: Jonida Çunga: Rite motmoti në Korçë dhe rrethina, punim në mbrojtje të gradës shkencore “Doktor”, Tiranë 2019, fq. 152-171.

[gjendet në: https://drive.google.com/file/d/19r39oyxQpdSE3dAQ0lLI_m8koftLQSsh/view, konsultuar për herë të fundit më 11.08.2020]

[2] “Festa e lakrorit”, veprimtari e turizmit të kulinarisë që zhvillohet nga Bashkia Korçë që prej vitit 2008, vitet e fundit është shpërngulur në Polenë dhe përbën, ndoshta, të vetmen arsye turistike për të tërhequr vizitorë në fshat gjatë muajve të verës.

21 Komente

  1. Polena me ofroi nje realitet qe eshte kthyer ne mbarekombetar.
    Ndersa rrefimi kaq i ngrohte tingellon si nje “fjale pleqerishte”.

  2. Reportazh shumë interesant, për mua. Peccato, kur i thonë, ajo puna e asfaltit. E kam si vëlla, se shok klase 12 vjet, drejtorin për Shqipërinë të TAP-it, ia njoh ndjeshmërinë dhe ndershmërinë. Po të kish pasur komunikim më të mirë, besoj, do të ishte mediuar siç duhet edhe për kalldrëmin.

  3. Me vjen keq qe po flas troc fare, por ky eshte reportazh qe mund te titullohej nga nje klishe ne tjetren. Fshati komunist i djegur nga ballistet ( me siguri do jene djegur 2-3 shtepi komunistesh, nqs me shume atehere eshte djegur nga beteja) , qe ka qene qender piikerisht se fshat komunist dhe sot plot me pleq nostalgjike te komunizmit, ngaqe rinia ka ikur si kudo. Historine me beun e kane thurur me siguri ne kohen e komunizmit qe te dilnin fshat komunist “ante litteram”, e verteta nese ka pasur ndonje konflikt me beun do te jete shume me prozaike. Po ashtu si klishe tipike, fshati ka kujtese per udheheqesin e radhes qe ne te ri ka kaluar ose pshurrur tek ndonje mullar i katundit. Si ne cdo klishe qe respektohet dalin edhe 2-3 kalldremistet si ludiste antiprogres qe sot do pelqeheshin nga nje takem ekologjistesh. Ne fund, qershia mbi torte del edhe pseudomodernisti 70 vjecar qe ngre pijepyetje mbi etiken e emertimit arap brenda se vetmes tradite, por edhe gjekafshe interesante te fshatit, me mbeshtetjen e plote te rrefyesit, pavaresisht se arap sot se perdor ne askush po mesohet nga librat dhe ndonje shprehje si lesh arapi apo je bere si arap i zi, sepse sot perdoret zezak ose thjesht i zi ( fyese zhap”zi e byth’zi). Si perfundim si ishte ajo puna e sfurkut, sa i vjeter ishte ?

  4. Nuk kishte emer ai, beu? Epo hajt, futja kot, shkruaj shkruaj se dicka do mbetet. Ne paskan qene pronare tokash. Please please give me a break. Me ç’di une ( ndoshta e kam gabim) ne Polene flitej greqisht. Ishin hyzmeqare te ardhur per te punuar tokat e bejlereve ( feudalizmi keshtu ishte ne Europe). Ka mundesi te sjellesh emrin e Beut, qe te dime per cfare flitet dhe si flitet & interpretohet.

  5. Dies Irae dhe Amantia, ju falenderoj për vëmendjen e pjesshme ndaj shkrimit. Amantia, do t’ju lutesha të lexonit edhe më poshtë se pjesa historike e tekstit, për të kuptuar se ky nuk është artikull studimor që ka qëllim të parashtrojë ndonjë variant të historisë së Polenës. Ai paragraf historik është një narrativë shumë, shumë e përgjithshme e së shkuarës së Polenës. Nuk ka qëllim të trajtojë aspak marrëdhëniet e fshatit me beun / bejlerët. Sigurisht, mund t’ju sjell bibliografi specifike për këtë temë dhe për marrëdhëniet e rajave me autoritetet lokale dhe qendrore, si dhe ndryshimet mes realitetit mesjetar në Europë dhe Ballkan, por nuk është rasti. Nga ana tjetër, kjo gjuhë arrogante, me të cilën më drejtoheni në cilësinë e autorit të shkrimit, nuk më frymëzon aspak të debatoj me ju, sepse i ditkeni të gjitha!

    1. Ashtu eshte sic thua zotrote. Por besoj e di shume mire qe ngrihen here pas here keta polenaret e tu dhe na kerkojne Vorio Epir. Apo nuk e di kete? Shkrimin e ke bere vec te tregosh qe gjoja na paskan qene pronare tokash. Kjo arroganca ime te beka pershtypje, keto genjeshtrat e tua i shkruan urte dhe bute…

      1. amantia, arroganca jote duket sheshit. Gënjeshtrat e mia duhet t’i provosh si të tilla, jo thjesht të më paditësh për të tillë. Ndryshe është ofendim, për të cilin duhet të më kërkosh falje. Boll me të folurën qesim prapa një pseudonimi.

      2. Amantia, shpresoj të jesh në gjendje të shpjegosh se ku i sheh “gënjeshtrat” e autorit te shkrimi më lart. Akuza është e rëndë, dhe nuk mund të kalohet në heshtje.

        1. E di ku i shikoj: ai me tha, ata me thane qe ishim Ne pronare tokash por erdhi dikush dhe ma mori token …. Se kush ishte ky dikush s’behet fjale. Llafe pazari te hedhura ne shtyp ( shkrim).

          1. Po edhe në qoftë e pavërtetë ajo e pronarëve të tokës, autori mbase thjesht u ka besuar atyre… Këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë studim të kadastrës për zonën. Mua si botues nuk më vjen mirë kur autorët e këtushëm akuzohen se po thonë gënjeshtra: të thuash gënjeshtra, presupozon ta njohësh të vërtetën dhe ta shtrembërosh me qëllim. Kurse këtu më duket se bëhet fjalë për një informacion mbase të paverifikuar, të përcjellë në shënime të një vizite në fshat. Too harsh.

  6. Degjo, ti i fsheh idete e tua pas thashethemeve “ ai, ata me thane”. Jep fakte se si I cpronesuan keta njerez. E ke per detyre kur boton.

  7. Falje duhet t’i kerkosh ti gjithe botes shqiptare per dizinformim. Ja t’ja u leme ne dere ca te panjohureve. Ti e solle shkrimin, ti ke pergjegjesi per keto qe shkruan.

    1. amantia, me a të vogël, provat se si dhe sa aftësi profesionale zotëroj i kam dhënë përpara komisioneve përkatëse akademike që më kanë vlerësuar, por edhe publikut të specializuar për temën e mësipërme në më shumë se 10 vite punë profesionale akademike. Për hir të seriozitetit që dëshiroj të ketë platforma e Peizazheve të Fjalës, por aspak i nxitur nga arroganca jote, shpenzova ca minuta të vyera nga koha ime për të renditur bibliografinë e mëposhtme, sipas problematikave:

      Sipas ligjit të Sherihatit, i gjithë rruzulli është pronë e Allahut, cili ka lënë mëkëmbësin e vet mbi dhe, sulltanin kalif. Sulltani është administrator i pronave të Allahut. Askush tjetër veç sulltanit, në rolin e administratorit, nuk ka të drejtë pronësie mbi tokat e territorit të Perandorisë Osmane. Për të administruar territoret e Perandorisë, sulltani vendos mbi to autoritete të varura prej tij. Këto autoritete i paguajnë taksa sulltanit dhe përgjigjen për detyra të tjera (taksime të paparashikuara, kontribute në ushqime, pjesëmarrje në luftë) sipas një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë. Autoritetet lokale e mbajnë postin me periudha të shkurtra të rinovueshme ose jo, në varësi të vullnetit suprem. Në përfundim të mandatit apo të jetës, pasuria e paluajtshme i kthehet sërish sulltanit, i cili e jep sipas dëshirës. Për këto shih: Inalcik, Halil: The Ottoman Empire. Conquest, Organization and Economy, London 1978; Inalcik H.: “The Turks and the Balkans”, Turkish Review of Balkan Studies 1 (1993), fq. 9-42; Inalcik H.: The Ottoman Empire: Τhe Classical Age 1300-1600, Phoenix 1997; Inalcik H.: An economic and social history of the Ottoman Empire 1 (1300-1600), Cambridge 1997.

      Nga një këndvështrim i përgjithshëm, pronat e paluajtshme në Perandorinë Osmane administroheshin nën sistemin e timareve. Nga mesi i shek. XVII fillojnë të shfaqen çifligjet. Për krijimin e çifligjeve dhe sanksionimin e tyre shih: Ars, Gregory: Η Αλβανία και η Ήπειρος στα τέλη του ΙΗ΄ και στις αρχές του ΙΘ΄ αιώνα: Τα Δυτικοβαλκανικά Πασαλίκια της Οθωμανικής Αυτοκρατορίας, μτφ: Αντωνία Διάλλα, Αθήνα 1994, fq. 136-137; Pulaha, Selami: “Shpronësimi i klasës feudale shqiptare nga toka dhe rrugët e integrimit të një pjese të saj në klasën feudale osmane në shek. XV”, Studime Historike 3, fq. 134-165, Tiranë 1982.

      Teksa sistemi i çifligjeve fillon të marrë formë, në viset shqiptare fillojnë kundërshtitë. Në vitin 1701 fshatarët e zonave të Korçës ankohen për taksimet e larta dhe të papërballueshme dhe e ankimojnë çështjen në gjykatën osmane. U pranohet kërkesa, por sërish më 1701-02 fshatarët çohen në kryengritje duke protestuar kundër arbitraritetit të pushtetarëve lokalë. Shih: Pulaha, Selami: Qëndresa e popullit Shqiptar kundër sundimit osman nga shekulli XVI deri nė fillim të shekullit XVIII : dokumente osmane, Tiranë 1978, fq. 41, 48, 143-144, 216-217.

      Një mënyrë për të shmangur arbitraritetin e administratorëve lokalë ishte kërkesa për mbrojtje që një fshat, grupe fshatrash apo një krahinë i kërkonin një individi të fuqishëm për sytë e tyre. Për institucionin e “mbrojtjes” në Epir dhe Shqipëri, shih: Αραβαντινός Π., Χρονογραφία της Ηπείρου των τε Ομόρων Ελληνικών και Ιλλυρικών Χωρών Διατρέχουσα Κατά Σειρά τα εν Αυταίς Συμβάντα από του Σωτηρίου Έτους Μέχριτου 1854. vol. 1, fq. 239-241, Αθήνα. 1856; Ars, Gregory: Η Αλβανία και η Ήπειρος στα τέλη του ΙΗ΄ και στις αρχές του ΙΘ΄ αιώνα: Τα Δυτικοβαλκανικά Πασαλίκια της Οθωμανικής Αυτοκρατορίας, μτφ: Αντωνία Διάλλα, Αθήνα 1994, fq. 136-137; Ψιμούλη Β.: Σούλι και Σουλιώτες, Αθήνα 1998, fq. 101-102, 158.

      Me ngritjen në pozitën e Pashait të Janinës, Aliu i Tepelenës nënshtroi gjithë bejlerët e pashallëkut të vet, por edhe të atij të Manastirit, ku përfshihej edhe zona e Korçës. Me radhën e tyre, edhe fshatrat e krishterë të Korçës kërkuan mbrojtjen nga Aliu. Deri në fund të jetës së Aliut (1822) askush tjetër nuk administronte dhe nuk vendoste taksa pa pëlqimin e tij. Shih: Ars, Gregory: Η Αλβανία και η Ήπειρος στα τέλη του ΙΗ΄ και στις αρχές του ΙΘ΄ αιώνα: Τα Δυτικοβαλκανικά Πασαλίκια της Οθωμανικής Αυτοκρατορίας, μτφ: Αντωνία Διάλλα, Αθήνα 1994, fq.; Ψιμούλη Β.: Σούλι και Σουλιώτες, Αθήνα 1998; Κοκολάκης Μ.: Το Ύστερο Γιαννιώτικο Πασαλίκι. Χώρος, Διοίκηση και Πληθυσμός στην Τουρκοκρατούμενη Ήπειρο (1820-1913), Αθήνα 2003.

      Për marrëdhëniet e bejlerëve të Polenës me fshatarët, ku përfshihen mosmarrëveshjet, përplasjet, procesi gjyqësor mes tyre dhe blerja e fshatit nga fshatarët, shih: Ισμυρλιάδου, Αδέλα: Ιστορία του χωρίου Πολένας από τους αγώνες και τις συγκρούσεις των ορθοδόξων χριστιανών με τους μουσουλμάνους μπέηδες της Κοριτσάς.

      Për blerjen e tokave të fshatrave nga fshatarët, dukuri e përgjithshme për gjithë zonën e Shqipërisë së Jugut dhe Epirit (pra, aspak dukuri e shfaqur vetëm në Polenë) shih: Αραβαντινός Π., Χρονογραφία της Ηπείρου των τε Ομόρων Ελληνικών και Ιλλυρικών Χωρών Διατρέχουσα Κατά Σειρά τα εν Αυταίς Συμβάντα από του Σωτηρίου Έτους Μέχριτου 1854. vol. 2, fq. 362-364, Αθήνα. 1857; Poujade E.: Les Chretiens et les Turcs, Paris 1859, fq. 99; Bartholdy M.: Ιστορία της Ελληνικής Επαναστάσεως, translated by A. Βλάχος, vol. 1, Αθήνα 1870, fq. 112; Παχύς Γ.: Το εν Ηπείρω αγροτικόν ζήτημα, Αθήνα 1882; Μοσχοβάκης Ν.: Το εν Ελλάδι δημόσιον δίκαιον επί Τουρκοκρατίας, Αθήνα 1882, fq. 26; Ελευθεριάδης Ν. Σ.: Τα δίκαια της Πολιτείας επί των εν Μακεδονία και Ηπείρω γαιών, Αθήνα 1916; Σάκκας Γ. Δ.: Κεράσοβον Κονίτσης, Ιωάννινα 1916, fq. 1-2; Πατσέλης Ν.: Η οικονομική πολιτική και ο πλούτος του Αλή πασά των Ιωαννίνων, Αθήνα 1936.

      (Shoh se teksa kaloj tekstin nga word në dritaren e përgjigjes këtu humbasin germat italike, të cilat nuk po gjej si t’i ndryshoj. Çështje teknike. Këtë bibliografi mundem të ta dërgoj edhe në formë tjetër elektronike, nëse amantia apo ndokush tjetër kërkon ta ketë.)

      amantia, thua më sipër:
      1. “ne Polene flitej greqisht. Ishin hyzmeqare te ardhur per te punuar tokat e bejlereve ( feudalizmi keshtu ishte ne Europe)”. Shpjegomë, të lutem, me të njëjtën mënyrë si unë më sipër, duke ndjekur metodologjinë përkatëse, si arrijmë të identifikojmë feudalizmin europian me sistemin e timareve dhe më pas atë të çifligjeve në Perandorisë Osmane, teksa dimë se janë dy sisteme të ndryshme në thelbin e tyre. Jam shumë kureshtar të di mendimin tënd të argumentuar.

      2. “Por besoj e di shume mire qe ngrihen here pas here keta polenaret e tu dhe na kerkojne Vorio Epir”. Jo, nuk e di. Argumentoma, të lutem.

      amantia me a të vogël, nëse nuk njeh bibliografinë e mësipërme dhe nëse nuk ke kompetenca profesionale për të përdorur atë në mënyrë sintetike dhe analitike, mbetesh thjesht një njeri i rastësishëm që i ra rruga këtej dhe çaprashit ç’t’i dalë, pa pikën e moralit, kurse unë mbetem i fyer dhe i përfolur prej teje. Për këtë arsye detyrohesh t’i kërkosh falje platformës së Peizazheve, lexuesve dhe mua personalisht, nëse këtë diskutim e ke nisur për qëllime konstruktive dhe padashka shkave në lajthitje.

      1. sokol, here me S te madhe & here me s te vogel, pra i komplikuar. Kot je lodhur duke na sjelle gjithe kete çarçaf. Nuk na sqarove se a flasin greqisht keta polenaret? Meqe vajte dhe i takove, i pe, te pane. Nga e kane origjinen? Si eshte krijuar ky fshat?
        Vec merak pate qe te na tregoje qe dikush u rrembeu pronat por keta s’leshuan pe dhe i moren perseri. Nuk ke shpikur rroten, mos u lodh kot me carcafe te tjere.
        Ato qe paskam degjuar une, s’i paske degjuar ti. Ky qenkerka problemi sic duket.

        Keshtu flet dhe dhe dikush per ca fshatra hyzmeqaresh andej poshte nga jugu. Eshte toka jone thote. Te gjithe e dine qe jane te ardhur per te punuar tokat e bejlereve. Po te flasesh s’u pushon goja.

        1. Dhe diçka tjeter per ty sokol me s te vogel. Fol per vete dhe mos kerko qiqra ne hell per te tjeret ( lexues te kesaj platforme & moderatore etj etj..)
          Nuk te shkojne keto praktika mjegulluese. As e kam problem te kerkoj falje. Tregon fisnikeri nje akt i tille. Por ty s’kam pse te kerkoj, jo se je ti, me S te madhe apo te vogel. Por mendoj se ne kete rast nuk eshte e nevojeshme.
          Dhe nje here po e perseris. Fol per vete, mos mu be perfaqesies i te gjitheve.

      2. Faleminderit për shkrimin dhe këtë koment sqarues, po sidomos për linkun për te “Rite motmoti në Korçë dhe rrethina”. Nuk kisha dëgjuar më parë për ritin e Arapëve.

  8. Kur autori nuk eshte politically correct, pse duhet te jem une ( e bute) ? Mund te jete dhe ashtu sic thote moderatori por une s’e di. Ndoshta me pelqen ta quaj jo-naiv autorin. Ndodhta eshte naiv ( ne kuptimin e mire) , ndoshta, tha dikush atje tutje…

  9. Vë në dukje autori përgjigjen e dalë nga thellësia e shpirtit, e dikujt të pyetur në Polenë për atë periudhë të ndritur:
    “Eh, ishim fshat i mirë ne. Me spital, po, me dyqane, po, me mensë të kooperativës, po, ofiçinë bujqësore kishim, vinin gjithë fshatrat këtu tek ne, ku kish si ne, ore. Tani iç, s’jemi gjë.”
    Pyes autorin: Mori vesh gjë nga përgjigjet e atyre që pyeti, se si kishin qënë në Polenë me realizimin e drithrave të bukës? Sepse, besoj, kjo është veçanërisht e rëndësishme të dihet, pasi siç thuhej atëherë “lufta për bukë është luftë për socializëm.” Kjo sikur nuk del në reportazh dhe njeriu ndjen një boshllëk brënda vehtes kur sheh që autorit ti shpëtoj një detaj kaq sinjifikativ që ka lidhje me ëndrrën tonë të madhe dhe me sa duket, të përjetshme, për socializëm.

    1. FA, e kuptoj shqetësimin tënd. Por një autor them se gjykohet nga tërësia e krijimeve të tij dhe unë në asnjë rast nuk vërej se z. Çunga ka dashur të shprehë ndonjë lloj nostalgjie.

      Por ka një fenomen mjaft interesant që do të më lejosh ta shpreh, meqë e kam njohur Polenën tamam në periudhën për të cilën flet autori (personazhet e tij). E kujtoj si një fshat të mirë për nga natyra së pari, i begatë, me toka pa shumë gurë dhe me djem e vajza të emancipuara, kujtoj një klub aty por edhe ndonjë mbrëmje rinie që vazhdonte deri vonë. Çupat të hapura e të emancipuara dhe prinder qe nuk ulerinin tek i shihnin te bisedonin me ndonje te panjohur. Por gabimi bëhet kur kjo lidhet me socializmin dhe kooperativën.
      Zhvillimi i mirë i Polenës (gjë për të cilën autori nuk sajon gjë) dhe i disa fshatrave të tjerë të Korçës lidhet jo me socializmin por së pari me traditën e fshatit, me kulturën e jetesës (janë njerëz punëtorë) dhe i pa neglizhueshëm është edhe roli i madh i emigracionit të paraluftës.
      Mund të them pa droje se disa fshatra të tjerë, nuk e kanë ende sot zhvillimin që kishte trashëguar Polena në atë kohë dhe theksoj, kjo nuk ka te beje me socializmin.

      Por nga fundit edhe aty jeta e përbashkët kishte mbërritur në limitet e veta. Socializmi i shkaterroi duke u derguar, midis te tjerash, me zor, edhe makina bujqesore me cilesi te tmerreshme per te cilat nuk kishin nevoje, por kjo nuk e pengonte shtetit t’ua faturonte sa frengut pulen. (Fashtari duhet et mbante me buke e rroge edhe uzinat mekanike, stacionet e smt-ve e ku ta di une)

      Por për natyrë njerëzit kujtojnë kohët e mira, siç ndodh me personazhet që flasin në të. Pak edhe per inat te shtetit te sotem.

      Natyrisht, reportazhi është gjini e vështirë dhe ka gjëra mund të thuheshin ndryshe, por kjo mbetet subjektive.
      Veçse une nuk shoh asnjë nostalgji a synim manipulimi të lexuesit.

      1. Si cdo ndjenje tjeter, nostalgjia buron nga nga shpirti njerezor, i dashur Lyss. mos e dhente Zoti qe une te kem ndonje gje kunder saj. E kush eshte ai qe nuk behet nostalgjik per dicka qe dikur i ka falur kenaqesi? Por une gjithe difektin e kam tek vehtja. Sa here qe lexoj nje reportazh,me behet sikur hipi ne varken e parnasisteve dhe se c’me kujtohet “Efekt hene mbi det” e Charles Marie René Leconte de Lisle si modeli me i perkryer per ate qe merr penen dhe do te shkruaj nje reportazh.

        1. Meqe rame dakord per vleren e nostalgjise po te rrefej nje pamje me personale te saj. Pa u larguar shume nga tema (te pakten gjeografikisht).

          Diçka më tutje Polenës, në mesin e rrugës Korçë Eresekë është një pikë që i thonim 32-shi. Aty ka një rrugë të vogël që prêt terthor drejt majës së Gramozit. Kalon mes ca fshatrash të njohur, si ai i vendlindjes së Sali Butkës e vazhdon shumë më tej, deri tek e tmerrshmja Qafë e Kazanit.

          Kujtoj një herë që na ngritën në alarm, mes të një të ftohti, bore e suferine të tmerrshme se kishte një informacion se « greku do të dilte në Qafë të Kazanit ». U nisëm me armë e topa mbi shpinë, se as mushkat nuk e hanin dot atë rrugë, por për shkak të paaftësisë së komandës jo vetëm që nuk arritëm atje ku duhej, por i vinim vërdallë një mali që quhej Mali i kuq. (më vonë u justifikuan duke thënë se busullat ndikoheshin nga prania metalike e grykave të topit dhe shënonin drejtim të gabuar).

          Ka qenë mbase një nga netët më të paharruara të jetës sime. Nuk merrnim dot frymë nga era e marrë ndërsa bora dhe të ftohtin na kishin mpirë. I flisnim njeri tjetrit e nuk kuptonim asgje.

          Në mëngjes kishim rënë të gjithë në dëborë gjysmë të vdekur dhe kur erdhi urdhri të ngriheshim prapë se ishim nja dhjetë km larg vendit, nuk lëviznim dot.

          Kujtoj se erdhi një infermier dhe më hoqi këpucët. Si specialist i mirë që ishte, m’i tërhoqi pecet pa kujdes e bashkë me to me mori me vete, ngjitur pas peceve edhe lëkurën e këmbëve të mia të ngrira. Pashë mishin tim të bardhë me ca si bula djerse…

          Vite më vonë u propozova ca miqve të shkonin për pushim ne Dardhë. Një ditë u thashë të më linin vetëm dhe u nisa të bëj atë rrugë ku kishim humbur atëherë, rrotull Malit të kuq, diku përballë Polenës, në drejtim të Nikolicës, në vijë ajrore.

          Thjesht pêr nostalgji, thua? Nuk e di.

          (Polenës i jam kthyer më vonë, për arsye profesionale)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin