XHAMIFIKIMI I SHËN SOFISË SI ÇMONUMENTALIZIM I KULTURËS

nga Sokol Çunga

“Muza më frymëzoftë, Shën Sofia më ndriçoftë
dhe perandori Justinian më faltë.”
-Edmondo de Amicis, Konstandinopoja.

 

Kishte vite që qarkullonte në shtyp propozimi i shndërrimit të tempullit të krishterë të Shën Sofisë në tempull islam, duke e zhveshur nga statusi i muzeut, të cilin mbante që prej vitit 1934. Kur më 2016, në fund të punimeve të Kongresit të 23-të Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine në Beograd u propozua dhe u pranua Stambolli si vend i zhvillimit të Kongresit të 24-t Ndërkombëtar të Studimeve Bizantine, e pashë këtë vendim si shenjë pozitive për të ardhmen e muzeut të Shën Sofisë. Sot, pak ditë pas vendimit për kthimin e muzeut në xhami dhe një ditë pas lutjes së parë në tempullin e konvertuar, shoh me keqardhje se marrëdhënia zyrtare e shtetit të Turqisë me monumentet dhe kulturën bizantine ndodhet në kulmin e përplasjes, ku e humbur, siç duket qartë, del kjo e fundit. Duke pasur parasysh statusin muze që ka pasur Shën Sofia, por jo vetëm, si dhe mënyrën me të cilën u konvertua së dyti muzeu në tempull të fesë islame, do të përpiqem të argumentoj dëmin që i bëhet një objekti të papërsëdytshëm të trashëgimisë kulturore të njerëzimit përmes këtij veprimi.

Katedralja kushtuar Urtësisë së Shenjtë të Perëndisë (η Αγία του Θεού Σοφία), njohur sot nën emrin Ayasofya (shqiptimi vulgar i greqishtes Αγία Σοφία – Shën Sofia), u përurua prej perandorit të bizantit, Justinianit të Madh nga Iliria, më 27 dhjetor të vitit 537. Burimet historike shënojnë se perandori i entuziazmuar, tek çeli dyert e tempullit, briti: “Lëvduar qoftë Perëndia që më denjësoi të kryej këtë vepër. Solomon, të mposhta!”, duke nënkuptuar se tempulli në fjalë ishte më i lavdishëm se i famshmi Tempull i Solomonit në Jerusalem. Tempulli i përket stilit të bazilikës me kupolë, me gjatësi 78.16 m dhe gjerësi 71.82 m. Pas tërmeteve të viteve 557-8 kupola, fort e guximshme për kohën dhe kulmi i krenarisë së arkitektëve Anthem i Trallesit dhe Isidor i Miletit, u shemb në pjesën më të madhe. Rindërtimi i kupolës me diametër 31 m. dhe lartësi 55.6 m. përfundoi në vitin 563, dhe është po ajo kupolë që shohim sot në tempull. Për ndërtimin e Shën Sofisë u përdorën lëndët më të çmuara të kohës, të cilat u mblodhën anekënd Perandorisë. Luksi i ndërtesës dhe rëndësia që kishte për kohën e vet duket qartë nga pllakat masive të mermerit të bardhë në dysheme dhe atij shumëngjyrësh në mure, kolonat sjellë nga minierat më të shquara të Mesdheut, angazhimi i 10.000 punëtorëve për ta ndërtuar, koha rekord e ndërtimit (5 vjet e 10 muaj), dhe 145.000 kg ar (sindonja 3 bilion USD me kursin e sotshëm). Ndërtimi i Shën Sofisë dhe lidhja e drejtpërdrejtë e këtij tempulli me pallatin patriarkal dhe pallatin perandorak nguliti një herë e përgjithmonë edhe elementin sakral në planifikimin urbanistik të bizantit. Që prej kohës kur u ndërtua, dhe deri në ditët e sotshme, Shën Sofia përbën modelin arkitektonik më të përhapur në bizant dhe pas-bizant, duke u përjetësuar në një shumësi tempujsh të tjerë të ritit të krishterë të Lindjes, por edhe atij Latin.

Mozaikët fillestarë të tempullit u përfunduan nga Justiniani II, për t’u mbuluar a shkatërruar gjatë periudhës së ikonoklastisë (shek. VIII-IX). Me ardhjen në pushtet të Dinastisë Maqedonase (shek. IX) filloi dhe ridekorimi i tempullit me mozaikë të tjerë, tregues të shkëlqyer jo vetëm të mjeshtërisë artistike të kohës, por edhe të koncepteve politike, fetare, ekonomike dhe shoqërore. Në interiorin e tempullit mund të shihen ende (sa herë nuk do të mbulohen me perde këtej e tutje) mozaikët masivë të Hyjlindëses me Krishin në prehër dhe Kryeengjëllit Gabriel në absidën sipër Hijerores, i pari 6.5 m. dhe i dyti 7.5 m. i lartë. Tradita dëshiron që mozaiku i Hyjlindëses të jetë vendosur mbi mozaikun e mëparshëm të Justinianit II, por për këtë nuk ekziston dëshmi historike. Kurse në sallat e katit të dytë, mbi nefin jugor të tempullit, ndodhet pjesa më e pasur me mozaikë të shek. XI-XII. Këtu ruhen tre mozaikë masivë: skena e Deisis; mozaiku i Perandoreshës Zoe bashkë me perandorin Konstandinin IX Monomakun, që ndodhen në dy anët e Krishtit Pandokrator; mozaiku i familjes Komnene, që paraqet perandorin Joan II Komneni me perandoreshën Irenë, teksa Hyjlindësja Mari mes tyre mban në dorë Aleks Komnenin, trashëgimtarin e fronit. Në timpanin verior të tempullit ruhet mozaiku i Shën Joan Gojëartit dhe Shën Ignatit. Kurse në narteksin e tempullit ruhen ende të tjerë mozaikë të shek. IX-XII, aspak më të thjeshtë në materiale dhe mjeshtëri se ata të interiorit.

Ndërkaq, teksa vizitori i Shën Sofisë sheh vezullimin (aq sa ka mbetur) e materialeve më të çmuara në mure (vizitori i shek. XII, fjala vjen, do të kishte parë edhe më shumë), mermeri i dyshemesë, i gjithi sjellë prej ishullit Prokonesos në Detin e Marmarasë tërheq vëmendjen si material tepër modest, krahasuar me atë që ka përreth e mbi kokë. (Prej sasive të pafundme të mermerit që vinin nga ishulli, emërtimi i tij ndryshoi nga Prokonesos në Marmara. Emërtimi i dytë është fjala greke e përdorur për lëndën e mermerit.) Mes gjithë mundësive të tjera, mermerëve shumëngjyrësh apo mozaikëve të çmuar, fort të zakontë për kohën, Justiniani dhe arkitektët e tij zgjodhën këtë mermer të thjeshtë, të bardhë në ngjyrë dhe me ujëzime, për të shtruar dyshemenë e ndërtesës më të jashtëzakonshme të epokës. E vetmja thyerje e bardhësisë janë katër shirita prej mermeri gri të Tesalisë që përshkojnë nefin qendror nga e djathta, në të majtë. Teksa mermeri përdorej gjerësisht për të dëftyer madhështinë e të zotit të ndërtesës, Justiniani kërkon që prej asaj pamjeje të zbrazët, pa mesazhe të artikuluara qartë, të tregojë se dyshemeja, toka, është përmasa boshe dhe e vdekshme prej së cilës nuk prodhohet asgjë. Po ashtu, pamja e natyrshme e mermerit prokonesian si sipërfaqe uji aludon Tempullin e Zotit që qëndron mbi ujëra, siç përshkruhet në Zanafillën e Dhiatës së Vjetër. Mbretëria e Perëndisë ndërtohet sipër përmasës vdekatare, e dominon atë, dhe vetëm kush lartohet drejt Qiellit mund të shijojë e të kuptojë mrekullitë e jetës bashkuar me Krishtin. Duke huazuar fjalët e Paulos Hesychastes (Paulus Silentiarius) në të famshmin ekphrasis të tij, dyshemeja e ujshme evokon një siujdhesë që rrihet nga tallazet e jetës, dhe vetëm kush afrohet tek Liturgjia Hyjnore arrin të gjejë strehën e shpëtimit. Këtë dysheme e admiroi Mehmeti II Pushtuesi, tek shkeli fitimtar mbi të, e lëvdoi Xhafer Çelebiu dhe poetë të tjerë osmanë pas tij, si dhe poeti fiorentinas Bernardo Bonsigniori, i fundmi nga perëndimorët që soditi atë mermer, dhe e quajti “mëndafsh prej uji”, përpara se të mbulohej për shekuj nga qilimat e xhamifikimit të parë. Kjo zgjidhje estetike e mermerit që imiton pamjen e ujit, mbi të cilin shkel vizitori apo besimtari, u huazua nga shumë tempuj të tjerë të krishterë të shek. VI e më pas, e më vonë udhëtoi në tempuj të Perëndimit Latin, si në Aquilea, Romë, Piacenza, Venecia, Montecassino. Dukuria nuk është vetëm arkitektonike dhe estetike, por edhe simbolike-teologjike. Këto tipare u bartën, më pas, edhe në dyshemetë e tempujve islame.

E vetmja pjesë e stolisur e dyshemesë masive është zona e quajtur omfalos (gr. ομφαλός, lat. umbilicus), Kërthiza e Perandorisë dhe, si rrjedhojë, e globit, në imitim të omfalos / kërthizës që ndodhej në tempullin e Delfit në Greqi. Në këtë pjesë të tempullit, pozicionuar në qendrën e çerekut jug-lindor të katrorit që ndodhet nën kupolë, qëndronte perandori gjatë ceremonisë së kurorëzimit nga Patriarku i Konstandinopojës, apo perandori bashkë me familjen perandorake gjatë ceremonive të tjera zyrtare fetare. Omfalos-i i Shën Sofisë është një dekor horizontal [fig. 1], që përbëhet nga 30 rrathë brendashkruar një katërkëndëshi me brinjë 5.65 m. Për ndërtimin e kësaj figure janë përdorur 32 lloje të ndryshme mermeri me ngjyra. Forma e parë e omfalos-it në këtë tempull daton që me ndërtimin e vet, më pas është pasuruar gjatë shek. X dhe restauruar në mes të shek. XIV pas një tërmeti.

Fig. 1: Omfalion (fotografi marrë nga: https://hagiasophiaturkey.com/omphalion/)

Ç’ndodhi me këtë dysheme dhe këta mozaikë më dt. 24 korrik 2020, gjatë lutjes së parë islame, pas ndryshimit të statusit të tempullit nga muze në xhami? Siç duket qartë në fotografitë që sjellim këtu [fig. 2, 3], e gjithë dyshemeja e tempullit është mbuluar me tapete ngjyrë jeshile të errët apo qilima shumëngjyrësh. Sipas zyrës së Presidentit të Republikës së Turqisë, qilimat janë prodhuar në punishtet më të shquara të Turqisë, “të gjitha prej pambuku 100% vendas”. Kurse të vetmit mozaikë që ndodheshin në fushëpamjen e kamerave, të cilat transmetonin në kohë reale ceremoninë e lutjes së parë në muzeun e sapo xhamifikuar, ishin mbuluar me një mori perdesh, siç duken edhe prapa shpinës në fotografinë e Presidentit dhe Zonjës së Parë, shkrepur në një kohë para lutjes së dt. 24 korrik (perdet dhe omfalos qarkuar në rreth të kuq prej nesh). Se ç’do të ndodhë me mozaikët e tjerë, nuk arritëm të gjejmë kund informacion zyrtar. Sipas pamjeve, omfalos-i është rrethuar me pengesa, që të mos shkelet (ka qenë kështu edhe gjatë periudhës me status muzeal), dhe nuk është mbuluar me tapete. Nuk dimë nëse do të vazhdojë të mbetet ashtu, apo do të mbulohet në të ardhmen.

Fig. 2: Mbulimi i mozaikëve të shek. X me perde të shek. XXI (lart) dhe gjendja e omfalos të shek. VI izoluar nga perdet dhe qilimat e shek. XXI (poshtë). (Fotografi e kudogjendur në Facebook pa referuar autorin.)

Deklaratat e dhëna nga zyra e shtypit e Presidentit të Turqisë njoftuan se materialet që do të përdoreshin për mbulimin e përkohshëm të imazheve që shqetësonin lutjen janë të tillë që nuk i sjellin dëmtime ndërtesës në tërësi dhe veçanti. Po ashtu, u deklarua se ndërhyrjet janë krejtësisht të kthyeshme. Duket se autoritetet më të larta shtetërore në Turqi interesohen vetëm për pacenueshmërinë fizike të lëndës. Mbulimi i fragmenteve të ndërtesës, si mozaikët vertikalë, apo i pjesëve masive, si dyshemeja, edhe kur nuk përbëjnë ndërhyrje fizike në integritetin e ndërtesës, përbëjnë ndërhyrje të dukshme dhe të pakorrigjueshme në mesazhin arkitektonik, estetik, didaktik dhe, s’mund ta mohojmë, teologjik të saj. Pasi, tekefundit, kemi të bëjmë me një tempull të krishterë, jo me një ndërtesë me qëllime të përgjithshme funksionale. Larg patetizmave, këto ndërhyrje përbëjnë deformime thelbësore të tërësisë së objektit, janë çmonumentalizim i një trashëgimie pa të dytë të njerëzimit. Objekti që përbën tempullin e krishterë, qoftë ky është funksional si vend lutjeje, qoftë me statusin “muze”, nuk është një ngrehinë me qëllime thjesht praktike. Tërësia e tij flet në çdo hollësi dhe bart, veç të tjerash, mesazh teknik, artistik, estetik dhe historik. Mbulimi me çdo formë i cilësdo hollësi deformon dhe falsifikon objektin duke e çmonumentalizuar atë, si dhe përbën pastrim dhe modifikim të historisë. Mbulimi i sotshëm i tempullit nuk mund të mos rikujtojë mbulimin e dikurshëm të mes shek. XV, pas xhamifikimit të parë të tij. (Në fund të fundit, duke u kthyer tek arsyeja e thjeshtë, pse duhet të futesh për lutje në një ndërtesë e cila të shqetëson dhe duhet ta çmonumentalizosh, për ta përdorur si vend lutjeje?)

Fig. 3: mbulimi i dyshemesë së Shën Sofisë, shek. VI, me qilima të shek. XXI (screenshot gjatë transmetimit live në Euro News i faljes së parë në Xhaminë e Madhe të Shën Sofisë).

Ndërkaq, xhamifikimi i Shën Sofisë provokoi duartrokitje, por solli edhe reagime jo aprovuese të një sërë institucionesh kulturore dhe fetare. Duke iu përmbajtur linjës kulturore dhe shkencore të shqetësimit, vlen të përmendim letrën e hapur të Presidentit të Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine, Prof. John Haldon (Princeton University), përmes së cilës shprehej kundërshtimi i xhamifikimit të Shën Sofisë. Si rrjedhojë, u vendos anulimi i kongresit të radhës, i planifikuar për t’u mbajtur në Stamboll më 2021. Ditë përpara vendimit të ndryshimit të statusit të monumentit mbi 300 studiues bizantinologë nga e gjithë bota (përfshi edhe nga Turqia), kundërshtuan ndryshimin e statusit në një letër të hapur drejtuar Presidentit të Republikës së Turqisë. Reagimet kundërshtuese të studiuesve vazhdojnë ende.

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) shprehu, po ashtu, kundërshtinë e vet për këtë veprim. UNESCO kujtoi rregullat e Konventës së Trashëgimisë Botërore (1972) që ndalojnë ndryshimin e destinacionit të monumenteve, të cilat janë nën mbrojtjen e Organizatës, pa konsultimin, më parë, me vetë Organizatën. Muzeu i Shën Sofisë është vendosur nën mbrojtjen e UNESCO-s që prej vitit 1985. Përmendim se gjatë dy dekadave të fundit ndërmjetësia e UNESCO-s bëri që World Monuments Fund (por jo vetëm) të ndërmerrte restaurimin e gjendjes kritike të kupolës dhe pjesëve të tjera të monumentit mes viteve 1997-2006.

Fig. 4: rindërtimi jashtë standardeve të UNESCO-s i Mureve të Teodosit (thënë pa terma profesionalë, ky rindërtim përbën falsifikim). Në foto Porta Belgradkapi (foto nga Figen Kıvılcım Çorakbaş 2013, marrë në raportin e sipërpërmendur)

Nuk është hera e parë që Turqia vepron arbitrarisht mbi monumentet e trashëgimisë bizantine. Mes viteve 1986-2010 metodat e gërmimit, restaurimit dhe rindërtimit të Mureve të Teodosit (ose Muret Tokësore, shek. IV), janë kritikuar dhe gjykuar krejtësisht të papërshtatshme dhe të dëmshme për trashëgiminë e paluajtshme kulturore [fig. 4]. Zhvillimi i zonave pranë Mureve të Teodosit pa respektuar kushtet e ndërtimit në zonë arkeologjike favorizoi shfrytëzimin e truallit për ndërtim, duke shtuar dëmtimin dhe rrezikun e shkatërrimit të mureve historike deri në pikën e moskthimit. Kurse më 2013, kohë kur një tjetër tempull i krishterë me status “muze” u xhamifikua, Shën Sofia e Trapezundës (Trabzon), organet rajonale të trashëgimisë kulturore kallëzuan penalisht Drejtorinë e Vakëfeve të Trabzonit për ndërhyrje të pakthyeshme dhe të papërshtatshme në monument [fig. 5]. Në imazhin që bashkëngjisim vërehen qartë elementët modernë të ndërhyrjes në objektin e shek. XII: perdet e varura vertikalisht, tapetet mbi dysheme dhe, mbi të gjitha, tavani i varur, montuar poshtë tavanit origjinal të monumentit. Këto janë vetëm dy shembuj, nga një mizëri shembujsh të tjerë që përshkruajnë marrëdhënien problematike dhe në dëm të monumenteve të trashëgimisë bizantine që zbatojnë institucionet legjislative, vendimmarrëse, ekzekutive dhe të trashëgimisë kulturore të Turqisë. Duke pasur parasysh të shkuarën dhe duke parë të tashmen, lehtësisht dhe jo me shumë gabime mund të parashikohet e ardhmja e pasigurt e njërit prej monumenteve unikë të Antikitetit të Vonë, si dhe rrjedha e politikave anti-kulturore në Republikën e Turqisë në dëm të monumenteve të trashëgimisë bizantine.

Fig. 5: tempulli i Shën Sofisë, Trapezunda (shek. XII). Duken qartë vendosja e perdeve vertikale, qilimat në dysheme dhe, mbi të gjitha, tavani i varur shtuar nën tavanin origjinal të monumentit.

Epilog

Nga Antikiteti i Vonë, deri në pushtimin osman të Konstandinopojës, burimet raportojnë se kryeqyteti kishte 562 kisha e manastire. Disa prej këtyre ndoshta përmenden dy herë dhe gabimi, ndonëse i vogël, është i vështirë të evidentohet për shkak të ndryshimeve urbanistike dhe mungesës së burimeve historike. Veç kishës së Shën Irenës, Hyjlindëses Perivleptos dhe Hyjlindëses Pammakaristos, të gjitha kishat e tjera brenda mureve të Konstandinopojës u xhamifikuan ose u shkatërruan prej harresës. Shën Sofia e xhamifikuar më 1453 nuk është monumenti më i rëndësishëm i botës islame. Është simboli më i rëndësishëm vetëm i fitores pushtuese të Mehmetit II dhe i fundit de jure të Perandorisë Bizantine. Është simboli i fitores së Perandorisë Osmane mbi Bizantin. Nëse, në fund fare, shtrohet pyetja naive dhe diversive nëse tempulli duhet t’u kthehet besimtarëve, atëherë cilëve besimtarë duhet t’u përkasë tempulli që ka shërbyer për pothuaj 900 vjet si katedrale e Patriarkanës së Konstandinopojës, për pothuaj 500 vjet si xhami, dhe 85 vite si muze?

© 2020, Sokol Çunga. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autorit.

 

Bibliografi:
De Amicis, Edmondo: Konstandinopoja, Argeta-LMG, Tiranë, 2013.
Schreiner, Peter: Costantinopoli, metropoli dai mille volti, Roma, 2009.
Barry, Fabio: “Walking on Water: Cosmic Floors in Antiquity and the Middle Ages”. The Art Bulletin. 89 (4), fq. 627–656. [Mund të konsultohet në: https://www.jstor.org/stable/25067354?seq=1#metadata_info_tab_contents] Pedone, Silvia: “The Marble Omphalos of Saint Sophia in Constantinople. An Analysis of an Opus Sectile Pavement of Middle Byzantine Age”, në 11th Int. Colloquium. on Ancient Mosaics, ed. by M. Șhain, Istanbul, 2012, fq. 749-768. [Mund të konsultohet në: https://www.academia.edu/38118152/The_Marble_Omphalos_of_Saint_Sophia_in_Constantinople._An_Analysis_of_an_Opus_Sectile_Pavement_of_Middle_Byzantine_Age_in_11th_Int._Colloquium._on_Ancient_Mosaics_ed._by_M._%C8%98hain_Istanbul_2012_pp._749-768._ISBN_978-605-5607-81-4]https://www.reuters.com/article/us-turkey-hagiasophia-erdogan/hagia-sophia-mosaics-will-be-covered-with-curtains-during-prayers-turkish-presidential-spokesman-idUSKCN24K0OS
https://www.byzantium.ac.uk/wp-content/uploads/2020/07/Open-letter-re-Hagia-Sophia.pdf
https://files.cargocollective.com/c10474/Status-of-Hagia-Sophia.pdf
https://en.unesco.org/news/unesco-statement-hagia-sophia-istanbul
https://whc.unesco.org/en/soc/3743
https://oxfordbyzantinesociety.files.wordpress.com/2014/02/report_land_walls_whs.pdf
https://www.star.com.tr/guncel/camiye-donusturulen-trabzon-ayasofyaya-suc-duyurusu-haber-767929/

*Kopertinë: Tempulli i Urtësisë së Shenjtë të Perëndisë (fotografi e autorit, shtator 2016)

26 Komente

  1. Panteoni ne Rome eshte kishe dhe perdoret nga besimtaret e krishtere, sepse jane fituesit mbi besimtaret pagane. Keshtu qe Shen Sofia i takon besimtareve fitues, qe jane besimtaret myslymane. Mesazhi eshte politik ndaj Europes, Turqia e pranon me ne fund perjashtimin dhe domoshmerine ne ndjekjen e nje udhe tjeter, e cila simbolikisht fillon aty ku devijoi me oksidentalizimin qemalist.

    1. Nuk qëndron shumë si krahasim, pasi besimtarë të krishterë ke plot sot, ndërsa besimtarët paganë janë në numër të papërfillshëm.

      1. Nuk eshte ceshtje numrash besimtaresh kjo, se Stambolli eshte qytet turk e myslyman, po aq sa Roma eshte qytet italian dhe i krishtere ( le te kene banore nga te gjitha besimet). Nqs Panteoni nuk u kthehet paganeve se s’ka pagane mjaftueshem ose fare, le te kthehet ne muze.

        Per shekuj me radhe ekzistoi ideja se Kostandinopoja do i rikthehej krishterimit dhe turku islamik do debohej nga Europa. Po Qemal Ataturku, pasi theu ne lufte metuesit greke, tha me mire te jete Turqia laike ne Europe dhe e ktheu xhamine ne muze qe t’i bente qejfin Europes.

        Turqia tashme eshte e forte te ndikoje serisht ndjeshem ne Ballkan, me interesa te kundervena ndaj Europes. Tashme faltorja mund te kthehet ne xhami, u takon turqve.
        Nqs ka ndonje motiv pse nuk i takon turqve i bie qe te vihet ne pikepyetje vete ekzistenca e turqve ne Turqi, sepse e kane marre Turqine po njesoj si Shen Sofine, me arme ne dore.

        Nje ish-kishe madheshtore mund te jete nje xhami madheshtore, po aq sa Panteoni magjepses pagan mund te jete kishe magjepsese.

        1. Panteoni është pronë e shtetit italian dhe i hapur për çdo vizitor, pa dallim feje, pavarësisht shërbesave fetare që mbahen aty. Është praktikisht muze.

      2. Panteoni eshte kishe dhe si cdo kishe e Romes eshte e hapur per vizitoret. Kupola e Panteonit eshte baza arkitektonike e kishave te mevonshme perfshire Shen Sofine, gje qe e dallon haptazi nga tempujt e meparshem greke, egjiptiane etj. Kjo sepse harku e rrjedhimisht kupola u zbuluan nga etrusket dhe perfeksionuan nga romaket, pastaj hyne ne arkitekturen kishtare, e cila nuk ka asgje te lavdishme bizantine meqe ra llafi, sepse kupola qe eshte kuintesenca e Shen Sofise eshte arkitekture etrusko-romake ( jemi ne sektor paganesh).

        1. Nuk dua ta zgjas se Panteoni nuk është tema e diskutimit, po në 2017 në mos gaboj qeveria italiane vendosi të vërë biletë për të hyrë aty. U tërhoqën pas një viti, a më shumë, debatesh.

        2. Jo, ne fakt nuk eshte, dicka e ngjashme eshte. Shen Sofia nuk eshte unike. Psh pervec Panteonit qe simbolizon besimin fetar te Romes Antike dhe arkitekturen romake, kemi Partenonin si besim fetar i athinasve te lashte dhe i arkitektures jonike. Partenoni nga faltore pagane per 1 mije vjet, u kthye ne kishe, qe vijoi si ortodokse kur kishat u ndane dhe pastaj u kthye ne kishe katolike gjate kohes se frankokratise. Mandej pas pushtimit turk u kthye ne xhami derisa u shkaterrua per t’u kthyer ne ndertese jofunksionale apo rrenoje.

          Nqs do rindertohej per nje funksionalitet qofte edhe te pjesshem, i cileve besimtare do te ishte Partenoni, i te pareve pagane apo i te fundmeve islamike ? Apo do ua japim te mesmeve te krishtere dhe ne kete rast cileve prej te mesmeve dhe perse ?

          Besoj se ne kete rast do te vendoste qeveria greke dhe pa ia bere syri terr do e bente kishe ortodokse.

          Jemi ne hapesiren ku forcen e rendeses e luan shprehja, se ashtu i do mushka drute.

  2. Të krishterë apo myslimanë, në thelb të gjithë lexojnë të njëjtën përrallë, Epin e Gilgameshit.

    Unë jam i mendimit se të tilla ndërtesave u duhet ruajtur qëllimi, pra tregimi i përrallave, por jo detyrimisht për të njëjtën përrallë. Le të bëhen arena të leximit letrar, ku të rinj e të reja të lexojnë me zë letërsi të mirë.

  3. Pas nje prurjeje fantastike shkrimesh te Peizazheve kohet e fundit, ja edhe nje tjeter lexim nga ata qe ta permiresojne cilesine e se dieles. Nuk ka dyshim se akti i Erdoganit eshte nje tjeter akt populist nga ata qe vetem monstra politike populiste si ai ne Turqi apo Trump ne Amerike dine te kryejne pa iu dridh qerpiku dhe pa besuar ne asnje lloj zoti e feje vec pushtetit. Por valle Europa e ka trajtuar me mire Turqine? Eshte nje histori e gjate shfrytezimi te paparimshem po aq populist e ndoshta edhe me konservator se ky i Erdoganit, gjithashtu mbi baze paragjykimesh rreth superioritetit te nje feje ndaj tjetres. Per mua eshte e pavend pyetja e shkrimit se cfare tempulli duhet te ishte Aya sofia mbi bazen e krahasimit te periudhes jetesore si tempull kristian me ate musliman. Keto lloj llogarish nuk kane vend ne boten reale dhe as ate ideale. Per mua modifikimi i fundit i Aya Sofise eshte krim per arsyet strukturore dhe ideore qe shkrimi i shpjegon shume qarte e me logjike shkakore fantastike. Dhe nuk ka dyshim qe Aya Sofia duhet te mbetej nje veper muzeale qe u takonte gjithe botes, kulturave dhe feve. Ne fund te fundit ata qe e vizitonin here benin kryq, here gjunjezoheshin, e here uleshin ne nje cep e lexonin nje liber. Erdoganit nuk iu tha thesari qe te ndertonte nje tjeter xhami po t’i duhej, teksa plasi duke ndertuar xhami neper Ballkane. Por keshtu ai forcon pushtetin e vet brenda Turqise duke u dhene fuqi grupeve me radikale dhe ultra-fetare ne nje Turqi ku zemra kozmopolite dhe paqesore e njerezve i le vendin mbylljes dhe revanshizmit. ne kete pike une mendoj qe me Erdoganin punet do vazhdojne te behen sic jane bere: presion paqesor dhe ndoshta ekonomik ne momente delikate per te. Ai eshet mjeshter edhe me i mire se Europa i manovrimeve me karote dhe bastun.

    Te mos harrojme gjithashtu se Greqia ka bere namin me objektet e kultit dhe jo vetem, ne qyetete si Selaniku etj. Dhe shembuj te tille kemi sa te duash ne Europe e pertej gjate gjithe koherave.

    Kam problem me termin ‘xhamifikim’. Ne shqip te con tek ‘xham-xhami’ para se te te coje tek ‘xhamia’. Nuk di se si mund te behej. Ndoshta me nje internacionalizem.

    1. Faleminderit Eda!
      Ndoshta duhej ta kisha formuluar ndryshe, por nuk jam duke propozuar kthimin e Shën Sofisë në kishë ortodokse, siç qe para konvertimit të parë. Nga sa kam arritur të lexoj on-line, pika më e fortë e ndryshimit të statusit ka qenë argumenti “para se të ishte muze, ishte xhami për 500 vjet”. Dritëshkurtësia historike më ka bezdisur gjithmonë, kurse ata / ato që shtiren si dashnorë të historisë, por u mbetet kalendari më 1453, në rastin më të pakët janë thjesht hipokritë.

      Ndërkaq, në kuadrin e këtij shkrimi është e pamundur të trajtoj çështjen e tjetërsimeve / shkatërrimeve / konvertimeve të tempujve islamë në ndërtesa për qëllime të tjera në vende të tjera të botës. Çdonjëra prej tyre është rast më vete, nuk është një dukuri e një kontinenti, shteti, zone. I mbetem shqetësimit të deformimit fizik dhe, si pasojë, edhe në nivele të tjera, konkretisht të këtij objekti. Do të më duhej shumë më shumë studim se sa për rastin në fjalë (besoj se ka, thjesht çështje kohe për të kërkuar). Gjithsesi, krahasimi, si çdo krahasim, është i mangët. Nuk po flas për përdhosjen që i bëhet religjionit, por integritetit të objektit si një i tërë. Dhe Shën Sofia nuk është një objekt i zakontë.

      E di që “xhamifikimi” tingëllon çuditshëm. Më frymëzoi një fjalë e ngjashme në anglisht, “mosquification”, të cilën e hasa këto ditë. M’u duk jo pa kuptim prapashtesa fjalëformuese “-fikim”, pasi dëften, ndër të tjera, një veti a funksion jo të natyrshëm që i mvishet një sendi apo objekti. Në këtë rast, Shën Sofia e modifikuar në arredim, përmbajtje dhe estetikë është përshtatur në xhami, por nuk është xhami. Madje, as muze nuk ishte, hollë-hollë, ndaj dhe, po të kishte qenë puna ndryshe, do të kisha përdorur “muzealizim” (pavarësisht faktit se në tërësinë e saj ndërtesa është një palimpsest artesh e mjeshtërish të periudhave të ndryshme me përmasë të qartë muzeale).

      Po, veprimi të cilin trajtoj e kritikoj ka katërçipërisht synime të qarta politike. Por nuk jam i asaj fushe, ndaj u mora me atë që njoh më mirë. Sutor…

      1. Jam dakord me gjithe sa thua.
        Po mendoja ndonje gje si “moskifikimi” por kjo m’u duk sikur kishte lidhej me mizat pastaj. 🙂 ndoshta “xhamiizimi” mund ta heqe qafe idene e “xhamit”, por ka dy ‘i’ qe ne shqip s’eshte hic e pashme.

  4. Ky eshte nje textbook example qe tregon kompleksitetin e botes dhe pse duhet to cut some slack kur gjykojme brezat e meparshem per zgjedhjet qe kane bere .Ky eshte nje veprim I turpshem and ignorant through and through nga ana e Turqise .Por ne si shqiptare se hapim dot gojen ti kritikojme publikisht se jane fuqi e madhe ushtarake e per me teper I kemi patur gjithmone ne krahun tone .C’te bejme ?Te ngreme zerin e te rrezikojme te humbasim nje aleat me peshe?

    1. Dhe ne si shqiptare as na hyn ne pune fare fare. Pse s’e ngriti zerin perendimi kur Hoxha shkaterroi, mbylli kisha dhe xhamia ( pa xham)? Benin sikur s’dinin gje, sikur s’kishin ambasada ketu. Hipokrizi nga te gjithe anet. Erdogan tregon dhembet, vepron ne menyre te turpeshme. Keta bejne si te revoltuar. Asgje e re ne kete bote. Kush sundon, ben c’ti doje qejfi. Te tjerat , pallavra.

      1. You’ve missed the mark .E pata fjalen qe kur gjykojme brezat e meparshem per aleancat qe bene si psh Koliqi etj I cili se fundi eshte bere objekt diskutimesh me pare duhet ta veme veten me pozitat e tyre me rrethanat e kohes se tyre .Per ta ilustruar sjell nje pjese letre te nje “Tradhetari “ tjeter Mustafs Kruja;
        “ Çë çase trishtimi e deshprimi kemi kalue n’atë Paris! Kuj i biente ndër mênd se ishim n’atë qytet t’ândrruem n’atë moshë fantazísh? Ishte tue u luejtun fat’ i nji ândrre shumë mâ të bukur se Qyteti-Dritë për ne. 800 000 bajonetat e mobilizueme t’Austro-Hungarís në 1913 për me shpëtue qytetin e Shkodrës, tash s’ishin mâ. Italija mbahej në konferencën e paqës për njâj traktati që shënonte dekën e Shqipnís e ishte Cenerentola e beslidhunve t’Okqidentit. Franca përkrahte miqt e vet qi ishin anmiqt t’anë. Anglija, si gjithmonë kur s’luejnë interesa direkte të saja, kishte për ligjë oportunitetin. Wilsoni mjedis dhelpnave plaka t’Evropës i kishte harrue 14 pikat e tija. Me ç’vërtyt do të bâjshim mrekullí na të shkretët në këtë lâmsh pasjonesh e padrejtsísh qi do t’a çojshin njerzín mbas 20 vjeç n’atë katastrofën tjetër, pasojët e së cilës âsht tue i vuejtun ende e pale se deri kur ka për t’i vuejtun?..”

        1. Asgje s’kam humbur. Ate thashe dhe une, s’ka parime ka vec interesa.
          Te kish patur parime do ishte ngritur zeri dhe per kishat & xhamite tona.

  5. Te lumtë për shkrimin Sokol! Më mjaftoi përshkrimi i denjë dhe njoha e thellë e arkitekturës dhe kontekstit historik e kulturor. Nuk hasim shpesh në shkrime të tilla në fushën e Arkitekturës.

  6. Më duken gjithmonë kontradiktore qëndrimet që mbajmë kur i thurim elozhe madhështisë së arkitekturave të së kaluarës dhe denoncimit që i bëjmë sot arkitekturave ekstravagante të ndërtuara nga drejtues të ndryshëm (kullave?). A do ta kishim refuzuar ne Haia Sofian, teksa ndërtohej nga Justiniani, si të veshur me materiale aq të shtrenjta sa nuk justifikonin dot përdorimin e tyre në një objekt kulti të një feje që nisi, ndër të tjera, edhe me predikimin e asketizmit? Paragrafi ku përshkruan materialet e çmuara (mermer, ar, etj.) të mbledhur nga cepat e perandorisë, si vlera të këtij objekti, më solli në mendje cicëronin te Getty Center në Los Angeles. Ajo shpjegonte se mermeri ishte sjellë posaçërisht me anije nga Roma, arkitekti ishte nga New York-u, dhe se praktikisht asgjë nga ajo ndërtesë nuk kishte lidhje reale me lokalitetin e Los Angeles-it. Qëndrimi që më erdhi të mbaj, pavarësisht të ashtuquajturave vlera arkitektonike të Getty-t, ishte që edhe ndërtuesi edhe arkitekti i kishin shërbyer egos dhe demonstrimit të fuqisë së tyre, në të njëjtën mënyrë si Justiniani në mesjetë dhe Erdogani sot, duke përdorur si vegla institucionet: respektivisht muzeun, kishën, dhe xhaminë.

    1. Shumë e saktë.

      Pra, do të vazhdoja unë, ndërtimi I këtyre objekteve të luksit, duket si një pjesë e pandarë e pushtetit. Diku feja, diku mbreti a diktatori, e diku kryetari I bashkisë a kryeministri. Çfarë I bashkon, është pushteti, dhe fak

      Për këta të fundit ankohemi se po na prishin qytetin e shpërdorojnë taksat, jo pa të drejtë.

      Mbretërve e aristokratëve ua shijojmë këto kështjella si muze sot, kryesisht. Jo se I kanë lënë të gjitha të shkretët, por një pjesë të mirë po.

      Por kur vjen puna te feja, joooo, ato nuk preken. Nuk duhen prekur. A thua mermerin dhe arin ua dërgoi Krishti dhe Muhamedi këtyre, me parashutë. Për vjedhjet, vrasjet e torturat, skllevërit e të prangosurit që i ndërtuan, ska problem. Madje kur të hyjmë brenda pritet nga ne që të mahnitemi, e ti lutemi të madhërishmit për gjithë këtë bollëk.

      Por si tha ai, ta hodha mor Solomon mor qerrata. Unë e kam me të madhe se ti.

      1. Mirëpo, vazhdoj unë, po t’i gjykojmë monumentet e ndërtuara shekuj e mijëvjeçarë më parë si “zakone prapanike” të së shkuarës, që “u kanë shërbyer kalave sunduese për të shtypur popullin tonë dhe për t’i pirë gjakun proletariatit”, nuk do të jemi larg parimeve bolshevike, të cilat, fatkeqësisht, lanë gjurmë të pashlyera në historinë e arkitekturës dhe trashëgiminë kulturore të luajtshme dhe paluajtshme në Shqipëri (frazat në thonjëza nuk i kam marrë nga ndonjë tekst, por janë jehona të formulimeve zhargon, sa herë Partia pozicionohej kundër trashëgimisë fetare në Shqipëri). Për Getty Center nuk flas dot, por, mund të bëj pyetjen: për ç’arsye shkove ta vizitosh, Kleopatra? Nëse të ndjell kaq krrupë, qëndroji larg. Po ashtu dhe çdo forme tjetër muzeale që bart të njëjtat parime.

        Ndoshta mënyra më e mirë për të kuptuar këto ndërtesa është parimi i muzeologjisë moderne, sipas të cilit, perifrazoj, muzetë (shtoj unë: përfshi edhe ndërtesat që kanë cilësi muzeale) kanë qëllim të na rrëfejnë të shkuarën duke nxitur përfytyrimin pozitiv të publikut që ky të kuptojë veten, grupimin shoqëror, klasor, kombëtar, racor, seksual, profesional, etj., të cilit i përket, dhe të projektojë imazhin e tij në të ardhmen. Pra, vërtetë Shën Sofia është një ndërtesë që do të përbënte çmenduri për kohën (nëse besojmë shifrat që kam sjellë më sipër, janë 140.000 kg ar shpenzimet e ndërtimit), por dëmi i sotshëm po ta shpërfillnim do të kishte qenë jo vetëm shumë më i lartë nga ana financiare, por edhe gjymtim i pakorrigjueshëm në kujtesën kolektive (e kam fjalën për kujtesën globale, jo thjesht rajonale), duke vendosur ndërgjegjen kolektive përballë sugjerimit se sikundër e shkuara nuk ka kuptim, atëherë, as e tashmja s’ka përse të ketë kuptim e peshë dhe është e kotë të EKZISTOJMË.

        Shën Sofia është aty, ende më këmbë. Le ta shohë secili si të dojë, a të mos e shohë fare. Por meqenëse është, le të jetë e plotë, me gjithë gjuhën e dukshme e të padukshme përmes së cilës flet. Pasi, përfundimisht, nuk është vetëm një objekt që ka kushtuar 140.000 kg ar në kohë të vet, por një kryevepër e shumë disiplinave inxhinierike dhe artistike. Nuk mund të bëj askënd të kuptojë çfarë nuk dëshiron të kuptojë, por mos më thoni se e kam gabim pse dëshiroj të kuptoj.

        1. Sokol kjo puna e bolshevizmit është shumë cheap. Kshu që po e injoroj.

          Thua :

          ‘Shën Sofia është aty, ende më këmbë. Le ta shohë secili si të dojë, a të mos e shohë fare.’

          Me ty jam dhe unë, nuk është se thashë ti fusim kazmën o zotëri. Edhe mua ma shpifin ato çarçafët e tapetet e varura si brekët në ballkon. Por ama edhe të hyj e ti lutem Krishtit s’kam pse, as Muhamedit.

          Le të bëhet pra muze, le të bëhet bibliotekë, le të luhet jazz e të pihet ndonjë gotë verë, le të lexohet letërsi, ka opsione plot.

          Pastaj siç e tha dhe DI, aty ka një political statement.

          Kur ndërton me dhunë e me forcë, nuk është se ke ndonjë bazë morale të epërme pastaj kur kjo forcë i kalon tjetrit. Ose e thënë ndryshe, kur ja kalon Solomonit, duhet të pranosh edhe kur ta kalon Erdogani.

        2. Ç’është e vërteta kisha lexuar dhe dëgjuar shumë për Getty-n: që kjo është një ndër kryeveprat e arkitekturës bashkëkohore. Kurrsesi s’mund të them që më ngjall krupën, por u zhgënjeva për arsyet që përmenda më lart. Përndryshe vendndodhja në majë të një kodre dhe integrimi i dritës natyrale, bimëve, dhe ujit, e bëjnë eksperiencën atje të mrekullueshme.

          Jam dakord për ruajtjen e vlerave të çdo objekti që dëshmon historinë, mirëpo mendoj që ndarja në grupe për të mbrojtur atë apo këtë identitet fetar, nëpërmjet lëvdimit të shprehjeve të tyre materiale (ndërtesave opulente fetare) që, të paktën në fetë monoteiste, duken të jenë më shumë shprehje egosh të sëmura sesa interpretime të arsyeshme të nevojave fetare, më duket më shumë si ndarje për mbrojtjen e këtij apo atij perandori. Të krahasohen me ndërtesat prej druri dhe natyrën efemere të tempujve aziatikë që rindërtohen papushim (mos vallë është zoti aziatik më modest?).

          Pastaj, për mua të paktën, marrëdhënia shpirtërore me zotin nuk ka pse të mvishet me gurë të çmuar apo brekë kur ajo është: shpirtërore; dhe se edhe një tribu që kërcen rreth zjarrit duke konsumuar këpurdha magjike ka krijuar një tempull po aq (në mos më shumë) efektiv sa Haia Sofia apo Shën Pjetri në Romë, të cilët më shume se lidhjen shpirtërore me zotin, çimentojnë shtypjen dhe vogëlsinë e njeriut para autoritetit që pretendon se përfaqëson zotin. Fakti që tempuj prej druri ose një zjarr bubulak rreth të cilit hidhet valle, nuk i apelojnë krenarisë apo hubrisit të ndjerë nga „progresi“ i homo sapiens-it, për mua nuk do të thotë se këto „tradita prapanike“ apo „të pacivilizuara“ siç janë quajtur rëndom nga përhapësit e krishtërimit në Amerikat dhe Azi, janë më të prapambetura apo se meqë nuk lënë të njëjtat ose fare gjurmë siç lënë qytetërimet prej 140 000 kgari, ato nuk kanë ekzistuar.

          Përsa i përket partisë nuk di ç’të them sepse ndryshe nga familja ime që kishte biografi të keqe, unë linda tepër vonë për të pasur mundësi për ta përmirësuar, kështu që taksirat fryma ime e vonuar bolshevike.

    2. Kleopatra dhe Pëshpëritës, shkuam pakëz larg. Nuk jam njohës i çdo fushe dhe i çdo forme të trashëgimisë kulturore. Në parim, do të vendosesha pro mbrojtjes së çdo monumenti. Në varësi të monumentit, rrethanave, kohës, etj., do të jepja dhe argumentet. Krahasime mes Shën Sofisë dhe gjithçkaje tjetër nuk bëj dot. Madje, as kam bërë gjë të tillë në artikullin më sipër. Nuk kuptoj, madje, si kontribuon pozitivisht në njohuritë tuaja ky krahasim? Askush nuk po thotë se duhen neglizhuar gjithë monumentet a tempujt e tjerë. Në këtë çast u pozicionova, duke u përpjekur të argumentoj pse, kundër “përshtatjes” së një tempulli-muze. Nëse dëshiron ndokush të pozicionohet ndryshe, apo për ndonjë tematikë që lidhet me sa më sipër, le të shkruajë, por jo me opinione të çastit, me argumente dhe metodë. Krahasimi nuk është argument, thoshte dikush.

  7. Peshperites, gezohem qe nuk jeni ulurites, sepse me coroditjen e shprehur ne shkrimin e fundit ua lini te tjereve te ulurasin para nje rumpalle mendimesh qe mundoheni te formuloni pa nje vije llogjike. Tek fjalet tuaja here-here gjen disa nuanca qe nuk i ka shplare koha qe atehere kur “rinia revolucionare” u vuri kazmen objekteve te kultit e i ktheu ne “Vatra kulture” ndersa ju propozoni plot opsione te tjera moderne, me xhaz e me vere,ndersa ta shpifin tapetet e varura si breke ne ballkon!? ” Nuk ja ngjan peni gezofit” thote nje shprehje popullore. e sa per t’ju orientuar drejt zberthimit te saj, gezofi eshte ne kete rast eruditi Z. Sokol Cunga te cilit nuk i bie nje fjale ne toke sepse ato jane te betonuara mes tyre nga mendimi i sakte e i shendoshe. Sidoqofte mendoj se mendimi i Dies Irae ishte pozitivisht ndjelles per diskutim. Terheqja nga debati i zonjes Eda mu duk se u be ne kohen e duhur mbas kufirit qe vuri tek thana z. Ardian Vehbiu.

    1. Një saktësim: Eda ka përherë gjëra të vyera për të thënë dhe nuk do t’i moderoja kurrë asnjë presje; megjithatë, ndërhyra sepse, nga përvoja, e di që mes lexuesve të Peizazheve ka shumë nga ata me pasion të papërmbajtshëm ndaj gjuhës, neologjisë dhe zëvendësimeve leksikore – gjithë duke menduar se i duhej ruajtur përparësia debatit në vijën e prurjes kryesore nga Sokoli.

  8. Me sa shof ka disa komentues ketu qe duket se do te ishin shume te lumtur sikur planeti jone te ishte i mbushur vetem me kasolle balte me çati kashte. Ne qender te vendbanimeve te kishte nga nje nevojtore publike qe te sherbente per te gjithe dhe saken se do t’i shkonte ndermend njeriu te ndertonte ndonje shtepi me gure, qofte edhe me gure lumi te marre nga perroi i vendbanimit se me revolucion popullor do ta linçonin si tiran.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin