CAMAJ DHE LETËRSIA E REALIZMIT SOCIALIST

nga Ilir Yzeiri

Sapo lexova tekstin e Auron Tares mbi «veprimtarinë agjenturore» në mërgim të Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, zhvillova një bisedë të gjatë me mikun e kolegun tim, A. Vehbiu, botuesin e revistës «Peizazhe të fjalës», dhe i thashë se kur, para disa vjetësh, kam shfletuar revistën « Shêjzat», më kanë bërë përshtypje, veçanërisht, dy-tri shkrime të Martin Camajt për letërsinë shqiptare të realizmit socialist dhe, më konkretisht, për atë që në historiografinë zyrtare të socrealizmit njihet si letërsia e vitive ’50. Po ashtu, në atë kohë, pata lexuar edhe romanin e Koliqit «Shija e bukës së mbrume», botuar po aty prej vitit të dytë të botimit të revistës, pra, më 1958, e deri në vitin 1959, në 12 numra (revista dilte 6 herë në vit duke përfshirë në çdo botim dy numra).

Po çfarë janë ato shkrime të Camajt dhe ç’përmban romani i Koliqit?

Ato janë tekste që meritojnë vëmendje prej studiuesve, qoftë për të vështruar me një sy tjetër letërsinë shqiptare, qoftë edhe për të krijuar një ide se si u nda në dy pjesë rryma e njinjishme e trungut të letërsisë shqiptare, ashtu edhe për të parë raportet e autorëve të këtyre dy anëve me letërsinë e njëri-tjetrit.

Debati që u çel tani për rolin politik të këtyre dy përfaqësuesve të dalluar të kulturës shqiptare, më duket se sjell një anë të panjohur më parë. Pra, çfarë mendonin Camaj dhe Koliqi për letërsinë që po zhvillohej në vendin nga i cili ata ishin arratisur?

Po filloj me Martin Camajn.

Jemi në vitin 1957. Camaj ka ardhur në Romë dhe ka filluar punë si kryeredaktor i revistës kulturore «Shêjzat». Në librin tim të dytë për shenjueshmërinë dhe instalimin e realizmit socialist, me titull «Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri», kam theksuar se, që të kuptohet më mirë letërsia shqiptare që u shtoll pas vitit 1944, duhet që të ndiqen edhe organet kulturore dhe autorët që shkruan shqip jashtë kufijve shtetërorë të vendit e, në këtë rast, revista «Shêjzat» duhet të zërë kryet e vendit. Vetëm kështu do të kuptohet pse letërsia e realizmit socialist ishte vetëm një devijante e semiopragmatikës së letërsisë shqiptare në tërësi[1].

Siç e përmenda, brenda vitit 1958, përkatësisht në numrat 3-4 dhe në numrat 7-8 të atij viti, Camaj shkruan dy artikuj për letërsinë shqiptare. Të parin e titullon «Nëpër fletët e «Nëntorit» revistë letrare-artistike, shoqërore-politike nr. 8, Tiranë, 1957» dhe shkrimin e dytë «Nji shikim poezis të vjetit 1957 në Shqipni». Ndërsa në numrat 9-10, që dilnin në një lidhje, të vitit 1960, ai boton një vështrim tepër interesant për prozën, më saktë, për romanet e para të pasçlirimit, që e titullon «Rreth prozës së sotshme në Shqipni» dhe që, sipas mendimit tim, mbetet edhe sot e gjithë ditën një nga kritikat më profesionale për letërsinë shqiptare të viteve ’50, siç jemi mësuar ta quajmë pjesën e parë të historisë së letërsisë shqiptare të realizmit socialist.

Por le t’i shohim me radhë.

Nën titullin «Nëpër fletët e Nëntorit » revistë letrare-artistike, shoqërore-politike nr. 8, Tiranë, 1957», Camaj, qysh në fillim, shkruan:

«Ky asht organi zyrtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, prandaj pasqyrë e qartë e drejtimit dhe veprimtaris letrare në vendin tanë. Mjerisht kam për duersh vetëm nji numër të këtij organi, por shpresoj se ka me mjaftue landa e tij qi t’u bâhet e njoftun lexuesve të «Shêjzavet» se ç’rrugë ka marrë letërsia e sotshëme zyrtare në Shqipni.

Në paraqitjen e këtyne pak mendimeve âsht mâ se e drejt të vehemi në pozitën e vështirë t’shkrimtarëve t’atjeshëm, të cilëve u duhet të ngushtohen mrenda normave zyrtare të realizmit socialist. Pra, shkrimtari sado i madh të jetë, me këto pafte të gjana në tamtha t’krés, (është fjala për ato meshinat që u viheshin kuajve te sytë që të shihnin vetëm para, shën. im I. Y.) detyrohet të shikojë vetëm në nji drejtim dhe nuk e ka të lehtë të gjejë trajta e mënyrna të përshtatshme që të shprehet artistikisht. »[2]

Pas kësaj, ai analizon poezi të Zihni Sakos, të Muzafer Xhaxhiut, Kadaresë, Fadil Krajës e të ndonjë tjetri. Në të gjithë shtjellimin e tij zotëron pikërisht ky ton i qetë, miqësor e dashamirës. Këtu ai shfaqet sikur të ishte një nga zërat kritikë, natyrisht cilësorë dhe, ashtu si ata. edhe ai kërkon që brenda kuadrit të realizmit socialist të arrihej cilësia.

E fillon me poezinë e Zihni Sakos «Lulëzojnë Lulet» e frymëzueme nga nji ngjarje e revolucjonit kinez, siç thotë ai :

Zemrat komuniste
Që ranë
Si trime
Ndër luftime
Për Kinën Komuniste

Pas këtyre vargjeve, ai na thotë se poezia i kushtohet një ngjarjeje të vërtetë që ka ndodhur në një provincë kineze Ju Haj Taj, fjalë kjo që përsëritet me kumbim ekzotik, thotë ai, që të nxjerrë efekte tmerruese (po aty, f. 32). Pastaj vjen një analizë për një poezi të Kadaresë, i cili në atë kohë sapo kishte filluar të botonte në shtypin letrar, por kishte rënë në sy si poet i talentuar. Si gëdhiu një natë me këngë. Autori këndon dashurinë e femrave shqiptare, thotë Camaj, për burrat e tyre që janë në luftë ose larg atdheut. «Kadare ndjek traditën e shkrimtarëve tan toskë, sidomos t’atyne qi u dalluen mes dy luftave, si p.sh. kumbimin e ramjen e Ali Asllanit:

Tek oborri i nuses
Krushqit venë e vinë
Kërcet dajre e shkretë;
Ç’tundi shtëpinë.
Jashtë gjëmon era
nëpër pyll të thatë,
Brenda hidhen valle
Burrat edhe gratë

Ansija ase tendenca ideologjike në fund asht pru mjeshtrisht» (po aty, f. 32)

Më tej tregon se në faqet e këtij numri të revistës «Nëntori» botohet edhe një fragment nga romani «Hasta la Vista» i Petro Markos. Është çudi, po Camaj nuk e pëlqen stilin e kronikës së Markos në këtë roman. «Shkruen plajtas tue rreshtue nji grumbull ngjarjesh e njerzish, me nji gjuhë fare të rendomtë. Lanë nji mbresë në lexuesin dialogjet e pa shije. Ndoshta Marko me kët trajtë telegrafike don me qitë në pah vruellin e rrëmbyeshëm të veprimeve ase t’ndjesive?» (po aty, f. 32). Dhe si shembull sjell dialogun e mëposhtëm:

-Dëgjo, xhaxho!
-Po!
-Përgjigju drejt, si një kristian i mirë që je.
-Po, Don Goa.
-Ku vete?
-Në Castuera
-Pse?
-I shpie një letër don Fernandos!
-Ku e ke?
-Ja ku e kam!
-Po ma nep!

Pyetjet e thata me përgjegje të shkurta në vend qi me e habitë e mrekullue, e lodhin lexuesin » (po ai, po aty, f. 32). Por është i kujdesshëm dhe thotë se nuk e kemi përpara gjithë romanin që të japim një mendim më të plotë, po gjykojmë vetëm atë që lexojmë këtu. Ai vëren se shkrimtari, shpesh, humbet në përshkrimin e ngjarjeve «biret», siç thotë ai, në paraqitje naive dhe shton se shkrimtarët sovjetikë e polakë që shkruajnë nën të njëjtën metodë, janë shumë ma objektivë e të lirë. «Apo arbitrat e realizmit socjalist në Shqipni kanë frigë që artistat të mendojnë e të shprehen ma thellsisht?» (po ai, po aty, f 33). Shihni me sa kujdes e elegancë e trajton temën e mprehtë të nënshtrimit të artit e letërsisë së kohës ndaj kanoneve të realizmit socialist, të cilat, sidomos pas Konferencës III të Lidhjes së Shkrimtarëve, (tetor 1949) ishin sanksionuar edhe në kodin penal. Pastaj analizon një poemë të gjatë të Luan Qafëzezit, me titullin Lart ndër male te i cili çmon tetërrokshin trokaik popullor dhe përmend më pas Dhimitër Shuteriqin, i cili, në këtë numër, boton disa tregime të shkurtra me kujtime nga fëmijëria e tij. Autobiografizmi, vëren Camaj, është përdorur edhe nga shkrimtarë sovjetikë e polakë dhe e vlerëson kështu atë:

«Ka bâ shum mirë Shuteriqi, dekan i shkrimtarve të Tiranës, se i ka harrue për nji moment disa rregulla, aq me zell të predikueme prej tij, të cilat ndalojnë rrebsisht subjektivizmin në leteratyrë. Këto kujtime ky i shtjellon me nji tosknishte të shortuem në trungun e djalektit gegë. Shkruen dendun me zotnimin e nji stili të gjanë » (po ai, po aty. f. 33).

Më tej analizon edhe një përrallë të Kolë Jakovës, një reportazh nga Kina të Sterjo Spasses, të cilin e quan shkrimtarin «ma në shêj» dhe përmend edhe katër riprodhime pikturash të Vangjush Mios, të cilat, duke qenë bardhë e zi, e kemi të vështirë t’i analizojmë, thotë ai, dhe shton se tablotë «Kthimi në fshat» dhe «Kisha e Shën Kollit në Elbasan» lanë përshtypjen e nji thellsie mendimi e ndjesie së hollë.

Konkluzionet në fund të kësaj analize janë ndërtuar me argumente kulturore e letrare. Vëren me keqardhje «ngushticën e shkrimtarit» dhe «rojën që të mos gabojë», e kupton se edhe redaktorët e revistës janë të detyruar të përzgjedhin me shumë kujdes «landën» duke ua lënë vendin e parë shkrimtarëve të realizmit socialist, që e kanë vënë pendën e tyre në shërbim të Partisë. Vetëm një herë e përmend Partinë. «Shkrimi n’kët mënyrë asht ba zanat e shi për ket arsye krijohen Lidhje Shkrimtarësh e Shoqata artistësh që kontrolluesat e shtytsat e tyre t’u rrijnë ma kollaj mbi krye «këtyne njerzve të çuditshëm të cilve nuk do t’u kihet kurr besa» pse as teorinat e rrymës së ansis nuk mjaftojnë» (po ai, po aty, f. 34). Dhe, në fakt, gjithë këtë problematikë që Camaj parashtron këtu, e bënë objekt debati poetët e rinj që u afirmuan në vitet ’60. Ata që e kanë ndjekur këtë debat për poezinë, zhvilluar në faqet e gazetës «Drita» në vitet ’60, do të kenë vënë re se tonet e larta për dekonstruktimin e mediokritetit, shabllonizmit, mediokritetit dhe tharjes së letërsisë shqiptare në vitet ’50, ishin ku e ku më të ngritura, se stili i kujdesshëm e me një fjalor të përkorë i Martin Camajt, i cili, për asnjë çast, nuk harronte se ata, shqiptarët jashtë kufijve, gëzoheshin me arritjet në Shqipëri. Ja si e përfundon këtë kritikë Martin Camaj:

« Tue ardhë në skaj, mbasi të gjithëve ne Shqiptarëve këtej na gëzon çdo përparim i artit tonë kombëtar, pyesim puntorët e Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqpërisë: tue ndjekë ata kët drejtim, a janë të bindun se kanë me qitë diçka të vlefshme në dritë që të mbesë për meritimet e veta estetike në letërsin shqipe? Atyne u përket përgjegja e, pjesërisht, përgjegjsija para vetvehtes, si artista, dhe popullit shqiptar për të cilin flasin e që i lexon» (po ai, po aty, f. 34).

Ndërsa në numrat 7-8 të vitit 1958, që dilnin në një lidhje, ai boton shkrimin «Nji shikim poezis të vjetit 1957 në Shqipni», në të cilin, që në fillim, shkruan:

«Cilido që ka jetue larg Shqipnis gjatë ktyne vjetve të fundit dhe befas ballafaqohet me botimet e reja letrare, mbetet i shtangun para sasis së madhe të tyne: revista mujore të vëllimshme, romane, përmbledhje, vjerrshash, dramë dhe përkthime me shumicë. Por, me të parin shikim të përjashtëm dhe mandej tue i shfletue, vetëm nga veshja tipografike se pushteti i ep nji randsi të madhe sasis së prodhimit edhe se nuk kujdeset – apo i mungojnë mjetet? – t’u vejë në dorë lexuesve botime të përgatituna si u ka hije veprave letrare, ashtu si shofim se bahet gjithkund në botë.

Utilitarisht prodhimin e shumtë nuk e dënon kurrkush, madje nji veprimtari këso dore ndoshta ka me ba qi libri «të depërtojë deri në katundet ma të lanuna të vendit tonë», por asgjamangut – mbasi këtu flitet kryesisht në një seli estetike – ky fakt asht nji shkak lehtësues i ligësht për të mbulue të metat e cilsis artistike. Mun me të gjithë ata shkrimtarë të regjistruem në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Tiranës, përpjesërisht dhe veçorija kryesore e nji hartimit letrar duhet t’ishte në nji shkall mâ të naltë se sa në veprat e shkrimtarëve të paraluftës»[3]

Ky shkrim duket se është i gjithi i frymëzuar nga dëshira për t’i parë zhvillimet me nota pozitive. Ai duket se e ka pranuar tashmë realitetin dhe populli shqiptar, thotë ai, ka të drejtë të kërkojë më shumë nga artistët e tij. Është interesant se si e vlerëson ai karakterin unifikues të vendit pas revolucionit socialist.

«Njoftja e njerzve të krahinave me njëri tjetrin dhe bashkjetesa e tyne në nji shtet shqiptar tash 40 e sa vjet, gjâ që ka sqarue e pasunue gjuhën e shkrimit me elementa të çmueshëm të djalekteve e nëndjalekteve, kanë kollajsue patjetër dhe kushtëzue mundsin objektive të nji përparimi ma të madh të poezisë e prozës sonë» (po ai, po aty, f. 14). Ky vëzhgim për shenjën pozitive që ka lënë ndërtimi i shtetit ndër shqiptarë në përafërinë e tyre, pa u marrë ngultas me llojin e shtetit, pasohet më një tjetër konsideratë që është e afërt në mendësi me atë të elitave të reja të pasluftës, sa i takon gjendjes së kulturës në regjimet e paraluftës. Ja si shkruan ai:

«Si u tha mâ parë Shqipnia njehë nji pavarësi katërdhetë e sa vjeçare, por shteti i përparshëm nuk u interesonte për zhvillimin e arteve e të letërsisë. Pak nga injoranca e drejtuesve të shtetit dhe mâ shum nga nji paramendim ase mentalitet i vjetër mbrapambetës, shkrimtari u mbante prrallaxhi, poeti bejtexhi dhe të dy në jetën praktike mund të kishin nji funkcion çatipi» (po ai, po aty. 14-15).

Dhe duke vlerësuar rëndësinë që u japin elitat komuniste zhvillimit të artit e letërsisë ai vëren me shumë racionalizëm se «Sot interesimi i shtetit shqiptar për artistat asht i madh pse arti nga pushteti e partia mbahet në përdorimin e të cilit përhapen pikëpamjet dhe idetë zyrtare në fuqi» (po aty, f. 15).

Më tej ai tregon historinë e realizmit socialist me penelata të shpejta duke filluar që me «idenat e shkëputura» të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit e duke ardhur deri të Gorki dhe Zhdanovi në Bashkimin Sovjetik.

Edhe ky tekst i tiji për lindjen e realizmit socialist në B. Sovjetik dhe në botë është një model studimi që mund të përfshihet lirisht në manualet dhe në dispensat tona shkollore. Ai thotë se thelbi i kësaj metode edhe në Shqipëri është përmbajtja socialiste dhe forma kombëtare. Pastaj flet për tipiken dhe tipizimin duke treguar se shkrimtarëve shqiptarë u kërkohet që në mënyrë skematike të ndërtojnë figurat statike të kulakut, të reaksionarit e komunistit dhe femrës së përparuar, ashtu si në veprat sovjetike. Këtë lloj skematizmi e pat kritikuar edhe Malëshova që në vitin 1946 dhe Camaj, njësoj si ai, thotë që kjo kërkesë i paralizon sidomos të rinjtë dhe mbyt çdo përpjekje të tyre për krijimin e tipave të gjallë e të vërtetë të botës shqiptare.

Dhe merret përsëri me analizën e një poezie të gjatë të Kadaresë, të cilin e vlerëson si ai që futet në kategorinë «e talentueme të vjershëtarëve të rinj». Është poezia Një ngjarje në pushime. Poemat me subjekt ishin në modë në këtë periudhë dhe Camaj thotë se, këtu, Kadareja tregon se studentesha Liljana ikën me pushime në fshatin e saj dhe atje dashurohet me traktoristin që është dhe sekretar partie. Paragjykime, pastaj puthja e parë, një lloj shpengimi në rrëfim. Ikja e traktoristit me një shërbim në Kinë dhe kthimi përsëri i Liljanës në konvikt, një djalë që e ndjek përsëri. Të gjitha këto i bëjnë përshtypje Camajt dhe, diku, vëren mjeshtërinë e Kadaresë dhe citon:

Më kot heshtja rrethonte ata
Kot bilbilat këndonin më shumë.
U mërzit dhe hëna
dhe ra,
si e lodhun pas bregut në lum

Ndërsa në planin perspektiv, Camaj vëren se ky poemth «rreket të trajtojë dhe nji çashtje problematike në shoqnin e re socjaliste: marrdhanja mes intelektuales dhe puntorit komunist. Traktoristi nuk e ka kulturën e vajzës studenteshë, ndoshta as ndjeshmënin e saj, por komunistin Partija – thomë së pakut na – e ka ngrit aq nalt sa që intelektualja asht e vogël para personalitetit të tij për të cilin edhe bota asht e vogël pse parpitmas fluturon prej kontinentit tonë n’atë të Azis» (po ai, po aty f. 17).

Më tej ai analizon edhe një poemë të Nonda Bulkës e një tjetër të Mark Gurakuqit, një tablo lirike të Muzafer Xhaxhiut dhe një tjetër të Aleks Çaçit duke e përmbyllur me konsiderata pozitive për Llazar e Drago Siliqin dhe e përfundon kështu këtë shënim kritik:

« Pra, dhe poeti shqiptar në dashtë me bâ nji vepër artistike të ndieme, nuk do të rreket që kjo të ketë vetëm trajtën ase lëvoren e jashtme shqiptare, por aq ma tepër edhe mendimin e ndjesin autoktone. Këtë rrugë kanë ndjek të gjitha letërsinat kombëtare për të dhanë dishka artistike, thellsisht njerzore e të pëlqyeshme për mbarë botën» (po ai, po aty, f. 21).

Ndërsa shkrimi tjetër, ai për prozën e viteve ’50, është edhe më i plotë dhe më analitik. Në asnjë tekst për letërsinë shqiptare të asaj periudhe nuk kam gjetur analiza të tilla gati shteruese për disa nga romanet kryesore të asaj periudhe.

«Rreth prozës së sotme në Shqipni» titullohet kjo analizë që ai e botoi në «Shejzat» në numrat 9-10, të vitit 1960, që ishte dhe viti IV i botimit.

Qysh në fillim, ai shtron me të drejtë pyetjen se përse letërsia shqiptare nuk po e lëvron sa dhe si duhet prozën e gjatë – romanin dhe për këtë ngarkon me përgjegjësi vetë shkrimtarin. Vështrimi i tij është i ftohtë, racional dhe jashtë mllefit politik. Ai e quan fakt letrar procesin që shtillet brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ndryshe nga narrativa që po përpunohej nga historiografia letrare socrealiste që kishte futur kriterin klasor në vlerësimin e procesit letrar duke i ndarë shkrimtarët në socialistë dhe reaksionarë, Camaj i ka paraprirë më këtë vështrim asaj përpjekjeje që bëhet sot për ta parë letërsinë shqiptare si një të tërë duke marrë në vështrim si atë që krijohej brenda kufijve shtetërorë, dhe atë në diasporë.

Ai bën pastaj një panoramë të zhvillimit të prozës shqiptare dhe vlerëson me të drejtë sidomos autorët e viteve ’30. Vlerëson Koliqin, Spassen, Kokonën, Shantojën, por edhe Ndoc Nikajn e M. S. Gurrën, Zef Harapin apo Anton Zanonin e deri te hartimet e thjeshta të Mihal Gramenos.

«Fillue kaq mirë proza ke na mbas luftës së fundit pritej që nga novela dhe përpjekjet e përgjithshme letrare të kalohej në roman, në romanin e gjanë që të përmblidhte në vetvehte gjithë përvojën e së kaluemes» (po ai, po aty, f. 6). Dhe tani, vini re si e quan ai instalimin e pushtetit popullor apo të diktaturës komuniste në Shqipëri. «Revolucioni, si kudo ku ai mbërrini, simbas kërkesave të veta, shkaktoi nji kthesë në zhvillimin e letërsisë shqipe dhe hypi në fuqi realizmi socialist» (po ai, po aty, f. 6). Pas kësaj ai përmend të gjithë romanet që janë botuar deri në vitin 1960. Ata nuk ishin vetëm dhe Afërdita përsëri në fshat nga Sterjo Spasse, Çlirimtarët e Shuteriqit, Udha e Velanit e Kin Dushit, Hasta la Vista prej Petro Markos, PërmbysjaTana dhe Këneta prej Fatmir Gjatës, Armiqësi e dashuri e Ali Abdihoxhës, Festa e fundit e Neshat Nepravishtës. «Të gjitha këto vepra, – thotë ai, – synojnë ta zhvillojnë nji tezë tue u përmbajtë mbrenda kufijve të tematikës së Luftës Nacionalçlitimtare dhe të ndërtimit të vendit mbas luftës» (po ai, po aty, f. 7). Ndërsa për t’i gjetur vendin kësaj trashëgimie të re në letërsinë shqiptare, Camaj nuk niset nga kriteret ideologjike-klasore, siç bënin kolegët e tij në Tiranë dhe siç bëjnë, për fat të keq, edhe sot e gjithë ditën shumë prej atyre që e shohin letërsinë shqiptarë si të krijuar për t’u shërbyer komunistëve apo të tjerët – si të destinuar për t’u shërbyer pushtuesve të vendit. Camaj e shikon letërsinë, më së pari, si një produkt letrar kulturor që nesër, thotë ai, kur të ftohen mendjet, do të gjykohet me paanësi. Sipas tij, ky produkt mund edhe të vendoset në gji të traditës së prozës shqipe. «Për t’ia gjetë nji gremç ku të kapet në traditën letrare, romani i mbasluftës në Shqipni, gjithmonë tue folë në pikpamje tekniko-estetike, besoj se vijon afërsisht rrymën e romaneve tip të atyne të Ndoc Nikajt me shokë: përshkrim i thjeshtë pa depërtim të madh psikologjik, me elementa të shumtë folkloristikë, për ma tepër shpesh të shdnëruem sipas besojmës apo dëshirës së shkrimtarit, me nji gjuhë të rëndomtë të çdo ditë dhe, marrë në përgjithësi, të vorfën, kështu që përvoja letrare ndërmjet dy luftavet, që përmenda sipër, kapërcehet edhe arti tregimtar kthen n’origjinën e vet, don me thanë te Nikaj e Gurra» (po ai, po aty, po aty f. 7). Nuk mund të ketë karakterizim më profesional se ky, ndërtuar me mjetet e kritikës dhe të analizës letrare, larg çdo interpretimi sociologjik vulgar. Pastaj analizon të gjitha romanet që përmenden aty, natyrisht, duke treguar toposin e tyre, subjektin dhe mjetet me të cilat realizohet proza. E nis me romanin e Kin Dushit, «Udha e Velanit», për të cilin thotë se autori me më shumë kulturë mund të kishte bërë më tepër në punë të stilit. Në kundërvënie me të përmend Fatmir Gjatën dhe romanin «Këneta» për të cilin thotë: «Nji ndër prozatorët ma të talentuem të kësaj periudhe mund të mbahet patjetër Fatmir Gjata. Si u pa edhe prej numrit të vepravet, duket se romani asht dega e tij. Këneta që duel në vjetin 1959 ka të gjitha tiparet e nji historije të romanizueme. Në te trajtohet ngjarja e thamjes së liqenit të Maliqit dhe sabotimi i inxhinjervet, gjygji i t’cilve pat ba përshtypje të madhe në popullin shqiptar» (po ai, po aty f. 10). Dhe shihni tani me sa elegancë e ndan letërsinë nga historia. «Jo romanet, por historija do t’a zbulojë nji ditë mbrapaskenën e kësaj ngjarje» ( po ai, po aty, f. 10). Dhe pastaj rrëfen subjektin e romanit «Këneta» dhe në fund shkruan: «Tue i lëshue nji sy «Kënetës», vepër afër 500 faqësh, më duket se landa paraqitet e përpjestueme mirë. Vargu i tiparevet përjetsohet mjaft qartë, si në vetvete, si në marrdhanjet me të tjerët.» (f.12). Më tej analizon heroin, Stavri Larën, personazhet, intrigën. Ajo që të befason në këtë analizë të tij, është se ai merret me intrigën artistike dhe jo me ngjarjen reale. Për të, personazhet e së keqes në roman dhe atmosfera e gjyqit ndaj tyre, lidhja me Fullcin, sabotimi janë artistikisht bindëse. Dhe në përfundim, duke u marrë me gjuhën konstaton se tani po ravijëzohet gjuha letrare artistike kryesisht me përfaqësimin e dialektit toskë, megjithëse ka përpjekje për të përqafuar aty edhe dialektin gegë e, kryesisht, të folmen e Shkodrës. Dhe e përfundon:

«Besoj se tue ecë krahas gegnishtja e tosknishtja e shkrueme apo letrare si dy motra të mira, pa ia pre rrugën njana tjetrës, kanë me vijue ma me fryt të gjejnë pikat e përbashkta simbas nji zhvillimi normal. Kjo rrugë asht e domosdoshme të ndiqet poqese dëshirojmë që novela e romani shqiptar të mbërrijnë në sferat e nji stili të kullut artistik.» (po ai, po aty, f. 13).

Siç shihet, Camaj e sheh letërsinë si një të tërë dhe, ndryshe nga ajo që po ndodhte në sallat e institucioneve kulturore në Tiranë, ku kishte nisur procesi i revizionimit të memories historike e kulturore, ai i paraprin idesë se trungu i letërsisë shqiptare është një. Ai vetë dhe kolegët e tij që, për arsye politike, kanë braktisur vendin, janë, po ashtu, pjesë e procesit letrar. Ndryshe nga kodi i kritikës letrare të realizmit socialist, që e vlerësonte artin dhe letërsinë si glorifikim të historisë së re të komunistëve dhe që e ndante në dysh traditën e mëparshme dhe fshinte emrat dhe veprën e atyre që ajo i kishte shpallur kundërshtarë, Camaj, me këto vështrime, hidhte themelet e historiografisë së re të letërsisë shqiptare, të asaj që do të ndërtohej pas rënies së komunizmit në Shqipëri. E gjithë kjo shoqërohet edhe nga niveli i lartë i qytetarisë, mirëkuptimi dhe mungesa e ligësisë, e armiqësisë apo mospërdorimi as edhe i një presjeje që do ta bënte tekstin e tij shenjë të një njeriu që, i mbushur me mllef, do të anatemonte sistemin, regjimin dhe artin e atij regjimi. Këto tekste të Camajt dëftojnë se vepra e autorit dhe qëndrimi i tij politik janë të ndara për sa kohë ato nuk kushtëzojnë njëra-tjetrën. Ai i mirëkuptonte shkrimtarët shqiptarë që ishin të detyruar të shkruanin nën trysninë e realizmit socialist. E rëndësishme, për të, ishte cilësia. Ndryshe nga retorika e egër që ka shpërthyer pas rënies së diktaturës te ne, ku një pjesë shkruesish fajësonin njësoj si diktatorin, si shkrimtarët që shkruan në diktaturë, Camaj, edhe pse u dënua me heshtje dhe me përjashtim nga publiku shqiptar, nuk mendonte kështu. Për të, letërsia është mbi gjithçka.

Për fat të keq, në anën tjetër, në atë kohë, ashtu siç edhe e kam treguar kur kam paraqitur mënyrën se si u instalua realizmi socialist në Shqipëri[4] dhe veçanërisht Konferencën III të Lidhjes të vitit 1949, u ndërtua një ligjërim i mbushur me ngjyrime të luftës dhe ndeshjeve verbale që patën si model pretencat e prokurorëve në gjyqet e para kundër armiqve të pushtetit. Ky ligjërim i egër që kërkonte asgjësimin e kundërshtarit të ideve u ruajt, po ashtu, gjatë gjithë periudhës së socializmit në Shqipëri dhe më e çuditshmja është se ai, në shumë raste, vijon të ruhet i tillë edhe sot, por në disa raste edhe nga ata që e quajnë veten viktima të komunizmit. Martin Camaj, me atë ndjeshmëri për letërsinë shqiptare, jo vetëm që e ka injoruar vlerësimin që ka kritika zyrtare politike për të dhe kolegët e tij në mërgim, por sillet si vazhdimi i zërit të moderuar të Malëshovës, i cili, siç dihet, u përpoq që të krijonte institucione kulturore që të kishin në themel bashkëpunimin dhe jo luftën, por vizioni i tij dështoi.

 

© 2020, Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

[1] Ilir Yzeiri, Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri-tekstet që ndërtuan metodën (1947-1951), ÇABEJ në verba mundi 29 eseistikë, Tiranë 2020 : « Duke ndjekur procesin që shtillej në Shqipërinë e mbyllur përmes organeve letrare, dhe duke ndjekur organin kulturor « Shêjzat» që qarkullonte kryesisht për diasporën shqiptare, mund të shohësh se si procesi i zhvillimit të letërsisë shqiptare ecën në dy rrafshe dhe semiopragmatika e realizmit socialist bëhet, kështu, vetëm një devijante e semiopragmatikës së letërsisë shqiptare në tërësi » f. 14-15.

[2] Shêjzat, Arkivat digjitale Shkodër, http://adsh.unishk.edu.al/items/show/387 nr 3-4, 1958, f.31

[3] Shejzat, në Arkivat Digjitale Shkodër (http://adsh.unishk.edu.al/items/show/367), nr 7, 8, Vjeti II i botimit, 1958, f. 13.

[4] Ilir Yzeiri, « Semiopragmatika e realizmit socialist» (1944-1949), Onufri, Tiranë 2014, Vërshimi i realizmit socialist, f. 211-245

Rreth Autorit

Prof. dr. Ilir Yzeiri ështe pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist dhe i komunikimit në Universitetin A. Xhuvani në Elbasan. Jeton prej vitesh në Tiranë dhe është gjithashtu një nga gazetarët e njohur të vendit. Ka botuar librat “Poetika” (Tiranë, 2000), “KADARE, AGOLLI, ARAPI- figuracioni në poezinë e viteve '60” (Tiranë, 2011). Ndërsa libri i tij i fundit “Semiopragmatika e realizmit socialist” ( Tiranë, 2013) është pjesa e parë e një serie me studime për realizmin socialist në Shqipëri. Pjesa e dytë e kësaj serie doli në janar të vitit 2020 me titullin “Si erdhi realizmi socialist në Shqipëri”, Botime ÇABEJ . Po në janar të vitit 2020 ai ka botuar edhe monografinë “Erosi & Thanatosi në mjerim – Një vështrim semiologjik për romanin Lumi i vdekur të Jakov Xoxës.”

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin