LARG DUART NGA CAMAJ

nga Hajro Emiri

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit festoi këto ditë 95-vjetorin e lindjes së Martin Camajt, në një atmosferë të rënduar sa nga Covid-i, aq edhe nga polemikat që pasuan shkrimin e Auron Tares, që prekte disa anë pak të njohura të jetës së atij shkrimtari në mërgim.

Botuesi i Camajt në Shqipëri, Bujar Hudhri i Onufrit, kundërshtoi kritikën e Tares, se kinse dy ministritë e Kulturës, në Shqipëri dhe në Kosovë, po përpiqeshin ta shndërronin Camajn në mit. Ai tha se e kundërta ka ndodhur : « shteti shqiptar jo vetëm që s’e ka ngritur Camajn dhe Koliqin, por do të thoja të kundërtën, ka qenë indiferent. »

Duke dëgjuar këto fjalë, m’u duk pak problematike, që një botues t’i kërkojë « shtetit » të promovojë një autor të botuar prej tij, sepse (1) Onufri i ka mjetet që ta promovojë Camajn pa ndihmën e institucioneve dhe të fondeve publike dhe se (2) nuk shkon që një botues t’i kërkojë haptazi shtetit që t’ia mbështesë autorët dhe librat e vet.

A ka nevojë Camaj për mbështetjen e shtetit ? Dhe sidomos : A ka nevojë Camaj për mbështetjen e shtetit shqiptar sot, në kontekstin e politikave kulturore aktuale ?

Camaj mbetet autor pak i njohur nga lexuesi shqip. Shumë e kanë dëgjuar, por më tepër si emër të lakuar në konferenca, përkujtime dhe përvjetorë dhe në botime veprash luksoze – edhe më shumë e kanë dëgjuar si përfaqësues të shqiptarit në diasporë, ndonjëherë të pikturuar madje si antikomunist. Për Camajn është folur shumë, por kjo nuk ia ka ndihmuar letërsinë.

A ka shans Camaj të kthehet në autor jastëku, për lexuesin e sotëm shqip ? Përgjigjja kësaj pyetjeje varet nga natyra e letërsisë që bën Camaj : hermetike dhe të vështirë për lexuesin. Pothuajse të pamundur për lexuesin e sotëm, gjithnjë e më të dëmtuar nga analfabetizmi funksional.

Duhet të ketë mënyra për ta promovuar Camajn edhe me këtë lexues dhe për ta afruar veprën e Camajt me kulturën bashkëkohore. Këto mënyra duhet të gjenden nga njerëz që janë të apasionuar pas atij autori. Dhe sidomos, duhet të gjenden në rrethana si të tanishmet, kur nuk gjen dot shkrimtar shqiptar, që të gëzojë popullaritet. Deri edhe Kadareja, i adoptuar si autori zyrtar i bashkëkohësisë shqipe, rrezikon të humbë terren me brezin e ri, i cili nuk e gjen gjithnjë veten në dilemat dhe fantazmagoritë e atij autori.

Bujar Hudhrit, i cili kërkon më shumë vëmendje nga shteti për autorin e vet, mbase nuk i shkon mendja se politikat kulturore të shtetit sot janë kaq kitsch, kaq « të sigurta », kaq të orientuara ndaj kombëtarizmit naiv, sa çdo interes zyrtar ndaj një autori ia dëmton këtij vetvetiu reputacionin dhe rolin aktiv në shkëmbimet kulturore.

Kur shteti fillon të merret me një autor dhe ta glorifikojë, kjo sjell si efekt të parë balsamosjen dhe mumifikimin : shtatorja e atij autori zhvendoset me fondet e shtetit nga panteoni i kulturës, në panteonin e fesë kombëtare. Në të vërtetë, politikat kulturore të shtetit sot janë të tilla, që priren ta shohin autorin jo në vetvete, jo si krijues vlerash dhe formues mendjesh individuale, por si kontributor në kauzën kombëtare.

Jo më kot, një nga argumentet që u soll në « mbrojtje » të Camajt dhe të Koliqit, gjatë debatit të fundit, ishte që këta « e donin atdheun ».

Po si ndodhi që kjo, dashuria e një autori për atdheun, të adoptohet edhe si kriter për vlerësimin e veprës së tij ? Si u kthyem kështu, kaq urtë e butë, në nivelin e mësonjëtoreve të Rilindjes ?

Kjo ndodhi, me gjasë, që nga momenti kur shteti, përmes disa nëpunësve të vet ambiciozë por të paaftë, filloi të besojë se mund të ndihmonte në integrimin më intensiv të disa autorëve të përzgjedhur me kritere « kombëtariste » në kulturën kombëtare.

Edhe pse kjo qasje mumifikuese është gjëja më e keqe, që mund t’i bëhet sot një autori, dhe aq më tepër një autori pak të njohur dhe të meritueshëm për t’u njohur më tej, si Camaj. Është një qasje që leximin e veprës e zëvendëson me pjesëmarrjen në konferenca dhe përvjetorë, me recitime kumtesa referate dhe manifestime, me botime aktesh dhe akte botimesh, me një liturgji të tërë shekullare, kinse të ndërtuar rreth një figure të njohur, por që i shërben e tëra shtetit vetë.

Nuk del qartë se çfarë do të kërkonte pikërisht një botues si ai i Onufrit, ndaj shtetit, në lidhje me Camajn – më shumë konferenca ? Aktivitete me nxënës shkolle ? Financimin e përkthimeve të letërsisë së atij autori anembanë botës ? Angazhimin e ambasadave në shpërndarjen e kësaj letërsie – të cilën përndryshe nuk e kërkon tregu ?

Një kontribut nga shteti, që mbase do të ndihmonte për përhapjen e veprës së Camajt, do të ishte subvencionimi i veprës së tij : duke ia përgjysmuar çmimin. Duke ia ulur në një të tretën. Por as kjo nuk do të funksiononte, pa një angazhim të drejtpërdrejtë të botës kulturore, në promovim. Mund të jetë paradoksale, por edhe debati i tanishëm, i nxitur nga artikulli i Auron Tares, e ka ndihmuar ekspozimin e Camajt ndaj lexuesit më shumë se dhjetë konferenca që mund të bëhen për t’ia festuar këtij autori datëlindjet. Interesi letrar nuk ndjek rrugën e drejtë të indinjatës morale.

Pyesni libërshitësit !

Duhet të jemi në gjendje, pra, të dallojmë midis gjesteve dhe akteve kulturore që i shërbejnë drejtpërdrejt një autori dhe pritjes së tij nga lexuesi, dhe gjesteve dhe akteve që i shërbejnë një morie njerëzish dhe institucionesh, të cilët kërkojnë të mbijetojnë dhe të riprodhohen, duke u ushqyer me emrin, veprën dhe reputacionin e atij autori.

Historia tregon se ndërhyrjet e shtetit në kulturë, për të ngritur disa vlera (dhe paralelisht për të ulur ose mbajtur në heshtje disa të tjera) kanë natyrë autoritare dhe kundërprodhuese. Sa më shumë që të promovohet një autor, nga fytyra qeveritare dhe entuziazëm kitsch, aq më antipatik do të bëhet ai për lexuesin.

Camaj është ende pak i njohur, që të sakrifikohet në muret e Rozafës kombëtare : Camaj ka vërtet nevojë të mbrohet nga shteti, por vetëm në kuptimin që të mbahet larg sallave ku riprodhohen institucionet dhe hierarkitë shtetërore të kulturës.

© 2020, Hajro Emiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

4 Komente

  1. Me beri peshtypje nje artikull i Stefan Capalikut sot tek Politiko, ku pyeste “Sa fiton nje shkrimtar?”. Mendoj se te keto “fitime”, ai perfshin edhe ato pak perfitime morale qe merr nje autor kur vleresohet nga lexuesi, kritika, koleget, kultura dhe institucionet e saj. Nese per perfitime ekonomike nuk mund te flitet, se jane qesharake dhe as mund te perbejne motivim e shtyse per nje shkrimtar, atehere mbeten ato morale. Por sa fiton sot nje shkrimtar, kur lexuesi, kritika, shteti, botuesi e kane braktisur?

    Lexoj Capalikun dhe perfytyroj te gjithe ato autore sot qe detyrohen te “konkurrojne” edhe me te vdekurit, meqe kultura u ka detyrime morale edhe autoreve si Camaj. Kultura e letrave eshte sheshuar ne ca tubime perkujtimore, konferenca, revista te mefshta qe s’i shfleton askush, e promovime me vere te keqe. Sot, kemi te njejten qasje si per Camaj edhe per nje autor debutant. Kerkesa e Hudhrit u lehteson keshtu barren te gjithe institucioneve te kultures qe i kane figurat si Camaj ready-made, qe vine me lexuesin, botuesin, kritiken pothuajse gati. U lehtesohet keshtu barra edhe botuesvve, qe te mos e cajne koken per te gjallet, per te cilet shteti ka qene po aq indiferent.

    Meqe perfitimet morale te Camaj i kalojne direkt kultures, dhe cave qe riprodhojne pozicionet permes tij, do te sugjeroja qe cdo perkrahje e merituar te jete pjese e nje politike per te perkrahur dhe shkrimtaret sot. Te nderhyhet me politika qe kane efekt trickle-down, sic eshte zbutja e cmimit te librit, mbeshtetja e revistave, punetori te kritikes. Per shembull, botuesi i Ex Libris mund te porosite, me pagese, artikuj kritike nga shkrimtare per autoret qe boton vete. C’kuptim ka per kulturen tone te mbajme ne reanimacion Camajn, kur po i varrosim te gjallet?

  2. Përgjigjja kësaj pyetjeje varet nga natyra e letërsisë që bën Camaj : hermetike dhe të vështirë për lexuesin. Pothuajse të pamundur për lexuesin e sotëm, gjithnjë e më të dëmtuar nga analfabetizmi funksional…””
    So nese nje autor nuk lexohet fajin e kane lexuesit te cilet nuk jane ne gjendje ta kuptojne ate apo autori qe nuk eshte ne gjendje te beje vepren e tij te kuptueshme per te tjeret ?Letersia apo librat me sa di une per kete qellim shkruhen,ato qe autori ka ne koke t’ua komunikoje te tjereve …

  3. “Historia tregon se ndërhyrjet e shtetit në kulturë, për të ngritur disa vlera (dhe paralelisht për të ulur ose mbajtur në heshtje disa të tjera) kanë natyrë autoritare dhe kundërprodhuese.”

    Shteti ndërhyn në kulturë me politika, të cilat pastaj në mënyrë kapilare janë të supozuara të ndihmojnë statusin e një shkrimtari (apo artisti) të veçantë, i gjallë ky, apo i vdekur. Konkretisht kjo kryhet me anë të ligjeve — Ligji për Librin, për Bibliotekat, përfshirja e një shkrimtari në programet shkollore, kujdesja për një kulturë leximi. Përdoruesit e shqipes janë të shpërndarë dhe, edhe në total të paktë në numër: shteti merr masa për t’i bërë bashkë, koordinon politika kulturore me Republikën e Kosovës, kalimin e librit nga një kufi në tjetrin nuk e takson si të ish fjala për këpucë…

    Shteti e bën tërheqëse kulturën, e bën të modës, “kullere”. Kur do. Çështja shtrohet “a do?”. Po ja, një ndërtesë si ajo e Teatrit, me vlera historike dhe arkitekturore (sipas ekspertizës së një pjese jo të vogël arkitektësh) u prish ndërsa Ministre e Kulturës është një arkitekte e specializuar në fushën e bio-arktekturës. Biblioteka Kombëtare është përmbytur, i ka rënë zjarri, po i rrëzohen muret. Duhet të jemi për faleminderit që Butrinti mbrohet nga Unesco, Berati e Gjirokastra po ashtu.

    Me një fjalë, ka plot për të bërë përpara se të arrijmë te përgjysmimi i çmimit të një libri të Camajt. Jo se kjo nuk do të ishte e mirëpritur, të kuptohemi.

Lini një Përgjigje te Daughter of LleshanakuAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin