EDHE I FTUAR EDHE I HESHTUR

nga Castigat

Në një nga takimet letrare të së dielës, në Tele Macro, të pranishmëve – dhe teleshikuesve – u tërhoqi vëmendjen që, një nga karriget në studio e kishin lënë bosh, teksa në të tjerat ishin ulur të zakonshmit kritikë letrarë, fenomene të Facebook-ut, influencues, kakofonë, polemistë të regjur, mjeshtër të shijes urbane dhe spitullaqë profesionistë të skenës së kryeqytetit, të cilët atë natë do të flisnin për vëllimin e freskët poetik Tamli, nga poeti kontroversial Gasper Maraku; dhe kur njëri nga të ftuarit e pyeti drejtuesin e emisionit Gerti A. se për kë po rezervohej ajo karrige, ky buzëqeshi dhe u tregoi me gisht një jastëk të trashë ngjyrë kashte, pak të qëndisur, që rrinte atje pak i ndrojtur, dhe shpjegoi se atë natë në debat do të merrte pjesë edhe Jastëku, duke e quajtur pikërisht kështu, “Jastëku”, çfarë u prit jo pa të qeshura dhe hilaritet. Pak më vonë, drejtuesi Gerti, i njohur për ekspertizën e tij në lëmin e vargut të bardhë, iu drejtua Jastëkut me pyetjen se çfarë sillte të re Tamli, në raport me krijimtarinë e mëparshme të Gasper Marakut, dhe kur Jastëku e vonoi përgjigjen qëllimisht, Gerti u kthye nga kamerat për të vërejtur se heshtja e të ftuarit fliste më mirë se çdo lloj komenti a spekulimi që ky mund të kish bërë; meqë, vazhdoi ai, Jastëku kish aq delikatesë, sa të mos ia vinte në dukje haptazi autorit Maraku se ky prej vitesh po përsëriste vetveten. Pak më pas, kur një estet-psikanalist/ psikanalist-estet i ftuar edhe ai në studio u përpoq të vendoste një lidhje mes tonit elegjiak të disa poemave, te Tamli, dhe jetës aq të vuajtur të autorit poet, sërish i erdhi radha Jastëkut për të parashtruar të vetën, dhe ky sërish nuk tha asgjë, me ç’rast Gerti shpjegoi plot durim se kjo heshtje rishtazi, nga ana e Jastëkut, ndryshe nga e para, nuk rrezatonte veçse empati dhe dhimbje, me çfarë u pajtuan edhe praktikisht të gjithë të pranishmit, me përjashtim të një teoricieni të metrikës, i cili tha se, për mendimin e tij modest, toni elegjiak i atyre poemave vinte ngaqë këto ishin, në fakt, elegji; por edhe këtë herë, Jastëku parapëlqeu të mos reagonte as të polemizonte, duke fituar kështu zemrat e kolegëve dhe të publikut. Që nga ajo natë, mysafiri i plogët do të ftohej të merrte rregullisht pjesë në emisionet letrare të Tele Macros, aq sa shpesh të ftuarit e tjerë, në momente të tensionuara, do të fillonin të kthenin sytë drejt Jastëkut, për t’ia dëgjuar me respekt opinionin; dhe Gerti kurrë nuk do të harronte t’ia jepte fjalën këtij, për të marrë si përgjigje të njëjtën heshtje, por të mbjellë me një laryshi të pafundme kuptimesh; meqë heshtja, siç e ka thënë John Cage, flet edhe aty ku zhurmat nuk arrijnë të komunikojnë më; dhe aq më shumë peshë merrte kjo në lëmin e debateve letrare, ku reticenca jo rrallë detyrohet t’ia lëshojë, si të thuash, karrigen krakërimave. Siç do ta vërenin pastaj disa komentatorë seriozë të eventeve televizive, jo vetëm që heshtjet e Jastëkut në këto emisione gjithnjë arrinin t’i jepnin bisedës tonin e duhur kulturologjik, por ato edhe investonin drejtpërdrejt në rivlerësimin e veprave letrare të marra në shqyrtim. Më në fund, Gerti e mori në sy ta dhunojë edhe tabunë e fundit mediologjike, duke guxuar të bënte një emision intervistë vetëm me Jastëkun, tête-à-tête, i cili rezultoi pastaj më i ndjekuri nga publiku në atë fashë orare të mesnatës; një emision intervistë ku Jastëku nuk ngurroi t’u përgjigjej edhe pyetjeve më të vështira me një qetësi olimpike të mbarsur me një mijë nuanca, distinguo dhe embrione idesh befasuese, por në analizë të fundit pjellore. Midis ironizimeve të Gertit, pandehmave të publikut në studio dhe të ndjekësve anembanë botës dhe heshtjeve aq domethënëse të Jastëkut, erdhi dhe u përftua një interes i ri për letërsinë, që shumë shpejt do të përthyhej edhe në ringjalljen e biznesit në cash të shtëpive botuese dhe të librarive anembanë; pa përmendur atë tjetrën që, për konferencat letrare kalendarike dhe përkujtimore, të organizuara nga institucionet edhe publike edhe private, do të bëhej praktikisht e pamundur që të hidhje në dorë ndonjë ftesë.

 

© 2020, Castigat & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara

Këtë e pëlqejnë %d blogues: