AMENDAMENTET MEKSI DHE STOJKU

nga Agron Alibali

Është njëfarë rregulli i pashkruar që, për lehtësi praktike, nisma të ndryshme legjislative të marrin emrin e propozuesit ose personit të parë në listë.

Në lëvizjen e tanishme për ndryshimin e neneve përkatëse të Kushtetutës që lidhen me Kuvendin dhe sistemin zgjedhor spikasin dy propozime, që po i quajmë Amendamentet Meksi dhe Stojku.

“Amendamenti Stojku”, që merr emrin e deputetit dibran, përbën një përpjekje të sinqertë për të ndryshuar Nenin 64 të Kushtetutës, duke thyer kështu një tabú të politikës shqiptare. Mirëpo nisma është sa qëllim-mirë, aq edhe e përciptë e jo e mirëstudiuar. Për të jemi shprehur më herët në këtë revistë.[1]

Kurse “Amendamenti Meksi”, i formuluar prej ish-kryeministrit të Shqipërisë, na vjen përmes faqeve të shtypit shqiptar te ky shkrim.

Kujtojmë se z. Meksi është njëri prej aktorëve kryesorë në hartimin e akteve kushtetuese pas rënies së diktaturës dhe vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. I përcjellë kësodore nga penda e njërit prej personaliteteve më dinjitoze dhe figurave më të respektuara të së djathtës, Amendamenti Meksi sjell në tryezën e debatit politik një përpjekje serioze për përmirësimin themelor të sistemit dhe procesit zgjedhor në vend. Kësisoj ai meriton vëmendjen e plotë e të menjëhershme të vendimmarrësve të politikës shqiptarë.

Në thelb, propozimi i ish-Kryeministrit Meksi anulon marrëveshjen politike të vitit 2008 dhe rivendos sistemin e përzier maxhoritar-proporcional, të miratuar me konsensus, dhe që u zbatua nga vitet 1992-2005. Mbajmë parasysh se sistemi i përzier gëzon legjitimitet më të lartë se sistemi aktual, pasi u miratua me referendumin e vitit 1998. Ai përputhet me traditën vendase, fuqizon raportin zgjedhës – i zgjedhur [lidhje e drejtpërdrejtë], duke ruajtur një balancë të arsyeshme përfaqësimi për partitë e vogla përmes aspektit proporcional.

Kësisoj, Amendamenti Meksi përmirëson ndjeshëm nivelin e demokracisë në vend edhe duke vendosur rregulla të qarta për shmangien e të metave të vërejtura dikur. Për shembull, dukuria e Dushkut [2001] mënjanohet përmes kriterit sipas të cilit votimi i raundit të parë – dhe jo i dyti – është përcaktues për listat shumë-emërore të proporcionalit.

Përmbledhurazi po japim disa nga propozimet kryesore të Amendamentit Meksi:

  1. Reduktohet numri i deputetëve në Kuvend, nga 140 në 100, ku 80 zgjidhen sipas sistemit maxhoritar, dhe 20 sipas sistemit proporcional;[2]
  2. Shpërndarja e 20 deputetëve të listave proporcionale bazohet në rezultatet e ditës (raundit) të parë të votimit;
  3. Fleta e votimit përmban njëkohësisht edhe emrin e kandidatit [listë një-emërore], edhe partinë. Rregulla të veçanta parashikohen në rast koalicionesh;
  4. Kandidatët në zgjedhjet bashkiake janë “vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse” [çka mënjanon kryebashkiakë “me korrespondencë”];
  5. Abrogimi i KQZ-së dhe kthimi në një organizëm të depolitizuar e me mandat jo të përhershëm, që funksionon vetëm për periudhën zgjedhore;
  6. Eliminimi i karakterit të përhershëm të Kolegjit Zgjedhor – “përvojë jo pozitive e deritanishme” sipas z. Meksi – dhe përcaktimi i anëtarëve të tij me short, nga Gjykatat e Apelit dhe të Shkallës së Parë;
  7. Perfeksionimi i rolit të Komisioneve të Qendrave të Votimit; mbyllja hermetike e kutive të votimit para transferimit tek Komisionet Zonale, dhe hapja e tyre vetëm “me shkallmim”;
  8. Buxheti i shtetit të financojë vetëm partitë “e demokratizuara”, d.m.th. “me anëtarësi reale e zyrtare, me zgjedhje të organeve drejtuese periodike e sipas parimeve demokratike”;
  9. Ana organizative e administrative e procesit zgjedhor i lihet tërësisht Drejtorisë së Përgjithshme Elektorale pranë Ministrisë së Brendshme;

Sipas z. Meksi, zgjedhjet e reja vendore duhen bërë në nëntor të këtij viti, kurse ato të përgjithshme në pranverën e vitit të ardhshëm.  Në imazhin më poshtë jepet Amendamenti  Meksi i plotë:

Z. Meksi propozon edhe një rikonfigurim të hartës së pushtetit vendor në vend. Ndarja e re territoriale, sipas tij, duhet të ketë 70-80 bashki, kurse numri i Qarqeve, “(krahinave)” apo prefekturave duhet të reduktohet nga 12 në 7.

Është e qartë se Amendamenti Meksi ka shumë anë pozitive. Kurse ndër përmirësimet e mundshme do të përmendnin, së pari, nevojën që Kushtetuta të përmbajë vetëm normat dhe kriteret themelore. Hollësitë t’i lihen Kodit Zgjedhor. Së dyti, sa i takon pushtetit vendor, shtrohet domosdoshmëria e rivendosjes në nivel kushtetues të rrethit, krahas me komunën dhe bashkinë. Për mendimin tonë Qarku duhet eliminuar, dhe bashkë me të edhe polikotomia ngatërruese dhe e panevojshme “qark, rajon, krahinë, prefekturë”.

Pra, sipas modelit të Dispozitave Kryesore Kushtetuese, njësitë e pushtetit vendor mund të jenë përsëri “komuna, bashkia dhe rrethi”. Kurse prefekturat mund të kthehen në rolin e vet thelbësor, si organizma administrative – dhe jo të zgjedhura – të ushtrimit të tagreve pushtetit qendror drejtpërdrejt në terren e në nivel kapilar.

Opinioni publik është i lodhur nga maratonat pa bukë të kinse përmirësimeve të Kodit Zgjedhor, gjegjësisht edhe me “asistencën” e OSBE/ODIHR-it. Ka gjasë se Amendamenti Meksi do të gjejë mbështetje të gjerë në opinionin publik, si dhe tek shoqëria civile në vend. I paraqitur nga një përfaqësues i spikatur dhe i respektuar i së djathtës, Amendamenti Meksi lipset gjithsesi të krijojë reflektim dhe të gëzojë mbështetje më së pari nga vetë Partia Demokratike. Kurse marrja në konsideratë dhe vënia në jetë e ideve dhe propozimeve themelore të tij përbën sfidë të guximshme për mbarë spektrin politik në Shqipëri.

Politikëbërësit në vend kanë sot në tavolinë një propozim mirëfilli pozitiv e konstruktiv për përmirësimin e qeverisjes, të sistemit e procesit zgjedhor, dhe përparimin vijues të demokracisë shqiptare. A do ta pranojnë apo jo sfidën ata? Kjo mbetet për t’u parë.

© 2020, Agron Alibali. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Fotoja në ballinë është e marsit 1991 dhe i përket NDI.


[1] https://peizazhe.com/2020/07/08/per-ndryshimin-e-propozuar-te-kushtetutes-se-shqiperise/

[2] Reduktimi i numrit të deputetëve çel rrugën e krijimit në të ardhmen të Senatit, si dhomë e lartë, si dhe rrit cilësinë dhe efektivitetin e punës së Kuvendit, duke i kursyer buxhetit të shtetit shuma të konsiderueshme, përvojë që duhet ndjekur edhe nga organizma të tjera të shtetit shqiptar.

3 Komente

  1. Une seriozisht nuk e kuptoj se si mund te merren ne konsiderate mendimet e nje personi si Aleksander Meksi – kryeminister gjate periudhes se piramidave.
    Ne kishte ndonje periudhe kur ky mund te jipte mend per ceshtje publike ishte koha e fajdeve, qe u pasua me nje kolaps te plote te shtetit Shqiptar-dhene bash ketij zoterie ne perkujdesje- dhe futjes ne Shqiperi te forcave te huaja te armatosura si ne Haiti e ne Somali.
    Tani eshte pak vone, dhe ky njeri, me paste integritet, nuk duhet te prononcohet fare per ceshtje publike.
    E vetmja gje qe do me ngjallte interes nga dore e ketij zoterie do te ishin Kujtimet e tij, ku mbase do te mund te mesonim dicka me shume per ate deshtim gjigand ne zejen e qeverisjes ne fund te viteve 90.
    Dhe nje gje te vogel brenda temes…
    Idete per Senat vijne era rajonalizem dhe federalizem. Une do isha pak me i permbajtur perpara se te hidhja ide te tilla ne kushtet e Shqiperise, ku rajonalizmi eshte akoma gjalle e shendoshe.

  2. Falemnderit për komentin.

    Pa dashur të dal nga tema, pranohet se skemat mashtruese piramidale janë ndër faqet më të errëta të dekadës së fundit të Shek. XX në vend. Vallë është ndërmarrë deri më sot një hetim objektiv, i thellë, i plotë e i ftohtë për ato ngjarje?

    Sidoqoftë, le të mos harrojmë se shqiptarët në vitin 2005 zgjodhën për kryeministër politikanin që kishte qenë President gjatë periudhës së piramidave. Bazuar tek ky kriter praktik, nuk besoj se Kryeministrit të asaj kohe t’i mohohet sot e gjithë ditën të paktën e drejta që të japë mendim për çështje të kushtetutës dhe sistemit zgjedhor në vend. Natyrisht liria e mendimit dhe fjalës i njihet çdo qytetari të lirë të Republikës. Të mos harrojmë se z. Meksi ka qenë edhe Kryetar i Komisionit Kushtetues në vitet 1992-1995, dhe ka ndjekur në çdo hap hartimin e Dispozitave Kryesore Kushtetuese. Fakti se z. Meksi ngre zërin me guxim e kompetencë, në kohën e duhur, për një temë të tillë sa të rëndësishme, aq edhe delikate, duhet vlerësuar, për mendimin tim.

    Nga ana tjetër, është i mirëpritur shqetësimi lidhur me federalizmin apo rajonizimin. Në fakt, ideja e Senatit është hedhur edhe më parë [1998 e në vijim], madje në vitin 1926 vendi ka patur Senat.

    Po ashtu, është e vërtetë se parlamenti me dy dhoma haset më së shumti në shtete me sistem federal. Mirëpo në praktikën shqiptare roli i senatit nuk do të ishte i tillë.

    Personalisht Senatin e shoh si zhvillim të natyrshëm të Pleqësisë, siç e pat menduar Samiu. Ndofta opsioni ideal do të ishte një Senat i përbërë nga 40 Senatorë, ku secili të përfaqësonte një rreth. Kësisoj, Senati do të “siguronte përfaqësimin e kolektivitetit territorial të Republikës”, ngjashëm me Nenin 24 të Kushtetutës Franceze.” Il assure la représentation des collectivités territoriales de la République.”

    Sikurse edhe Franca, shtet ky unitar dhe i centralizuar, edhe senati shqiptar do të realizonte përfaqësimin në Kuvend të kolektivitetit territorial të rretheve. Senatori i Mirditës, i Matit, apo i Kolonjës, për shembull.

    Çështja nëse i duhet apo nuk duhet Senat Shqipërisë e vlen të diskutohet, dhe ndofta lyp trajtim të veçantë.

Lini një Përgjigje te Lyss Anuloje përgjigjen

Këtë e pëlqejnë %d blogues: