TURMAT NË PIEDESTAL?

nga Ernest Nasto

Prej disa javësh Shtetet e Bashkuara dhe një sërë vendesh të tjera perëndimore janë në zgrip të një lëvizjeje të paparë të rishikimit, e bile fshirjes, të figurave deri më sot të shquara të historisë së tyre. Ajo filloi me një numër protestash kundër racizmit sistemik në shoqërinë amerikane që pasuan vdekjen në kamera të zezakut George Floyd prej dhunës së një polici të bardhë në Minneapolis. Por objektivi i deklaruar u kapërcye sakaq, protestat u shoqëruan me vandalizma, e pastaj u shndërruan në një kundërshtim masiv ndaj ekzistencës së statujave e monumenteve të figurave në fjalë.

Tashti, thyerja e statujave me gjasë është quajtur si diçka e admirueshme, sepse lejon të analizohen mjaft tradita bajate të së kaluarës. Ndërkaq harrohet se çfarë shkatërrimesh e tmerresh fshihen pas tyre, dhe këto lëvizja e sotme po kujdeset të na i kujtojë. Prishja e monumenteve dhe ikonave ka ndodhur në periudha konfliktesh të ashpra religjioze apo kuazi-religjioze, me përplasje bindjesh e ndjenjash të papajtueshme. E ashtu kuptimet e ndryshme të asaj çka është e ”e shenjtë”, ”e paprekshme” janë ngërthyer në luftë për jetë a vdekje. Mund të përmendim këtu episode si prishja e ikonave në Perandorinë Bizantine në shekujt VIII dhe IX, apo në Europën Perëndimore gjatë Reformës në shekujt XVI-XVII, orgjitë e përdhosjeve kulturore gjatë Revolucionit Francez, gjatë Revolucionit Kulturor kinez (dhe kopjeve të tij në Shqipërinë enveriane), shkatërrimi me artileri i dy statujave gjigante të Budës prej Talebanëve në Afganistan më 2001, e në përgjithësi shkelmimet e prishjet e monumenteve të së kaluarës në rastet e ndryshimeve, të befta apo të kohëzgjatura, të rendit social. Ato s’kanë qenë thjesht veprime spastrimi, sepse shkatërruesit kanë venë në shënjestër ndjeshmëritë e kundërshtarëve të tyre, me synimin e fshirjes së çdo prove materiale se pikëpamje të tilla, ”të kundërta”, kanë ekzistuar ndonjëherë. S’ka pasur pra hapësira për bashkëjetesë, për tolerancë apo thjesht për modesti, duke nënkuptuar me këtë të fundit se ”ne që po shkatërrojmë sot mund edhe të mos jemi shprehja më e lartë e arritjeve njerëzore”.

Vështirë të thuash sa do të jetë e vërtetë kjo për spektaklet e sotme të statujë-prishjes në Amerikë e në disa vende të tjera. Nga njëra anë jepet përshtypja sikur turmat mblidhen spontanisht sepse u paska vajtur thika e shtypjes në palcë, ama nga ana tjetër spektaklet se ç’kanë një cilësi si për kamera, e duken sikur janë të mirëfinancuara. Për të mos folur pastaj për frymën cinike. Se sado të vrasësh mendjen, nuk gjen dot lidhje të dukshme ndërmjet revoltës, përndryshe krejt të arsyeshme, ndaj ekzekutimit të George Floyd dhe përdhosjes së statujave publike, jo vetëm të gjeneralëve të Konfederatës rebele(1), por edhe të figurave si Washington, Jefferson, Churchill, Grant e bile edhe Mahatma Gandhi.

A do të thotë kjo se zemërimi i turmës është thjesht vulgar, dhe kundrejt çdo lloj monumenti, ”pa dallim feje, krahine dhe ideje”? Apo ai fsheh diçka ende më ogurzezë, si humbja totale e besimit tek ligjshmëria e institucioneve demokratike?

Për momentin s’kuptohet mirë se ku mbaron njëra e ku fillon tjetra, por disa gjëra duken të qarta. Së pari, këto akte shkatërrimi deri tashti kanë shfaqur veç urrejtje të verbër, pa asnjë kujdes, e aq më pak respekt, për ndjenjat e të tjerëve, të atyre që mendojnë sadopak ndryshe. Bëhet kësisoj fare e lehtë (siç ka ndodhur historikisht) që të shtypurit, ose të paktën ata që e shohin veten si të tillë, të kthehen në shtypës. Aq më tepër që veprimet e turmave zelltare nuk sjellin ndonjë përmirësim të jetës së pjesëmarrësve në to. Nuk flitet për vizione ardhmërie, të afërt a të largët, asnjë element pozitiv nuk ofrohet për diskutim për të nesërmen. Se një statujë publike ka doemos në fund të fundit një kuptim publik për komunitetin ku gjendet. Nëse statuja hidhet në hendek, vendi mbetet bosh, prej ku tkurrja e kuptimit publik, dhe për pasojë e vetë komunitetit. Mos kërkojnë ta kompensojnë duke hipur vetë turmën në piedestal?

Së dyti, të bën përshtypje përbërja e turmave në fjalë, e ”ushtarëve të thjeshtë” apo ”mishit për top”, kryesisht rioshë të bardhë, mjaft syresh qimepadirsur. Nuk banojnë në qytetet ku vërsulen, por në rrethinat, shenjë kjo se i përkasin klasës së mesme, të shkolluar e me arsim të lartë. Janë këta që veprojnë për ”shpëtimin e tyre duke u dridhur nga frika”(2) e me një sinqeritet vdekjeprurës. Ata ankohen ndaj ”privilegjit të bardhë”(3) por duket se kërkojnë të projektojnë tek të tjerët mundimet e ndërgjegjes së tyre, me zemërimin e shfrenuar që shihet ndër video. Persona me probleme të tilla priren t’u bashkohen gjithfarë kauzave, ngaqë pranojnë të bëjnë çdo gjë për të shlyer mëkatet e tyre ekzistenciale e për të hequr qafe demonët që i mundojnë. E keqja është se po me atë entuziazëm kërkojnë t’ua heqin edhe të tjerëve demonët, pak rëndësi ka nëse realë apo jo.

Një aspekt tjetër kryesor i kësaj lëvizjeje që duket sikur ka dalë nga faqet orwelliane të ”1984”, është ai që lidhet jo aq me ”ushtarët e thjeshtë” se sa me ata që janë në pozita autoriteti, qoftë institucional apo moral. Autoritetet institucionale e kanë abdikuar rolin e tyre dhe refuzojnë të reagojnë ndaj vandalizmave duke udhëzuar policinë të mos ndërhyjë. Po ashtu korporatat rrahin të tregohen sa më të avancuara në frymën e kohës, në çështjet e ”drejtësisë sociale” (woke) e ashtu lavdërojnë ide e veprime që u kundërvihen rregullave më elementare të rendit social e politik amerikan. Edhe universitetet, gjoja vende gjeometrike të lulëzimit të lirisë së fjalës, shkelin rregullat e debatit akademik e anulojnë fjalime të personaliteteve konservatore që turmat e përkëdhelura i konsiderojnë ”ofensive”. Pra politizimit të skajshëm s’i ka shpëtuar as ruajtja e ligjit dhe e rregullit, që është një element fare themelor i bashkëjetesës. Edhe kryetarja e Kongresit Nancy Pelosi refuzoi së fundi ta dënonte përmbysjen e statujës së Kolombit në Baltimore, me kinse justifikimin se ”nëse komuniteti lokal s’i do statujat, atëherë le t’i heqin”. Përsëri asnjë fjalë për mënyrën vandale si realizohen ”heqje” të tilla.

Në këtë katrahurë, është presidenti Trump ai që po zotohet t’i mbrojë monumentet, dhe ironia këtu është fort e dukshme: nëse thirrjet për rregull e respektim të ligjit vijnë nga një politikan që përndryshe ka mishëruar e vazhdon të mishërojë vetëm kaos, kjo tregon se shoqëria është vërtet në pikë të hallit.

Lëvizja e shembjes së statujave, dhe ajo më e gjera e fshirjes së ”mendimit ndryshe”, janë në harmoni të plotë me etjen totalitare të përdorimit të historisë si armë, që shqiptarët dhe europiano-lindorët e tjerë e njohin mirë. Në këtë kuptim e kaluara historike pushon së qeni burim objektiv urtësie, me tërë njohuritë, idetë e këndvështrimet e ndryshme. Ajo shihet vetëm si dekor që mund të ndryshohet sipas dëshirës, varësisht nga problemet e sotme të skenës politike të vendit.

Por pjesëmarrësit në këtë shkundullimë morale harrojnë të mendohen sadopak para se të shkulin e të hedhin në plehra personalitetet e së kaluarës që s’u përshtaten me saktësi standardeve të sotme, standarde për të cilat ato personalitete s’mund të mbahen përgjegjës. Sepse tek e fundit një fshirjeje të tillë do t’i nënshtrohen edhe vetë zelltarët tanë: ata që presin përsosmëri morale nga të tjerët s’mund të kenë pretendime për mëshirë ndaj vetes, qoftë nga pasardhësit, qoftë nga demonët e ndërgjegjes së tyre të shkalafitur.

Një arsye më e thellë e nevojës për maturi e frenim lidhet me vetë thelbin e njeriut të qytetëruar, sepse një aspekt themelor i qytetërimit është mbajtja parasysh e papërsosmërisë së arritjeve njerëzore, dhe bile përqafimi i tyre pavarësisht nga të metat.

Ja vlen ta ilustrojmë këtë me shembullin kuptimplotë të Thomas Jefferson, një personalitet që po sulmohet së tepërmi nga kulturëfshirësit e sotëm amerikanë. Autori i Deklaratës së Pavarësisë dhe presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara ishte një figurë poliedrike me arritje madhore në shkencat natyrore, në arkitekturë, në artin e qeverisjes, etj, por të gjitha ato mund të lihen mënjanë. Jefferson nderohet sot pikësëpari për idetë e tij, për ndihmesën e tij të pakrahasueshme në kauzën e madhe të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Nga ana tjetër, si të gjithë vdekatarët, ai kishte plot të meta personale. Dhe ato pikërisht aty duhet të mbeten, në planin personal, e jo të përdoren për të zhvlerësuar krejt kauzën e tij. Ashtu si Jefferson e të gjithë të tjerët në histori, edhe veprimtarët publikë të sotëm e japin ndihmesën, me aq sa e kuptojnë e me aq sa munden, në përmirësimin e konditës njerëzore. Bile në shumë raste, sidomos pionierët, ata që çajnë shtigje të reja, s’arrijnë ta realizojnë plotësisht atë ndihmesë në gjallje të tyre, dhe prapë bëjnë përpara.

Por avantazhi i pasardhësve të Jefferson, përfshi të sotmit, është se ata munden të qëndrojnë mbi shpatullat e tij dhe të drejtohen e të frymëzohen nga fjalët e tij. Ky është një avantazh që pionierët, me përkufizim, nuk e kanë. E pikërisht një qëndrim të tillë kanë shprehur veprimtarët e shquar zezakë si Frederick Douglass në shekullin XIX apo Martin Luther King në shekullin XX. Ata u frymëzuan nga fjalët e Jefferson në Deklaratën famëmadhe se ”të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”, pavarësisht nga të metat personale të autorit të tyre. Më e madhja ndër ato të meta mbetet fakti që ai s’arriti t’i përfshijë plotësisht të zinjtë në bashkësinë e ”të barabartëve”, por kjo s’ua ul aspak vlerat ideve te tij.

Kongresmeni John Lewis, veteran i lëvizjes për të drejtat civile, është shprehur se ”ne i dinim fare mirë të metat e Jefferson, por theksin nuk e vumë mbi to. Theksin e vumë tek ajo çka ai shkroi tek Deklarata…ato fjalë ishin aq të fuqishme…ato u bënë plani dhe ideja jonë drejtuese…ato fjalë janë burim i pashtershëm”.

Amerika dhe gjithë Perëndimi mund të mbijetojnë vetëm duke e mbajtur gjallë atë burim, e duke mos lejuar një pakicë të pamend të privojë të tjerët, po edhe veten e tyre, nga përfitimet e ujit të tij.

 

(c) 2020, Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

1) Confederated States of America (CSA) ishte emri zyrtar i organizimit politik të 11 shteteve jugore të Shteteve të Bashkuara, rebelimi dhe shkëputja e të cilëve nga Unioni çoi në shpërthimin e Luftës Civile, 1861-1865.

2) Bibla, Dhiata e Re, Filipianëve 2:12.

3) White privilege – koncept që përdoret në disa teori të racave për të shenjuar tërësinë e avantazheve praktike që të bardhët kanë ndaj personave me ngjyrë në një shoqëri apo organizim politik të caktuar.

14 Komente

  1. Ata u frymëzuan nga fjalët e Jefferson në Deklaratën famëmadhe se ”të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë”, ..”
    Me keto fjale ai nenkuptonte vetem meshkujt e pasur e te bardhe e jo njerezit me ngjyre apo grate ,dhe jane nje mit ashtu si dikur ne qe ishim “fanar I socializmit “ .

    1. Alba, a mund ta sqaroni se për çfarë miti e keni fjalën? Nëse mendoni që Jefferson vërtet meriton të ”statujëpërmbyset”, do që mirë të jepni ndonjë arsye. Mos jeni në parim kundër të gjitha statujave? Nëse po, si e përfytyroni botën pa to? Apo mendoni që këto fjalë specifike të Jefferson janë mit? Në qoftë ashtu, e keni problemin me tërë figurat ndër breza që janë frymëzuar prej tyre pa i konsideruar si mit.
      Përndryshe, keni të drejtë që duhet të kisha përfshirë edhe gratë në bashkësinë e atyre që ai s’arriti t’i fusë tek ”të barabartët”, por edhe gratë në përpjekjet e tyre prapë tek ato fjalë u mbështetën.

      1. Apo mendoni që këto fjalë specifike të Jefferson janë mit?..”
        Ekzaktesisht .Fjale frymezuese jane po ai pati nder mend vetem meshkujt e bardhe .Pavaresisht retorikes se eshte vend I ngritur ne liri e democracy me kushtetuten amerikane njerezit me ngjyre cilesoheshin si 3/5 e nje personi dhe diskriminimi ndaj jo te bardheve ka vazhduar deri vone .
        Ceshtja e statujave varet si e shikon .A eshte nderim per ato qe kane bere mire apo aprovim I aneve te tyre negative ?Nese je I bardhe ndjen admirim per themeluesit e ketij vendi te madh .Nese je me ngjyre ndjen zemerim per poshterimin qe keta I kane bere te pareve te tu .
        Ironikishtt ‘Amazing Grace’ himni shpirteror me I kenduar ne kishat zezake eshte shkruar nga nje tregetar sklleverish .

        1. Mendoj se nuk i keni shtuar ende gjë argumentit, prandaj ju kërkova ta shtjelloni më tutje në detaje nëse mundeni. Në artikull e kisha përmendur çështjen e të metave të Jefferson, si edhe trajtimin e tyre nga personalitetet me ngjyrë. Pra deri aty jemi dakord, no contention.

          Për ta vazhduar logjikën tuaj, një variant mund të jetë të thuash hapur ”po, ata që janë frymëzuar nga Jefferson s’kanë kuptuar gjë prej gjëje nga hipokrizia e tij dhe kanë rrahur ujë në havan” ose ”të gjitha figurat e qytetërimit perëndimor duhen fshirë sepse të gjithë kanë bërë zullume në një masë apo në një tjetër.” Mirëpo edhe ato të qytetërimeve të tjera s’janë të kulluar, për arsyen e thjeshtë se të tillë ndërmjet vdekatarëve nuk ka. Pra kjo logjikë e ”të metave” s’duket se çon gjëkundi, por do të isha kurioz të dija nëse nuk mendoni ashtu.

          Sa më sipër vlen edhe për statujat. A duhet zgjidhur çështja me vota ndërmjet “admiruesve” dhe ”të zemëruarve”? Deri ku mund të shkohet? Përsëri logjika, cilado qoftë baza e nisjes, duhet çuar deri në fund.

          Ndërsa për ‘Amazing Grace’ më lejoni t’ju them se informacionin e keni të gabuar, ose më mirë, keni dhënë vetëm fjalinë e parë, krejt të pamjaftueshme. Një tregtar skllevërish, e aq? A mendoni se ata që e këndojnë janë fare të paditur apo të marrë? Aspak. Ata e këndojnë sepse himni shpreh pendesën e thellë të autorit për të kaluarën e tij, e ashtu në mënyrë koncize një besim bazë të kristianizmit: madhështinë e hirit të Perëndisë për të falur, nëse pendohet, edhe mëkatarin më të madh.

  2. Vone z. Ernest, vone. Delegate iken… U mblodhen edhe 100 intelektualet me te shquar amerikane, Noam Comsky, Margaret Atwood e teposhte javen e kaluar dhe botuan nje Leter te Hapur ne Harper ku ankoheshin qe po u zinin fjalen e lire ne gryke, po s’ua vari njeri. Bile as CNN-ja nuk e zuri ne goje megjithese njeri nga firmetaret ishte edhe Fahrid Zakaria I CNN. It will be blood, ka qene titulluar nje nga filmat Hollivudiane te viteve te fundit. Thuaj pastaj qe jeta nuk imiton artin. Ate te mirin, domethene.

  3. Jam dakort ne teresi me z.Nasto, por do shtoja nga xhepi, qe protestuesit demokrate, sidomos terroristet mes tyre, treguan receten sesi shperbehet Amerika dhe se demokracia amerikane eshte shume e brishte perballe fuqive qenderikese qe po prodhon melting poti.

    Keto protesta jane sinjal alarmi per mbijetesen e shtetit amerikan. Dilema ne te cilen gjendet sot Amerika eshte; shteti apo demokracia ?
    Shume po perflitej ne Amerike prej 20 vjetesh per teknologjine e ligjet qe dhunojne privatesine, qe vene shtetin ne plan te pare e qe cenonte demokracine. Jane bere edhe plot filma e telefilma me keto tematika.

    Mirepo dilema shteti apo demokracia, doli realisht ne plan te pare gjate protestave te demokrateve.
    Per mua eshte e qarte qe demokratet amerikane, nuk arrijne ta pranojne dot shtetin amerikan si historia e krijoi.

  4. Puna eshte se shtet pa demokraci ka, po demokraci pa shtet nuk behet.
    Что делать?-pyeste xha Lenini, pasi mbaroi se lexuari librin me te njejtin titull te Nikolai Chernyshevsky

  5. A duhen bere statuja apo jo? Patjeter qe po dhe kete e kete e kemi pare ne njerezit ne boten primitive dhe ate antike. Problemi tani qendron te prishja e tyre. Pse prishen, more burre, apo sa here nderrojne regjimet dhe idete prishesit hyjne ne pune per renimin e statujave?! ne shqiptaret e kemi pasur ne delikt kete prishjen duke filluar me pushtimin turk dhe nuk e ngritem dot ndonje statuje deri ne Pavaresi. Pastaj me vendosjen e komunizmit e beme vendin plot me statuja e permendore. Por nuk zgjati shume dhe erdhen vandalet qe ne vitin ’90 qe e filluan me prishje, me zvarritjen e Ever Hoxhes dhe prishjen e shumices se statujave dhe permendoreve. Ky eshte nje primitivizem qe vijon te behet dhe sot/
    Dhe cfare ngjet? Ne vendin e Stalinit vendoset nje permendore e sperdredhur e te perndjekurve pa asnje vizion; Behet nje statuje e Fan Nolit qe s’eshtjane njerez te ligj dhe shume te tjerae fare ai burre, vendosen statuja te Zogut dhe Mithat Frasherit qe jane dhe vulgare (si bustet e baballareve qe vene te bizneset e tyre ca pasardhes… Mire eshte qe te kemi aq shume skulptore sa te vinin jo turmat ne piedestal, por horrat qe e bejne kete maskarallek.

  6. E.Nasto ngre pyetjen: “Apo ai (zemërimi i turmës) fsheh diçka ende më ogurzezë, si humbja totale e besimit tek ligjshmëria e institucioneve demokratike?” Dhe pergjigjia e tij tregon se ai nuk dallon qarte situaten! Sepse ai nuk eshte tek grupi i miliona zezakve dhe te varferve, te cilve u ve shqelmin ne qafe, i qellon, i vdes, i torturon, i rreh, i gjobit, u bertet, ua fut gishtin para-mbrapa, i cnderon moralisht cilido polic, cilido zyrtar, cilido parelli. Ernesti yne duket sheh gjithshka nga gjysem-dera e hapur e ndonje kishe, ku ngushellon shpirtin per pamjet e egra te tejpertejme. Per Ernestin tone ekzistojne institucionet demokratike! Dhe ai vetem sa dyshon per humbjen e besueshmerise se turmave ne keto institucione demokratike! Per ta pare se sa demokratike jane keto institucione, Ernesti duhet te ike e te jetoje ndonje vit mes ketyre turmave dhe pastaj te na flase per ‘to!
    Vete fakti qe Trumpi, ky misherim i kaosit, sic e percakton jo pa te drejte Ernesti, vihet ne mbrojtje te monumenteve, a nuk tregon kjo lojrat qe behen per te diskretituar keto revolta e per te mbajtur kete statuquo dhunuesish dhe shtypesish!? Per te mbajtur kete sistem me gjoja ligje demokratike, ku ne fakt i gjithe sistemi ligjor eshte nje xhungel per tu dhene mundesi dhunuesve te dalin pa lagur permes zyrave te shtrenjat te avokaterise!? Mire ne Amerike turmat u manipuluan duke i cuar tek statujat, po ketu ne Gjermani, ku nuk u rrezua asnje statuje, perse zjeu dufi revoltues kundra ketij sistemi demokratik?! (Po keshtu Hollande, France, e gjetke.)
    Oh, gjithe pershpirtmeri Ernesti na sjell fjalet (kupto: kalamanlleqet) per Xhefersonin?! Jo-po ne i dinim te metat e tij, e bla-bla-bla! A thua se ketu po behet fjale per te metat e Xhefersonit!? Jo, i dashur Ernest! Ketu nuk behet fjale as pse ne Athinen demokratike grate nuk votonin, as pse ne mbreterine e kultures, ne France, grate arriten te votonin vetem aty nga vitet ’30, shume vjet mbas Turqise! Thelbi i problemit nuk eshte racizmi dhe mungesa e te drejtave te zezakve ne shekujt dhe dekadat e kaluara! Thelbi i problemit eshte ky racizem i sotem, e sidomos ky denigrim-shtypje-dhune-terror i nje pakice, qe ushtrohet me se shumti permes policise, ndaj nje pakice tjeter, te zinjsh dhe te varferish. Nderkohe qe masa tjeter mes tyre, tek e cila gjindet edhe Ernesti, ben analiza se si-qysh-pse duhej te rrezohej statuja e X-it, apo Y-it, duke e ditur ne fakt, qe pikerisht keto levizje (nje pjese e pjesmarresve ne ‘to) po manipulohen nga sherbetoret e dhunuesve pseudo-demokrate, qe ne te themi, ah me mire keta dhunuesit e tashem, se sa keta te rinj!

    1. R.th., ti nuk jeton as më duket se ke jetuar ndonjëherë në SHBA (kjo duket nga sa shkruan) dhe të gjitha ato që thua, i ke nga leximet dhe informacionin nga mediat e tjera. Asgjë të keqe deri këtu. Por të lutem që Ernest Naston, kur flet, ta dëgjosh me kujdes dhe respekt – jo me këmbën mbi këmbë, as me maninë për t’i shpjeguar ndonjë gjë dhe as duke iu drejtuar tjetrit sikur t’i kesh lidhur kërthizën. Ti nuk më dukesh se mund t’i shpjegosh Nastos ndonjë gjë, në lidhje me dinamikat sociale në SHBA. Përpiqu të kuptosh dhe të zgjerosh horizontin, të lutem. Përndryshe, komente të kësaj cilësie e prishin faqen.

      1. Mos duhet te vij ne USA te haj ndonje plumb, sic e hengri para nja dy muajsh nje shqiptar! Me shpresen se pas marrjes se plumbit Ardiani do ma pranoje mendimin!? Jam 1 milion perqind i sigurte, se edhe ne kete rast, ti dhe njerez si puna jote (ketu nuk e fus Ernestin, sepse ai ka nje fare ndjeshmerie te pakten) do thone: e krruajti vete!
        Ne komentin tim kam theksuar dhunen, shtypjen, denigrimin qe shume njerez pesojne ne te ashtuquajturen “demokraci perendimore”, kete demokraci te cilen ne (apo une te pakten) e kemi hiperbolizuar ate kohe te atehershme ne vendin tone, ku ekzistonte “liria dhe demokracia e masave socialiste”. E pikerisht kete dhune, shtypje, shfrytezim (nganjehere) cnjerezor, poshterim etj. qe nje pjese njerezish perjetojne ne perendimin tone te idealizuar dikur, Ernesti nuk e ka prekur ne shkrimin e tij, sepse nuk e njeh duket mire, nuk e ka perjetuar, ka qene paksa larg tij, si shume e shume te tjere. Ndersa ti -akoma me keq- nuk don ta shikosh kete realitet. Dhe po si ata qehajajt e dikurshem osmane, hipur ne kal, fishkullon ate qe jep mendimin e tij te ndryshem nga i joti! Duket ashiqari, se je ti i shqetesuari dhe jo Ernesti, i cili mund ta shprehe indinjaten dhe kritiken e tij ndaj meje fare hapur, si cdo kush tjeter deri me sot. Ndaj dhe disa prej komenteve te mia nuk i pranon, apo edhe keto qe lejon, i mban njehere te bllokuara e pastaj i nxjerr! Kete metode perdor ti tek komentet e te tjerve?…

        1. R.th., të gjitha komentet që bëhen këto ditë, moderohen (sepse na kanë ardhur shumë trollë). Të tuat moderohen gjithnjë, sepse janë jo rrallë problematike. Ta kam thënë edhe herë tjetër: ti nuk dukesh se je në elementin tënd këtu. Shpesh thua gjëra që nuk qëndrojnë gjëkundi… Kjo analizë jotja për autorin E. Nasto, për shembull. Ncuq. Shumë e dobët. Më vjen keq, r.th., por si moderator një nga punët e mia është të kujdesem për këtë hapësirë publike që e vizitojnë shumë vetë. Më beso, nuk e bëj me dëshirë, as ngaqë kam ndonjë inat me ty, që nuk të njoh. Por bëj pak kujdes, o njeri, se je para një publiku.

        2. I(E) nderuar person(e) pas inicialeve r.th.,
          Ju falenderoj në rradhë të parë për komentet tuaja, padyshim konstruktive, fatkeqësisht ato që thoni janë fare, po fare ama, pa lidhje me shkrimin tim. Pikërisht për këtë arsye nuk reagova pas postimit tuaj të parë, e pastaj s’kish kuptim të përsërisja mjaft nga pikat që kish trajtuar z. Vehbiu në reagimin e tij si botues i revistës.
          Por ndërkaq, meqë më kishit përmendur prapë, dhe posaçërisht, në postimin e dytë, po i shtoj dhe unë diçka nga ana ime përgjigjes së saktë të Vehbiut. Ju kërkoj ndjesë paraparakisht për ndonjë keqkuptim sepse siç thashë postimet tuaja ishin krejt pa lidhje me temën, e prandaj është mjaft e vështirë që vdekatari i zakonshëm të kuptojë se përse tamam e keni fjalën:

          1) nëse e kishit hallin tek të metat e demokracisë perëndimore (duke pasur parasysh sa thoni për dhunën, shqelmin në qafë e të tjera shprehje padyshim fort të goditura) duhet të kini parasysh se sisteme të organizimit të shoqërisë pa dhunë thjesht nuk ka pasur, nuk ka e nuk do të ketë. Dhe po e theksoj përsëri, sidoqoftë, se ”analiza sistematike e demokracisë perëndimore” nuk ishte tema e shkrimit. Megjithatë ju këshilloj të reflektoni mbi thënien e njohur të Churchill (ndoshta apokrife) se ”demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha të tjerave që janë provuar herë pas here.”
          2) por mund të supozohet edhe se jeni parimisht kundër çdo lloj organizimi shtetëror (duke pasur parasysh tonin tuaj plot mllef). Pra ndoshta një anarkist ”i bindur dhe i deklaruar”, (qoftë sepse ashtu keni qenë gjithmonë, apo mbase sepse e keni pësuar keq nga ndonjë kapitalist shtypës gjerman). Po në çdo rast jeni i lutur ta thoni hapur e ashtu i kurseni lexuesit mendje-vrasje të konsiderueshme. Në qoftë i vërtetë ky supozim i dytë, nuk besoj se është kjo revistë vendi i përshtatshëm për të nxjerrë mllefe të tilla. Përndryshe këtu poshtë keni një burim me plot rryma aktivizmi që mund t’ju interesojnë:

          https://www.anarchism.net/www.htm

          3) së fundi, tek komenti juaj i parë, paragrafi që fillon me ”Oh, gjithe pershpitmeri….” e deri në fund, e po ashtu tek komenti i dytë paragrafi prej ”E pikerisht kete dhune….” deri në fund, jane ilustrimet më kuptimplota të asaj që përmenda se komentet tuaja janë më së shumti grumbuj fjalësh pa lidhje ose për ta thënë me Vehbiun ”nuk dukesh se je në elementin tënd këtu”.

          Mbetshi me të mira!

  7. Po respektojme parimin demokratik, i dashur Ernest, dy vendosin mbi njerin, e une po terhiqem teresisht nga komentet ne PTF. Nuk eshte ndonje tragjedi, as per mua e as per PTF-n. Dy veta duhet ta dine me mire nga nje njeri, ku eshte elementi i dikujt.
    Persa i perket pastaj mllefeve anarshisto-antidemokratike do te mundohem edhe keto ti gjej e ti krijoj tek vetja, qe te justifikohem tek ndonje faqe anarshistesh, ku me rekomanduat. E kam pak te veshtire te gjej ndonje kapitalist qe me ka marre shpirtin, se po me afron mosha e pensionit, por s.d.q. edhe kete do e gjej, qe te justifikoj mllefin. Dreqi e marrte, nuk di si t’ia bej per kohen e “socializmit”, ku gjithashtu ia kam kaluar edhe me mire se ne Gjermani, dhe nuk di si ti justifikoj fjalet dhe veprimet problematike qe me kane shoqeruar perhere; me e keqja, nuk di si ti justifikoj ato qe kam shkruar, se ka mbetur e zeza mbi te bardhe! Shpresoj te me fali cdo njeri, apo dhe Zoti, se kam pas kujtuar se kam treguar te verteten! Mendje-mendje kjo bote!
    S.d.q., te pakten po largohem me nje ndjenje te qetesuar, dhe kete ia dij per nder Adrianit, (nuk bej shaka), i cili nuk me la pa vllezer e motra, teksa deri tani isha ketu ne PTF i vetem si biri i njerkes, te cilit nuk i dilnin komentet menjehere, por gjithmone do i kontrolloheshin me pare, ndersa tani kjo procedure -per ngushellimin tim- i ka kaluar edhe te tjerve.
    Mbeci me shendet dhe suksese! Flm. (PS. ndonjehere me te ralle do te jem i detyruar te jap ketu ne PTF njoftimin kur une analizoj ndonje shkrim qe del ketu, ne menyre qe autori i shkrimit ta dije.)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin