TEATRI, TIRANA DHE ESTETIKA E KAUZAVE TË HUMBURA

nga Eda Derhemi

Si vijnë punët! Teatrin më se një herë e lanë jetim, i hoqën publik e aktorë – sikur s’e pëlqenin, sikur do ta ndreqnin, sikur e harronin, sikur s’i duhej kujt. Por njerëzit riktheheshin edhe pasi teatri ndëshkohej  – madje edhe pas ndëshkatave komuniste – gjithnjë me shpresë për të takuar bukurinë që të largon nga shëmtia përqark, për të gjetur  diçka të re, diçka kundër rrymës. E gjenin edhe qorrazi derën e Teatrit, atij teatri që dihej nga të gjithë ku e si ishte, edhe kur sfida kishte, edhe kur s’kishte; edhe kur aktorët sillnin risi, edhe kur përsëritnin veten duke ekzagjeruar modele krijuar nga një shkollë thjesht praktike e artit të skenës; edhe kur regjisorët guxonin të lexonin, edhe kur mendonin se të qenët aktor u mjaftonte edhe për regjinë; edhe kur vihej Ibsen, edhe kur kishte skeçe estrade. Riktheheshin ata që e kishin punë nga ku nxirrnin jetesën, si dhe ata që e kishin tempull të shpirtit, apo edhe të tjerë që në kuvende boshe duhet të dëshmonin se teatrin e ndiqnin. Iu rikthyen aq herë, sido që teatrit gjithnjë iu dha apo iu rindërtua veç aqëz sa të mund të rrinte ende më këmbë për të kryer njëfarësoj shoqërisht dhe historikisht misionin e vet jokomod, aq sa të mund të mbahej nën kontroll e të këputej pa zhurmë në çastin e volitshëm. Derisa arsyeja të binte në gjumë.

Francisco José de Goya y Lucientes – The sleep of reason produces monsters (No. 43), from Los Caprichos

Kjo histori zigzagesh e teatrit tonë është një alibi e gjatë me plot kthina ku do fshiheshin të gjithë, komunistë e demokratë, ndër plot vjet. Kur teatri, edhe ashtu copë-copë, guxoi të tërhiqte dhe mbante publik, e shanë nga nëna, e treguan me gisht si lavire fashiste e pjellë komuniste, shkatarrinë karcinogjene gëluar prej minjsh dramatikë, me vrima marramendëse ku aktorët do thyenin qafën mu para se teatri të binte vetiu e t’i zinte brenda. Ishte edhe kjo një tjetër taktikë kontrolli për ta çuar tek eliminimi. E lanë të degradojë nën një lëngatë të fundit që ish aq e gjatë, sa njerëzia u mësua dhe u lodh nga lënguesi, dhe harroi atë që e shkaktoi, një dergjë si ato të legjendave me mote të gjithë kohërave dhe gjithfarë ngjyrash deri tek kjo e qeverisë së fundit. Pikërisht kjo qeveri pastaj, me mendjen e një njeriu të vetëm që ndërkaq e kish mprehur disa herë shpatën kundër teatrit, e ndërpreu për gjithnjë lëngatën vetmitare. E hodhi përdhe pa i bërë as nder e as premtim, me forcë e me inat. Pa gdhirë. Me fare pak shenja që të çonin aty. Në një ndër ditët e fundit të izolimit masiv për pandeminë COVID-19.

Pastaj, të gjithë së bashku, ashtu siç u përçamë shumë-copash dhe s’e mbrojtëm Teatrin, u bëmë më në fund bashkë dhe e harruam. Arsyeja ra në gjumë; përbindëshat fituan – si në skicën e Goyas. Ja, kështu ndodhi. Na ishte një herë një teatër. Na ka pas pas qenë.

Nuk është ndryshe tjetërsimi i Tiranës. Para syve, a më mirë para hundës, na është rindërtuar një Tiranë për të cilën pëlqimi i atyre që e pëlqejnë u dha pandërgjegjshëm. Edhe pëlqimi i atyre që e pranojnë apo as që e vënë re, po ashtu. Ka shumë që i vënë kazmën për bukën e gojës, e të tjerë për të qenë më të pasur. Por përgjegjës për Tiranën që sot s’njihet është së pari shteti. Kush s’e pëlqen Tiranën e servirur, reziston duke argumentuar për një Tiranë më të mirë. Por argumentet deri tash kanë pirë ujë aq sa pinë ato për Teatrin më parë, që – puuf – iku një mëngjes maji pa lamtumira. Tirana dhe Teatri janë zhbërë ndërkaq që ne vazhdojmë të argumentojmë dhe besojmë në forcën e agorasë. Agoraja në Tiranë ka vdekur, edhe në pastë ekzistuar ndonjëherë. Po ashtu ka vdekur publikja e vërtetë. Njeriu i ideve, publiku, në Tiranë s’ka fuqi. Me të pushteti tallet si me lolon e vet. Sepse frymën ia ka marrë sfera e rremë publike që bën sikur mban gjallë diskursin publik, por në fakt është e varur dhe në shërbim të jopublikes. Një tufë e shitur aktron në agoranë qytetase, duke rrezikuar keq idetë vërtet të lira dhe arsyen.

Po të mos ishin interesat mafiozë ata që kanë drejtuar në të gjitha rrafshet Tiranën e demokracisë, do kishim pasur një qytet më të pashëm e të dashur, më  fisnik e të gjelbër, me ndërtesa e lagje që kishin gojë e tregonin histori shumë-brezash, pra do kishim një Tiranë për njerëzit. Sepse para e madhe është derdhur nahisë tiranase, por jo para e pastër e që ndjek një plan urbanistik për të mirën e popullsisë. Po kështu ndodhi edhe me Teatrin: po të mos kish qenë për interesa mafiozë, Teatri do ishte ende gjallë. Por ku janë forcat e tjera veç atyre që luajnë paranë? Shumica tek ne nuk ekziston si forcë demokratike, por si forcë pasive dhe e pandërgjegjshme që ushtron pëlqim (consent) gjithashtu të pandërgjegjshëm; shumica as që ishte gjëkundi, ndaj s’kish si të braktiste gjësend. Ndërsa pakica që e deshi Teatrin, pakica që ka gojë dhe interesa direkte lidhur me të, por që braktisi si Tiranën ashtu edhe Teatrin, pak e nga pak u lodh, u ble e u shit, dhe u mësua. “Një jetë kemi e mori djalli, ta gëzojmë! Po s’e shemba unë, një tjetër pas meje do e shembë.” Çështja është se pikërisht pse kemi një jetë, historikja merr vlerë dhe ia shumëfishon jetën njeriut individ. Pikërisht pse tjetri pas teje rri në pritje të një thele edhe të vockël si shpërblim për aktin e rrënimit historik të qytetit, ti duhej të rezistoje.

Argumentet përse Teatri duhet të mbetej gjallë, kemi dhënë plot, dhe ishin të forta e sidomos të arsyeshme. Qartësisht ato s’e shpëtuan Teatrin e as Tiranën. Si post-mortem, doja të shtoja vetëm se nuk i besoj ata që thonë se kthyen mendje dhe u bënë pro prishjes së teatrit sepse u bindën nga argumente të tjera apo rrethana të reja. Nuk besoj sidomos ata që thonë se kanë qenë gjithnjë për ta prishur sepse nuk kishte asnjë mundësi tjetër për të pasur një teatër të mirë. E dinë edhe ata vetë. Funksionarët dhe aktivistët prej Tirane, mbështetës të socialistëve sot apo të tjerëve dje, me moshë si e imja a më pleq, nuk do kishin qenë kurrë për prishjen e Teatrit po të mos vinin interesat e partisë përpara lirisë së mendimit të vet dhe të mirës së njerëzve. Tirana dhe Teatri u prishën nga partitë tona politike që u shërbejnë dhe janë pjesë e mafies shqiptare e përtej. Teatri, ashtu si qe, me fasadën e njohur, ne na ka dhënë qumësht e na ka bërë rrebelë apo ëndërrimtarë. S’ka kujtim a jetë të teatrit pa godinën. Ai që do ngrenë është një gjë tjetër. Ishte e thjeshtë për shtetin të mbante një pjesë qoftë edhe vizive të ndërtesës së përhershme (që mund fare mirë të ishte edhe funksionale në një perceptim të ri të saj) dhe të shtonte në vazhdim një teatër modern e si duhej. Nuk do kish njeri kundër këtij plani, dhe pa dyshim kjo mundësi nuk u ndoq jo se mungonin fondet. Dhe vjetërsia apo degradimi i ndërtesës përbënte një problem inxhinierik e arkitekturor që shkenca e sotme e zgjidhte në forma nga më të ndryshmet e të pëlqyeshmet, po qe se pushteti do kish qoftë edhe interes minimal a moral e kulturor ta mbante gjallë teatrin e vjetër. Por pushteti kish interesa të një natyre tjetër. Teatri si kujtesë historike, si qendër shekullore kulturore e Tiranës, u shkatërrua sepse qëlloi në llokmën më të dashur ku të interesuar ishin ndërtues e parti bashkë, pronarë dhe manipulues të mëdhenj.

Njëlloj edhe për Tiranën: s’ka kujtim të Tiranës po ia shembe qendrën, po ia përmbyse çdo gur e çdo mur si edhe hapësirat mes tyre, në vend që t’ia ruash karakterin si shtëpia e vërtetë dhe me rrënjë e qytetarëve dhe qytetarisë. Por Tirana dhe Teatri që u shkatërruan paraprirë nga dhunimi i agorasë, janë arena ku luhen interesa të mëdha financiare. Njoh mirë shumë njerëz mes atyre që çuan në shembjen e Teatrit apo e mbështetën atë. I analizoj një nga një, dhe e di siç di që jam, se po të ishin të lirë të zgjidhnin do kishin mbrojtur Teatrin. Duhet një ego e vogël dhe një arsye e madhe për të bërë punë të mira e të mëdha. Por të mbash egon nën kontroll është punë e vështirë për të gjithë. Ndaj është shumë më kollaj të vritet parimi dhe arsyeja. Dhe kur arsyeja fle (ose shitet) shfaqen monstrat dhe përbindëshat, si tek Goya. Ne ua lamë atyre Tiranën dhe Teatrin.

Çështja e teatrit nuk është “çështje thjesht kulturore” si e kundërvënë kjo me “çështjet politike”. Madje, në nivele të kësaj rëndësie qytetare, as nuk ekzistojnë çështjet thjesht kulturore; ato janë gjithnjë njëkohësisht edhe politike sepse lidhen me statusin, autoritetin dhe këndvështrimet e pushtetit. Zgjedhjet që duhen bërë në sfera si ato për Tiranën dhe teatrin janë të gjitha zgjedhje politike me pasoja të forta po aq politike (dhe padyshim edhe kulturore). Kjo nuk është e vërtetë vetëm për Shqipërinë dhe kryeqytetin apo teatrin e saj, por për çfarëdo vendi. Problemi që ne kemi në veçanti, është se një diskutim kulturor dhe politik tek ne degradon më shpejt se tjetërkund në diskutim partiak, dhe se steka e shitjes së palëve dhe personave është më e ulët, ndaj edhe më e lehtë të degradojë qyteti dhe ndërtesat simbole të tij.

Tirana dhe teatri janë sot mes kauzash të humbura, dhe dëshmi të vënies në gjumë të arsyes ndër të painteresuarit direktë që arsye kanë pasur. Mbetet që drita të vijë nga ringjallja e kauzave të humbura. Për Tiranën ky pozicionim është shenjë e mirë dhe e moralshme. Ndoshta rikthimi i këtyre kauzave nuk u kthen arsyen forcave dominante shqiptare, por duke, u bërë jehonë kauzave të arsyeshme, i mban këto gjallë së vdekurish, dhe e bën arsyen të rrnojë qoftë edhe si ideal.

(c) 2020, Eda Derhemi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Rreth Autorit

Eda Derhemi jeton e punon në Champaign-Urbana të ShBA-ve. Pasi punoi si pedagoge e gjuhësisë në Universitetin e Tiranës (1985-1990), ajo emigroi në Itali, e më pas në ShBA. Përfundoi një Master (Linguistics) dhe një PhD (Communications) në Universitetin e Illinoisit në Urbana-Champaign, ku, prej shumë vjetësh, punon si pedagoge me fokus kurse për gjendjen sociolinguistike në Itali, Mesdhe dhe Europë. Pas doktoratës, ka kryer dy herë kërkime post-doktorale 1-vjecare: në Kosovë mbështetur prej IREX, dhe në Tiranë mbështetur prej Fulbright. Puna e saj shkencore është ndërdisiplinore dhe ndërthur gjuhësinë me etnicitetin, politikën, ligjin, dhe kulturën. Pakicat gjuhësore dhe rrezikimi i ekzistencës së gjuhëve minoritare në Europë, sidomos gjendja e arbërishtes dhe arvanitishtes, janë qendrore në punën e saj. Mbetet shumë e lidhur me shqipen dhe Shqipërinë, sido që ka mbi 30 vjet që nuk është banuese e përhershme në Tiranë. Gjyshja e saj nga Tirana (nona), dhe Tirona e Vjetër me zakonet e veta i janë vazhdimisht në mendje. https://www.routledge.com/Endangered-Languages-in-the-21st-Century/Derhemi-Moseley/p/book/9781032196749

Author Archive Page

3 Komente

  1. Nuk asht se arsyeja ishte zgjuar dhe paskëtaj u pergjum. Mendoj se arsyeja ka qenë e përgjumur dhe ky qe nje akt i fundit nën tutelën e përgjumjes se arsyes se shtate viteve. Andaj, përkundja dhe përgjumja e përbindeshave e zgjon arsyen dhe jo e kundërta. Pushteti në Shqipëri ka qenë përherë hobsian dhe i përgjumur.

    1. Me trishton kjo pike keqyrjeje, Arber. Njeriu eshte qenie e arsyeshme, dhe ne parim si edhe idealisht njeriu ka gjithnje me vete driten e arsyes, edhe kur behet anetar i nje grupi a partie qe nuk duket apo s’do te jete fort e arsyeshme. Ne jemi te afte si qenie qe ta zgjojme arsyen ne cfaredo kushtesh, edhe shume te veshtira te gjumi te deshiruar apo indonktrinimi. Nuk eshte shume e zakonshme te ndodhe keshtu, por mundesia eshte aty, dhe e pakufishme per cilindo. Hobbesiane s’kane qene vetem keta shtate vjet per fat te keq. Arsyeja eshte e qena themelore qe na ben njerez, ndaj e konsideroj si force aktive dhe themelore nga e cila nis shpjegimin. Qenia e perbindeshave para arsyes per mua eshte e vertete vetem si mitologji. Por shpjegimin shkencor e nis me njeriun e bere si te tille. Por le t’i marrim perbindeshat e tu si te mireqene – kush do i vere ne gjume ata? Vecse te tjere perbindesha? – kjo linje te menduari s’jep zgjidhje. Ndersa arsyeja e fjetur mund te zgjohet. Njeriu e ka ate fuqi brenda vetes. Keshtu problemi yne gjen zgjidhje. Pra ceshtja jone eshte pak me e zgjidhshme sesa ajo se kush qe e para: veza apo pula.

  2. E respektoj mendimin tuaj, ama më duhet të shtjelloj disa mendime nën panoramën e një shkëmbimi komentesh miqësore, edhe pse të ndryshme në kundrim apo pikënisjen e mendimit. Unë mendoj fort se kur e pasi arsyeja zgjohet, shndërrohet në një lloj imperativi kategorik (term i Kant-it) si një ligj njerëzor që synon apo themelon, ndërton,”gatuan” aktivisht esencën njerëzore përkundër llogarive që janë veti mekanike e saj. Shembull që buron prej legjendave, mbi të mësipërmen, në opinionin tim është figura e Kostandinit. Nuk pohoj ngurtësinë tirane të arsyes, por fuqinë parimore të saj. Andaj, nuk gjykoj në trajtën e grupimit apo partisë arsyen si të përgjumur, por në trajtën e rrjedhës dhe akteve të legjitimuara prej saj ose mungesës së saj në rastin në fjalë. Ama, Partia, nuk ekziston për me e zgju arsyen por me e trajtëzu dhe unifiku atë ndryshe nga filozofia, letërsia, poezia, teatri etj.

    Ne jemi te afte si qenie qe ta zgjojme arsyen ne cfaredo kushtesh, edhe shume te veshtira te gjumi te deshiruar apo indonktrinimi. Nuk eshte shume e zakonshme te ndodhe keshtu, por mundesia eshte aty, dhe e pakufishme per cilindo.

    Jam dakord pikë e presje me këtë. Andaj identifikohemi si njerëz.

    Kur shkrova komentin, mendova të shkruaja tridhjetë vite, por pastaj kujtova regjimin diktatorial ku arsyen kudo ku e shquanin, i vinin narkozën përmes shpifjes dhe instinktit grabitqar të dhunës si konfirmim pushteti dhe si pasojë shtazore e frikës, e andaj thashë po shkruaj shtatë vite që të mbetem brenda një konteksti minimal të shkrimit të postuar.

    Përbindëshat nuk mendoj se janë parakusht i arsyes, por kusht paralel i saj njëjtë si Janusi me dy koka. Pra, njeriu nuk ka vec arsye, se përndryshe përbindëshat do ishin thjesht mit, por edhe mit, dyshoj pasi nuk do kishin një pikë modeste reale konceptuale prej ku me e kriju apo me e zbulu mitin. Njeriu, në opinionin tim ka kusht instinktin dhe arsyen, andaj në gjumë përbindëshat i vë mendimi dhe imagjinata krijuese, të paktën këtë përshtypje më jep piktura e Goyas.

    Megjithatë, si përfundim më vjen keq që komenti im i parë ju shkaktoi trishtim, por shkrimi juaj (të cilin e vlerësoj) më ka kujtuar momentin kur u shemb Salla Goethe e Teatrit dhe lotët e sinqertë të njerëzve rreth e përqark, e andaj zgjodha të komentoj. Për mua, lotët e sinqertë të atyre njerëzve rreth e përqark kanë qenë arsye, nën kushtin e një katarsisi të ardhur me dhunë arrogante dhe mungesë.

    Ju përshëndes!

Lini një Përgjigje te EdaAnuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin