ORIENTIMI KRITIK

Nga reagimet publike dhe gjysmë-private, pa folur për ato privatet, shoh se ka shumë që janë shqetësuar nga shkrimi i fundit i Auron Tares (“Dritëhije në histori”), një pjesë prej tyre edhe ngaqë hipotezat e ngritura tek ai shkrim cenojnë figurat e Ernest Koliqit dhe Martin Camajt, personalitete të kulturës shqiptare gjatë shekullit XX.

Edhe pse mundësia që të dy këta të kenë bashkëpunuar me agjenturat e ndryshme, duke u dhënë informacion, përkundrejt shpërblimeve në para ose favoreve të tjera të ndryshme, nuk ndikon as duhet të ndikojë në pritjen, leximin dhe trajtimin e veprës së tyre letrare, lexuesit doemos nuk do të mbeten indiferentë ndaj këtyre “dritëhijeve” në jetën e autorëve të tyre të preferuar dhe do të reagojnë ashtu siç dinë.

Veçanërisht në kontekstin e sotëm të tabloidizimit të kulturës shqiptare, shumë konsumatorë të kësaj kulture – nuk po i quaj lexues – po priren t’i zëvendësojnë veprat me bëmat e autorëve të tyre; siç ka ndodhur dhe vijon të ndodhë edhe me Ismail Kadarenë dhe autorë dhe personalitete të tjera pak a shumë kontroversiale (nga Ibrahim Rugova te Frederik Reshpja). Jeta publike e autorëve, e ndërmjetësuar nga mediat, po përfshihet edhe ajo në veprën përkatëse, deri atje sa t’i zërë vendin.

Dhe kjo, në një kohë kur na mungojnë biografi kritike të personaliteteve të kulturës shqiptare të shekullit XX; dhe kur politikat kulturore publike kufizohen me ngritje statujash dhe mitesh, në emër të religjionit surrogato të kombëtarizmit. Edhe Ernest Koliqin dhe Martin Camajn shpesh i kanë vënë në piedestal, qoftë edhe vetëm sepse “i kanë shërbyer Shqipërisë” – një arsye naive, manipulative dhe, për mua, anti-kulturë.

Qasja publike ndaj figurave të mëdha të kulturës (por jo vetëm të kulturës) mbetet e ndarë më dysh: ose panegjirike, në kufi të histerisë adhurimtare; ose shkatërruese, në kufi të ikonoklazmës. Publikun po duan ta ndajnë në dy grupe njëlloj egërshane: në ngritës monumentesh dhe në prishës monumentesh. Vetëdijen tonë kulturore e ka kapur peng manikeizmi, si forma zero e stalinizmit të dikurshëm.

Dhe jo vetëm: sheh që grupe të mëdha interesash partikulariste të organizohen rreth idhujve a monumenteve që kanë ngritur dhe mirëmbajnë dhe ta ndërtojnë identitetin e tyre kolektiv mbi adhurimin e këtyre, pa çka se mund të mos kenë lexuar as edhe një faqe nga autorët, të cilëve u bien në gjunjë.

Çfarë mungon, në masë të madhe, është qasja kritike ndaj kulturës dhe personaliteteve të saj, e tillë që t’i futë këta njerëz në kontekstin historik, politik dhe kulturor të kohës kur jetuan dhe të shpjegojë si dhe pse u bënë këta protagonistë; pa i “lumnuar”, dhe pa i dërguar në ndonjë rreth të ferrit.

Kujtoj këtu fatin, në rrjedhë të shekullit XX, të poetit amerikan Ezra Pound: nga rebel dhe avangardist modernist, në fashist dhe adhurues i Mussolini-t që pastaj u kap dhe u dënua si kolaboracionist prej amerikanëve, rrezikoi të dënohej me vdekje, u mbyll forcërisht në një azil psikiatrik, teksa lartohej në heshtje nga e djathta ekstreme; dhe, më në fund, i vlerësuar në dritëhijet e veta, në shkëlqimet dhe mjerimet e veta, nëpërmjet një numri jo të vogël biografish dhe analizash kritike në SHBA dhe gjetiu.

Aq larg jemi ne, si kulturë, ndaj kësaj qasjeje përndryshe të domosdoshme, sa edhe vetë fjalën kritikë vazhdojmë ta barazojmë rregullisht me uljen, denigrimin, poshtërimin – jo si hulumtim që çon në njohjen e një figure ose vepre; duke refuzuar të kuptojmë se kritika është e kundërt jo vetëm me panegjirizmin, por edhe me gjyqin inkuizitor ndaj një personazhi ose një vepre; nuk i ngre këto në qiell, as i fut në dhé, por i mban në lartësinë e syve dhe përpiqet të shkurtojë distancën e publikut prej tyre.

Që nuk e pranojmë dot kritikën, kjo më duket pasojë e një paaftësie – gati viscerale – për të përqafuar pluralizmin në qasje, në mendime dhe në vlerësime; ose bashkëjetesën e opinioneve të ndryshme, ndonjëherë edhe të kundërta, si kusht dhe themel të dialogut kulturor. Edhe tani që kanë kaluar tridhjetë vjet nga rrëzimi i regjimit totalitar në Shqipëri, pluralizmi e shumta tolerohet, si e keqe e pashmangshme e “demokracisë”, dhe interpretohet, prej shumëve, si një lloj segmentimi i shoqërisë dhe i kulturës, ose si oportunitet për të ngallur gjithfarë krahinizmash dhe katundarizmash.

Shumë prej atyre që lexojnë dhe ndjekin revistën tonë Peizazhe të fjalës në vite, sado me dashamirësi dhe simpati, kërkojnë prej nesh diçka që për ne është e dorës së dytë – të rreshtohemi me këtë apo atë palë, në llogoret aq butaforike të përplasjeve thjesht politike, që mes shqiptarëve kalojnë si “dialog kulturor” (shembull: talk shows të mbrëmjeve televizive). E vërteta është që, edhe pse ne nuk jemi kurrë asnjanës në pozicionimet që marrim, edhe në shkrimet tona edhe në zgjedhjet e shkrimeve që botojmë, synimi ynë, misioni ynë janë të tjera: ne duam të kultivojmë kritikën dhe pluralizmin e ideve. Që disa janë ende të paaftë për ta pranuar këtë rol tonin – dhe nuk po flas për ata që mirëfilli nuk na duan – sërish tregon sa larg jemi realizimit të këtij synimi dhe misioni.

Nëse Koliqi ose Camaj kanë qenë vërtet të rekrutuar nga agjenturat dhe u kanë përcjellë këtyre informacion, kjo për ne, si Peizazhe të fjalës, nuk përbën as përfaqëson ndonjë prioritet, por thjesht një temë që meriton të trajtohet, mes shumë temave të tjera që prekim në faqet tona. Është, përkundrazi, prioritet i përhershëm për ne, që të mundësojmë dhe të mirëmbajmë debatin për këtë çështje, kritikën ndaj veprimtarisë kulturore të shqiptarëve në diasporë dhe dramën e intelektualëve shqiptarë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të kapur në nofullat e Luftës së Ftohtë.

Sa e vështirë është që të kuptohet kjo? Sa e vështirë është që të kuptohet se ky lloj debati na duhet, si kulturë, më shumë se ç’na duhen monumentet, adhurimet dhe skërmitjet e dhëmbëve ndaj njëri-tjetrit? Sa e vështirë është që të kuptohet se lëndimet e përsëritura, viktimizimet, krahinizmat dhe riprodhimi sa rraskapitës aq edhe imagjinar i betejave të dikurshme po ndodhin edhe për shkak të kësaj mangësie, në thelb, të mendimit të sotëm shqiptar?

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

5 Komente

  1. Këto janë disa mënyra reagimi ndaj shkrimit “Dritëhije në histori”, siç kam mundur të proftas kur hap FB (tim). I kam përmbledhur me fjalët e mia, pak me qesëndi, për ta ulur tensionin.

    – Opa: e hëngrën. Dolën agjentë.
    – Është gënjeshtër e (bijve të) komunistëve. Nuk ishin agjentë.
    – Ata janë korifej: nuk mund të jetë e vërtetë (që ishin agjentë).
    – Po kapiteni Kapisyzi? (Ai po, ishte agjent).
    – Shumë mirë bënë që ishin agjentë.
    – Ata bënin sikur ishin agjentë (dhe i përdornin paratë e fituara për të shkruar vepra të shquara për kombin).
    – Ky që shkruan nuk ka tagër t’i nxjerrë ata agjentë.
    – Nga shkrimi nuk kuptohet aspak ishin apo s’ishin agjentë.
    – Shkodrant katolik dhe antikomunista nuk mund me qenë agjentë.
    – Me rob shpie ai që i nxjerr ata agjentë dhe po ashtu me rob shpie ata që i bien pas atij që i nxjerr ata agjentë.
    – Shiko se është plot me gabime sintaksore shkrimi që i nxjerr ata agjentë dhe me cilësi shumë të keqe fotografitë e dokumentave që i nxjerrin ata agjentë.
    – Ja disa nga poezitë e atyre që ju i nxirrni agjentë.
    – Për atë punë edhe Naim Frashëri agjent qe (i Turqisë).
    – Kishim të bënim thjesht me rimbursim shpezash, siç bën për ju Sorosi, o agjentë.
    – Jemi të poshtër si komb: prit kur të më nxjerrin edhe mua tani agjent.

  2. Ndoshta Auron Tare do bënte mirë të lexonte «Marrëdhanjet jugosllave-shqiptare» të Vladimir Dedijerit, për të parë se sa bukur e hidhnin vallen komunistët shqiptarë pas muzikës jugosllave; aty gjendet një portret aspak lajkatues i Enverit me shokë, që Dedijeri ndër të tjera e quan “i pa nderë”.

    1. Komenti më lart nuk më duket brenda teme. Po ta kaloj, vetëm që të paralajmëroj të përmbahesh. Auronit mund t’ia japësh sugjerimet e librave duke i shkruar drejtpërdrejt në Facebook.

      (Gjithashtu: kur mbyllet dera, kjo nuk është ftesë për të hyrë nga dritarja.)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin